| E premte, 04.11.2022, 08:55 PM |
Mund të jetë gjyshi-gjyshja jote. Duhet të kujtojmë t'i trajtojmë të moshuarit me respekt
Nga Aurel
Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike
Në dyqan është një grua e moshuar që përpiqet të paguajë. Duart i dridhen,
nuk dëgjon mirë, është e hollë, i dhemb shpina, nuk sheh, por gjithsesi
përpiqet të paguajë dy sendet që do të ketë atë ditë. Ajo bën më të mirën,
ndërsa radha bëhet pak më e gjatë.
***
Disa vite më parë isha në dyqan dhe
përjetova diçka që e kam përjetuar disa herë. Arsyeja që po shkruaj këtë postim
është se kam shpresë se ndoshta mund të ndryshojmë pak në mënyrën se si sillemi
ndaj të moshuarve. Në dyqan ishte një zonjë e moshuar që përpiqej të paguaj për
mallrat që i duheshin. Ajo nxjerr portofolin e saj, ku ka një numër kartash.
Burri pas kasës së pagesave fillon të acarohet dhe në vend që ta ndihmojë, ai
nervozohet dhe i bërtet asaj: "Duhet ta kthesh kartën", "Nuk
dëgjon? Duhet të përdorësh çipin".
“Tani duhet të
qetësohesh. Nuk e shikon se ajo po përpiqet. Mblidhe veten” - i them unë. Unë e ndihmoj atë pak më shumë dhe më në
fund funksionon. Ajo më kap nga krahu ndërsa i paketon sendet në çantën e saj
dhe më thotë: “Faleminderit shumë...".
Ndërsa ajo thotë këtë, unë shoh lot
në sytë e saj.
Po sikur të ishte
gjyshja ime?
Duhet të kujtojmë se të moshuarit nuk
kanë aq energji si më parë, ata mund të mos jenë njohur me të gjitha gjërat e
reja që kanë dalë në treg.
Dëgjimi nuk është si më parë, shikimi
nuk është si më parë. Imagjinoni sikur kjo të kishte qenë gjyshja juaj.
Ju (asnjëri prej nesh) nuk dëshironi
që njerëzit t'i trajtojnë ata me mungesë respekti dhe t'i bëjnë ata të ndihen
keq. Ata meritojnë respektin tonë, edhe ne për çdo sekondë që kalon i afrohemi
moshës së dytë, të tretë...
Të gjithë e dinë që stresohesh më
shumë kur dikush të bezdis dhe të bërtet. Mendoni për gjithçka që të moshuarit
kanë bërë për ne kur ishim të vegjël. Ata meritojnë respektin tonë të
pakufishëm. Tani është radha jonë t'i ndihmojmë ata.
Ne duam që ata të ndihen krenarë, të
ndiejnë se janë gjallë, të ndiejnë se kanë rëndësi. Ne nuk do t'i thyejmë ato,
ndjenjat e tyre. Pra, nëse, për shembull, shihni një të moshuar të ulur vetëm
në një kafene, po, dërgojini një buzëqeshje të vogël. Mund ta bëjë ditën e tyre
më të ndritshme.
Bëhuni më të
kujdesshëm dhe vizitojini. Në vend që të kaloni kohë duke u ankuar, kaloni kohën tuaj duke ndihmuar
ata që nuk mund të bëjnë gjithmonë gjithçka vetë. Ata thonë se gjëja më e mirë
që dinë është kur dikush vjen për t'i vizituar, kur dikush i buzëqesh dhe i bën
të ndihen mirë.
Të moshuarit do të ndiejnë se edhe
ata janë gjallë: shikojini, bisedoni me ta dhe kujdesuni për ta. Dhe jo më pak
e rëndësishme, edhe pse kemi shumë për të bërë në jetën e përditshme, përpiquni
të gjeni pak kohë për të vizituar prindërit ose gjyshërit tuaj. Ata kanë nevojë
për stimuj dhe duhet të bëjnë diçka tjetër përveçse të ulen dhe të shikojnë në
mur.
Rinisë një apel: Mos u largoni nga vendi, luftoni për lirinë dhe
mirëqenien e vendit dhe qëndroni me prindërit, afër tyre, në tokën ku u lindët.
Më e mira nga të gjitha, mos i dërgoni në shtëpi pleqsh. Lërini të qëndrojnë në
shtëpinë tuaj. Ndiqni traditën shqiptare, përndryshe pas pak vitesh do të jetë
radha juaj... Fëmijët tuaj do t'ju trajtojnë ashtu siç keni trajtuar
prindërit tuaj. Fëmijët e mi do të më trajton siç unë trajtoj prindërit dhe
gjyshërit-gjyshet e mia. Për mirë apo për keq.