Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lutfi Alia: Vizita e Dom Frano Illia në Martanesh në vitin 1961

| E shtune, 08.10.2022, 08:00 PM |


VIZITA E DOM FRANO ILLIA NË MARTANESH NË VITIN 1961

Nga Lutfi ALIA

Vëllimi i VII i “Illyrici sacri”, i At Danielo Farlato dhe i At Jakopo Koleti, në vitin 1963 u përkthye në shqipe me mjeshtëri dhe me pasion nga Dom Frano Illia, meshtari në famullinë e Shen Nikolla të Milotit. Pas një pune këmbëngulëse dhe pasionante, Dom Illia përkthimin e dërgoi për botim, por vepra e prelatit tonë të shquar nuk u vlerësua nga regjimi komunist, që jo vetëm nuk e botoi, por në vitin 1967 e burgosi, madje gjykata e dënoi me vdekje, por më pas ia kthyen dënimin me burgim të përjetshëm.

Megjithë pengesat dhe mos vlerësimin, Don Frano Illia, materialin e përkthyer me 226 faqe e dorëzoi në Institutin e Folklorit më 10 shtator 1963 dhe aktualisht ruhet me dosjen Nr. 40, në arkivin e Muzeut Historik në Tiranë.

Në verën e vitit 1961, Dom Frano Illia shkoi për vizitë në Martanesh, ku takoi Hasan Gjonin, përgjegjësin e Vatrës të Kulturës. Hasani më tregonte se e shoqëroi Dom Frano Illia, në ato vende ku dikur ngriheshin kishat dhe manastiret në këtë trevë dhe ku ende ruhen emërat e kishave. Vizitën e filluan në vendin ku dikur ishte katedralia e Shen Gjon Pagëzorit, mbi themelet e së cilës ishte ngrijtur ndërtesa e shkollës shtatëvjeçare.

Dom Frano Illia fliste me pasion e me admirim për katedralen dhe për Martaneshin, sa askush tjetër, më tregonte Hasan Gjoni. Më pas vizituan rrënojat e kishës së Shene Premte dhe në drekë u ngjitën te Teqia, për të cilën Dom Frano Illia tregoi se kolonat në portën e hyrjes dhe kornizat e kapiteleve në katër qoshet e ndërtesës, mbi të cilat mbështetej çatia, ishin të herëshme dhe i përksinin një tempulli të lashtë, që më pas u përshtatën në ndërtesën e kuvendit të Shen Maria Shumë e Nalta në Martanesh, ndër kuvendet më të lashtat të Shqipërisë i themeluar nga urdhëri Benedektin. Dom Illia tregonte se në shekullin XIV kuvendi i Shen Maria u shndërrua në Kuvendin e Shën Martinit, shenjëtori që martaneshasit e nderonin me festën Martinida, festë e rrallë, që kremtohej vetëm në Martanesh deri në fund të viteve ’50 të shekullit XX.

Hasan Gjoni tregon se gjatë vizitës të mjediseve të Teqes (dikur manastiri i Shen Martinit), takuan Baba Selimin i cili i ftoi për drekë. Baba Selimi dhe Dom Illia zhvilluan një bisedë miqësore si të ishin miq të vjetër, me nderim dhe respekte reciproke të admirueshme.

Pasdite, vizituan sheshin në fshatin Gjon, aty ku dikur ngrihej kisha e Shen Mëhillit. Dom Illia tregoi se Shen Mëhilli ishte shenjëtori që adhurohej dhe nderohej nga Gjergj Kastrioti.

Në darkë, Dom Illia bujti në shtëpinë e Hasan Gjonit. Gjatë darkës Ai fliste me aq pasion për krishtërimin në Martanesh, sa dhe harronte të hante. Gjatë bisedës, ndër të tjera tregoi se në dioqezën e Kunavisë, në shekujt XIII – XIV ishin 23 kisha dhe manastire, ndër ato dhe manastiri i Shen Kiara, i motrave Klarissa, me murgesha shqiptare, i vetmi në trojet e Arbërisë. Ky manastir u shkatërrua nga turqit, tregoi Dom Illia dhe murgeshat emigruan në Itali, në manastirin e Shen Kiara në Spoleto.

Në vazhdim të rrëfimeve të Dom Illia, Hasani i spjegoi se në lagjen Malcu, ishte një shesh i vogël i quajtur Shkiara dhe aty ndodhet Teqia bektashiane e sektiti Kaderi. Gjithashtu Hasani i tregoi se gratë e martaneshit përdorin një shprehje “Moj murgë”, me të cilën shprehin keqardhje për gratë që vuajnë shpirtërisht e fizikisht. Rreth kësaj shprehje, Dom Illia i spjegoi se kjo lidhet me jetën e mbyllur në manastir të murgeshave.

Bisedat rreth krishtërimit në Martanesh, për kishat e shumta dhe ipeshkëvët, vazhduan gjatë. Dom Illia tregonte me pasion për ipëshkëvët, sidomos ato arbëror, duke veçuar imzot Mark Skura.

Hasan Gjoni më tregonte se të nesërmen në mëngjes shkuan në Mëlcu, ku u pritën nga Xhaferr Koxherri, i cili i ftoi të vizitonin ndërtesën e teqes. Xhaferri iu tregoi se pas pushtimit turk, në vitin 1780 ndërtesa u kthye në xhami, por pa minare, ndërsa në vitin 1870 u kthye në teqe e sektit Kaderi.

Dom Frano Illia i respektoi rregullat e vizitës në teqe, njëlloj si një bektashi. Kur dolëm, Xhaferri i tregoi Dom Illias një bazoriliev guri të vendosur në murin e jashtëm të ndërtesës. Bazorilievi është i gdhendur me kornizë kuadrate, në qendër me një romb me katër gjethe, i rrethuar anash me dy linja si dredhëza pjergulle, ndërsa në pjesën e poshtëme dhe anash majtas janë gdhendur dy germa “L” të alfabetit latin dhe djathtas lulja e jetës.

Xhaferri i tregoi se ky gurë është shumë i vjetër, nuk ka lidhje as me islamizmin dhe as me bektashizmin.

Dom Frano Illia, pasi e kundroi i përqëndruar për disa minuta, filloi ta përkedhelte bazorilievin me emocione të dukëshme e pas një pauze meditative, tregoi se ky bazoriliev i përket kuvendit të Shen Kiara. Kuadrati i jashtëm shpreh jetën e mbyllur në manas-tir, ndërsa lulja e jetës shpreh perfeksionin, krijimin dhe plotësimin e jetës; është simbol i ekuilibrit, harmonisë, rilindjes dhe i mbrojtjes. Kjo lule e shenjtë quhet dhe lulja e gjashtë ditëve të krijimit, e shprehur me të gjashtë gjethet, në këtë bazoriliev. Dredhëzat e pjergullës të gdhendura anash dhe në brendësi të kornizës, shprehin prodhushmërinë dhe begatinë.

Pas kësaj bisede plot emocione e me drekën e begatë në shtëpinë e Xhaferr Koxherrit, morëm rrugën për t’u kthyer në Peshk, tregonte Hasan Gjoni. Kur kaluam urën e lumit e po ngjiteshim brinjës, para nesh ishin dy gra, që kishin bluar misrin në mullirin e poshtëm të fshatit, por ajo me e reja, u pengua dhe u rrëzua dhe shoqja e saj thirri me zë të lartë “More ku je!” dhe e ndihmoi të ngrihej. U afruam dhe ne për ta ndihmuar. Dom Illia më pyeti:

- A e di kuptimin e kësaj thirrjes “More ku je”?

- Është një shprehje që e përdorin gratë, sa herë ndodhen para situatash të vështira dhe të rrezikëshme, - u përgjigj Hasani.

- Kjo thirrje në shqip, përkon me thirrjen e Jezu Krishti të kryqëzuar nga romakët: “Padre dove sei - At ku je”, çka shprehet qartë në shqipe: More ku je, pra o Ati im ku je, ose o Zoti im ku je!

2

U kthyem në shtëpinë time për të pushuar, më tregoi Hasani. Të nesërmen e shoqërova Dom Illia deri në Qafën e Madhe, ku me skodat e kromit u kthye ne Milot. Kështu përfundoi vizita e Dom Frano Illia në Martanesh. Më pas nuk e takova, por ato tre ditë që kaluam së bashku, kanë mbetur të pashlyera në kujtesën time, tregonte Hasan Gjoni.

Më 25 prill të vitit 1994, Don Frano Illia u shugrua në postin e ipeshkëvit të Shkodrës, nga vetë Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës në Shqipëri.