| E diele, 23.10.2022, 07:33 PM |
Referendumi historik për Kushtetutën e re Demokratike në 21 tetor 1998
Një histori e ndryshimeve kushtetuese në
vitet 1991-2015. Përpjekjet për miratimin e Kushtetutës së parë postkomuniste
dhe tentativat e vazhdueshme për ta ndryshuar atë pas vitit 1998
Përgatiti: Albert Z. ZHOLI
Dilema mes konsensusit dhe votave të shumicës.
Përpjekjet për miratimin e një Kushtetute
demokratike nisën më 1991, por një komision kushtetues i ngritur nga ish PPSH
nuk arriti të prodhonte dokument të besuar dhe as të marrë miratimin e
opozitës. Në kushtet e anullimit të kushtetutës së vitit 1976 sistemi i ri
miratoi me konsensus të plotë (PPPSH-PD-Omonia) Dispozitat Kryesore
Kushtetuese, - një paketë kushtetuese që rregullonte parimet bazë të
funksionimit të sistemit të ri qeverisës. Këto dispozita u plotësuan më 1992
dhe 1993, duke pësuar ndryshime konsensuale dhe të njëanshme, për shkak të
mazhorancave solide të krijuara në parlament. Më 1993 një komision tjetër
kushtetues i ngritur nga demokratët dështoi gjithashtu të kalojë një mënyrë të
njëanshme draftin kushtetues në parlament (i mungonin 6 vota, aq sa ishte numri
i deputetëve të larguar nga radhët e saj).
Referendumi i parë postkomunist në nëntor
1994
Për pasojë, në nëntor 1994 u zhvillua i pari
referendum në historinë e shtetit shqiptar, referendumi për kushtetutën.
Mazhoranca (PD dhe aleatët) ishin pro, opozita (PS, PSD dhe aleatët) ishin
kundër, si dhe një pjesë tjetër partish (kryesisht të djathta) ishin abstenuese
në votim. Për rrjedhojë, KQZ deklaroi se në referendum morën pjesë 84,30% e
zgjedhësve, nga të cilët 53% votuan kundër draftit kushtetues dhe 41% pro.
Drafti humbi votbesimin dhe vendi mbeti pa kushtetutë. Pas rotacionit 1997
mazhoranca e re (PS, PSD, PAD, PAA dhe aleatët) nisi punën për kushtetutën e
parë demokratike të Shqipërisë. Në vjeshtën e vitit 1998 drafti ishte gati dhe
vendi shkoi në referendum tjetër popullor. Nën presionin ndërkombëtar opozita
(e djathta) deklaroi abstenimin dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje, kurse
mazhoranca votën pro draftit kushtetues. Për pasojë, Kushtetuta e Shqipërisë u
miratua me votim direkt (referendum) 21 tetor 1998. Drafti final i Kushtetutës
u votua në parlament me rreth 80 vota, parlamenti gjithashtu bëri ndryshime në
ligjin e vitit 1994 mbi referendumet duke hequr kufizimin e vlefshërisë së tij
për pjesëmarrje mbi 50% të votuesve. Në votimin për rerefendumin u regjistruan
1.929 813 zgjedhës, nga të cilët rezultoi se morën pjesë vetëm 50,57% e tyre,
prej të cilëve votuan për draftin kushtetues 93,5% e zgjedhësve. Demokratët e
kundërshtuan rezultatin zyrtar të pjesëmarrjes duke thënë se shifra reale ishte
vetëm 39,60%. Nuk pati verifikim të pretendimeve, ndaj ky vendim i dha fuqi
ligjore kushtetutës duke e bërë atë dokumentin kryesor të ndërtimit dhe
funksionimit të shtetit shqiptar.
Presidenti Mejdani firmosi Kushtetutën e re
Presidenti Mejdani përmes një akti ceremonial
e firmosi Kushtetutën e re ditën e festës kombëtare. Vendimi për miratimin e
Kushtetutës u përshëndet menjëherë nga shtete dhe institucione të ndryshme
ndërkombëtare, përfshirë SHBA, BE, KE, si dhe shumë prej shteteve anëtarë të
tyre. Midis viteve 1998 dhe 2008 vendi u qeveris nga dy mazhoranca të ndryshme
(1998-2005 nga e majta dhe 2005- 2008) nga e djathta. Dy palët politike filluan
të legjitimojnë aktet e tyre politike duke iu referuar Kushtetutës, dhe kështu,
dokumenti themelor i shtetit filloi të marrë rëndësinë dhe rolin që i takon në
sistemin politik dhe qeverisës në vend. Gjithësesi, secila palë, në raste të
ndryshme të ngërçeve apo krizave politike alibinë e kërkonte tek hapësirat apo
klauzolat kushtetuese, duke premtuar rishikimin e saj në të ardhmen.
Pretendimet për ndërhyrje në Kushtetutë u bënë aq të mëdha dhe të shpeshta, sa
më 2008 kishte një konsensus të gjerë politik për ndërhyrje në Kushtetutë.
Përpara kësaj, një debat rutinë për KQZ dhe balancimin politik të tij çoi në
krizën politike të vitit 2007 dhe konsensusin midis palëve politike
parlamentare për rritjen e numrit të anëtarëve të KQZ nga 7 në 9 anëtarë. Dy
anëtarët e rinj do ishin, njëri i LSI dhe tjetri i PDK. Për këtë u ndërhy në
Kushtetutë. Ndërhyrja e dytë kishte të bënte me mandatin e qeverisjes vendore.
Prej vitit 1998 mandati kushtetues i qeverisjes vendore ishte 3 vjet, më 2007
parlamenti ndryshoi kushtetutën duke e rritur mandatin në 4 vjet. Më 2008 palët
politike nisën një proces të shpejtë dhe bilateral, jo publik, të ndryshimit të
kushtetutës në disa elementë thelbësor të saj. Procesi u mbyll me votim
konsensual midis dy partive kryesore politike në prill 2008, por nën kritikat e
shumta të disa institucioneve kushtetuese dhe të shoqërisë civile.
Historia e referendumeve në
Shqipëri
Në vendin tonë janë realizuar gjithsej tre
konsultime të gjera popullore, referendumet kushtetuese në vitin 1994 dhe ai në
vitin 1998, si dhe referendumi për zgjedhjen e sistemit qeverisës, i mbajtur në
vitin 1997.
Referendumi kushtetues i vitit
1994
Në nëntor të vitit 1994 u zhvillua i pari
referendum në historinë e shtetit shqiptar, referendumi për Kushtetutën.
Mazhoranca e atëhershme, e përbërë nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj
ishin pro, ndërsa opozita që kishte në përbërje Partinë Socialiste, Partinë
Socialdemokrate dhe aleatët e saj ishin kundër. Në votim morën pjesë 84,30 për
qind e zgjedhësve, nga të cilët 53 për qind votuan kundër draftit kushtetues
dhe 41për qind pro.
Referendumi për monarkinë në vitin
1997
Më 29 qershor 1997 u zhvilluan zgjedhjet
parlamentare. Partia Socialiste me aleatët u shpallën fitues, ndërsa demokratët
pësuan humbjen më të thellë të historisë së tyre. Në të njëjtën ditë u zhvillua
edhe referendumi për formën e qeverisjes së vendit. Rezultati final përcaktoi
se 65% e votuesve ishin pro republikës, rezultat ky i kontestuar fort nga Leka
Zogu.
Referendumi kushtetues i vitit
1998
Pas rotacionit politik të vitit 1997,
mazhoranca e re, Partia Socialiste dhe aleatët e saj, nisën punën për
Kushtetutën e parë demokratike të Shqipërisë. Në vjeshtën e vitit 1998 drafti
ishte gati dhe vendi shkoi në referendum popullor. Opozita e djathtë deklaroi
abstenimin dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje, kurse mazhoranca votoi pro draftit
kushtetues. Për pasojë, Kushtetuta e Shqipërisë u miratua me referendum më 21
tetor 1998 me votat prot 93,5 për qind të zgjedhësve. Referendumi i fundit që
është mbajtur në Shqipëri daton në vitin 1998 ku u vendos për Kushtetutën e
Republikës së Shqipërisë si edhe për formën e qeverisjes në vend ku u
përcaktua se në Shqipëri do të kishte një sistem qeverisës të tipit Republikë
Parlamentare.