Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Flet këngëtari i mirënjohur shkodran “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili

| E shtune, 27.12.2008, 07:56 PM |


Bujar Qamili
Bujar Qamili
Flet këngëtari i mirënjohur shkodran “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili 
 
Shfaqjet në Australi janë më mbresëlënëset

Nga Albert Zholi
 
Pasaporta
Kombësia: Shqiptare
Datëlindja: 21.10.1963
Vendlindja: Shkodër
Sytë: Ngjyrë kafe
Arsimi: Mesëm
Shenja e fatit: Peshorja

Në sintezë të emrit të vet Bujar Qamili shumë herë në skenë harron repertorin dhe vazhdon këngën duke u treguar po aq bujar sa emri që ka. Me zërin e tij ai u përcjell lumturi tek dëgjuesit pa ditur se po aq lumturi merr dhe me vete. Ka një zë tepër karakteristik, kumbues që oshëtin këndshëm në çdo lloj skene dhe ambienti. Zëri i tij krijon një akustikë të mrekullueshme që të qetëson veshin, të gëzon shpirtin, të heq stresin, të përkund sedrën, të ngjall dëshirën për jetë aktive, dhe të flaka tej vetminë. Zëri i tij është i ëmbël si liqeni i Shkodrës, i pastër si uji i Valbonës dhe i qetë si ai i Bunës. Këngën e sheh si faltoren e vetme që nuk bën kompromis, ku më i përunjuri është ai vetë. Në jetë i qeshur në skenë diçka më shumë mbasi merr përsipër dhe përgjegjësi. Dhe tashmë në këtë prag viti të Ri ai ndjehet më i lumtur se kurrë, se puna e tij, kënga e tij është vlerësuar maksimalisht pasi Presidenti Topi i akordoi medaljen “Mjeshtër i madh”.

Z. Bujar si ndiheni tashmë pas marrjes së një titulli të tillë mjaft prestigjioz për këngëtarët “Mjeshtër i Madh”?

Me të vërtetë është një ndër ditët e mia më të gëzuara në jetë (për të mos thënë më e gëzuara), pasi këngëtari duke qenë një jetë në skenë ka nevojë dhe për një sadisfaksion apo vlerësim moral nga ana e shtetit. Ky vlerësim tregon se kënga ime është pëlqyer, puna ime është tregues brenda dhe jashtë kufijve të atdheut. Të gjitha këto si duket dhanë rezultatet e duhura. 
 
Kur ka filluar Bujari të këndojë për herë të parë?

Ishte viti 1977. Ky vit përkon me klasën e 8 të shkollës 8-vjeçare. Këndova në një festival fëmijësh. Ishte një moment i veçantë ku skena m’u duk si një vapor, ndërsa spektatorët si një ishull. 
 
Kë do veçonit nga jeta juaj skenike?

Vitin 1982, ku jam cilësuar dhe interpretuesi më i mirë i këngës popullore shqiptare organizuar nga TVSH-ja. Në vitin 1986, mora pjesë në Festivalin e Këngës “Mbrëmje e muzikës popullore”, ku m’u dha çmimi i dytë. Më 1985-86-87, kam marrë pjesë në të gjitha festivalet e këngës popullore shkodrane, ku kam marrë të gjitha çmimet. Në vitin 1994 mora pjesë në spektaklin e këngës popullore “12 në Hollivud” ku fitova çmimin e tretë. Ndërsa në Elbasan në po atë vit në Festivalin Mbarëkombëtar mora çmimin e parë. Jam nderuar me çmimin e parë në “Maratonën e këngës popullore”, “Këngëtari i Urdhrit Naim Frashëri” (dekoratë nga ish -Presidenti Moisiu. Dhe jam përfshirë në 10 –shen e këngëtarëve më të mirë mbarëkombëtarë në spektaklin “Yjet në Folk Univers”.

Çfarë të veçantash ka kënga popullore nga ajo e muzikës së lehtë?

Muzikë popullore është më e dashur, ajo është më pranë popullit prandaj është më e këndueshmja. Tek kjo këngë shprehet gjithçka e shpirtit të një populli.

A ka xhelozi Bujari për këngëtarët e tjerë?

Në art xhelozia është e përhershme. Por këtu flitet për xhelozi profesionizmi. Pra xhelozi nxitëse, jo urrejtje. Unë kur shoh që dikush këndon bukur më nxit që të punoj më shumë. Të kërkoj më shumë nga vetja. 
 
Kë do veçoje nga këto?

Një koncert në Greqi i cili drejtohej nga prezantuesja e talentuar Silvana Braçe. Sa mbaroja këngën më kërkonin këngë tjetër. Thuajse këndova gjysmën e koncertit. Dhe një rast në SHBA kur ishim në autostradë (Detroit), ku na la benzina në mes të rrugës. U detyruam ta shtyjmë kamionin rreth 1 km. U qetësuam kur pamë se nuk ishim të vetmit në atë pozicion.

Në përgjithësi bashkëshortet e këngëtarëve janë xheloze. Po bashkëshortja juaj?

Për mua Drita ka qenë nxitëse në të gjitha arritjet e mia. Ajo më ka qëndruar gjithmonë afër sidomos kua kam konkurruar në festivale. Ajo më ka dhënë forcë, shpresë, kurajo, por duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për garderobën. Gruaja e mirë e hijeshon shtëpinë, ndërsa gruaja e keqe të nxjerr nga shtëpia.

Hobi juaj?

Bilardoja. E pëlqej ta luaj kur kam kohë të lirë. Jo vetëm më zbavit, por edhe më vendos trurin në punë.

Keni ndonjë peng?

Po. Më ka ngel disa herë peng që kam qenë afër çmimeve të para dhe çuditërisht kam marrë çmim të dytë.

Idhujt tuaj në muzikë?

Në Shqipëri Artiola Toska, jashtë Pavaroti.

Politika për ju…

Është afër dhe larg meje. Është larg se nuk merrem direkt. Është afër pasi dua të di për çdo gjë që lidhet me fatin e atdheut tim. Dhe këtu është politika ajo që vendos.

Lëvizjet a të mërzisin?

Kur janë të gjata po. Dhe pse na duan dhe na trajtojnë mirë ndihem sikur diçka më mungon. Më merr malli për gjithçka në Shkodër, lagje, familjen.

Ky është profesioni që keni menduar dhe dashur në jetë?

Sigurisht. I lutem të madhit Zot që më ka dhënë këtë zë. Unë kur këndoj më duket se bëj një vepër bamirësie. Heq streset e njerëzve, por edhe për vetë relaksohem. Këtë profesion zoti e ka bërë të veçantë.

A keni ndonjë tekst kënge që e veçoni në repertorin tuaj?

Do të veçoja këngën shkodrane që më ka shoqëruar gjatë jetës që në ninullat në djep. Apo vargjet: “Atë unazë që t’kam falë është shenjë e besnikërisë” etj..

A jeni njekës i rregullt i ekranit?

Jo rregullisht, por lajmet kur nuk jam në koncerte i ndjek sistematikisht. Gëzohem për lajmet e mira dhe trishtohem për lajmet tronditëse. Dua të jem në korrent për gjithçka ndodh në atdhe. 

Sa këngë përmban repertori juaj?

Se di. Janë shumë. Kaq shumë janë sa nuk kam ndërmend t’i numëroj ndonjëherë.

A e kanë gjetur veten sot këngëtarët popullorë?

Mendoj se po. Flas për këngëtarët e mirëfilltë dhe profesionistë. Ata kërkohen kudo nëpër koncerte dhe nëpër shfaqje. Kjo është shenjë respekti që kanë populli për ta.

box
Huazimet e këngës popullore…


Ka shumë huazime si këngë turke, arabe, greke , sllave, Por shoh që më shumë ndodh tek disa këngëtarë që nuk janë profesionistë. Nuk jam dakord me to. Bile u them të gjithëve të distancohen pasi kënga jonë është shumë e bukur, shumë e veçantë.

Skena ka edhe momente jo të këndshme

Para disa vitesh kur po organizohej një koncert në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Ky koncert nuk u zhvillua live (si është në natyrën time), por me kasetë (playback). Në çastin kur spikerja tha: -Këndon Bujar Qamili dhe më shurdhuan duartrokitjet, unë fillova këngën në imitim, por disku në vend të zërit tim transmetonte një zë sopranoje, një zë femre të këngës lirike. Mbeta i shtangur midis të qeshurave të sallës që s’kishin të pushuar. Kështu është kur nuk këndon kurrë me imitim. 

Aktivitetet jashtë vendit

Nuk mund të numërohen. Janë në të gjitha kontinentet thuajse. Në Evropë thuajse kam dhënë në gjithë shtetet. Po edhe në SHBA në të gjitha qytete kryesore ku ka komunitet shqiptarësh. Por ato që më mbeten në kujtesë janë shfaqjet në Australi (Melburrn, Sidnej, Perth, Kambera, Brizban, Adelajde). Kam kënduar edhe në Siri. Peng kam të këndoj në Afrikë. Pra ky është kontinenti i pa shkelur.

Nxitësi në rrugën e këngës

Mua në shkollë më thoshin të gjithë se ke zë të bukur. Por asnjëherë nuk mora mundimin që të shkoja vetë të paraqitesha për të kënduar. Por ai që më ndihmoi ishte një miku im familjar. Ai më evidentoi dhe më çoi tek shtëpia e Kulturës në Shkodër për prova. Aty këndova një këngë për Naim Frashërin. Më pëlqyen dhe kështu fillova të këndoj në këtë qendër për 2 vjet.