| E premte, 07.10.2022, 07:22 PM |
Shëmbëlltyrë e intelektualit të angazhuar në politikë
(Nga
promovimi i librit të Gani Mehmetajt “Rugovën, si e kam njohur”)
Nga
Avni SPAHIU
Jam
shumë i nderuar që të jem pjesë e promovimit të këtij libri të rëndësishëm mbi
DR. Rugovën shkruar nga miku im, z. Gani Mehmetaj, gazetar, publicist e
krijues, me titull “si e kam njohur
Rugovën”. Është një libër që sjell portretin siç rrallë herë deri më tash.
Kryefjala e tij në libër është se “Ibrahim Rugova nuk ishte figurë rastësore.
Nuk ishte as meteor, që ndriçon me farfuri e shuhet në heshtje. Ibrahim Rugova
ishte një personalitet që u formua për një kohë të gjatë.” Libri sjell imazhin
e vërtetë mbi Rugovën që i dha vulë
dekadës së nëntëdhjetë të shekullit të kaluar në krye të lëvizjes paqësore për pavarësinë e
Rugovës.
Po
si e sheh Gani Mehmetaj këtë njeri, imazhin e të cilit e dimë të gjithë, si një
figurë kulminante mendimit dhe trasues e projektues i idesë së pavarësisë së
Kosovës, që u sendërtuar pas shumë
sakrificash.
Imazhi
i përhershëm i ngulitur edhe në mbamendjen time është ai i Ibrahim Rugovës jo
në staturën e tij prej politikani, të liderit në krye të një lëvizje paqësore
për pavarësi, me përgjegjësi historike për kombin, sa në staturën e një
intelektuali humanist dhe mendimtari jo të zakonshëm, që doli nga ky truall i
vjetër me rrënjët e shkëputura të Kontinentit, duke sjellë ndër mend, si në
kllapi, se rrënjët duhet përtëritur dhe se vendi i shqiptarëve, si një ndër
popujt më të vjetër të Europës, duhet rikthyer aty ku përket.
Me
këtë imazh, pra, të intelektualit të angazhuar, e shoh Ibrahim Rugovën para se
“të vishte shallin e liderit politik”: një mendimtari të preokupuar thellë për
të gjetur rrënjët e shkëputura të lidhjeve me kontinentin. Tek i pasionuari pas
letrave shqipe dhe kulturës shqiptare, Rugova, ky ishte një mishërim kërkimor
edhe në kontekstin politik.
Obsesioni
i Rugovës me rrënjët europiane përthyhej në takimet e tij në metropolet europiane: mbi fatin e prapët të Shqipërisë
ideologjike dhe të pjesës së pushtuar të kombit, në mungesë shumëshekullore të
pranisë shqiptare, aty ku pritej fati historik i shqiptarëve. Londra, Parisi,
Berlini, Brukseli, Roma, ... pa shqiptarët, të shkëputur nga pjesa së cilës i
përkisnin. Pa njerëz, pa miq, pa mirëkuptim...
Kishte aq shumë për të bërë, duhej zënë shekujt e pushtuar hapësirat.
Duhej krijuar miq dhe ripërtërirë miqësitë.
Rugova
ishte një figurë europiane, i ngjashëm me iluministët, por edhe me europianë të
mendimit modern të llojit të Vaclav
Havelit, i bindur në fuqinë e politikës dhe të mosdhunës. Ibrahim Rugova kishte
imazhin e një intelektuali europian, më saktësisht të atij francez, prej të
cilit ishte frymëzuar dhe formësuar.
Pacifizmi
i Rugovës ishte mbase misteri i tij më i madh për të huajt. Strategjia e tij e
ngjashme me Gandin sfidonte ciklin e zakonshëm ballkanik të hakmarrjes, siç e
perceptonin të tjerët. Rugova u vu në krye të përpjekjeve për krijimin e një
shteti paralel, në kushtet e okupimit, me një infrastrukturë të bazuar në
organizimin e komunitetit, me arsim,
qeveri, shëndetësi dhe institucione paralele. Ndonëse dhuna serbe vazhdonte
e pandërprerë dhe Kosova po përjetonte
trusninë me të madhe në historinë e saj për t’u futur në luftë, enigmatik ishte
përcaktimi për zgjidhjen paqësore të Rugovës dhe deklaratat e tij konstante se
e ardhmja u takon të gjithëve në një Kosovë të pavarur dhe neutrale, një
pretencë që dukej jashtë reales, në konstelacionin e tërbimit hegjemonist sllav
në hapësirat ballkanike.
Rugova
u pranua nga Uashingtoni si lider i pakontestueshëm, ndërkohë që Europa
demokratike ia hapi dyert pa hezitim. Për dy vjet të vetme Rugova takoi më
shumë liderë botërorë nga ç’takuan politikanët e tjerë në këto dy dekada të
fundit. Ai kërkonte zgjidhje me rrugë paqësore. Megjithatë në Ballkan, një paqe
moderne e sofistikuar qëndronte tepër
larg dhe pritjet për të jorealiste. Kosovarët nuk ishin hindus, por edhe
armiku i tyre nuk ishin anglezët që kolonizuan Gadishullin indian por që u
larguan kokulur në një çast duke njohur realitetin. U ndanë si miq. Po, Serbia
nuk ishte e tillë – e shohim se edhe pas njëzet vjetësh, kur Kosova është e
pavarur, vazhdon të kërcënojë, në vend se të shoh të vërtetën në sy dhe për më
tepër të përulet në kërkim falje...
Sido
qoftë, Rugova mbeti një humanist dhe ideator i një projekti madhor të
nacionalizmit shqiptar për një shtet të pavarur të Kosovës të ndërtuar mbi
parimet e demokracisë dhe të politikës së paqes me fqinjët e saj. S’do mend se Republika e Kosovës i detyrohet vizionit
themelor të Rugovës, i ngritur mbi shtyllat kryesore të pavarësimit,
demokracisë liberale dhe sekularizmit, me një kurs orientues pro-perëndimor.
Rugova qëndron i pamohueshëm për këto merita.
Rugova
ishte njeriu i letrave shqipe dhe i humanizmit filozofik, që u vu në krye të
popullit të tij në orët e liga të tij, por edhe të kthesave historike. Ai do të
mbahet në mend si njeri që zgjoi popullin e Kosovës dhe trasoi shtegun e lirisë
në çastin e duhur. Si çdo personalitet që vihet në shërbim të politikës, edhe
ai ishte i kritikuar dhe i sulmuar, aq sa dhe i lavdëruar. Patjetër! Por miti i
tij vazhdon të jetojë tek shqiptarët e Kosovës. Një intelektual në krye të
shtetit – ishte një rastësi, apo produkt i pashmangshëm i kohës? Ganiu thët[ se
nuk ishte rastësi dhe këtë mendim e ndajmë edhe ne. Sido qoftë, kjo ndodhi për
herë të parë tek shqiptarët. Vështirë se do të ndodhë edhe një herë në të
ardhmen. Disa do ta konsiderojnë këtë fakt për keqardhje duke marrë përvojën
nga një klasë politike të dy dekadave të fundit, ku mungon fryma e mirëfilltë
intelektuale dhe vizionare e liderit politik intelektual dhe të edukuar...