| E merkure, 09.11.2022, 07:59 PM |
AI KURRË NUK DO TË HARROHET
-Jetë nuk janë vitet, por veprat-
(Në
njëvjetorin e shkuarjes së Zeqir Lushajt në amshim)
Nga
Adil FETAHU
Më 10 nëntor të vitit të
kaluar (2021), në moshën 72-vjeçare ndërroi jetë gazetari, poeti, prozatori, publicisti, kritiku letrar,
shkrimtari, burri i shquar i Malësisë,
mërgimtari, njeriu - Zeqir
Lushaj, nga fshati Gri i Tropojës, me vendbanim në shpat-malin mbi Portin e
Shëngjinit, të Lezhës historike. Të nesërmën u vorros në vendlindje, sipas
amanetit që kishte lënë, pranë varrit të babait të tij, Sadik Selman Lushajt.
Zeqir Lushaj (8 mars 1949 –
10 nëntor 2021), shkollën fillore (katërvjeçare) e kreu në vendlindje, ndërsa
7-vjeçaren në fshatin fqinj, Geg-Hysen. Në vitin 1967 ka krye Shkollën
Pedagogjike “Shenjaze Juka”, në Shkodër. Qysh si maturant, Zeqiri botoi shkrime
në “Zëri i Rinisë” e më vonë edhe në shtypin qendror të Shqipërisë.
Pas diplomimit në
Pedagogjiken, punoi tri vjet mësues në Geg-Hysen. Në vitet 1970-1973, kreu
studimet e larta në Akademinë e Sporteve “Vojo Kushi”, në Tiranë, ndërsa
stazhin pasuniversitar e bëri në Shkollën e Mesme të Tropojës (së Vjetër). Prej
qershorit 1974 deri në fund të vitit 1977, ishte redaktor i gazetës “Zëri i
Rinisë”, pastaj instruktor në aparatin e Komitetit Qendror të Rinisë, e pas
shtatë vjetëve, instruktor në Këshillin e Përgjithshëm të Forumit Demokratik
Shqiptar, kurse në vitet 1991-1993, zgjedhet Sekretar i Përgjithshëm i atij
Forumi. Ka krye dhe detyra tjera, por kurrë nuk i ndërpreu shkrimet dhe
bashkëpunimin me shtypin e kohës. Prej vitit 1998 deri 2014, bashkë me të shoqen, Sabrijen, jetuan dhe
punuan si emigrantë në Njuxhersi (ShBA). Pas pensionimit, u kthyen në Atdhe dhe
vazhduan jetën në Shëngjin. Më 14 shtator 2020, bashkëshortja Sabrija ndërroi
jetë, ashtu që për më pak se katërmbëdhjetë muaj që mbeti i vetmuar në shtëpinë
e tij të madhe, pasi djali i tij i vetëm, Lulzimi, jeton dhe punon në Zvicër,
ndërroi jetë edhe Zeqiri.
Gjatë sëmurjes dhe pas
vdekjes së Sabrijes, Zeqirit iu gjetën më afër se askush tjetër dhe ishin krah
i fortë e mbështetje njerëzore çifti bashkëshortor dr.Domenika e Arben Kapllaj,
nga Lezha, të cilët e vizitonin në shtëpi, e merrnin në shtëpinë e tyre dhe
bënin vizita të përbashkëta në qytete të ndryshme. Për gruan e Zeqirit,
dr.Domenika ka shkruar e botuar
librin-memorial, të titulluar: “Gruaja fisnike Sabrije Lushaj”. Ky çift
u kujdesën dhe iu gjetën Zeqirit pranë edhe gjatë sëmurjës së tij të shkurtër e
deri sa ndërroi jetë dhe u vorros; herë-pas-herë e vizitojnë edhe vorrin e tij.
Jeta në
kurbet
Sa ishte në Amerikë, Zeqiri e përjetonte rëndë jetën në kurbet dhe për atë ka botuar shumë shkrime në prozë e në poezi, të cilat pastaj i ka përfshirë në librat e tij. Ka pasur një stil të veçantë të shkrimit të poezive, në më të shumtën e rasteve fuste fjali ndërmjetësore, që ia shtonin ose sqaronin kuptimin dhe e lidhnin rimën e vargjeve të strofës. Veç kësaj, nga libri në libër, fuste e ribotonte nga 4-5 poezi nga libri paraprak, me qëllim forcimi të unitetit të krijimtarisë së tij në tërësinë e saj. Në shkrimet e tij mbante anën e gegënishtës.
(Nga e djathta: Zeqir
Lushaj, Arben e Dr.Domenika Kapllaj, Hava dhe Adil Fetahu, Shëngjin, qershor
2021)
Në librin “Si n’kurbet,
bre vëlla!” (100 vjersha – ditar kurbeti), ka shprehur tërë vuajtjet,
mallin, nostalgjinë e gurbetçarëve, dhe pyet: “A ja vlen”?
“Rrugëve
të botës,
Pa zënë
vend,
Puno si
kali,
Jeto si
qen”!
Si njeri i afirmuar në
atdheun e vet, komunikativ dhe i dashur
nga të gjithë, me një shoqëri të gjërë, kurbetin e përjetonte rënd:
“Më grryen
vetmia,
Më shumë
fati, që,
Kaq larg
na hupi.
…
Si
n’kurbet, bre vëlla,
Shpirti
(im) në erozion,
Moliset…
dhe shpreson”.
Por “Ziki”, siç e quanin
atje, kurrë nuk e hoqi nga mendja vendosmërinë për t’u kthyer në Atdhe, dhe ua
la amanet mërgimtarëve:
“Amanet,
vëllazën t’mërgimit,
Ta
këndojmë bashkë këngën e kthimit…”.
Kur vendosi vet të kthehet
në Atdhe (maj 2014), vendit mikpritës i
shkroi këto vargje lamtumirëse:
“Lamtumirë
Tokë e Premtuar,
(siç t’paç
thënë: - Mirë se të geta!)
Krenarisht
i shtrëngojmë duart,
Lamtumirë
për sa t’jetë jeta!
Tash po
nisna për At’Dhe,
(Jetë
rrencake…,Eja - Ik),
Po nuk
mrrina (!) bani order,
Një tufë
lule në Atlantik”.
Nga dy rreshtat e fundit të
poezisë së cituar më sipër, shihet se, nga malli dhe dëshira për t’u kthye në
Atdhe, kishte frikë në mos po ndodhë
ndonjë fatkeqësi ajrore e nuk po mund të arrijë në Atdhe, prandaj lë amanet që
në rast se ajo ngjanë, në shenj “përcjellje”, t’i hudhet një tufë lule në
Atlantik.
MOTIVI I VDEKJES NË POEZITË E ZEQIR LUSHAJT
Vdekja është realieti më
absolut në botë. Sepse, çdo njeri dhe çdo gjallesë tjetër mbi tokë, nën tokë,
në ujë ose në ajër, do të vdesë, më heret apo më vonë. Jeta dhe vdekja shkojnë
paralel, dhe në fund vdekja triumfon.
Çdo njeri normal e mendon
vdekjen e vet. Për arsye të kuptueshme,
mërgimtarët dhe të moshuarit këtë e mendojnë më shpesh. Zeqir Lushaj në
shumë poezi të të tij, po edhe në prozë, në kontekste të ndryshme e potencon
vdekjen, qoftë në veten e parë (vdekjen e vet), apo në veten e tretë (vdekjen e
nënës, babait, etj.). Nuk ishte kjo shprehje e frikës ose pesimizmit të Zeqirit
për jetën, por shprehje e realizmit, të cilën e përdorte edhe si metaforë apo eufemizëm.
Megjithatë, fitohet përshtypja sikur Zeqiri kishte një parandjenjë se vdekjen
nuk e ka larg.
Nga opusi i poezive të Zeqir
Lushajt, shkëputëm disa strofa a vargje, që kanë për motiv temën e vdekjes. Në
përmbledhjen me poezi ”Piedestali”,
vdekjen e quan ilaç kundër halleve të jetës:
“Ilaçi më
i mirë
i halleve
të kësaj jete,
(jepet pa
reçetë)
Ka vetëm
një emër – vdekje!”
Në të njëjtën libër, në poezinë “Profecia ime”,
autori thotë se dikush që ndoshta akoma nuk ka lindë, do të merr ndonjë nga
librat e mi t’i lexojë, mund edhe t’i pëlqejnë e të emocionohet dhe do të pyet
për autorin e do t’ia vizitojë vorrin:
“Një nga
këta soj robësh,
Do të
marrë një zotim,
(ndoshta
për shumëkënd budallallëk)
Një ditë
autorit tek varri
Do t’i
shkojë për nderim”.
Edhe proza edhe poezia e
Zeqir Lushajt është e mbushur me urti popullore e mesazhe për jetën dhe
vdekjen. Në poezinë “Rekomandime”,
autori thotë: Kur je i mërzitur, mos telefono; kur je nervoz, mos shkruaj
poezi; kur nuk i beson pushkës, mos i dil kujt në pritë; dhe
“Mos iu
tremb vdekjes,
Që ta
largosh at’ditë”.
Në poezinë “Ooo sa keq”,
autori bënë autokritikë, në emër të më
shumë se qindramijëra njerëzve, të cilët të paknaqur me jetën, të zhgënjyer apo
të penduar nga raportet me njerëzit, iu
shkon jeta duke thënë o sa keq: që e desha aq shumë Iks-Ypsilanin; që luftova aq shumë për
demokraci; që e mora rrugën e gurbetit;
që u ktheva në Shqipëri; dhe përfundon me:
” O sa keq
që linda,
Sa mirë që
po vdes”!
Në librin “Duhama e
Valbonës”, në vargjet e pesëmbëdhjetë
strofave të poezisë “Kacafytem me vdekjen”, autori shpreh dhembjen e kullës së
mbetur shkret në Gri, aty ku u lind dhe u rrit. Aty pret kot në mos po i shkon
kush në kullë, por jo, dhe e kujton babain Sadikun dhe vëllanë Ukën, të ciilët
kanë vdekur: “ka vdekur edhe rruga”, sepse nuk vjen asnjë mysafir. Autori mezi
e kalon natën aty:
“Në
vetminë e kullës,
Në
shtëpinë ku u linda,
(sa i madh
sikleti!),
Unë dhe
vdekja,
kacafytemi
ndërveti”.
Në të njëjtin libër, në
vargjet e poezisë “Po-qe-se”, autori lë porosi, që “nëse një ditë më lypni e
s’më gjeni, apo nëse vet ju më përcillni për në tjetrën jetë, ju lutëm, mos
thoni vdiq filani, jo, jo, për mua ngushëllohuni e thoni: - ka dalë në
bjeshkë”.
Në poezinë “Kalendari i jetës” (në librin “Pengjet”), Zeqiri sikur kërkon
një afat prej vdekjes, sepse ka edhe tri
dëshira t’i arrijë në jetë: njena është ta nderojë Nënën; tjetra, ta pret t’i
lind një nip; dhe e treta - t’i botojë
edhe disa libra.
“Mbas
këtyre,
Këtyre tre
dëshirave,
Nuk lutem
që
Të jem
shumë jetëgjatë”!.
Zeqir Lushaj nuk i shiste
librat. Nuk bënte tregëti me to. Ato u falte miqve, shokëve, bibliotekave,
mysafirëve. Në stilin e tij të mahisë,
thoshte: “në ekonominë e tregut, librat e mi sikur nuk ndjehen aq mirë. Unë ua kam dhënë dhuratë nga shpirti, e sa do
t’i vlerësoni, është e drejtë e juaj”:
“Me një
dorë libra (falas),
(Dora
thatë s’ka uratë)
Shpërndaj
nëpër At-Dhe,
Takohem e
çmallem,
Rri me
dashamirët,
Sikur
pijmë një kafe.
Gjithë Ai,
(kushdo
qoftë Ai-Ajo)
Që i lexon
këto libra,
E
falënderoj (dhe),
Mbi 100
fish,
M’i ka
pague”.
Në vargjet e poezisë “Ju, si
thoni”, thuase autori parandjen vdekjen e tij të afërt:
...”Më
pëlqen varri, me dru lisi,
Katër
lëndë, prej palcës qarrit,
Përmbi dhe
t’tokës griçore,
Veç
lendinë me bar t’livadhit.
Një rrasë
guri, bukur t’randë,
Me ma
djerg prej Bjeshkës Epër,
Me çekiç
me shkrue te koka,
Emnin tim,
dhe kurrgja tjetër.
Nuk due
hekur as betone,
Asnjë lloj
pllake mbi mue,
Gur-Dhe-Dru,
prej tokës time,
As gardh
rrethit, hiç nuk due.
Get, se
jam i mbrami i fisit,
Që e due
vorrin nën atë Bli,
Kur
t’pushoj n’tokën që m’lindi,
N’kambë do
t’çohem përsëri.
Nuk due
t’preki kjo vjershë,
Të parin
as të mbramin,
Është
thjeshtë debat-dëshirë,
Jo ndonjë
amandet për varrin!
Amanetet më
shqetësojnë,
(Ato
rëndojnë, me gjithë mend),
Bëre
ç’bërë në të gjallë…!
Tani
vdiqe,
Edhe i
vdekur me zgjedhë vend…?!
KU JANË DHE PSE NUK U BOTUAN DORËSHKRIMET QË
LA ZEQIR LUSHAJ?
Për të gjallë të vet, Zeqir
Lushaj botoi 12 libra. Ato nuk i botoi
një nga një, njënën pas tjetrës, por në dy kontigjente, nga 6 libra.
Kontigjentin e parë e botoi në 60-vjetorin e lindjes së vet, ndërsa të dytin
shtatë vjet më vonë (më 2016). Nga kontigjenti i parë janë këto libra: 1) “Hija
e vendlindjes (vjersha)”; 2) “Lisi i shkruar (vjersha)”; 3) “Fjala mbi tel
(tekste këngësh popullore)”; 4) “Dyqani i mendjes (shkrime publicistike)”; 5)
“Vdekja e varreve (ditar mërgimi)”; dhe 6) “Pengjet (vjersha)”.
Ndërkaq, në kontigjentin e dyë, atë të vitit 2016, botoi: 1) “Si n’kurbet,
bre vëlla (vjersha)”; 2) “Zbehje e heroizmit (shkrime publicistike)”; 3)
“Duhama e Valbonës (vjersha)”; 4)
“Piedestali (vjersha)”; 5) “Rrokada”- politike (vjershërime)”; 6) “Sportit i
mbeta borxh (reportazhe, portrete, kujtime)”.
Në takimet që kam pasur me Zeqirin në Shëngjin, më pat thënë se po e
përgatitë kontigjentin e ri, prej 7 librash, për 70-vjetorin e lindjes së tij. Nuk arriti t’i botojë për 70-vjetorin
e lindjes, që ishte viti 2019. Vitin tjetër (2020), i vdiq grueja (Sabrieja, ndjesë pastë) dhe mbeti i vetmuar
dhe pa elanin as vullnetin për punë që kishte më parë. Kur u takuam në qershor të vitit 2021, në
bisedë e sipër, më tregoi se librat i ka në proces të botimit, dorëshkrimet i
ka dorëzuar në shtypskronjë, por ata të shtypshkronjës gjithnjë kanë do
arsyetime për vonesën e shtypjes, ndërsa ky e kishte me përparësi botimin e
monografisë për njëvjetorin e vdekjes së gruas së tij Sabrijes, monografi të
cilën e kishte përgatitur me shumë përkushtim Dr.Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj. Zeqiri
dëshironte që ajo monografi të del nga shtypi
për njëvjetorin e vdekjes së Sabrijes (14 shtator 2021), dhe ashtu
ndodhi. Por, dorëshkrimet e tij nuk u botuan
sa ishte vet gjallë Zeqiri, e që ndërroi jetë më 10 nëntor 2021. Kam kërkuar nga disa adresa, të marr vesh
nëse janë botuar këtë vit (2022),
ose janë në proces të botimit, por nuk kam arritur marr informacion. Mendoj se
Zeqir Lushaj ka pasardhës, ka familjarë,
ka shumë miq, të cilët kanë mundur të kujdesen e të angazhohen për botimin e
librave që Zeqiri i ka lënë në dorëshkrim. Ai e ka merituar një nderim të
tillë, t’i botohen librat që i ka lënë në dorëshkrim, dhe të promovohen në mënyrë dinjitoze në njëvjetorin e shkuarjes së tij në amshim. Ai vet e thoshte: “Jetë nuk janë vitet, por veprat”.
E Zeqiri la vepra, la fjalë, la burrëri, la mikpritje e bujari si të atij e
askujt tjetër.
Zeqir Lushaj meriton t’i
botohet kompleti i të gjitha veprave të
lëna, të botuara ose të lëna në dorëshkrim, sepse ato janë një pasuri për
letërsinë shqiptare dhe një monument kujtimi
për autorin.
Po, edhe pa këtë, Ai kurrë
nuk do të harrohet!