| E premte, 07.10.2022, 07:59 PM |
NOBELISTJA FRANCEZE ANI ERNO (ANNIE ERNAUX)
një grua e cila për turpin shkruan pa
kurrfarë turpi
“Çdo gjë që kam shkruar vjen nga jeta ime
personale, nga ajo që kam parë, që kam përjetuar, nga ajo që ende jam duke
përjetuar; në këtë vështrim, burimi dhe tematika e letërsisë sime është
autobiografike” - Annie
Ernaux
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Laureate e çmimit
“Nobel” për letërsi për vitin 2022 është shkrimtarja franceze Ani Erno (Annie
Ernaux). Ajo është femra e shtatëmbëdhjetë që shpërblehet me këtë çmim
prestigjioz. Kombi shqiptar priste me ankth që çmimi i sivjetmë t’i jepej Ismail
Kadaresë, të përkthyer në 56 gjuhë të botës.
Akademia Mbretërore
e Suedisë ia dha çmimin Erno-së (Ernaux) “për veprimtarinë 40-vjeçare të
pakompromis, gjatë së cilës hulumton jetën që e karakterizojnë dallimet e mëdha
në pikëpamje të gjinisë, të gjuhës dhe të klasës shoqërore, për guximin dhe
mprehtësinë klinike me të cilën zbulon rrënjët, tjetërsimet dhe kufizimet
kolektive të kujtesës personale”.
Vetëm disa minuta para shpalljes së lajmit, juria e Oslos kishte tentuar ta
merrte në lidhje telefonike shkrimtaren, por ajo nuk ishte lajmëruar. Supozohet
se lajmin e ka marrë prej mediumeve.
Ani Erno (Annie Ernaux) ka
lindur në Lillebonne, qytet i vogël në Normandi të Francës, më 1 shtator të
vitit 1940. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në fshat në Normandi.
Vjen nga një familje
e shtresës punëtore. Prindërit e saj kishin një tregtizë artikujsh
ushqimorë. Studioi në Universitetin e Bordosë. Ka kryer dy fakultete – në
Universitetin e Ruanit (Rouen) dhe në Universitetin e Bordosë (Bordeaux). Para
se të bëhej shkrimtare, ishte profesoreshë e letërsisë.
Fillimet letrare të
saj kanë qenë modeste por ambicioze. Që në shkrimet e para iu qas studimit të
jetës, të përcaktuar prej dallimeve të mëdha midis gjinisë, gjuhës dhe klasës
sociale.
Krijimtarinë letrare
e filloi herët si një projekt kujtimesh, me qëllim që t’i zgjerojë kufijtë e letërsisë jashtë fiksionit.
Ani Erno (Annie
Ernaux) ka shkruar mbi 30 vepra. Krijimet e saj janë vepra autobiografike të
cilat janë të lidhura ngushtë me sociologjinë.
Ajo e rindërton të
kaluarën duke u bazuar në traditën e romancierit francez Marsel Prust (Marcel
Proust, 1871-1922) në ciklin e romaneve me titull të përbashkët “Në kërkim
të kohës së humbur” (Á la recherche du temps perdu, 1913-1927), por
ajo e shpie gjurmimin në një drejtim krejt tjetër. E quan veten “etnologe e
vetvetes” dhe jo shkrimtar të fiksionit.
Në vitin 1974, si
një profesoreshë e re e letërsisë, zgjoi kërshëri me veprën e parë Ormanët e
zbrazët” (Les Armoires vides, 1974). Me këtë roman autobiografik, e
filloi edhe karrierën e vet letrare. Me një stil të zhveshur që nuk bredh nëpër
meandrat (dredhat) e përsiatjeve psikologjike dhe filozofike,
nuk jep sqarime për veprimet apo për sjelljet, por vetëm i konstaton faktet.
Këtu nisi të hulumtojë prejardhjen normandike të vet.
Nisi të çajë udhë me
romanin “Vendi” (La Place, 1983). Këtu i rendit ngjarjet
banale nga jeta e të atit, i cili ishte një tregtar i imët që kërkonte një
copë vend nën diell. Përshkruan raportin e saj me të atin dhe jetën e vet
në një qytet të vogël të Francës. Me këtë vepër Erno (Ernaux) e filloi ciklin autobiografik
tipik. Fantazitë e veta i kthen në vepra autobiografike.
I jepet shpërblimi “Renodo”.
Të ëmës ia
përkushtoi romanet “Një grua” (Une femme, 1987) dhe “S’kam
dalë nga nata ime” (Je ne suis pas
sortie de ma nuit, 1996). Në këto dy vepra flet pothuajse në mënyrë
klinike për rrënimin e qenies si dhe për sëmundjen që e bën të duket më pak se
një kafshë.
Në romanin “Pasioni
i zakonshëm” (Passion simple, 1991), shprehjes gjuhësore qëllimisht
të varfër, ia shton edhe përmbajtjen s pastruar, që ka të bëjë me vuajtjen e
femrës e cila e pret burrin që dashuron.
Në romanin “Turpi” (La Honte, 1996) me prosedenë e rëndomtë të stilit të një vëzhguesi të ftohtë, flet për një ngjarje traumatike nga koha e fëmijërisë.
Edhe në veprat “Një
grua” (Une femme) dhe “Turpi” (La Honte) analizon turpin dhe rrënjët
e tij në shoqëri.
Vend të posaçëm në
opusin e saj zë rrëfimi për vajzën 23-vjeçare, narratore, e cila në vitet ’60
(të shekullit XX), tenton të abortojë, në Francë, ku një gjë e tillë ishte e
ndaluar. Është fjala për romanin “Ngjarja” (L’Événement) të botuar në
vitin 2000.
Projekti më ambicioz
i saj është romani “Vitet” (Les Années, 2008). Është quajtur “biografi
e parë kolektive”. Kjo i solli një sërë shpërblimesh, popullaritet botëror
dhe një numër të madh ndjekësish.
Në vitin 2016 botoi
veprën “Kujtime të një vajze” (Mémoire de fille). Këtu përshkruan edhe
përvojën e vet të humbjes së virgjërisë, por duke paraqitur kontrastin e
figurës që e ka për veten si një grua e re në fund të vitit 1950. Përshkruan
edhe reaksionin për veprimet e veta si dhe bashkësinë e cila në më pas e flakë.
Librin më të ri “Djaloshi
i ri” (Le jeune homme) e botoi sivjet.
Tema kryesore të saj
janë turpi, përbuzja, xhelozia, paaftësia për të parë se kush jemi në të
vërtetë.
Erno (Ernaux) i
përket rrymës së shprehjes letrare minimaliste në romanin bashkëkohor
francez dhe grupit të shkrimtarëve të cilët për nga tematika janë të lidhur
ngushtë me autobiografinë, ndërsa aktit të të shkruarit i japin një domethënie
terapeutike.
“Kur isha fëmijë, i konsideroja luks gëzofët, fustanet e
gjata dhe vilat në bregdet. Më vonë erdha në përfundim se luks është të bësh
jetën e një intelektuali. Por tani e shoh se luks është edhe mundësia e
shfaqjes së pasioneve ndaj një mashkulli apo ndaj një femre” – përfundon vepra “Vetëm pasion”.
Ani Erno (Annie Ernaux) është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Disa vepra
të saj janë botuar edhe në gjuhën shqipe.
* * *
“A woman story“, “A man’s place“, “Simple passion“ u vlerësuan nga New York Times si vepra të
mëdha. “A woman story“ është libri i fundit i nominuar për çmimin “Los
Angeles Times Book Prize”.
Në vitin 2018 ajo u shpërblye me çmimin “Premio Hemingwey”, ndërsa
në vitin 2019 u nominua për “Booker Prize”.
Sipas romanit “Ngjarja” (L’Événement) të prozatores franceze Ani Erno (Annie Ernaux), nën regjinë e regjisores dhe skenaristes franceze me prejardhje libaneze Odri Divan (Audrey Diwan, 1980 -), u xhirua filmi që merret me dështimin (abortin). Në Festivalin e 78-të të filmit në Venecie, vitin 2021 filmi i sipërthënë u vlerësua me çmimin më të lartë “Luani i Artë”.