Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Aktivët dhe inaktivët

| E merkure, 19.10.2022, 06:04 PM |


Aktivët dhe inaktivët

Nga Kastriot Dervishi

Bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit (rezidentë, agjentë, informatorë dhe strehues), ndaheshin në dy grupe të mëdha: aktivë dhe inaktivë. Në grupin aktiv, pjesën dërrmuese, mbi 90% e zinin të besuarit e regjimit dhe komunistët, ata që ishin rekrutuar me dëshirë dhe mbi të cilët nuk përdorej në asnjë rrethanë detyrimi. Në grupin inaktiv hynin 100% të rekrutuarit me origjinë të përndjekur politikë. Në këtë grup, mbi 90% e emrave janë fiktivë, pra individë që figurojnë të regjistruar, por që nuk kanë asnjë aktivitet, nuk i kanë shkruar në takime operativit, etj. Për të dalluar grupet nga njëri-tjetri, duhet gjithnjë një hetim i thelluar. Në mungesë të shumicës së dosjeve, të cilat dihet se janë asgjësuar para vitit 1991, si dhe të dosjeve të punës, në rastin kur ndeshemi vetëm me dosje personale të arkivuar, rezultati i kërkimit mund të pasurohet e afrohet të vërtetës me shënimet e kartelës “Model 2”, si dhe kur mundet, me procesverbalin përshkrues të asgjësimit të dosjes. Nga viti 1996, kur janë dhënë përgjigjet e para të verifikimit të figurës, ka munguar pikërisht ndarja e qartë e këtyre kategorive, duke synuar gjithnjë që të marrin të mirëqenë bashkëpunëtorët inaktivë, të cilët në emra mund të jenë jo pak, por me sondazh them se mund të jenë mbi 80 mijë. Tani llogarisni një shumëzim të paktën me 5 familjarë për të imagjinuar keqkuptimin e madh në popull. Përgjigjet vetëm mbi bazë regjistri, jo mbi dosje, janë largim nga e vërteta.

Bashkëlidhur ana e pasme e një kartele që i është dhënë një kërkuesi, por që fjala “inaktiv” nuk është përfshirë në përgjigje. Aktiviteti i tij ishte zero. Pavarësisht shënimit se do ruhej 30 vjet, dosja është asgjesuar.