| E marte, 25.10.2022, 07:55 PM |
Blerim Latifi:
Çfarë
dite e ngrohtë sot! Nuk dallon nga ditët e verës. Të krijon përshtypjen se të
vjetërit kishin të drejtë kur thonin se cikli i katër stinëve është i
pakuptimtë, e se nuk i përgjigjet ritmit të natyrës. Ata e ndanin vitin në
vetëm dy stinë, në verë dhe dimër. Vera fillonte me Shën Gjergjin, në fund të
prillit ose në fillim të majit, dhe mbaronte me Sh'Mitrin, në fund të tetorit.
Pjesa tjetër ishte mbretnia e dimrit. Vetë këta dy emra, në etimologjinë e
tyre, e fshehin këtë ndarje. Emri shqip Gjergj vjen nga emri Georgos i
greqishtes së vjetër që do të thotë lavërtar, bujk. Georgos është ndërtuar nga
dy fjalë: geo, që do të thotë dhe, tokë, dhe ergon që do të thotë punë. E
lidhur me fjalën “ergon” dhe “ergates” është edhe fjala e shqipes “argat” që ka
të njëjtin kuptim, pra punëtor. Edhe fjala turqishtes osmane “?rgat” del nga
marrëdhënia me fjalën greke.
Me
Shën Gjergjin fillon stina e punëve në bujqësi, të cilat përfundojnë në fundin
e verës, në Sh'Mitër. Sh'Mitri lidhet me Demetrën, kultin pagan të tokës nanë,
dhe dimri, që fillon me të, është koha kur frytet e natyrës i kthehen tokës,
gruri që mbillet, gjethet që bijnë tokë, bashkë me frytet e bimëve. Gjithçka
kthehet në tokë, për të rilindur sërish në Shën Gjergjin e radhës. Në legjendën e Shën Gjergjit ai është heroi
që e vret kuçedrën e llahtarshme. Nën lëvozhgën mitike të kësaj legjende
fshihet thelbi i thjeshtë racional : ringjallja e natyrës, në fillim të verës,
është triumfi mbi frymën e shkretimit që sjell dimri.
Të
vjetërit luteshin që vera të harrojë të largohet dhe kjo shprehte dëshirën e
tyre për të pasur një dimër të butë. Sot, kur ne ballafaqohemi me një krizë të
madhe të energjisë, do të donim, njësoj si ata, që vera të harrojë se duhet të
largohet. Por natyra nuk pyet për dëshirat tona. Ajo i ndjek ligjet e saj të
pathyeshme, të cilat të vjetërit mundoheshin t’i sfidonin përmes besimeve në
mrekullitë e pashpjegueshme, ndërsa civilizimi modern përmes mrekullive të
teknologjisë.