Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Kutia e kujtimeve

| E diele, 16.10.2022, 05:27 PM |


Blerim Rrecaj

Kutia e kujtimeve

Binte shi jashtë në hyrje vjeshte

Fëmijët s'di kah vajtën, kah ia therrën

Veç lanë gjurmë letrash të hedhura

Me lule, fruta, drunj, shpezë, kafshë, insekte

U shtriva në tepihun e dhomëpritjes rreth tyre

Pasi ngrita në këmbë këtë dhuratë të ëmbël

Këtë kuti kujtese ardhur përtej sa e sa bjeshkëve

Vjeshtë ekzotike

Një vogëlush dëshiroi

Një kokërr shegë

Tjetri një kokërr arrë kokosi

Të dyja i mbaj në duar

Siç më mban e na mban kjo tokë

Në këtë ditë mestetori

Që më përkund ekzotikisht

Bashkë me dritën e diellit

Me erën e shiun

Dhe të gjithë argatët tjerë

Që i ndihmuan të rriten

Edhe ata që i bartën

Dhe i sollën në një dyqan frutash

E ne i sollëm në strehën tonë mbi tavolinë

Pastaj përfundimi qe ky

Mbushëm një pjatë me kokrra shege

Shpejt pjata u zbraz nga duart tona

Fundi i saj i bardhë u bë e purpurtë

Ëmbëlsia mbeti

Na priste tjetra punë

Mezi e thyem arrën e kokosit

Ia pijmë lëngun me pipëza

Pastaj e çamë dy-tre fish

Dhe me lugë hanim borë të ëmbël

Varg i diellit

Diell i bukur i 15 tetorit

E zgjati një rrezelaps

E cila e shkruajti këtë varg

‘Ti që dole të bredhësh si një trumcak

S’mund të shkosh shumë larg’