Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Refuzime e krekosje kundër perëndimit

| E shtune, 29.10.2022, 06:38 PM |


Ndue Ukaj:

Besoj fort se deklarata e sotme e Amerikës është një njollë e zezë në historinë e re të Kosovës. Dhe besoj fort se s'ka gjë më të dëmshme dhe njëherësh më të frikshme për Kosovën se kjo deklaratë: "Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë..."

Të refuzosh këshillat e partnerëve jetikë dhe për çka, për çështje targash, vërtet është gjendje e pashpjegueshme, e pakuptimtë dhe mendja racionale s' ka sesi ta kuptojë.

Këto lloj refuzimesh e krekosjesh kundër perëndimit kam frikë se mund t' i paguajmë shumë shtrenjtë.

Zef Pllumi fort  i urtë dhe i mençur duke parë çoroditjet shqiptare - diku ka thënë - çdo avanturë me perëndimin mund ta paguajmë me robëri të re.

Ne kemi përvojë me avantura të tilla, të cilat na kanë këputë nga rrjedhat e civilizimit dhe na kanë lënë më të prapambeturit në kontinent.

Duke refuzuar perëndimin- vetëdijshëm ose jo - në vendin tonë hapen dyert e dritaret për dëshprim, frikë e ideologji antiperëndimore, nën të cilat kemi vuajtë me shekuj.