| E diele, 06.11.2022, 08:57 PM |
Analizë libri
Sejdi BERISHA:
PESHA E MENDIMIT
FILOZOFIK E KOMBIT PËRMES URTËSIVE, SI THESAR QË BEGATON HISTORINË DHE KULTURËN
E INTELIGJENCËS POPULLORE
“...Unë
e kam kronin me dymbdhjetë
çepa
uji në oborr, asnjani nuk e ka ujtë
njësoj,
e mashkujt e mi dalin e mushin
ujë
në Bistricë....!”.
(Sali Rrusta-Deçan)
Urtësitë dhe fjala e mendimi që ka dalë e del nga
goja e popullit, përveç se janë thesar i pazëvendësueshëm i kulturës dhe i
vlerave shpirtërore e historiografike, janë edhe begati që dëshmojnë për
bagazhin kulturor dhe historiografik të një kombi. Andaj, si të tilla sa herë
që shkruhen e vihen në letër e kanë peshën dhe mesazhin, i cili për asnjë
moment nuk e humb vlerën por vetëm sa e begaton historinë në të gjitha rrjedhat
të kombit dhe të njeriut. Gjërat e tilla, veç tjerash janë lindur e përjetësuar
nëpër oda burrash, por edhe në forma të tjera.
Prandaj, krijuesit deri me tash i kanë bërë të
pavdekshme thesaret dhe perlat e mendjes së hollë të njeriut tonë duke i
përjetësuar në grumbullimin dhe përzgjedhjen e tyre në vepra të shumta. Njëri
prej tyre është edhe krijuesi, Tahir Bezhani, i cili edhe në këtë libër,
(“Urtësi nga Reka e Keqe(dhe frazeologjizma”)-pjesa e III-të, ka bërë punë të
mirë duke mbledhur urtësi nga Reka e Keqe, e cila përfshinë një pjesë të
rëndësishme të Malësisë së Gjakovës dhe të Tropojës.
Kësaj radhe, ai ka bërë përpjekje që urtësitë dhe
mendimet e rralla të popullit t’i sajojë në mënyrën sa më origjinale, por edhe
duke vënë në pah edhe autorësinë atyre që i kanë thënë dhe i kanë përhapur dhe
u kanë dhënë themel pse jo edhe filozofik popullor, që forcojnë mendjen dhe
diturinë e njeriut.
Fjalët që madhështojnë jetën, të cilat edhe sot janë mësime të dala nga
“odat-universitet”, ku janë marrë vendime të rëndësishme për fatin dhe
mirëqenien e njeriut
Autori ka zgjedhur
formën e të shprehurit ashtu në origjinal siç janë treguar e tregohen edhe sot
e kësaj dite, pra, në gjuhën e popullit. Ndërsa, autorët e këtyre formave të
meseleve me konotacion filozofik, e që janë një lloj i matematikës së të
rrëfyerit për jetën dhe ndodhitë qe e begatojnë historinë, lashtësinë mbase
edhe të sotmen, që i ka përjetësuar në libër shkrimtari, vetëm sa dëshmojnë dhe
forcojnë origjinalitetin e mesazhit të mendimit filozofik por edhe të sinqertë
e të çiltër të dalë nga goja e popullit.
Pra, këto janë
gjëra të cilat madhështojnë jetën dhe rrugëtimin e kombit nëpër periudha kohore
mbase edhe nëpër shekuj, që padyshim se edhe sot janë mësime, të dala nga
“universiteti” i urtësive dhe i mendimeve të thella të popullit nëpër oda
burrash, ku janë bërë biseda dhe janë marrë vendime të rëndësishme, për gjithçka;
për liri, për pajtime gjaqesh, për thellimin e miqësive por edhe për forma të
tjera të angazhimit për madhështinë dhe lumturinë e popullit, e të cilat të
treguara shpeshherë edhe përmes “rrotullave”, e detyrojnë njeriun të begatohet
edhe me këto forma dhe perla të diturisë, por pse jo edhe të arsimimit, dhe
kështu i “deshifrojnë” mendimet, qoftë si gojëdhëna, apo, qoftë edhe si urtësi
që ndrisin dhe fisnikërojnë mendjen.
Në kuadër të
kësaj, nuk janë lënë anash as ato rrëfime që kanë shpotitur edhe “naivitetin” e
njeriut, por edhe për budallallëqe, që janë normale kudo tek popujt gjatë
trakullimave të jetës: “Një gjakovar
kishte pas punue disa vite rresht në shitore të katundit Ponoshec, Rekë e Keqe,
dhe kishte krijue myshteri e miqë në krejt katundin. Në ato vite, ...gjakovarit
ia kishte pas grimcue mini disa këmisha në magazinë. Kur i heton, zoritet fort
dhe mendon se si me i hek sa ma parë prej shitores.
Një ditë i vjen një myshteri nga Ponosheci dhe e
mirëpret me përulje te rrallë, tuj i thanë të kam myshteri të vjetër e merakli.
Dua me t’i dhanë, i thotë shitësi, do këmisha të
lira e të mira, vetëm mos i trego askujt se ty t’i kam ruajt.
Shkon dyqanxhiu në magazinë, i merr pesë këmisha,
duke i thotë katundarit, mos u ban merak, vetëm pak i ka grimcue mini këmishat
në shpind, por ti e vesh jelekun, setrën, dhe askush nuk t’i sheh...
-Mirë e ke-tha katundari! Mbështejllmi! Sa
kushtojnë?
-Për ty ma lirë.- dhe ia tregoi çmimin. Ia
mbështjelli dhe i tha: ”i gëzofsh, veç kujt mos i trego, nuk kam ma këso këmisha!...”.
Pasi shkoi te shpija, katundari i Ponoshecit,
hapi mallin e blerë dhe po i shikon këmishat e coptueme prej minit. I ra
ndërmend se gjakovari ia kishte pikë...
-Eeuuu, po mjekër më paska lëshue gjakovari!...
(Tregoi: Halil Veseli, Smolicë)
Tahir BEZHANI
Përmes urtësive
dhe meseleve, autori ka zgjedhur shumë ngjarje të tilla që dëshmojnë për
karakterin dhe vesin e qytetarëve të qyteteve të ndryshme, që janë pasqyrë e
vërtetë e meseve të ndryshme përmes të cilave mund të dallohet dhe studiohet
edhe karakteri dhe dobësia e madhështia e qytetarëve nga vise të ndryshme.
Ndoshta, kjo
urtësi që e ka pikatur autori, tregon më së miri e bindshëm ndonjëherë për
“bujarinë”, veset dhe karakteret e njerëzve prej nga vijnë: “Të shtunden vjen prizreniani musafir në
Gjakovë, kur e pa gruja e gjakovarit me pesë veta, desh sa nuk i ra ne t’lig...
Tinez u perla me burrë,desh u myten... Por mysafiri nuk dike gja. Dhe kaloi
nata,... Të nesrit e përcjelli gjakovari perzerianin.
Të shtunden tjeter, gjakovari me krejt familje i
shkon në Prizren si musafir prizrenianit, dhe gruja e desh u çmend nga
kjiameti, por edhe punët i kish pase shumë keq me pasuri.
Kur e përcjelli të nesërmen me u kthye në shpi
gjakovarin, prizreniani po i thotë: ”miki e mu, nu herë ma ke kanë, nu herë ta
kam kanë, ma nuk due as me ma kanë e as me ta kanë...”.
Dhe, kështu mbaroi
miqësia mes tyre...!
“Kritika” si dëlirësi shpirtërore për temat dhe për problemet e
përditshmërisë, të cilat shpeshherë nuk janë edhe aq të ëmbla por edhe “djegin”...
Se urtësitë dhe
fjalët e urta me të vërtetë janë pasuri e pashtershme e mendjes dhe e
dëlirësisë shpirtërore e kombit, tregojnë edhe shumë mahi apo edhe “kritika” që
i bëjnë jetës duke shpotitur për tema nga më të ndryshme, e të cilat shpeshherë
nuk janë edhe aq të ëmbla por janë “djegëse”, që me një moment ngritin tension
e më vonë fisnikërojnë shpirtin duke i marrë si mahi e satirë që shndërrohen në
lule të bukura në kopshtin e jetës. Një prej tyre është edhe kjo: “Ajo e vëren se bashkëshorti po vonohet dhe
dreka po i ftofet, i thote djalit: ”ç’u
o djali jem e ha bukë se unë me e pas pritë babën tand tanaheret, nuk ishe as
ti në jetë!...”!
Ose: “Nuk kish ditë që gruaja nuk e pyeste burrin e vet sa herë vinte
prej pune, në kohë dreke: pashë Zotin a më don, a më don, a më don”?! Përditë,
ndodhte kështu, kurse pas disa kohe, burri i lodhur dhe i nervozuar nga puna e
perditshme, por që ishte edhe njëfarë meraklie taze, ia kthen gruas: ”të baj be
në Zotin se të dua! Si nuk të dua unë ty, kur i dua tana gratë e qytetit për
qejfin tam!...”.
Përmes mahive,
gjithnjë e përherë, nga “krenaria” që ka njeriu për vetveten mbase edhe për
trimërinë, shpesh del në shesh frika e qyqarllëku, që ato shndërrojem në
“trimëri” edhe tek individët dhe familjet e tyre. Kështu, ngjarjet e tilla janë
një biser që shpërshfaqin karakterin e njeriut, edhe atëherë kur gjërat nuk
kanë edhe aq peshë për ta ruajtur karakterin dhe pamposhtësinë. Dhe këtë, ja se
me çfarë urtësie e madhështon rrugëtimin e popullit në situata të ndryshme: “...Katundari kishte dalë në Pazar për të
shitur ve dhe një qytetar e pyet se sa janë vezët. Ai ia tregon çmimin por
myshteriu ia kthen: pse paq shtrenjtë?“
-Jo, nuk janë shtrenjtë – ia kthen kantundari,
kaq është pazari. Dhe fjalë pas fjale ngatrrohen mes veti. Qytetari e kap
thuprën e kuale dhe ia fishkllon katundarit trupit, katundari kcen nga trina e
qerres dhe e nxjerr kamzen e kerrit dhe i sjelle atij mes du shpatullave. Ai
ike vrap e në shpi, gjithnjë duke menduar se e ka prapa katundarin nuk shikon
anash. Kur hin në shpi rrebte, kerset dera dhe i del nana para.
-Shka u ba djali jem?- i thotë nana.
-E kam rrahë një katundar - i thotë nonës.
-Me shka i rave, qyqe?
-Me thuper fisk e fisk e fisk, deri sa e lodha.
-E ai shka bani?
-Ai me kamëz të kerrit ma ka qepue mes krahëve
vip e vip e vip, tri here, e ika!
-Hajde lum nona, shyqyr që paske ardhe i gjallë!
Po a e din se ai ka mujt me të myt?...
-Jo, ika nonë!...”.
Pleqnarët personalitete të mendjes, gjithmonë të respektuar dhe me
autoritet të veçantë
Pleqnarët dhe
mendimtarët e odave, gjërat e mençura pothuaj se gjithmonë i kanë treguar nëpër
oda, dhe se mendimet e tyre por edhe ata si personalitete të mendjes përherë
kanë qenë të respektuar dhe me autoritet të veçantë tek populli. Për këtë
arsye, në kuadër të vënies dritë urtësive dhe thesareve popullore, autori i
librit ka përzgjedhur shumë pleqnarë me mendimet dhe pleqësitë e tyre, që
padyshim se i japin vlerën dhe peshën e duhur librit.
Në mesin e tyre,
nuk e lë pa e përfshirë edhe mençurinë dhe mendimet e pleqnarit të shquar, Sali
Rrusta.
Ja një nga biserët
e këtij pleqnari:
“Shtëpia e Sali Rrustës nga Deçanit ka qenë hon e
don me za. Dera e tyne ka da pleqni nëpër oda të burrave në tanë Kosovën. Kjo
familje me menqurinë dhe dijen nëpër breza ka mbetë me nam të madh-“Derë
Oxhaku”,ku përherë asht nda drejtësia. Në nji rast, takim burrash odave e
kishin pas vetë do pleqë: ” Baca Sali, a t’kanë gae kush nga mashkujt e
shpisë?...”. E Salihi, bukur me ironi iu përgjigjet: ”Po qysh nuk më kanë gae,
unë e kam kronin me dymbdhjet çepa uji në oborr, asnjani nuk e ka ujtë njësoj,
e mashkujt e mi dalin e mushin ujë në Bistricë....!”.
Ose, edhe urtësia
apo anekdota tjetër si mesazh shumë kuptimplotë: “Sali Rrusta i Deçanit i kish pas hipë kalit e niset drejt Isniqit.
Pa dalë mirë në rrugë e vesin do njerëz
të rrethit të vet:
- Baca Sali ka ja ke nisë kaq herët sot?
- Po shkoj deri n’Isniq, me marrë vesh se shka ka
të re në Deçan!
Kuptimi i tërë
kësaj reflekton vetinë e shoshitjeve të halleve e derteve si në trajtë
“intrige”, respektivisht, se si njerëzve më shumë u intereson se çfarë po
ndodhë në shtëpinë e fqinjit se sa në të veten. Ky ves, shpesh edhe “nxjerrë”
telashe për mirëqenien e njeriut, dhe kështu nganjëherë edhe i bën gjërat
retrograde...!
Andaj, këto forma
të urtësive janë edhe metodë shumë e preferuar e edukimit, ndërgjegjësimit dhe
e vetëdijesimit të njeriut.
Pra, autori, në
këtë vepër ka qenë i kujdesshëm që t’i zgjedhë ato urtësi që pasqyrojnë vlera e
mendimit dhe të fjalës, por edhe të kujdesit për të qenë i matur për gjërat që
i flet, sepse, ato mund të kushtojnë në forcimin e besimit dhe të marrëdhënie
të ndërsjella, e po ashtu prishin balancën në komunitet, në krahina e më gjerë.
Këtë konstatim e forcon edhe kjo ngjarje, e cila përshkruhet përmes fjalëve të
Mujë Loshit të Padalishtës: “Mujë
Loshi i Padalishtave ka qenë një burrë shumë i menqem. Ka qenë pajtimtar i
gjaqeve e ngatrresave në popull. Ai e kish pasë mik e jaran Isuf Dobrën e
Carrabregut, dhe një ditë ia mësynë me shkue te ai e me ndejt me te, me kalue
kohën dhe me ba derte burrash.
Kur shkon te shpia e Isufit, thirrë disa herë në
derë të oborrit. Mirëpo, Isufi ish kanë në odë me do burra tjerë(thuhet me
Ferat Romajen), ka përgaditen me shkue për një pajtim gjaku në një katund. Kur
e ndien zanin që po thirrë dikush në derë të oborrit, Isufi e qet kryet në
dyshekllak dhe e shef Mujë Loshin. Bjen
poshtë te gratë dhe i thotë grues, të del te dera e t’i thotë Mujë Loshit se
Isufi nuk është këtu, se ka shkue me do burra për një pajtim gjaku. Por, Isufi
nuk e kish pas hetue se Muja ia ka pa kryert në dyshekllak kur e ka kqyr
oborrin.
Mujë Loshi, para se të këthehet nga dera e
oborrit te Isuf Dobraj, i thotë grues së tij:
-Thuej Isifit, të fala të ka bae Mujë Loshi, kur
të dalësh jashtë shpie, tjetër herë merre kryet me veti e mos e le te shpia...!
Perla janë edhe
urtësitë e Ramë Zeqirit nga Molliqi. “A
u that gja vorreve...?”, “Në cung mora n’thue,midis oborrit”, por
edhe shumë urtësi të tjera të mendimtarëve të shumtë.
Njeriut tonë,
përpara por edhe tash ende i nevojitet uniteti, mendimi i urtë, sepse, sot e
kësaj dite shumë gjëra na kanë bërë dëm mu për shkak të mungesës së mendimit
fisnik por edhe të dashurisë ndaj njëri-tjetrit. Andaj, autori përmes fjalëve
dhe urtësive ka bërë përpjeke që lexuesit t’i sjellë mendimet të cilat sikur
“kushtëzojnë” nevojën për edukim edhe më thelbësor, dhe kështu besoj se ia ka
arritur. Ja një thesar i thjeshtë, por shumë me peshë për unitetin mbase pse jo
edhe kombëtar: “Imer Syla nëpër oda
të burrave, si në të pame por edhe në gazmende, thoshte: ”Me qëllue dy budallë,
mullarin e sanës e këpusin. Me qëllue ni budallë e nja i meqem, as kashtën e
sanës nuk e këpusin. I meqmi tanaherët ia lëshon rrugën budallës...”!
Karakteristikë e
këtij libri, është se autori ka bërë përpjekje që të sublimojë të gjitha ato
urtësi e gojëdhëna që prezantojnë jetën në të gjitha fushat; edhe në
patriotizëm, edhe në dashuri, edhe në madhështinë e humorit, edhe në dhembje e
lumturi. Që do të thotë, se krijuesi me siguri ka menduar që lexuesit t’ia
sjell një pasqyrë larushie, ku ai mund të dëfrehet, të krijojë imazhe e të
begatohet edhe me filozofinë e fjalës së popullit. që vetëm sa fisnikërojnë
mendjen, shpirtin e zemrën, por edhe e begatojnë edhe jetën me arsyen e, dhe me
mençuritë që njeriut gjatë tërë jetës i nevojitën.
Ndoshta, edhe kjo
ndodhi i përshtatet konstatimit të mësipërm dhe jo vetëm aq: “...Hoxhë, e pate diku fjalën e vazhdoje ta
di ku ke, i tha Abazi. -Po, Abaz. U thash këtyne burrave se e kishin pas vet
Pejgamerin alejselam se kand e do mas shumti, e ai u kish pas thanë, se “e due
nanën”! Fol tash ti Abaz!-tha hoxha...-Eee, bre hoxhë, hiç nuk po pajtohna me
atë fjalë të Pejgamerit alejselam!-tha Abazi.
-Qysh bre Abaz nuk pajtohesh? -u qudit hoxha?!...
-Hoxhë, pasha Zotin veç një vit kam pi në cicë të
nanës, e pas një viti ma ka lye me spec të djegs e ma bajke “kakakakaa!”, e
kurrë ma nuk e piva. Me grue jam qe pesëdhjetë vjet e kur nuk ma leu cicën me
spec e as nuk më tha “kakakaka...”!
Larushia e
urtësive të përfshira në libër janë vetë madhështia e jetës, që u përngjajnë
edhe luleve të shumta në aletë e parqeve, por që aty-këtu ka edhe thera që
therin e thumbojnë. Kështu, të gjitha këto thumbime gjithnjë duken të ëmbla dhe
“joshëse” kur tregohen pa sherr dhe pastër.
Ja, për shembull
një fragment nga një mesele: “...Qohet
Mani e menjëherë shkon te mjeku i fshatit. Mjeku i thotë prit baca Mon se kam
pacientë, jam i zanë. Moni pret e pret bukur shumë, dikur e thirrë mjeku, ia
kontrollon tension dhe i thotë,” e ke naltë, 200 me 100, baca Mon!
Pasha Allahin doktor, qet 50-tshin tjetër ma qove
ti tuj të pritë, se në shpi e pata 150-të...”!
Inkorporomi i traditave fisnore por edhe i fshatrave dhe nahijeve, kanë
“ëmbëlsuar” shpotitë dhe mahitë por kanë ngritur lartë edhe mesazhin e fjalëve
të urta
Traditat përmes
fiseve por edhe përmes fshatrave dhe nahijeve, janë bërë temë e odave si në
dasma ashtu edhe në raste të vdekjes. Bile këto, shpeshherë kanë ngritur
tension por që padyshim se janë “ëmbëlsuar” pastaj me mahi e shpoti. Këtë thelb
jete, shkrimtari mirë e ka inkorporuar në libër si një faktor që zgjeron debat
por edhe si një diçka që ngritë e zbutë zërat e tensionet tek njerëzit, bile
shpesh edhe tek mendimtarët dhe dijetarët
e krahinave. Ja, një fragment me temë të tillë: “-...Ani Hoxhë, a e gjete kund në Kuranë se budalla e i trenti e ka
me borxh me inue Ramazanin?
-Jo, baca Osman, budalla e i trenti janë të
liuruem prej Ramazanit. -i tha hoxha.
Mandej Osmani iu drejtue burrave të Vokshit: “A
po e shihni! Krejt Vokshi jemi të liruem prej Ramazanit,sepse gjysa jemi
budallë e gjysa tjetër të trentë.
Kështu na ka metë e kështu thuhet në popull,
prandaj edhe prej Ramazanit, kokim të liruem...”!
Mesazhet e
urtësive janë aq të thella, sa që ato për temë kanë gjithçka, bile edhe
rrjedhat aktuale e politike, të cilat shpeshherë kanë shkaktuar pakënaqësi tek
populli, e që pastaj janë regjistruar në formë satire e humori edhe nëpër oda.
Për këtë, autori e ka begatuar librin edhe me këtë fragment mençurie: “...Pasi e kryejnë të pamen burrat e
Shishmanit, iu thonë folni se na lehtoni dhimbjen, e keni rendin! Smajl Zenuni,
u kish pas thanë: -Burra rendin tem due me ia falë Dervish Ukës, i takon,
sepse, është i vjetër dhe i dijshëm.
Dervishi menjëherë e merr fjalën pa rixhe të
madhe dhe thotë: ”-Ishin kanë nisë do burra të mirë me shkue në një katund
përqef. Tuj ecë rrugës e takojnë një çoban me një tufë të madhe delesh me afro
200 dele. I shikojnë me sy, por nuk flasin asnjë fjalë. Tuj ecë rrugës, prapë e
shohin një çoban me nja 50 copë dele të mira, bardhoka, me dy ugiç fort të
mirë. Njani prej udhëtarëve thotë: “mashalla, sa të bukura kokan”. Nuk vonon e
njani prej bashkudhëtarve i thotë: e pse atij me 200 dele nuk i the “mashalla”
e këtij me kaq pak dele, me 50 copë, po i thue “mashalla”?!
-Eeee, a nuk e dite, a? Po, kjo tufa me 50 dele i
kishte dy ugiç, e ajo me 200 dele pa asnjë uguç...!
Pra, çdo gjë në një bashkësi e do kallauzin,
udhëheqsin e vet, me i pri mirë e mbarë një shoqnie, një tufe, qofshin edhe
dele...”!
Në popull,
shpeshherë e mbase edhe shumë herë, janë prezent dukuritë e mospërfilljes së
njëri-tjetrit apo të mos miratimit të mendimeve, pa marrë parasysh se a janë të
drejta e me peshë. E kjo, si gjithherë popullit i ka shkaktuar probleme të
mëdha në unitetin për të ecur suksesshëm përpara. Një prej anekdotave-perlë
lidhur më këtë është edhe rrëfimi i Mehmet Shpendit nga Molliqi: “...Mehmeti kish pas shkue me pa në
Botushë me krejt katund dhe si ma i vjetri që ishte, u prinë, por me veti
kishte edhe dy dervishë; Dervish Alinë e Dervish Zeqirin, që ishin vesh nga Sheh Xhaferi i
Junikut, dy ditë më parë. Kur shkojnë në të pame në Botushë, pasi e kryejnë
kryeshëndoshjen, Zenun Aga i Botushës, burrë me za, i thotë Mehmet Shpendit të Molliqit: -O Mehmet
Shpendi, përhajr këta dy dervishë! Qebesa edhe teshat u paskan ra mirë, u
paskan hije, po, a po i le me folë dishka? -Jo Zenun Aga-iu, përgjegj Mehmeti!
Nuk u jap leje se i kemi ngjitë rishtas e tutna se ua vret zgjedha qafen....”!
Urtësi të ngjashme
si kjo, ka edhe shumë e shumë të tjera që me pedanteri i ka përzgjedhur autori
i këtij libri, që padyshim se shkërbejnë si mësim e shkollë, por janë edhe
provokim për studim më të thellë të mendjes dhe të filozofisë së njeriut tonë.
Mahitë të
gërshetuara me shpoti, madhështojnë dhe begatojnë filozofinë popullore, por
edhe humorin e satirën e qojnë në piedestal, gjë e cila fisnikëron por edhe
ngritë tolerancën mes njëri-tjetrit. Këtë e dëshmon edhe “meseleja” e Zenel
Shalës nga Cërmjani i Dushkajës: “...Zenelin
e kishin pas vetë në ndeje në Rekë të Keqe: allahile Zenel, a e kie vëlla
Arifin?” - Po more, vëlla e kam prej nane, e nga baba nuk e di! -u thotë
Zeneli. -Nuk po përgahi hiç- i thonë disa në odë! Ai nuk ashtu sikur ti i
meqem, e s’po dimë...!
-E burra, këtë rast po ua tregoj unë se pse nuk
jemi njësoj. –u tha Zeneli. Kur e kish pas nie nana të gjallë në bark Arifin,
ish kanë kah i mjel lopët n’ahër, e qysh me dal i meqem ai bre burra!. -Po, për
veti a din gja o Zenel, si të ka ndie gjallë nana? -e pyesin. -Kur jam rritë e
kam vetë nanën e më ka pas thanë se “jam qëllue në odë të burrave, ka u qes me
la duart për darkë, kur të kam ndie gjallë në bark...!Për këtë arsye unë jam ma
i meqëm se Arifi...”!
Dhe, përmes
urtësive, anekdotave dhe gojës së popullit nuk kalon dot pa u theksuar edhe
mungesa shpeshherë e dashurisë ndaj njëri-tjetrit: “...Një lavërtar lavrojke arën për mbjellje në kohë pranvere. Në
pllug kishte ngjitë dy kije të bukur e të fuqishëm. Nuk shtyheshin, shkojshin
mirë në lavër, drejt vijës së pllugit.
Një rrugëtar duke kaluar rrugës u ndal dhe i
kishte thënë “puna e mbarë o lavertar!”.
-Të mbarë paq o dai. - ia ktheu lavërtari.
-Mashalla, po të shkojkan mirë kiet në lavër.
Lavërtari i tha: -a e dinë se pse shkojnë kaq mirë këta kie në lavër?! -Jo, tha
rrugëtari, nuk e di!
-Shkojnë mirë sepse nuk janë vllazën. -tha
lavërtari!”.
Begatimi i diturisë, përmes urtësive duke mësuar edhe filozofinë e jetës,
edhe historinë dhe trakullimat gjatë rrugëtimit të kombit
Në këtë vepër,
janë përfshirë urtësitë të cilat janë shpoti, satirë dhe pleqëri nga të gjitha
fushat, kështu që autori ka bërë një punë të mirë, sepse, ka grumbulluar një
gamë ngjarjesh që pasqyrojnë thjeshtë jetën e njeriut tonë, e posaçërisht në
pjesën e Rrafshit të Dukagjinit. Andaj, e gjithë kjo e bën interesant dhe
joshëse materien për ta lexuar, mbase edhe për ta përvetësuar, e cila shërben
për ta mësuar edhe në këtë formë historinë dhe rrugëtimin e kombit.
Është interesant
se autori brenda librit e fut “fije e për pe” edhe ndonjë anekdotë e mahi, të
cilat padyshim se jo vetëm që e begatojnë humorin por edhe e sensibilizojnë
njeriun për ngjarjet, të cilat ndonjëherë nuk duken edhe aq të këndshme. Ja,
një fragment i një anekdote që edhe lexuesin padyshim se e relakson: “…Një grue e kishin pas kapë dhimbët për
lindjen e fëmijës. Ish kanë si adet moti
që kur të pisketë gruja prej dhimbjeve, me piskatë edhe burri që mos me dallue
zanin e grues tuj piskatë. Kur gruan e kapen dhimbët e mëdha e ia nisi e po
pisket nga zavali, nuk piskatke burri i saj, por ndihej zani i një burri në
kojshi. Piskatke ai në tjetër shtëpi e gruja psikatke në shtëpi të burrit…!”
Ose, kur burrëria
nuk respektohet në odë burrash, autori e përzgjedh edhe këtë anekdotë: “…Dervish Delija i Belegut, pak i
mllefosur në burrat e Vokshit që nuk u
luejten vendit, po i thotë të zotit të pamës: kishin qenë dy shokë tuj
ecë rrugës, pastaj trupojnë nëpër do livadhe me disa çukiona me ujë. Të dytë e
shohin një grumbull shotash tuj u la n’ata ujë. I thotë njani: qit me këtë
pushkë bre burrë, vraje naj shotë se e kanë mishin e mirë në këtë kohë dimni.
Jo, valla! -i thotë bashkëudhëtari, nuk muj me qitë në shota.
-E pse bre? -e pyeti shoku i tij.
-Sepse, një krye shote nuk ma paguen fyshekun e
kësaj pushke...”!
Frazeologjizmat-si formë dhe vlerë e veçantë e mendimit filozofik nëpër
periudha kohore
Pra, siç dihet,
fjala me peshën e mendimit nëpër oda, ka qenë, por edhe sot e kësaj dite ka
mbetur jo vetëm thesar por edhe si dëshmi dhe mendim i cili ka quar peshë në
rrugëtimin historik, e që njeriun e kanë bërë të kujdesshëm të formësohet në
mënyra e forma të ndryshme. Kështu, fjala e odave nuk ka ngelur vetëm fjalë e
thënë brenda katër mureve, por është shndërruar në mendim fondamental, përmes
së cilit jeta ka marrë kuptim të plotë dhe shumëdimensional për zhvillimin dhe
për zgjidhjen e shumë problemeve jetike.
Andaj, plotësisht
kemi të drejtë të themi se autori ka bërë përpjekje t’i përjetësojë në libër si
formë dhe vlerë e mendimit dhe mendjes së veçantë e karakteristike nëpër
periudha. Këtij konstatimi, sikur i shkon për shtat edhe ky fragment
frazeologjik i kultivuar nëpër oda: “...Me
i ra hise pasunija gjymertit, nuk ka peshore që e matë, me i ra hise koprracit,
nuk merret vesh kurrgjë! Ose: “...Më i mërzitshëmi (irritues) asht ai njeri që
as nuk din, as nuk pyet e as nuk ndëgjon askënd. E të gjithë kësaj, i japë vule
mendimi fisnik i thënë nëpër oda “...Ai që të lavdon kollaj, edhe të shanë
kollaj...”!
Edhe mendimi në
vijim, provokon për t’i analizuar të gjitha çështjet që jetës i japin kuptim: “...Edhe diell po të bëhesh, të gjithë nuk
mund t’i nxejsh njësojë, ose: “Burri i mirë e i urtë kurrë nuk ngutet, prej
trimnie, jo prej tutës...”!
Andaj, këtë shkrim
do ta përmbyll me mendimin se i tërë ky thesar i popullit, që autori e ka
radhitur në libër, janë pesha që troket në arsyen, mendjen, zemrën dhe në
shpirtin e njeriut. Pra, nuk thuhet pa qëllim: “...Nana, atdheu dhe kombi, kurrë nuk duhet të harrohen”! Por,
gjithnjë duke e pasur parasysh edhe atë se: “...Qymyri edhe nëse nuk të djeg, ai të nxinë...”!
Sokrati ka thënë: “Ka vetëm
një të mirë: dituria. Dhe vetëm një të keqe: padituria”!
(©S. B.)