| E diele, 06.11.2022, 09:00 PM |
Prof. Blerim Latifi:
Largimi
i serbëve nga institucionet e Kosovës është fundi i një farse të madhe, me të
cilën kemi jetuar tash e sa vite. Fundi i farsës së integrimit të serbëve në
Republikën e Kosovës. Me vite kemi mbyllur sytë para faktit se integrimi pa
pranim nuk ka kuptim. Nuk mund të integrohesh në një sistem nëse nuk e pranon
atë.
Serbët
u bënë pjesë e institucioneve të Kosovës jo për t'u integruar në to, por për
t'i përdorur ato në funksion të pengimit të fuqizimit të tyre. Dhe ne kemi
vazhduar t'i mbyllim sytë para këtij fakti. Bashkë me komunitetin ndërkombëtar,
i cili duke qenë i paaftë të imponojë një zgjidhje finale të konfliktit
shqiptaro- serb, shpiku formulën konfuze të normalizimit të marrëdhënieve pa
njohje.
Nga
Paqja e Vestfalisë(1648), e cila e
vendosi paradigmën e shteteve sovrane, bota reale njeh vetëm një formulë
efektive të normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve, formulën e njohjes
reciproke. Nuk mund të kesh kurrë marrëdhënie normale me një shtet, i cili nuk
të njeh si shtet. Aq më tepër kur ai ka pretendime territoriale mbi ty.
Por
ne prapë i kemi mbyllur sytë para këtij fakti elementar të marrëdhënieve
ndërkombëtare dhe kemi vazhduar me farsën.
I
kemi ofruar të drejtat maksimale pakicës serbe dhe pastaj jemi habitur se pse
ajo përsëri është e pakënaqur. Jemi habitur, sepse i kemi mbyllur sytë para një
fakti tjetër kokëfortë: serbët nuk duan të jenë e të jetojnë si një pakicë në
shtetin e Kosovës.
Si
sharlatanë politikë që jemi filluam të besojmë se serbët do të integrohen në
shtetin e Kosovës nëse e bëjmë një eksperiment identitar, sajimin e një kombi
multietnik kosovar, të dallueshëm nga kombi shqiptar. Kështu mendonim se serbët
do të ndiheshin rehat brenda një shteti që kishte hedhur narrativën
kombëtariste shqiptare. Serbët filluan të qeshin me ne, me sharlatanizmin tonë
kronik, sepse më lehtë e bindë një fanatik religjioz se feja e tij është e
rreme, se një serb të Kosovës që të identifikohet si pjestar i kombit kosovar.
Kështu,
nga farsa në farsë, kemi ardhur në këtë ditë kur iluzionet, sharlatanizmat e
vetmashtrimet nuk i bëjnë më ballë daljes në dritë të realitetit.
____________
Ka
ardhur vjeshta dhe bashkë me të edhe koha e ugarit, koha e përgaditjes së tokës
për mbjelljen e grurit. Ara që shihni në fotografi ka shekuj që lavrohet, por ai
vendi në mes të saj, me ato dy pemë dhe i mbuluar nga ferrat, qëndron i
paprekur prej shekujsh.
Dhe
ku qëndron arsyeja e paprekshmërisë së tij?
Një
legjendë e madhe lidhet me të. Aty ndodhen dy varre të moçme. Legjenda thotë se
janë varret e të parëve të Prekazit, Prenkës dhe gruas së tij, Licës. Thuhet se
vetë emri i katundit buron prej emrit të tij. Legjenda thotë edhe më shumë:
dikur moti Prenka me të afërmit e tij u largua nga vëllazëria e Kuçit, një degë
e fisit Kuç, që jetonte në Lugun e Drinit, aty ku sot ndodhet Lutogllava e
Pejës, dhe zuri vend këtu. Legjenda heshtë për shkaqet e këtij largimi. Edhe
për kohën kur ka ndodhur ai. Si të gjitha legjendat e tjera, që i mbështjellin
me heshtje e mister ngjarjet që na i rrëfejnë.