| E hene, 24.10.2022, 07:35 PM |
CILI DO TË HYJË NË GJERDEK, LUANI A LIRUSHI
Nga
Hamza Halabaku
Në
fshatin Rrafsh, që shtrihej në fushën e gjerë para Lybetenit kësulëbardhë
jetonte familja Shuli. Familja kishte dy djem të rritur. Të dy të moshës
madhore, Luani edhe Lirushi. Më i madhi ishte Luani, e dy vjet më i vogël ishte
Lirushi, por që të dy ishin bërë për martesë.
As
i pari e as i dyti nuk kishin arritur ende që ta zgjidhnin fatin e jetës. Disa
herë, edhe njëri edhe tjetri, kishin bërë përpjekje për të gjetur fatin e vet,
por nuk u shkonte se nuk u shkonte.
Babai
i tyre kishte angazhuar shkues gjithandej për t’u gjetur nuse, së pari Luanit,
po ai nuk e kishte fatin bash të lehtë! Sapo shkuesi i afronte punët, dikush e
lëshonte një llaf, e puna prishej me themel. Fejesa e Luanit u vonua dukshëm,
por, një të enjte vjeshte, erdhi dita dhe shkrepi!
Familja
Guri e fshatit Shpat, që nuk ishte larg fshatit Rrafsh, u pajtua që vajzën e
tyre ta fejonin për Luanin.
Pas
dy vjetësh fejesë, që asaj kohe i thoshin nën unazë, erdhi dita e dasmës. Erdhi
dita e martesës së Luanit. U bë një dasmë e mirë. Dasma nuk ishte e madhe, por
nuk ishte as e vogël. Ishin mbledhur dasmorë të zgjedhur në atë dasmë me tupanë
e surle. Këngë e valle nga e shtuna herët e deri të hënën në mëngjes.
Të
dielën pasdite e kishin sjellë edhe nusen e Luanit. Me nusen e mirë të Luanit u
hijeshuan oborri e shtëpia. U gëzuan hallat e u gëzuan bijat. U gëzua e gjithë
familja që Luani po martohej dhe po u lëshohej radha Lirushit e të tjerëve që
ishin në rend, sipas moshës, për martesë.
Kur
erdhi koha që dhëndrin ta përcillnin për në gjerdek, kështu ishte adeti atë
kohë, Luani nuk donte të shkonte në dhomën e shtruar për të e për nusen. U
përpoq ta bindte e ëma, po ai nuk donte se nuk donte të shkonte. Kam turp, i
thoshte ai së ëmës. E njoftuan edhe të atin, por edhe ai nuk po e bindte dot
Luanin.
Ai
nuk donte se nuk donte të hynte dhëndër e, një herë, bile, ndoshta edhe pa
dashje, i kishte shpëtuar fjala, që në vend të tij të shkonte i vëllai,
Lirushi.
-
Ec, more bir, - i kishte folur ngadalë i ati, - duhet të hysh ti. Për ty janë
përgatitur të gjitha punët. Për ty e kemi shitur kopenë e dhenve. Për ty janë
bërë gati letrat zyrtare dhe fundi i fundit, për ty është fejuar e dy vjet të
ka pritur dhe sot për ty ka ardhur nusja. Ti duhet të hysh në gjerdek. Çka po
flet pa lidhje. Kjo s’është punë e Lirushit, - i kishte folur pak si i
hidhëruar i ati.
Lirushi,
kur e kishte dëgjuar propozimin e Luanit, që në vend të tij në gjerdek të hynte
Lirushi, nuk e kishte kundërshtuar fare...
-
Ani de, nëse thotë baca..., - kishte lëshuar zë Lirushi, të cilit nuk i
interesonte se për kë i ati e kishte shitur kupenë e dhenve dhe për kë ishin
përgatitur letrat...
I
ati dhe e ëma me fjalë të mira e lutëse e kishin bindur, dikur vonë, Luanin dhe
ai kishte vendosur të hynte në dhomën ku e priste nusja. Meqë e tërë biseda
ishte zhvilluar para derës së dhomës ku ndodhej nusja, asaj i kishte shkuar
ndonjë fjalë në vesh dhe po rrinte e merakosur, madje edhe pak e shqetësuar se
a do të hynte Luani apo Lirushi në dhomë.
Dikur
Luanit i ishte mbushur mendja dhe, pasi ishte përshëndet me të ëmën e me të
atin, kishte hyrë në dhomën ku e priste nusja.
Të
nesërmen, herët në mëngjes, e ëma e priste të birin që të dilte nga dhoma.
Ishte zakoni që menjëherë pas dhëndrit, të dilte nusja dhe, si thuhej, me këmbë
të mbarë t’ua fillonte punëve të shtëpisë.
Për
të mos u vonuar as nusja e as i biri, e ëma e Luanit kishte trokitur me lehtësi
në derën e dhomës së tyre.
-
O, Luani i nënës, a jeni zgjuar, o bir? - kishte folur me ngadalë ajo, që të
mos e dëgjonin njerëzit e tjerë, që natën e kishin kaluar në shtëpinë e tyre.
-
Urdhëro, nënë! - ishte përgjigjur Luani duke shtuar: Po, jemi zgjuar.
-
O biri im, dilni më nga dhoma së është bërë vonë, tanimë ka lindur dielli.
-
Ngadalë edhe pak, oj nënë, se ende nuk është ngrohur uji, se kusia po bën rang
e dang...!
E
po, ç’t’i bësh, Luani ishte pak i rëndë....