Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Në shërbim të Zotit dhe Atdheut

| E diele, 09.10.2022, 07:59 PM |


NË SHËRBIM TË ZOTIT DHE ATDHEUT

Nga Frank Shkreli

Ditën e Shtunë, 8 Tetor, 2022, në ora 10 të mengjesit, në Qendren Kulturore “Nenë Tereza”, zhvilloi punimet Simpoziumi Shkencor kushtuar 50 Vjetorit të Famullisë Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield të shtetit Michigan, afër Detroitit. Një ndër folësit e ftuar, për këtë rast, ishte dhe kolegu ynë Frank Shkreli, mik i vjetër i Dom Prekë Ndrevashjt, nga vitet kur Dom Preka kujdesej për refugjatët politikë shqiptarë në Itali, 1960-ave- e në fillim të 1970-ave.

“Shkëlqesia juaj Ipeshkëvijë, klerikë të dashur, të nderuar pjesëmarrës në këtë tubim historik, përkujtimor. U përshëndes të gjithë ju, që për 50-vjet, në këtë tokë e vend të bekuar, kini vazhduar me përkushtim e dashuri, të jeni të bashkuar në shërbim të Zotit, të Kishës dhe të Kombit.

Përshëndes Këshillin e kishës, mbarë famullinë Zoja Pajtore e Shqiptarëve, por mbi të gjithë dhe veçmas përulem para Dom Ndue Gjergjit – prijsit tuaj fetar, i cili përveçse e ka drejtuar këtë kishë me një për-shpirtshmëri të dalluar fetare – ai, së bashku me ju, e ka ngritur këtë faltore – jo vetëm në nivelin e një qendre ku njerëzit luten, kërkojnë ngushëllime shpirtërore dhe festojnë – por e ka rritur këtë qendër edhe në rrafshin e një enti të rëndësishëm kulturor e kombëtar.

Ajo që e ben këtë kremtim të këtij 50-vjetori edhe më të madhnueshëm dhe të përmallshëm, është edhe kujtimi i të gjithë atyre që kanë qenë këtu ç’prej fillimit -- e nuk janë më -- përfshir edhe mikun dhe të dashtunin tonë të përbashkët, Dom Prekë Ndrevashajn, themeluesin e kësaj kishe -- njërin prej atyre klerikëve i cili ishte dëshmitar i martirëve të Kishës dhe të Kombit të cilët derdhën gjakun e pafajshëm nën torturat më shtazarake të regjimit sllavo- komunisto-enverist në Shqipëri, por që me ndihmën e të Madhit Zot, ai vet i shpëtoi atij ferri.

Për fatin e këtij komuniteti, Dom Preka, si themeluesi i kësaj kishe dhe Dom Ndou drejtuesi dhe famullitari aktual, kanë pasqyruar dhe pasqyrojnë dy shtylla të Kishës dhe të shqiptarizmit, jo vetëm në mërgim, por edhe më tej. Një apostollat i vërtetë fetar e kombëtar i këtyre dy burrave të Kishës dhe të Kombit!

Nën udhëheqjen e Dom Ndue Gjergjit, Kisha Pajtore e Shqiptarëve vazhdon misionin e saj origjinal fetar e kombëtar – për t’i shërbyer në radhë të parë Zotit, besimtarëve, kulturës shqiptare dhe interesave kombëtare, këtu në Amerikën tonë të largët.

Me këtë rast, pra, meritat dhe falënderimet i shkojnë me siguri edhe këtij komuniteti katolik shqiptaro-amerikanësh, të cilët –si të parët tanë,së bashku me klerikët tanë gjatë historisë, i janë përmbajtur trinomit: Fe, Atdhe e Përparim.  Siç ishte traditë në malet tona dikur, së bashku me priftin, me fratin, por edhe me jezuitin, të parët tanë kanë përballuar shumë vështirsi, jo vetëm duke ndihmuar kishën, por kanë dhënë edhe jetën – në mbrojtje të Fesë e të Atdheut, sidomos gjatë komunizmit të pa fe.  I njëjti angazhim e përkushtim vazhdon edhe sot këtu në Amerikën e bekuar, ky vend që na ka falë lirinë, na ka dhënë strehimin dhe mundësitë për një jetë më të mirë, në bashkim me Zotin dhe në dashuri me të afërmin.  Fatbardhësisht, sot në

Amerikë nuk kemi nevojë të mbrojmë as fenë as Atdheun, me pushkë. Por, me mënyra të tjera, siç e kanë treguar shqiptarët e Amerikës të të gjitha feve, duke ndihmuar, bujarisht, xhamitë, teqetë, kishat katolike dhe ortodokse shqiptare, gjatë shekullit të kaluar e deri më sot.

Kam ndjekur me interesim gjatë viteve,festivalet dhe organizimet kombëtare e kulturore,  përfshir Festivalin Kulturor muajin që kaloi të organizuar nga Kisha Pajtore e Shqiptarëve.  Ishte vërtetë një manifestim dhe pasqyrim i dinamizmit të kësaj famullie që frymëzon komunitetin shqiptaro-amerikan në veçanti, por edhe shqiptarët në trojet tona në Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi. Një ndërmarrje kjo, e cila ruan identitetin, ose të pakën ngadalëson shkombëtarizimin e këtij komuniteti në këtë oqean të madh që e quajmë Amerikë –një kishë –një votër ku strehohen ndjenjat, zakonet tona bujare, gjuha, kultura dhe traditat shqiptare.

Prandaj, marrim pjesë në këtë tubim -- në këtë 50-vjetor -- që festojmë sot me krenari njerëzore si shqiptaro-amerikanë të lirë dhe me falënderime ndaj të Madhit Zot për bekimet e tija dhuruar këtij komuniteti.  Falënderojmë Zotin tonë të përbashkët, se megjithë planet djallëzore prej një gjysëm shekulli të komunizmit ateist të Enver Hoxhës për të zhdukur përgjithmonë nderin, fenë, traditat, identitetin kombëtar dhe historinë ndër shqiptarët, ky takim sot me një pjesëmarrje të shqiptarëve, pa dallim, nga të gjitha trojet dhe fetë – të krishterë e myslimanë së bashku si gjithmonë më parë -- vazhdon të dërgojë një mesazh të fortë se me vullnetin e mirë të gjithë neve, megjithë problemet e sotëme dhe të nesërme me të cilat përballet Kombi ynë -- i Madhi Zot ka me i mbajtë shqiptarët, Kosovën dhe “Shqypninë më kambë, me nder e me lumni”, ka porositur At Gjergj Fishta).

Për nga natyra, përvjetorët shënohen dhe shërbejnë si një kujtesë!  Në 50-vjetorin e Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve kujtojmë themeluesin e saj, Dom Prekë Ndrevashaj.  E kujtojmë Dom Prekën, jo vetëm si klerik dhe si atdhetar e humanitar, por edhe si udhëheqës largpamës, i cili me besimin dhe me patriotizmin e tij dijti të frymëzojë shqiptarët e këtij komuniteti drejtë së ardhmes.  Të asaj të ardhme që është sot Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve, me Dom Ndue Gjergjin në krye. Kjo kishë kur udhëhiqej nga Dom Prekë Ndrevashaj e tashti nga Dom Ndou i ka dhenë dhe vazhdon t’i japë edhe sot këtij komuniteti, Kombit dhe Kishës Katolike shqiptare, në përgjithësi, shpresë e frymëzim.

Ndonëse këtë viti jemi në përvjetorin e kujtimit të Nanës tonë Shën Terezes –dua të përshëndes me respekt një pjesëmarrës në këtë përvjetor, Dr. Dom Lush Gjergjin, biografin e madh të Nenë Terezës, i njohur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht – por mbi të gjitha dhe mikun e të gjithë neve. Jemi krenarë me ju, Dom Lush!

Nenë Tereza, kujdesej për të gjithë të varfërit pa dallim – Ajo nuk pyeste – para se të kujdesej për dike – nëse ishte katolik, mysliman, ortodoks ose ateist i pa fe, a po prej cilës krahinë ishte. Edhe Dom Preka ishte besnik ndaj këtyre parimeve fetare dhe kombëtare tradicionale për ne -- bashkjetesës fetare ndër shqiptarët. Por, ai ishte besnik edhe ndaj parimit se edhe kundërshtarit i duhen njohur vlerat, meritat, të drejtat politike dhe liria e fjalës. Si i tillë, Dom Preka kishte një respekt të madh për Zërin e Amerikës -- ku unë kam punuar për tre dekada -- siç ve në dukje edhe autori Zef Përgega në librin e tij, “Kristale Dukagjini”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Dom Prekës.

Të nderuar pjesëmarrës -- Është meritë e kësaj kishe – themeluesit të saj Dom Prekë Ndrevashajt dhe e famullitarit aktual, Dom Ndue Gjergjit – që ndonëse Kisha Pajtore e Shqiptarëve -- në thelb dhe në temel -- është një qëndër e krishtërë katolike – kjo ka qenë, është dhe jam i bindur se do të mbetet një qëndër ku, përveç fjalës së Zotit, predikohen me zemër e me shpirt ndjenjat e shqiptarizmës, bashkjetesës fetare, vlerave të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, për të gjithë shqiptarët kudo gjënden dhe pa dallim.

Disa prej nesh, e njohëm Dom Prekën në kohën kur kishim më së shumti nevojë për të: në kulmin e luftës së ftohtë midis komunizmit terrorist të lindjes dhe demokracisë perëndimore. Në një kohë kur disa të rinjë malësorë të brezit tim dhe të Dr. Gjekë Gjelaj, aktivistit të njohur të kësaj famullie për dekada -- në atë kohë – prej Dom Prekës, mendja na ishte ndriçue drejt vlerave të demokracisë perëndimore, megjithse nuk i njihnim ende aq mirë. Gjatë qëndrimit tonë në kampet e Italisë, në Dom Prekë Ndrevashajn, ne gjetëm një burr dukagjinas, një klerik dhe një patriot, i cili me ndjesitë e tij njerëzore dhe fetare, na ndihmoi rrugëve të botës, pa asnjë interes as dobi personale. Në personin e Dom Prekës, ne gjetëm Patriotin e shquar të idealeve për një Shqipëri e Kosovë me Zotin, të përparuara, në qytetërimin perëndimor – besim ky që pasqyrohej gjithmonë në vlerat, veprat dhe fjalët e tija. Pa Dom Prekë Ndrevashaj dhe klerikëve të tjerë shqiptarë të tre feve-- megjithse kanë kaluar 50-vjet – dyshoj se komuniteti shqiptar në Amerikë do të ishte ky që është sot, në shumë pikëpamje.

Dom Ndue, u përgëzoj Ju dhe famullinë që, njëkohësisht, kujtoni e përjetoni trashëgiminë e mikut tonë të përbashkët – mikut të shumë shqiptarëve, pa dallim feje a krahine. Sepse kështu nderoni veten dhe trashëgiminë e Dom Prekës me të cilën pasurohet shpirti i kësaj famullie e i këtij komuniteti, ndërsa rritet bujaria Juaj dhe begatohet Kisha edhe shpirti i Kombit.

Me festimin e 50-vjetorit dhe me kujtimin e themeluesit të Famullisë Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Prekë Ndrevashaj, ju po kujtoni të shkuarën por, njëkohësisht, Ju po ndërtoni të ardhmen. 50-vjetori i themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve – është një përvjetor i art – golden anniversary – që ve në dukje trashëgiminë fetare dhe kombëtare, lenë pas nga Dom Prekë Ndrevashaj, por që shënon dhe kremton gjithashtu arrijtjet dhe sukseset e udhëheqsit aktual të kësaj famullie Dom Ndue Gjergjit dhe antarëve dhe Këshillit të përkushtuar të kësaj famullie, gjatë viteve.

Më në fund, Zonja dhe Zotëri -- Urimet e mia më të përzemërta për këtë jubile historik.  Uroj që të vazhdoni, lumnisht, në veprimtarinë tuaj fetare dhe atdhetare – si përherë, në dobi të Kishës, identitetit dhe vlerave të Kombit – për Fe, Atdhe e Përparim – duke u përgëzuar të gjithë ju -- me fjalët e mikut të ngusht të Dom Prekës, bashkpuntor i ngusht i të Madhit Ernest Koliqit me rastin e themelimit, “Për këtë veprimtari frytdhënse, duke ju uruar vazhdim të mbarë në këtë ndërmarrje të nisun me kaq zell e vullnet”, 50-vjetë më parë.  Ashtuqë, në fund të udhtimit tonë mbi këtë planet, secili prej nesh të mund të thotë me At Gjergj Fishtën: “Po vdes i kënaqur përse gjithë jetën teme ia kam kushtuar Fesë dhe Atdheut…”.

Po e mbyll këtë fjalë modeste, të përndershmit fetarë dhe të nderuarit e mijë vëllëzër e motra, të gjithë sa jeni, në shërbim të Zotit dhe të Atdheut, duke ju dëshiruar, bekimet e të Madhit Zot, sot dhe përgjithmonë! Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin Shqiptar, ndër shekuj! Zoti e bekoftë famullinë tuaj, Zoja Pajtore e Shqiptarëve, sot në këtë 50-vjetor, dhe gjithmonë!

Ju falënderoj nga zemra për ftesën dhe për durimin!”

Frank Shkreli*

*Në pamundësi për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore, fjala e autorit u lexua nga Huana Kurti – protagoniste e protestës së parë anti-komuniste në mbarë Shqipërinë – për rrëzimin e bustit të diktatorit komunist sovjetik, Stalin, në Shkodër, 1990

Disa foto nga Festivali (shtator, 2022) i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield të Miçigenit

Nga e djathta, Imam Vehbi Ismajli, Dom Jak Gardini, Dom Prekë Ndrevashaj(themeluesi I Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve) dhe Padër Andre Nargaj – Dom Jak Gardini me kombësi italiane, nxënës i Dom Ndre Mjedës kakaluar një dekadë në burgjet e regjimit terrorist të Enver Hoxhës. Me porosi të Dom Prekë Ndrevashaj, Dom Gardini – të cilin e kam njohur në kampin e refugjatëve politikë në Trieste (1969) -- mundësoi largimin tim nga ai kamp, për ndryshe, autoritetet italiane do më kishin këthyer nga kisha ardhur, siç ndodhi me shumë bashkombas tanë, në fillim të viteve 1970-ave. I përjetëshëm qoftë kujtimi i këtyre dy burrave fetarë e humanistë.  Këta dhe të tjerë udhëheqës fetarë shqiptarë në Amerikë, gjatë shekullit të kaluar, përfshir edhe Baba Rexhepin, Mons. Dr. Zef Oroshin dhe para tyre të Madhin Fan Nolin, kanë venë bazat e një bashkpunimi dhe bashkjetese fetare të pashoqtë në Shtetet e Bashkuara. Pasqyrim i vërtetë i kësaj bashkjetese shembullore vazhdon të jetë edhe Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve – në këtë 50-vjetor -- në Southfield të Detroitit, nën udhëheqjen e Dom Ndue Gjergjit.