| E hene, 07.11.2022, 08:57 PM |
NJË GRUSHT DHEU NGA ÇAMËRIA
Skicë meditative
Nga
Resmi Osmani
Sonte
s’më merr gjumi. Ndodh, që në përditshmërinë tonë, një ngjrje e vogël por e
papritur, të ngjallë emocione. Djali, kur erdhi mbrëmanet në shtëpi, më tha:”E
gjen dot se çfarë të kam sjellë?”Dorën e mbante prapa shpine..Nga ato që
hamendësova, nuk qe asnjera. Atëhere ai e zbuloi. Një qeskë plastmasi me një
materie ngjyrë kafe. “Të kam sjellë një grusht dheu nga Çamëria. Ma dha për ty
një shok imi që u kthye prej andej! E kishte marrë në Paramithi”
Në
çast më pushtuan emocionet.E mora në dorë me kujdes si të ishte gjë e gjallë
dhe kisha droje se mos e lëndoja.Ekundrova gjat. E nuhata. Ndjeva amzën e dheut
të vëndlindjes.
Në
shtëpinë time, me atë grusht dheu kishte ardhur e tërë Çamëria.
***
Çamëria
ime e bukur, nuse e stolisur, që laget në brigje nga ujërat e Jonit të kaltër,
në Pargë, Gumenicë, Volë, Prevezë e Arpicë, ku nata eshtë tjetër natë, me hënë
dhe yje të shkëlqyer, edhe dita tjetër ditë: plot dritë që ka shkëlqimin e
detit dhe ndriçimin e diellit. Me kodra bleroshe mbuluar nga kurorat e
ullinjve, kullota të begata, ku kullosin e blegërijnë bagëtia. Ara pjellore,
vreshta dhe ullishte. Edhe ajri tjetër ajr, me aromën e zhumbricës, sherebelës,
manxuranit e borzilokut, luleve të portokallit dhe limonit.
Çamëria
ime, e miteve dhe legjendave, e elimëve ,orakullit pellasgjik të Dodonës, ku
zbrisnin dhe flisnin perënditë, me fatthënat për heronjtë, e lumit Akeron që
zbret nga malet e Sulit e në Nekromantia, varkëtari Karont merr shpirtërat e të
vdekyrve dhe i shpie në mbretërinë e nëndheut. Ku rrjedh lumi Thiamis(Kalama)
që të ka dhënë emrin. Me urën e Artës, ku dridhet shpirti i nuses së murosur sa
herë këmbët e udhëtarëve shkelin mbi të.
Fshatrat
kryekodrave, më të bukur njeri se tjetri, shtëpi dy e tri katëshe, stisur me
gurët e tu të skalitur, qarkuar me avlli, mbushur me çubet e mjalcave,
portopulla me qemer, ovoroi me limon e portokalla, borzilok e manxuran, që i
selitnin duart e amvisave…
Çamëria
ime, tokë e e mbrujtur me djersë e gjak, vend i njerëzve të lire, që se duronin
robërinë. Stoli të asaj toke: burrat levendë, trima, puntorë, të ditur e
kordhëtarë, që kanë bërë histori e hyrë në histori. Të veshur me fustanellë të
bardhë me njëqind fletë(kinda). Kalcat fanello, dizgjet të zeza. Cariqet
telatina, xhufkat të kuqe, xhamadan qëndisur me kërsaf, ngjeshur në brez
pisqollën larë me argjend.Festja e bardhë si bora e malit.
Vallja
e pashoqe çamiko që lidh tokën me qiellin, sfidon vdekjen dhe ringjall jetën
dhe, këngët me jehun si thirrje shpirti.
Vashazt
dhe gratë gjeraqina, të bukura e të mira si ato, gëzim për sytë e djelmve,
shpresë e trimave, shoqe me besë, nëna të dhimbsura. I shoh si arbërore, duke
hequr valle: nazike, te hirshme e të dritësuara me dollama kadife ngjyrë alle
deri në fund të këmbëve, qëndisur me ar, jelekun dhe sakon ngjyrë manushaqe, këmishën byrynxhyk
prevezhane, mandilen mëndafsh me oja, patiqet te ngrira nga qëndizmat me
argjend. Janë zana, janë shtojzavalle të bukurat e dheut! Hilq kadale
valleno/moj syzezë…….Bukuri çame, fisnikëri shqiptare.
Çamëria
ime,më zë malli për të folurën tënde, gluha jote, gluha jonë shqipe, ca e
vjetër, e disi ndryshe në gjëra të vogla,që tingëllon si muzikë , e që Naimi i madh, apostulli i shqiptarizmit të ka
quajtur “Gluhë Perëndie”! Këtë çast, gjithë kujtimet e vegjëlisë, bisedat,
rrëfimet e nënës time, më vijnë në të folmen tënde, tingëllimi i tyre duket si
një jehonë ninulle që e sjell era nga
brigjet e tua bashkë me murmurimën e suvalëve të detit. Janë fjalët e këngës së
jetës, por si një rekuiem.
Çamëria
ime, Çamëria jonë, Çamëri tokë shqipëtare.Tek ti janë rrënjët tona, varret e të
parëve, varret e martirëve. Kujtesa dhe historia jonë që s’harrohet, brez pas
brezi, djalë pas djali, e vajzë pas vjze. E si mund të harrohet? U turrën mbi
ty lukunia e ulqërve zervistë, të egër, gjaksorë, mizorë. Pa shkak: të vranë,
të masakruan, u derdhën lumenj gjaku, u drodh foshnja në bark të nënës, të
dogjën e të shkretuan. Egërsia,plumbi, thika dhe bekimi i kryqit, u bënë bashkë
mbi të pafajshmit, të pambrojturit,zotërit e atij vendi. Pa dallim burra, gra
fëmijë e të moshuar: në plumb, në thikë e në hanxhar E pse? I vetmi faj se
ishin shqiptarë dhe myslymanë. Shtëpitë i dogjën u vidhisën kulm e themel. Në gërmadhat e tyre
ulurin kukuvajka, vajton qyqja.Fshatrat e tua të bukura u shndërruan në
gërmadha. Rënkon toka jote,shpirtërat e të vdekurve nuk gjejnë prehje në varre. Për ta s’ka kush
të ndezë një qiri, të vendosë një tufë me lule, të bëjë një lutje që të prehen
në paqe.
A
mund të ketë peng më të madh?
Çamëria
ime. Unë nuk mund të vij tek Ti, jo për faj tim. Të jam borxhli. Por këtë
herë(sa me fat që jam!) erdhe ti tek mua. Në atë grusht dheu shkëputur nga
trualli yt. Je e tëra: nga Gumenica e bregu jonian në Prevezë, Artë, malet e
Sulit, luginat dhe fushat që përshkohen nga Kalamaj dhe Akeroni, Paramithinë
martire, Marglliçin e Filatin…….Me këtë grusht dheu më ngjall imazhin tënd të
adhuruar dhe sa herë të shoh me sytë e
mëndjes, bën që të çmallem, si biri që
takon nënën dhe, të ndjehem biri yt.
Eh,
Çamëri!
Dy-tre
vite më parë, Enver Kushi,pasi xhiruan një film atje, më pruri një degëz
bleroshe nga ullinjtë e Çamërisë. E shndërrova në një herbar të çmuar.
Ja
tani edhe një grusht dheu që e vendosa në vazo kristali.
Janë
dy ikona –relike me shënjtërinë tënde.
Mesnatë 30.10 . 2022.