| E enjte, 10.11.2022, 08:22 PM |
Të mjaftohesh me botën prej letre, fjalësh dhe shpirtjeje
Nga
Albert Vataj
Nuk
mund ta përfytyroj se si mund të ishte bota pa libra, pa fjalën e farkëtuar në
shpirtjet prej zjarri dhe pasioni, pa letrën e njomur me gjak e me lot, por ajo
për të cilën jam i vetëdijshëm është se çfarë isha dhe arrita të jem para dhe
pasi në jetën time hyri libri, u bëra rob i fjalës dhe i vëllimt prej letre.
I
ndëshkuar nga të qenit tip i ndrojtur, i tërhequr dhe i turpshëm, më la
pothuajse vetëm. Kisha pak shokë, miq akoma më pak, por kisha vetminë në një
shtëpi me libra, shumë libra dhe në kokën time fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë, në
një gjendje të stuhishme.
Lexova,
u lidha me librin atëherë kur nuk e dija se mund edhe të mburreshe me librat që
kishe lëxuar, gjerat që kisha nxënë dhe kohët në të cilat kisha
"jetuar". Megjithatë në botën time të rrethuar nga vetmia nisën të
vijnë; "miq" e "armiq", "vrasës" dhe
"paqtorë", "heretikë" dhe "puritanë",
"mëkatarë" dhe "shenjtorë", të llojllojshëm e gjithfaresh,
kahçmos e prej gjithkund, të cilët dilnin nga faqet e vërdhemta të librave e më
rrëfenin mbi jetën e tyre, mbi atë çfarë statujat prej shpirti kishin gdhendur
në kohëpaskohje.
U
"takova" me njerëz që nuk do të mund t'i takoja kurrë, edhe sikur ata
t'i kisha në lagjen time, edhe sikur të kisha privilegjin e një jete të
përgjithmonshme. "Bisedova" me ta, mësova prej tyre atë që nuk do të
mund të ma mëkonte askush, qoftë kjo bujaria më e lartësuar në përkushtimin
vetëmohues. Jetova nëpër botët e të gjitha kohërave, në imagjinatën e gjithë
asaj larmie përfytyrimesh. U dashurova dhe urreva, jetova dhe vdiqa, qava dhe
qesha, me ata që u bënë pjesë e jetës sime, me ata që kësaj vetmie të lartë i
ngritën një fron hyjnie. Nuk mbeti tokësore tek unë asgjë, veç mishit.
Sot
sërish jam i njëjti, tip i ndrojtur, i
tërhequr dhe i turpshëm, i vetmuar, por kam kaq shumë njerëz me të cilët
"takohem", "bisedoj", "mësoj",
"dashurohem". Mrekullisht mes nesh ka gjithnjë mirëkuptim, përzemërsi
dhe dëshirim. Ata nuk zemërohen me mua edhe kur e teproj, dhe pse kjo ndodh
shumë rrallë. Ata janë prej letre dhe fryme, prej shpirti... janë miq të
vërtetë.
Edhe
unë çdo ditë e më shumë po ndihem si prej letre dhe fryme, prej shpirti, anipse
i vetëm në këtë botë të populluar me kaq shumë njerëz që kanë po kaq frikë nga
vetmia sa dhe nga miqtë dhe të shtrenjtit e tyre.