| E shtune, 22.10.2022, 07:48 PM |
VËZHGIME TË PËRGJITHSHME PËR VEPRËN LETRARE TË IBRAHIM KADRIUT
Nga
Anton Nikë Berisha
Krijimtari
letrare e pasuar dhe e larmishme
Ibrahim Kadriu është i pranishëm në jetën tonë letrare e
kulturore nga viti 1969, kur e botoi përmbledhjen e parë me poezi për të rritur
“Netët e Karadakut[1]”.
Nga ajo kohë e deri me sot, për një gjysmë qindvjetshi, ai u shqua si poet e
prozator për fëmijë, poet e prozator për të rritur, autor i disa radio dramave
(disa dhe të ekranizuara), pastaj i veprave të tjera monografike për figura të
shquara të botës sonë si, fjala vjen, për Idriz Seferin, Agim Ramadanin, Ramiz Cërnicën,
i veprave të karakterit humoristik, vëllimet me biseda me shkrimtarë e
intelektualë të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj, me titullin simbolik
“Buzëqeshje miqsh” (gjithsej katër) si dhe me punën e gjatë si redaktor në
faqet e kulturës së gazetave Rilindja, Bujku dhe Zëri.
Nga viti i largët 1969 e deri më sot Ibrahim Kadriu botoi
një varg veprash me vlerë, duke e pasuruar letërsisë tonë në rrafshe dhe në
aspekte të ndryshme. Kjo përligjet me veprat që autori ynë i botoi deri me sot
titujt e të cilave janë shënuar në fund të këtij libri: Veprat e deritanishme të Ibrahim Kadriut.
Disa vepra të tij përjetuan disa botime, siç janë romanet
“Qerrja e dritës”, “Çuni i kohës së Lekës”, “Kroi i ilaçit”, “Misioni rus” etj.
Për rëndësinë e krijimtarisë letrare të Ibrahim Kadriut
dëshmojnë dhe disa vëllime me punime dhe monografi që iu kushtuan asaj nga
studiues tanë dhe të huaj[2].
Në vëllimin “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut” (Libri i
parë), të përgatitur nga dr. Labinot Berisha, thuhet ndër të tjera: “Ky
interesim për veprimtarinë e Ibrahimit lidhet me faktin se në veprat e veta ky
autor vështroi disa fenomene të rëndësishme të rrjedhës jetësore të botës e të
njeriut tonë në vijën vertikale dhe horizontale, që ishin aktuale dje e janë të
tilla edhe sot. Në këtë mënyrë vepra letrare e tij, sidomos poezia, duke
shqiptuar e përjetësuar botën tonë në aspekte të ndryshme, veçmas në atë
dramatik, u bë edhe vetë pjesë e kësaj bote dhe e kësaj drame [...] Autorët që
shkruan për veprat e Ibrahim Kadriut janë nga emrat më të rëndësishëm të jetës
sonë letrare dhe kulturore, studiues të letërsisë, kritikë letrarë, shkrimtarë
dhe lexues. Në këto shkrime, që degëzohen në recensione, punime dhe studime
monografike, nga një anë dëshmohet pasurimi dhe ngritja e krijimtarisë letrare
artistike të autorit, ndërsa, nga ana tjetër, edhe evoluimi i vetë autorëve që
shkruan për veprat e tij në periudha të ndryshme[3]”.
Vlerën e veprave letrare të Ibrahim Kadriut e dëshmon dhe
përkthimi dhe botimi i tyre në disa gjuhë të huaja si dhe shpërblimet e shumta
kombëtare dhe ndërkombëtare.
Botë
e ndërtuar përmes tekstit letrar
Kur vështrohet në tërësinë e vet krijimtaria letrare e
Ibrahim Kadriut nga viti 1969, dëshmohet një vijimësi e bashkëjetimit të
autorit me letërsinë, qoftë kur krijoi veprat për fëmijë, qoftë për të rritur.
Pra, krijimi i letërsisë përligj njëjtësimin e tij me veprat letrare si tekste
shprehëse poetike, përmes të cilave jo vetëm shprehu botën dhe shpirtin e vet,
po edhe krijoi një botë me vete, që u bë pjesë e jetës së tij, po, përmes
leximit, edhe pjesë e tjetrit, e marrësit.
Ibrahim Kadriu nuk krijoi struktura të ndërliqshme
poetike shprehëse, siç ngjet, fjala vjen, në disa poezi të Martin Camajt, të
Azem Shkrelit ose të Frederik Rreshpjes (shih vëllimin “Era përkund pikëllimin
e luleve[4]”)
ose të tregimeve të Anton Pashkut, të romanit “Oh” ose të dramave të tij, që
për të komunikuar kërkojnë përkushtim e dije shumë më të madhe për artin e
fjalës dhe veçantitë e tij nga lexuesi, po asnjëherë nuk e harroi një fakt të
rëndësishëm: nevojën e komunikimit sa më gjallërik të krijesës së tij letrare
me marrësin, me lexuesin e saj dhe ndikimin estetik në të. Kadriu i jep
përparësi rrëfimit të natyrshëm e të rëndomtë, që me lehtësi dhe natyrshëm
pëlqehet dhe përfillet nga lexuesi dhe ndikon më drejtpërdrejtë në të. Nëse një
vepër letrare nuk bën ndikimin e saj në marrësin, atëherë vlera e saj mbetet e
kufizuar dhe të themi e vdekur. Krijuesi e përfton veprën letrare poetike para
së gjithash për kënaqësinë e vet, po njëherit edhe për tjetrin.
Në rastet më të shpeshta, në krijimin e veprave letrare,
Ibrahim Kadriu niset nga ngjarje e fakte të njohura jetësore, nga rrjedha
historike që kanë lënë gjurmë në jetën e njeriut tonë ose më gjerë, nga njerëz
konkretë, po që përmes rrëfimit ato shprehin botën e shkrimtarit. Me fjalë të
tjera, vepra letrare nuk del si imituese e jetës, si dyfishe e saj, po botë më
vete, e përftuar përmes tekstit letrar poetik dhe mesazheve që dalin prej tij.
Shkrimtari i madh rus, A. Çehov, theksonte se “Shkrimtari para së gjithash
është gjuhë”. Pikërisht përmes gjuhës shkrimtari e përfton një botë tjetër
përballë asaj konkrete nga se në të, përmes tekstit, fut shpirtin dhe dijen e
vet; shpreh ndjenjësimin përballë dukurive, ngjarjeve dhe njerëzve, që,
natyrisht, ndryshon (ndjenjësimi) nga ai i të tjerëve. Si e tillë vepra e
përftuar përligj mëvetësinë dhe komunikon dhe ndikon tek tjetri ose “[...]
shumëfishohet, shndërrohet, bëhet tjetër nga një lexues te tjetri[5]”.
Shkrimtari Ibrahim Kadriu shpesh u kthehet dukurive dhe
rrjedhave të së kaluarës për shkak të së tashmes; u qaset dhe i vështron ato
artistikisht që të dalin më të qenësishme dhe më të ndërlikuara dhe si të
tilla, përmes leximit, ndikojnë në njeriun e sotëm, po dhe të atij që do të
vijë në të ardhmen. Arti i fjalës e ka këtë aftësi, që na e thotë dhe FriedrichWilhelmNietzsche
në veprën Kështu foli Zarathrusta: “- Unë jam i tanishëm dhe i dikurshëm, tha më pas;
mirëpo tek unë ka diçka që është e të nesërmes edhe e të pasnesërmes e
ardhmërisë”.
Ndodh kështu për arsye se e tashmja është e qenësishme
nga fakti se ngrihet mbi të kaluarën, pasurohet mbi bazën e saj dhe i hap shteg
të nesërmes; ajo (e tashmja) nesër do të jetë e kaluar, po do të jetë pjesë e
pandashme e saj. Është një marrëdhënie e ndërsjellë që përmes rrëfimit poetik
shndërrohet një kohë tërësore (unike) dhe si e tillë bën ndikimin e saj. Autori
nuk u kthehet dukurive dhe rrjedhave të së shkuarës për t’i përshkruar e për
t’i bërë ato të njohur lexuesve të sotëm, po për rëndësinë e kuptimit që ato
ngërthejnë, përkatësisht që mund të kenë në jetën e përditshme, si përvojë ose
si mundësi e pasurimit të veprimit e të gjallërimit të përditshëm. Dukuritë
jetësore, sidomos ato të botës së brendshme të njeriut, nuk janë të zhveshura
dhe të veçuara (të izoluara), po ndërlidhen dhe përsëriten në forma të ndryshme
të veprimit të njeriut në hapësirë e në kohë.
Shkrimtarët, pra dhe Ibrahim Kadriu, e krijojnë botën
përmes gjuhës, strukturës gjuhësore shprehëse, përmes tekstit. Në procesin
krijues ata largohen nga ajo që janë frymëzuar ose e kanë parë në jetë, e kanë
përjetuar ose e kanë dëgjuar nga një tjetër, prandaj përmes strukturës
gjuhësore shprehëse e përftojnë të vërtetën e tyre; përmes rrëfimit na vënë
në një dialog të brendshëm, të thellë me atë që e marrin në vështrim poetik, që
është, siç u tha, sa një dialog sa me vetveten, me shpirtin e tyre, aq dhe me
tjetrin. Energjia e fjalës poetike i tund, siç thuhet, të gjithë mekanizmat
shpirtërorë, ndez qirinj në odat e errëta, shkundullon dyert, çan e shemb
muret, krijon një lëvizje marramendëse, të fut rrugë e pa rrugë, krijon kaosin
prej ku zënë fill imazhet e rinj të një bote tashmë në të krijuar ose në
rikrijim, që shndërrohet në simbole, ngjyra, forma, tinguj, ritëm, metafora[6].
Ibrahim Kadriu krijon vepra letrare tash një gjysmë
shekulli për arsye se ato janë të rëndësishme për ndikimin estetik që mund të
bëjnë për jetën e njeriut, për mbijetimin shpirtëror e kulturor të tij, si
thoshte ÇarlsDarvini, për të mos e humbur shijen e kënaqësisë së jetës: “E kam
thënë se në një aspekt mendja ime ka ndryshuar gjatë 20-30 viteve të fundit.
Afër të tridhjetave apo edhe më pas, poezitë e formave të ndryshme si veprat e
Miltonit, Greit, Bajronit, Uordsuorthit, Kolrixhit dhe Shellit më jepnin një
kënaqësi të madhe, madje si nxënës shkolle me jepte një kënaqësi të thellë
Shekspiri, sidomos dramat e tij historike […] por tani, prej shumë vjetësh nuk
duroj dot të lexoj qoftë dhe një varg poezie; jam përpjekur më vonë të lexoj
Shekspirin dhe pashë se ai ishte aq i mërzitshëm, sa më shkaktoi të përziera[7]”.
Për të shmangur humbjen e këtij fakti shumëfishtë të rëndësishëm, këtë
ndjenjësim qenësor të jetës së njeriut e të pasurimit shpirtëror, Darvini
shkruante: “[...] nëse do ta jetoja jetën time sërish, do ta kisha bërë si
rregull të lexoja ndonjë poezi dhe të dëgjoja pak muzikë, të paktën një herë në
javë […] Humbja e këtyre shijeve është humbje e lumturisë…”[8].
Poeti
dhe prozatori
S’ka asnjë arsye të mirëfilltë të bëhet një ndarje e
prerë e krijimtarisë letrare të Ibrahim Kadriut në poet e prozator për fëmijë
dhe poet e prozator për të rritur, po një veprim i këtillë bëhet më shumë për
qëllime praktike. Arti i fjalës është i pandashëm: një vepër letrare poetike
ose është e tillë ose nuk është, pa marrë parasysh llojin që i përket ose
degëzimeve si, fjala vjen, letërsi për të rritur, letërsi për fëmijë, pastaj
tregim, novelë, roman, roman historik, roman psikologjik, roman i verdhë (roman
krim) etj. Janë disa vepra në prozë të Kadriut që lexohen njësoj nga fëmijët e
nga të rinjtë, po dhe nga të rriturit, si romani “Çuni i kohës së Lekës”.
Punimi i parë i botuar letrar poetik i Ibrahim Kadriu
është një poezi për të rritur, botuar në vitin 1962 në revistën e njohur
letrare “Jeta e re”, ndërsa vepra e parë e tij është, siç u tha në fillim të
këtij punimi, përmbledhja me poezi “Netët e Karadakut” (1969). Vepra e tij e
dytë letrare e botuar është përmbledhja me tregime për fëmijë ”Qyteti i luleve”
(1970), e ndjekur me ”E lumi rridhte” (novelë dhe tregime për fëmijë (1973),
roman për fëmijë ”Pas kthimit” (1975) dhe “Kroi i ilaçit” (1983) roman për të
rritur.
Edhe nga një vështrim
i rëndomtë i botimit të veprave të Ibrahim Kadriu del se ai shkroi në të
njëjtën kohë poezi dhe prozë për fëmijë dhe poezi e prozë për të rritur.
E rëndësishme se në
të dy rastet, edhe në veprat në poezi, edhe në ato në prozë, për fëmijë e për
të rritur, Ibrahim Kadriu i përmbahet një parimi të qenësishëm për të: vepra
letrare të jetë e kuptueshme dhe e përfillshme; të komunikojë sa më lehtësisht
me marrësin, cili do qoftë ai. Kjo dukuri përligjet në mënyrën më të plotë kur
gjithë kjo vështrohet përmes përrallës, si një nga krijimet letrare shumë të
lashta: të rriturit gjithmonë u kanë treguar përralla fëmijëve, po njëherit
edhe vetvetes. Shkrimtarët më të shquar botërorë janë mbështetur dhe e kanë
shfrytëzuar botën e përrallës, për veprat e tyre në prozë po (më pak) në poezi.
Kjo ndodh edhe sot.
Esteti letrar, BenedettoCroce (BenedetoKroçe), duke folur
për rregullat e zgjedhjes së librave, që duhet t’i lexojnë fëmijët thoshte:
“Libri i mirë për fëmijë është ai që mund të shijohet, pa kufizime e pa
rezerva, edhe nga të rriturit. Nuk vlen për fëmijë gjithë ajo që është shkruar
për të rritur, mirëpo krejt ajo që është shkruar për fëmijë duhet të vlejë edhe
për të rritur në qoftë se është vepër e artit[9]”.
Edhe kritiku ynë letrar, Vehap Shita, pati vërejtur me të
drejtë: “Letërsia për fëmijë dhe ajo për të rritur s’kanë ndonjë kufi të prerë
që i ndan njërën nga tjetra, sidomos kur është fjala për krijuesit e saj. Shumë
nga ata që shkruajnë për të rritur, shpeshherë shkruajnë edhe për fëmijë dhe –
anasjelltas. Mandej letërsinë, fjalën e shkruar e të thënë artistike, e shijojnë
njësoj, ndonëse secili në mënyrën e vet, i rrituri dhe fëmija [...] Përrallën e
bukur popullore e dëgjojnë njësoj me ëndje i rrituri sikurse edhe fëmija[10]”.
Vepra për të rritur
Qysh me përmbledhjen
me poezi “Netët e Karadakut” Ibrahim Kadriu dëshmohet si poet për të rritur.
Për këtë vepër studiuesi ynë i njohur i letërsisë, MensurRaifi, shkruante
(vitin kur u botua libri): “[...] shumica e vjershave na
duken këngë elegjiake kushtuar ditëve të paharrueshme për autorin”[11].
Pra, “Poet është ai që di të ruajë të paprekur këtë botë intime dhe besimin
fëmijëror në bukurinë e jetës[12]”,
ndërsa shkrimtari Teki Dervishi për këtë vepër të parë të Kadriut theksonte se
ajo: “[...]dëshmon për një rrugë të filluar kah lartësia[13].
Poezinë e Ibrahim Kadriut e kam vëzhguar gjerësisht në
pjesën e dytë të këtij libri dhe nuk e shoh të nevojshme që të merrem me të.
Po ndalem në disa dukuri të prozës së tij romansore.
Në rrafshin e prozës,
si tregimtar, novelist dhe romansier Ibrahim Kadriu përligji aftësinë krijuese,
duke filluar nga viti 1970, kur botoi përmbledhjen me tregime “Qyteti i luleve”
(për fëmijë), ndërsa nga viti 1983, kur e botoi romanin për të rritur “Kroi i
ilaçit” (shih punimin për këtë roman në libër) e deri te romanet e botuar në
vitet e fundit “Përtej binarëve”
(2015), “Misioni rus” (2016), “Njeriu me pelerinë” (2018) dhe “Të
vdekurit e gjallë” (2018) dhe “Varri i shitur në Damask” (2019).
Për romanin e tij të parë, “Kroi i ilaçit”, Ibrahim
Rugova shkruante “Nga rrjeti mitik që thuret rreth Kroit të ilaçit, autori
veçon atë që bëhet miti i vazhdimësisë jetësore, i trashëgimisë fiziologjike që
qëndron në zemër të amësisë individuale e familjare, që madje inkuadrohet edhe
në vijën sociale. Pra, ky krua, pos ‘ilaçeve’ të tjera në koncepcionin mitik të
ambientit, shëron edhe atë të pamundësisë për të lindur e për të rigjeneruar
jetën. Përmban sekretin e frymëzimit që lidhet në mitin e ujit, siç e thamë në
fillim. Ky mit me karakter ritual është mjaft i pranishëm në logjikën
popullore: besimi se kontakti me ujin në momente të caktuara sjell pjellorinë e
domosdoshme për vazhdimësinë e farës njerëzore. Kështu, në Etimologjinë e tij
të madhe, Çabej thotë se ky mit ishte mjaft i përhapur te popullata jonë, është
evidentuar se femrat, gratë që nuk kanë pasur fëmijë, në pranverë janë larë në
tallazet e Durrësit, që ai me të drejtë e lidh me mitin antik të lindjes së
Venerës nga valët e detit, mit mjaft i pranishëm dhe veprues në traditën
shqiptare gojore[14]”.
Në pjesën më të madhe të romaneve për të rritur të
Ibrahim Kadriut vështrohen dukuritë e dy kohëve: të së kaluarës dhe të së
tashmes, që në tekstin letrar dalin të njësuara. Fakti konkret dhe fakti historik
në rrëfimin e prozatorit tonë pësojnë ato ndryshime që janë të natyrshme në
artin e fjalës, siç thotë Niçe (Nietzsche) “[...] poetët gënjejnë shumë”. Ky gënjim ka të
bëjë me të vërtetën artistike që shkrimtari e ndërton përmes rrëfimit dhe
perceptohet nga marrësi si një e vërtetë e mundshme.
Kadriu rëndom zgjedh
tema, ngjarje dhe dukuri që kanë qenë e janë aktuale, që zgjojnë kureshtjen dhe
e bëjnë për vete lexuesin. Autori ato i shqyrton në dramatiken e tyre, duke
krijuar dramë brenda dramave të jetës, që për lexuesin shpesh dalin si katarsë
shpirtërore. Shkrimtari sa përqendrohet në rrjedhën e botës konkrete, po aq ato
i ndërlidh me botën e brendshme të personazheve; të pësimeve e të ngadhënjimeve
të tyre; të krenarisë e të përulësisë, të mirësisë e të egërsisë, gjithë asaj
që ndodh te njeriu në veprimin e përditshëm, siç ndodh dhe me romanin
“Spirale muzgu” (2002), për të cilin studiuesi PrendBuzhala thotë: “Situatat
dramatike nëpër të cilat kaluan vendet shqiptare përbëjnë boshtin strukturor
dhe tematik të romanit ‘Spirale muzgu’ të romancierit tashmë të njohur, Ibrahim
Kadriut. Autori synon të përfshijë në kulme e në veçori karakteristike kohët,
historitë dhe mjediset shqiptare që nga vitet e shtatëdhjeta e këndej, si një
proces i pandërprerë i betejave jetësore në përleshje, me diktaturat, me
iluzionet e me okupuesit, dhe si fatkeqësi të tragjedive nacionale. Letërsia
narrative e Kadriut tashmë është kapitull i veçantë i një individualiteti
krijues, me përvojë të pasur e të larmishme artistike[15]”.
Ndonjëherë rrëfimi i tij bëhet tronditës, e pushton lexuesin pikërisht me
dramatiken dhe tragjiken që e shqipton , siç ndodh në romanin “Përtej
binarëve”, ku prindi përdhunon vajzat e veta! Me një fjalë, Kadriu i shpalos plagët dhe dhunën e jetës, po dhe
gatishmërinë për qëndresë dhe për t’u flijuar për të mirën e jetës e të
dinjitetit të njeriut. Kadriu nuk gjakon moralizimin, po e shpreh mendimin e
vet për një dukuri të mirë ose për një dukuri të dëmshme ose të shëmtuar. Në shqiptimin e tij shpesh dukuritë mbesin të hapura dhe lexuesi
vetë u jep kahen dhe drejtimin ose rëndësinë që sipas tij duhet ose mund ta
kenë.
Vepra
për fëmijë dhe të rinj
Në veprat për fëmijë dhe të rinj Ibrahim Kadriu, po
ashtu, dëshmoi aftësinë, duke përftuar ato krijesa letrare, që pëlqehen dhe
komunikojnë me lexuesin e veçantë, qofshin tregime, novela, qofshin romane.
Tematika që përdor autori në këto vepra është sa e
shumëllojshme aq dhe e tërheqëse dhe aktuale. Gjuha e përdor në to është e
njëjtë, ndryshon vetëm qasja dhe vëzhgimi poetik, gjerësia, dendësia dhe
ngjeshësia e rrëfimit, varësisht nga tema ose dukuria që ai e bën objekt të
trajtimit, po dhe karakteri i personazheve dhe bota e tyre shpirtërore.
Në veprat për fëmijë dhe të rinj Ibrahim Kadriu u kushtoi
kujdes sidomos veçantive që përkojnë me botën e tyre; që përfillen më lehtë dhe
bëjnë ndikim më të madh në ta. Bota që shqiptohet në këto vepra është para së
gjithash një kërkim për njohje, një kërkim për zbulimin, shpalimin e kësaj bote
që njëherit nënkupton njohjen e vetvetes dhe të botës së tjetrit.
Dukuritë që vështrohen poetikisht nuk i nënshtrohen
hierarkisë: të gjitha janë të rëndësishme, duhet gjetur vetëm mënyrën si të
rrëfehen sa më natyrshëm, të zgjojnë interesimin e lexuesve dhe të ndikojnë në
ta. Përmes këtyre veprave, pos qëllimit edukativ, arsimor e dituror, gjakohet
zgjimi i kureshtjes te marrësi për gjithë atë që është e qenësishme në jetë,
veçmas të jetë argëtuese, të komunikohet në forma të ndryshme me dukuritë dhe
të kultivohet ndjenja për të bukurën.
Qoftë në veprat për fëmijë në prozë, qoftë në ato në
poezi, Kadriu gjakon mbëltimin e ndjenjës së vetëdijesimit, të shoqërimit, të
nderimit të tjetrit, të veprimit të lirë për të përmbushur synimet nga më të
ndryshmet(fjala vjen, personazhi i Fidanit në romanin “Pas kthimit”); dashurinë
ndaj prindërve dhe anëtarëve të familjes, ndaj të afërmit si dhe ndaj
vendlindjes dhe atdheut.
Kjo mënyrë e shqiptimit të dukurive dëshmohet edhe kur
veprimet e personazheve janë të denja, si synim jetësor, edhe kur autori rrëfen
për raste e personazhe me vese e me veti të liga e të shëmtuara, siç ndodh në
vetë jetën e përditshme.
Që në përmbledhjen e parë për fëmijë “Pranvera shikon nga
bregu”, të botuar më 1972, Kadriu u dëshmua poet për fëmijë. Në të ai gjakon
mënyra sa më të veçanta të të shprehurit të botës në përgjithësi dhe të botës
së fëmijëve në veçanti. Rreth kësaj vepre me poezi për fëmijë të Ibrahim
Kadriut, Agim Deva shkruante: “Shihet qartë se ky autor ka simpati të veçantë
ndaj mënyrës bashkëkohore të shtjellimit të motiveve, ndaj hulumtimit të tyre
dhe ‘ngjyrosjes’ së tyre, ashtu si do vetë autori në pajtim me kërkesat e vetë
letërsisë për fëmijë (si nëndegë e letërsisë në përgjithësi) dhe me kërkesat që
kanë fëmijët, si qenie të vetëdijshme, që dinë të argëtohen e zemërohen, ashtu
si ua dikton loja. Dhe duke u nisur pikërisht nga kjo simpati e Kadriut për
forma të reja shprehëse, në veprën e tij ‘Pranvera shikon nga bregu’ janë
prezentë në përmasa të dukshme një mori trajtash (shpeshherë edhe eksperimentuese)
të cilat autori do t’i shtjellojë me kolor e kreacion tërheqës, duke mos e
përjashtuar këtu as tendencën që gjatë transformimit të motivit në lojë dhe
angazhim, të kihet kujdes edhe për rolin njohës dhe edukativ, ku edhe njëri,
edhe tjetri, ngërthehen në një tërësi artistikisht të lidhur, duke sajuar
kështu një kompleks më të angazhuar[16]”.
Edhe në romanet për fëmijë, siç ndodh dhe në romanet për
të rritur, Kadriu i kthehet të kaluarës, po me qëllim që të sqarohen dhe të
kuptohen më mirë rrjedhat në kohën e tashme, siç ndodh me romanin “Çuni i kohës
së Lekës”, që rrëfen për qytetin e lashtë të Ulpianës së rrënuar, të ndërtuar
përsëri nëpër shekuj. Në këtë roman “Përmes heroit kryesor të romanit, Çunit,
që është një personazh interesant, që nga historia e tij familjare e deri tek
niveli i tij kalorësiak të cilin e arrin duke kaluar nëpër sprova të vështira
jetësore, shkrimtari sjell një mesazh të veçantë për Veriun, që të mos na zë në
befasi dhe t’i shembë qytetet tona, shumë më egër se ai tërmeti natyror që
shembë muret e Ulpianës së lashtë. ‘Çuni i kohës së Lekës’ i shkrimtarit
Ibrahim Kadriu, duke mos u ndalur në disa gabime të aty-këtushme të shtypit,
është një ndër romanet më të mira që iu dhuruan letërsisë shqiptare për fëmijë,
dhe jo vetëm për ata, gjatë vitit 2006[17]”.
Objekt të rrëfimit poetik autori ynë bën dhe luftën; ai e
vështron atë në ndërliqësinë e pasojave, plagëve (të kujtojmë këtu romanin
“Vite me plagë) dhe traumat që le ajo tek njerëzit jo vetëm të atyre që marrin
pjesë po dhe të tjerëve.
Nga ajo që u tha më lart del se Ibrahim Kadriu është
mjaft i përkushtuar dhe në hartimin e veprave për fëmijë.
Edhe me vepra të tjera, që i përmenda në fillim të këtij
punimi (monografitë për IdrizSeferin, Agim Ramadanin dhe RamizCërnicën, libra shkollorë),
Kadriu ka dëshmuar aftësinë dhe gjerësinë e interesimeve të tij edhe me katër
vëllimet me biseda me intelektualë dhe krijues të shquar, shqiptarë dhe të
huaj, me titullin “Buzëqeshje miqsh”.
Prishtinë, maj 2019
[1] Ibrahim Kadriu, Netët e Karadakut.
Poezi. “Rilindja”, Prishtinë 1969.
[2]MahmudHysa, Polifonia e tekstit
letrar, fiksioni në romanet e Ibrahim Kadriut. Libri i parë 2012;
MahmudHysa, Polifonia e tekstit letrar,
fiksioni në romanet e Ibrahim Kadriut. Libri i dytë, 2014; Qasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga
autorë shqiptarë dhe të huaj. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot
Berisha. Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2015; Qasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj.
Vëllimi i dytë. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha. Shtëpia
botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2018.
[3]Qasje veprave të
Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj.
Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha. Shtëpia botuese “Beqir
Musliu”, Gjilan 2015, f. 3 – 4.
[4]Frederik Rreshpja, Era përkund pikëllimin e luleve. Poezi. Zgjedhjen dhe parathënien
Anton Nikë Berisha, “Beqir Musliu”, Gjilan 2018.
[5]Lazër Stani, Rrugë pa krye.Ese
letrare. Botimet Fishta. Tiranë 2016, f. 41.
[6]Shih Lazër Stani, Rrugë pa krye.Ese
letrare,vep. e përm., f. 50.
[7]Po aty, f. 44.
[8]Po aty, f. 45.
[9]Shih AntonioFaeti, Letteraturaperl’infanzia.
“ArmandoEditore”. Roma, 2002,f. 13.
Nisur nga ky përcaktim ky studiues thotë: “Fëmijët i zgjedhin nëpër raftet
librat italiane që atyre u përshtatën e ata janë librat për fëmijë. Mirëpo, një
letërsi për fëmijë nuk ekziston”. Shih GianniRodari, Scrivereoggiper i
bambini. Citatin e mora nga interneti.
[10]Vehap Shita, Një vështrim mbi
letërsinë tonë për fëmijë. Në “Jeta e re”, nr. 3, Prishtinë
[11]Shih Qasje veprave të Ibrahim
Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Zgjodhi dhe përgatiti për botim
Dr. Labinot Berisha, vep. e përm., 2015, f. 8.
[12]Po aty, f. 7.
[13]Po aty, f. 14 – 15.
[14]Ibrahim Kadriu, Kroi i ilaçit.
Roman. Botimi i dytë i plotësuar. “Faik Konica”, Prishtinë 2019, f. 176.
[15]Qasje veprave të
Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj.
Vëllimi i dytë. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha. Shtëpia
botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2018, f. 260.
[16]Agim Deva, Ballansim kualitetesh në një tërësi artistike. Në “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj”.
Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha, vep. e përm., 2015, f.
185.
[17]MehmetHaziti, Hapja e portave të lashtësisë të qytetit mesjetar Ulpiana. NëQasje
veprave të Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Zgjodhi dhe
përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha, vep. e përm., 2015, f. 498.