| E shtune, 15.10.2022, 05:58 PM |
Flet poeti Zaho Vasili: Në monizëm tekstet shoshiteshin në shoshë brenda redaksisë dhe në sitën e një komisioni
-Dritëro
Agolli: Pse vendosa në këndin letrar vjershën “Këpuca dhe opinga”.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Nga
hartimet në shkollën shtatë vjeçare dhe disa cicërima të para, që ekspozoheshin
në këndin e “Letrarit të ri”, nga mësueset ai mësoi që kishte prirje për të
shkruar, e cila u thellua në shkollën e mesme teknike në Tiranë, në një konkurs
ku ai mori çmimin e tretë.Mbas mbarimit të shkollës së mesme në uzinën metalike
në Gjirokastër, filloi të botojë në gazetën lokale krijimet e tij, të cilat
morën hov të ri gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në gazetat dhe revistat e
ushtrisë.
- Jeni ndër poetët që
keni marrë pjesë në festivalet e RTSH. Si
zgjidheshin poezitë për festivalin në sistemin monist? A kishte kërkesa
për nivelin artistik?
Siç
përshkruhet në hyrje unë rashë në sy me krijimtarinë time dhe më dhanë dy javë
leje krijuese, për ta mbledhur krijimtarinë, të cilën ja dorëzova redaktorit të
librit Luan Qafëzezi dhe në vitin 1973 doli libri im i parë “Buste dhe
Lapidarë. Koençidoi me vitin që unë isha student në Institutin e lartë të
arteve, në degën e kulturës, degë që më shpuri të bashkëpunoja me sektorin e
kulturës në Radio Tirana.
Ndjeva
eshkën brenda meje dhe xixën që i kishte hyrë për ta djegur. Në Radio Tirana
nisa një rrugë të re bashkëpunimi me sektorin e muzikës që përgatiste
festivalet e fund vitit dhe festivalet e pranverës dhe të talenteve të reja.
E
nisa këtë rrugë fillimisht duke shkruar tekste për anketat e muajit, për një
aktivitet të përvitshëm që zhvillohej atëherë, “Dekada e majit”. Pasi u
“kualidova” mirë, ndjeva që eshka vazhdonte të digjej dhe shkrova poezinë
“Përshëndetje nga Furrnalta”, i cili u kthye në tekst kënge dhe në vitin 1976
mora pjesë në festivalin e 16 në RTSH.
Si
bashkëpunëtor me sektorin e muzikës, mua më vinin çdo vit në Sarandë, ku
fillova punë në sektorin e kulturës, programi dhe tematika e teksteve që do
trajtoheshin në festivalin e fund vitit. Kjo shkresë i shkonte dhe degës së
lidhjes së shkrimtarëve nëpër rrethe.
Përsa
i përket cilësisë së teksteve funksiononte parimi i shoshitjes në shoshë brenda
redaksisë dhe stisjen në sitën e një komisioni, për të marrë më pas miratimin
në një organizëm më të lartë siç qe drejtori i përgjithshëm i radiotelevizionit
dhe në fund do të merrte vulën në instancën më të lartë të asaj kohe.
PYETJE: Në sa festivale
ke marrë pjesë dhe a ke marrë ndonjë çmim?
PËRGJIGJE:
Unë kam marrë pjesë në 11 festivale në RTSH, kënga “Nën kurorën e ullirit” me
tekstin tim u vlerësua me çmimin e tretë.
PYETJE: Saranda një
qytet libradashës. Sa libra ka pasur biblioteka e qytetit, po libraritë. Cilat
mosha lexonin më shumë?
PËRGJIGJE:
NË Sarandë punova në disa institucione si punonjës kulture, në shtëpinë e kulturës, bashkimet
profesionale, instruktor kulture, në komitetin ekzekutiv fillimisht inspektor i
kulturës për rrethin dhe më pas shef i kulturës për rrethin, dhe më vonë
drejtor i bibliotekës së Sarandës. Kur isha në komitet kuptova së pari
dashurinë e madhe për librin dhe
leximin, që kishin qytetarët. Biblioteka kishte emër të mirë në rang
republike. Kështu që kur shkova u mundova ta mbaj këtë frymë. Me bibliotekën më
lidhi së pari tema e diplomës së shkollës së lart që m’u caktua për këtë
bibliotekë të dalluar për punën e saj cilësore që bënte drejtori i saj Aristidh
Buzi. Nëse më lejohet të them ca detaje nga kjo punë. Mori vesh se në spital
ishte shtruar një i sëmurë me depresion. Ai shkoi dhe i çoi librin “Si u kalit
çeliku “ të Nikollaj Ostrovskit që fliste për dashurinë e madhe ndaj jetës. Një
mjelëseje të dalluar i çonte libra për lopën, ndërsa në një brigadë të dalluar
të grurit bëri konkurs për propagandën e prodhimit, siç thuhej atëherë. Këtë
rrugë e vazhdova edhe unë. Qyteti kishte një librari, më pas u bë me dy, i
nxitur nga kërkesa e lexuesve për të blerë libra. Bile shumica e zinin mik
shitësin për t’u ruajtur librat, në të cilat më pas u shtuan sasia e librave,
gjë që e thoshin dhe evidencat e kohës në rang kombëtar.
Biblioteka
kishte rreth tremijë lexues të rregullt të gjitha moshave, rreth 85 mijë libra.
Kishte dy sektorë të mëdhenj, sektori për fëmijë dhe sektori për të rritur.
Kuptohet që nxënësit dhe rinia punëtore lexonin më shumë, po nuk mbeteshin pas
edhe më të moshuarit, që më pas do të bëheshin pensionistë dhe me librin hapnin
një dritare për të parë botën, por dhe zinin bukur kohën e tyre.
PYETJE: Si u ndjetë kur
në vitin 1997 u dogj kjo bibliotekë e bukur dhe e pasur me libra?
PËRGJIGJE:
Ai vit i hidhur që mos ardhtë kurrë, mua
më zuri drejtor të bibliotekës. Ishte fillim marsi. Natën ishin ndjerë zhurma
në qytet, sidomos nëpër gomisterira, e cila u kuptua të nesërmen kur një pjesë
e institucioneve u dogjën. Ishte ditë pushimi, por unë shkoja rregullisht në
këtë ditë për të punuar për vete dhe të lexoja i qetë. Në mes të rrugës dikush
me pyet: Ke dalë nga qendra? Tani po dal, i thashë. Pyetja nuk më pëlqeu se m’u
kujtuan zhurmat e natës dhe nxitova hapat. Por hapi më ngriu në ajër kur pashë
që biblioteka po digjej. Djegia kishte filluar nga kati i dytë. Thashë se më
pushoi zemra, vrapova së pari në kinoteatrin e qytetit dhe bashkë me dy shokë
nxituam për në bibliotekë.
U
hutova! Çfarë mund të bënim tre veta? Qyteti qe strukur. U kujtova për disa
libra të rrallë dhe disa enciklopedi të vjetra dhe një të re amerikane me 20
vëllime. Ende pa vajtur te fondi, ra dyshemeja e katit të dytë. Ngriva në vend,
por ndjeva një dorë që më tërhoqi me zor.
I
pikëlluar bashkë me shokët filluam të nxirrnim libra, që ishin pranë derës, por
fare pak sepse ra dhe dyshemeja tjetër prej druri dhe shpërtheu flaka në katin
e parë. E tmerrshme! Po digjej një pasuri e rrallë, mendjet e qindra njerëzve
që kishin hedhur nëpër libra dijet dhe talentin e tyre! Dolëm jashtë dhe po
shihnim inkuizicionin. Pa kuptuar më kishin dalë lot. Nuk mund të duronim dhe u
larguam duke mos e parë më këtë skenë të tmerrshme.
Më
pas mora vesh se zjarri së pari i qe vënë hetuesisë që ishte ngjitur me
bibliotekën dhe një kabull korenti në murin e saj hynte dhe në bibliotekë në
katin e dytë. Mori flakë kablli dhe bëri gjëmën e madhe, duke lënë një pirg të
madh prej hiri.
Më
pas unë isha drejtor i qendrës kulturore, nga ku varej dhe biblioteka dhe
fillova i vetëm ringritjen e saj nga hiri. Ajo u ngrit duke shkuar fshat më
fshat për të mbledhur librat e hedhur nëpër rrugë. Qytetarët ishin të parët, që
erdhën në ndihmë me dhurimet e tyre. Unë e lashë atë me rreth 15 mijë libra.
PYETJE: Si funksiononte
lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve në Sarandë në sistemin monist? Kush ka qenë
kryetari i saj për Sarandës dhe si organizohej kjo lidhje?
PËRGJIGJE:
Kur shkova së pari në Sarandë gjeta një lidhje shkrimtarësh në vlim të plotë,
kryetar ishte skulptori i talentuar Niko Godroli. Kjo lidhje kishte tre sektorë
atë të arteve figurative, atë të letërsisë dhe të muzikës. Qe vatër shumë e
ngrohtë për qytetin e Sarandës dhe ishte shumë aktive. Në avangardë ishte
sektori i arteve figurative, që hapte dhe dy ekspozita në vit. Kishte disa
skulptorë e piktorë me shkollë të lartë, por dhe amatorë. Lidhja kishte
programin e saj. Ajo siguronte nëpërmjet Ministrisë ngjyrat për piktorët, bënte
planin e lejeve krijuese, kryesisht një mujore, zhvillonte konkurse për
letërsinë. Furnizonte me piktura e skulptura gjithë muzetë e shumtë të
fshatrave. Merrte pjesë në dekorimin e qytetit, sidomos nëpër festa dhe krijuesit
ishin ndihmës për institucionet kulturore me librete, skenarë, pjesë teatrale.
Mbi të gjitha sundonte një frymë e ngrohtë dhe e sinqertë bashkëpunimi.
Parësore në punën e saj ishte që të kishte sa më shumë krijues në konkurset
kombëtare në Tiranë. Jo më pak e preokupuar ishte dhe për konkurset lokale. Në
një të tillë kam marrë pjesë dhe unë. Mora çmim të dytë dhe m’u dhurua korpusi
i veprave të shkrimtarit Sterjo Spasse.
PYETJE: Në mbledhjet e
Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve kush nga udhëheqësit e P.P.SH ka ardhur dhe çfarë është diskutuar?
PËRGJIGJE:
Unë mbaj mend që vinin funksionarë partiak të rrethit dhe artistë të ndryshëm
nga Lidhja e shkrimtarëve dhe artistve në Tiranë, të cilët binin frymën e
qendrës, por dhe aksionet qendrore të vitit. Kjo qe kthyer në rregull të
përvitshëm. Çdo sektor për vit bënte analizën e punës së tij dhe vendoste
objektiva personale dhe kolektive të krijuesve. Lidhja qe një gjallërim më
shumë për jetën e qytetit dhe shumë e dashur për të.
PYETJE: Po Kadareja dhe
Agolli a kanë ardhur, kanë bërë takime me anëtarët e lidhjes së shkrimtarëve në
Sarandë?
PËRGJIGJE:
Këtu do ndalem pak. Gjeniu i letrave shqipe takimin e tij, mbaj mend, që e bëri
në sallën e madhe të ish komitetit ekzekutiv me një pjesëmarrje të gjerë nga të
gjitha moshat. Ai takim mbahet mend dhe sot nga intelektualët për analizën e
hollë dhe të thellë, me mprehtësi e zgjuarsi të rrallë, me nivel të lartë që i
bëri letërsisë shqipe, me mënyrën e tij akademike dhe kopetencën e njeriut, që
ka shkëlqyer në letërsi jashtë e brenda vendit që në ato vite.
Me
Dritëronë ndryshon puna. Ai e kërkoi takimin në një kolektiv të klasës
punëtore. Dega e lidhjes e çoi në N.P.N. një ndërmarrje vetëm me vajza e gra.
Ishte
komunikativ, plot humor, që të krijonte kënaqësi shpirtërore. Një vajzë e
shkolluar i bëri pyetjen se si zë fill krijimtaria juaj, se unë di, tha ajo, që
Noli nuk donte të shkonte në shkollë. Nëna e futi në thes dhe ashtu duke qarë e
çoi në shkollë në ditën e parë.
Edhe
unë kam një histori të vogël, tha Dritëroi. Menjëherë pas çlirimit filluan
parakalimet e një majit edhe në shkollën e fshatit tim. Mua, të veshur dhe jo
aq mirë, me opinga më ra rasti të isha nga rreshti i tribunës. Një mësues
pedant më tha: Ti Dritëro do kalosh në rreshtin tjetër. Unë u fyejta dhe si
kundër përgjigje këtij mësuesi, të nesërmen në këndin letrar vendosa vjershën
“Këpuca dhe opinga”.
Atëherë
sa kishte dalë poema e tij e madhërishme “Balada e rrush rushatit”, me inspirim
nga poeti skoces Robert Bernsi, të cilin e kishte përkthyer vetë, për nxjerrjen
e birrës nga elbi.
E
pyeti një krijues dhe ai bëri humor me një ngjarje të tij. Shkova në një fshat
të Korçës dhe donin të më dehnin, po në fakt u dehën ata. Njëri prej tyre më
ftoi në shtëpinë e tij dhe sërish më shtroi raki. Dhe pse u ngroha nuk e dhashë
veten. Natën më duhej të urinoja. Kur u ktheva se banjat ishin jashtë në oborr,
nuk mbajta mend ku hyra. Të nesërmen miqtë u shqetësuan. Ku na vajti miku...!
Filluan të shihnin njëri tjetrin në sy, kur dëgjuan gërhimën time në një kolibe
ku ata mbanin tarabuzanët e rakisë. Na ngrive gjakun, më thanë. Po nuk u ngope
me rakinë që pive mbrëmë, erdhe këtu të pije prapë raki...!
Po
ajo puna e specit, e ngacmoi dikush. Ajo është e lezetshme,- u përgjegj
Dritëroi. Vajta në një brigadë të dalluar perimesh dhe dikush nxori shishen e
rakisë në rreth të ngushtë. Me se ta pinim? Shkova te specat, këputa disa,
njërën e preva në mes e bëra si gotë rakie, kurse të tjerat i hëngra gjatë
pijes.
PYETJE: Cilat kanë qene
problemet e Lidhjes së Shkrimtarëve në
atë sistem?
PËRGJIGJE:
Së pari problemi i studiove për piktorët e skulptorët që nuk kishin. Preokupim
ishte gjetja dhe mbështetja e talenteve të reja. Sigurimi i bojërave dhe i
kanavacës, ishte një problem tjetër. Kishte halle dhe për strehim. Dega kishte
planin e saj dhe bënte kërkesa për sigurimin me shtëpi të krijuesve. I
rëndësishëm ishte dhe pjesëmarrja në konkurset kombëtare. Ai sistem i ndihmoi
skulptorët me studio. Atëhere isha shef i kulturës së rrethit në ish komitetin
ekzekutiv. Ishte bërë një plan që në katet e para të disa pallateve, pesë hyrje
të ishin për skulptorët. Mbaj mend që në një plenum partie erdhi Nexhmije
Hoxha, e cila bëri inaugurimin e tyre.
PYETJE: Po sot a ka
lidhje krijuesish në qytet.
PËRGJIGJE:
Ka një shoqatë, “Krijuesit Jonianë”, vetëm me krijues në letërsi dhe shumë pak
në skulpturë dhe arte figurative.
PYETJE: Cilat janë
problemet e krijuesve sarandjotë sot?
PËRGJIGJE:
Pa fund problemet. Nuk ka asnjë lloj ndihme dhe mbështetje, gjithçka me
mundësitë e veta. Krijimtaria letrare nëse botohet në shtëpitë botuese në
Tiranë nuk vjen më në biblioteka si dikur, nuk krijohet asnjë mundësi blerje,
nuk vjen libri në librari për lexuesin. Shpërndahet dhe dhurohet duke mbetur
krijuesi gjithmonë me xhepa bosh, edhe ca më keq, nuk lexohen më librat si
dikur. Periudhë shumë e vështirë. Janë krahë prerë.
PYETJE: Sot lëvrohet më
shumë poezia se proza. Cilët janë poetët dhe shkrimtarët sarandjotë që
konkurrojnë në krijimtarinë shqiptare dhe sot?
PËRGJIGJE:
Ka krijues që i kanë kapërcyer kufijtë e rrethit. Ata të djeshmit janë më të
njohur si Niko Kacalidha, Agim Mato, Thoma Sterjo, Andrea Zarballa, Vangjel
Zafirati etj, por si rezultat i lëvizjes demografike të njerëzve dhe emigrimit,
ata sot nuk njihen. Njihen vetëm nga brezi 50 vjeç e sipër. Konkurimi i tyre
është fare i vogël nëpër disa konkurse që organizohen me raste, por që nuk kanë
asnjë vlerë se gëlon subjektivizmi dhe miqësia. Sot poet e shkrimtar të bën
paraja dhe jo talenti.
PYETJE: Keni qenë kur
erdhi për vizitë Enver Hoxha?
PËRGJIGJE.
Isha në një kurs dy mujor për oficer i artilerisë në Gjirokastër. Po sa u
shpall lajmi mora leje dhe shkova në Sarandë. Nëse do themi të vërtetën pa e
politizuar ju bë një pritje e mrekullueshme, me pjesëmarrje nga i gjithë rrethi
dhe Delvina. Para bustit të Hasan Tahsinit ai qëndroi dhe foli gjatë për
rektorin e parë të universitetit në Turqi. Vizitë u bë pastaj në Ksamil me
pjesëmarrje që nga Konispoli. Ajo që mbahet mend gjithashtu ishte dhe koncerti
i madh dhe masiv që u bë në kinoteatër me pjesëmarrjen e dhjetëra grupeve
folklorike dhe këngëtarëve të shtëpisë së kulturës dhe estradës profesioniste.
Një koncert i tillë nuk është bërë më në Sarandë si ai...