| E marte, 04.10.2022, 06:42 PM |
KJO VJESHTA GJYSËM BEHARI
Nga
Timo Mërkuri
Këtë varg e ka
vajtuar Bajame Hysit më 02 Tetor
1943 mbi trupin e të birit Sulo Hysi (15 vjeç) vrarë në Malin e
Gjeshnikoshit në një përleshje me gjermanët, që vinin të zinin vendin e
italianëve në Shqipëri. Sulo Hysi ishte efektiv i Çetës “Koto Hoxhi” me komisar
Themo Vasin e cila organizoi pritën dhe i mbajti forcat gjermane në luftë disa
orë. Në këtë përpjekje u vra Komisari Themo Vasi nga Nivan i Zagorisë , Sulo
Hysi e Rakip Bedo nga Golëmi si dhe tre djem nga Kuçi i Labërisë.
I-Lajmi i vrasjes
së të birit i vajti mëmë Bajame Hysit në Golem dhe brenda ditës ajo shkon te
Qafa e Shën Thanasit, ku mbi trupin e të birit nisi ligjërimin mortor, tekstin
e të cilit e morëm nga një postim i dt 2.10.2022 në
fb i z Abaz Goxhaj po e japim më poshte:
Kjo vjeshta, gysëm behari
më erdh' haberi nga mali,
fliste një në Qafë Valit:
-Hajde moj se t’u vra djali!
Fluturova si i marri
Kur të gjeta djalë mali
gjaku të rridhte nga balli,
me shikim nga Komisari..!
dorën kishe te gjerdani,
buzagas, lule behari,
sikur qe shtrirë sorkadhi.
të mbështolla te gufari
se më kishte pikur malli
mu dogj zëmra, mu tha xhani
O djal i mëmës me derte,
palose sytë e fjete,
Çetës i le amanete,
për liri dhe ti nuk trete...
II-Qysh te vargu i
parë : “ Kjo vjeshta gjysëm behari” befasohesh me fjalët e tekstit. Do
ishte
normale që nëna të
niste vajtimin mbi trupin e të birit me ulërima, çjerrje të faqeve e shkulje të
flokëve apo edhe me përplasje të kokës gur më gur nga gjëma që e gjeti.
Mendojeni vetë, djalin pesëmbëdhjetë
vjeç në lule të moshës e gjen të shtrirë me një plumb në ballë e shokët rreth e
rreth rinë kokëulur sikur janë fajtorë për diçka. E ardhur me vrap nga Golëmi,
duke vrapuar si era, e këputur nga
lodhja dhe e prerë nga lajmi, duke ju lutur zotit në heshtje që “të jetë
gabim”, të mos ishte për djalin e saj ose së paku ai vetëm sa të ishte
plagosur, (dinte mëma si tja shëronte plagët të birit duke ja mbuluar me
shpirtin e saj si me gjethe mullage), pra në këtë situatë çdo nisje ligjërimi
do ishte e justifikuar. More edhe sikur të sokëllinte kundër zotit e ti tundtte
grushtin me kërcënim, hakë do kishte.
Kundër çdo
hamendësimi mëmë Bajame Hysi, pasi e
puthi djalin e saj në ballë, aty te plaga, madje dhe duke shpresuar heshtazi se
i biri do përmëndej nga puthja e mëmës ose së paku do t’i dhimbte plaga e do
lëvizte vendit, kur pa që edhe kjo shpresë ishte shuar bashkë me dritën e syve
të të birit, u lëkund dy tri herë si një lavjerës jete mbi trupin e të birit
dhe ja nisi vajit: “ Kjo vjeshta gjysëm behari”.
Sigurisht që ky varg shoqërohej me refrenin e zakonshëm : “Unë derrëzeza”,
por kjo nuk përbën befasi. Befasia që ndron pikërisht te vargu i parë që tregon
vjeshtën si gjysëm behar. Sot me mendje të ftohtë ne gjykojmë se tetori i atij
viti qënkish i ngrohtë “ sa gjysma e ngrohtësisë së beharit”, jo si një
vjeshtë, por pyetja që na lind është se ku pati sy mëmë Bajamia të shikonte “beharin
në vjeshtë” kur shpirtin e kishte kallkan e të ftohtë si dimër nga dhimbja
e të birit. Është hera e parë që e has këtë cilësim të pjestuar në elementin
kohë, stinë në vaje dhe këngë. Një
pjestim i ngjashëm në elementin sipërfaqe është shumë i pranishëm nëpër këngë
dhe menjëherë i kuptueshëm psh.: ”Dukati gjysm’ e Misirit”, “Janinë
çerek Stambolli” etj. ndërsa për cilësimin: “ Vjeshta si gjysëm
behari”sigurisht që duhet të mendohesh pak për të kuptuar se skemi të bëjmë me
njësi matëse sipërfaqeje apo gjatësie por me një metaforë që zbërthehet me një
analizë të elementëve klimaterikë.
Kam thënë dhe kam
shkruar se nënat tona janë vajtore të
lindura, si të tilla janë dhe poete. Një vajtim i mirë kërkon dhe një tekst të
mirë, në kuptimin e një teksti të arirë
poetikisht. Kemi shpjeguar se vajtimet e arira, qoftë në kuptimin e një
teksti të arirë, qoftë në kuptimin e vijës vajtimore (nuk mund ta quajmë
melodike) shumë lehtë shndrohet në këngë isopolifonike për një kohë të
shkurtër dhe niveli i lartë i tekstit
ndihmon në mbajtjen mend të ligjërimit e shndrimit të tij në këngë edhe pas një
kohe të largët. Në këtë kuptim nënat tona, të cilat jeta i ka bërë të vajtojnë
me ligjërime gati mot për mot janë bërë
mjeshtre të thurrjes së vargjeve të ligjërimit.
Ato skanë kohë të rinë e të shkruajnë vargje, ndaj shpesh vargjet e vajtimit nisin me një mbështetje në tekste ligjërimesh të
mëparëshme, por duke i përshtatur me rastin konkret. Kështu shpjegohet që
vajtoret u drejtohen maleve (Qaj o Çikë me Gjinikë, Mali i Çikës kullon
serrë etj), vendeve (O Stamboll të rëntë zjarri), objekteve (O
vapor o dhogë e thatë) ose personave konkretë (Ç’dreq e pru këtu
Sulltanë).
Në rastet kur
nënat vajtojnë bijtë dhe bijat e tyre
një arsye më e fortë i nxit nënat të zgjedhin fjalët e të thurin vargjet
më të bukura për fëmijët e tyre të
vrarë. Është ndjenja e mëmësisë ajo që përzgjedh fjalët e vargjeve për bijtë e tyre, është shpirti i tyre që i
përzgzjedh ato, në mënyrën që ta bëjnë
sa më të zezë zinë, sa më të dhimbëshme
dhimbjen, akoma më të humnerëshme humbjen.
Qysh kur e ka patur në djep djalin (apo vajzën) ninullat e saj nëna i mbushte
plot me yjësi fjalësh, frazash e metaforash
dhe ja mbulonte gjumin fëmijës
plot me yjësi ëndërash. Gjithashtu, dhimbja e humbjes së djalit është si vendosja e një motori të punojë me xhirro të përshpejtuara dhe në
“laboratorin” shpirtëror të nënës vargjet vijnë vetiu. Është dhimbja ajo që u
jep shkëlqim shpirtëror, sepse nënat nuk vajtojnë që ti dëgjojë bota, fshati,
apo farefisi, ato vajtojnë birin e tyre, zbrazin dhimbjen që u mblidhet në
shpirt dhe gati ua plas shpirtin, si lënget me aciditet të lartë në stomak që
krijojnë plagë të rënda. Për krijimin e
tekstit vajtimor në përputhje me ambientin
ku është shtrirë trupi i birit të tyre i vrarë, nënave u mjafton një
shikim në një fraksion sekonde për të bërë
“fotografimin” që ato e gdhendin mjeshtërisht në vargjet e ligjërimit.
Dhimbja i “krijon” vijën vajtimore dhe shpirti i shqipton vargjet me një
ngarkesë të tillë emocionale sa që, si një tërmet dhjetë ballë godit zemrat e
burrave dhe shpesh ata nuk durojnë dot vajtimin e largohen ca metra larg duke
fshirë sytë e duke psherëtirë heshtazi
“ulërimën që përjetojnë”. Nuk janë të rralla rastet që nëpër morte edhe burrat
më të fortë luten me lotë në sy: Aman moj, lere këtë vaj se na vdiqe dhe ne të
gjallëve. Nuk janë deklarata, janë përjetime morti.
III- Le ta shohim
pak më hollësisht tekstin e këtij vajtimi. Pas vargut të parë kemi vargun që
thotë: ” më erdh' haberi nga mali”, duke e lënë në errësirën e
anonimatit lajmësin. Ajo e di kush është, por ska asnjë rëndësi për tekstin e
ligjërimit. Teksti i ligjërimit është përmendorja që nëna i ngre të birit dhe
asnjë tjetër ska vend në ‘të.
“Hajde moj se
t’u vra djali” i vjen si krismë pushke lajmi i zi dhe ashtu të zi e të
befta ajo i vëndos në bazamentin e vajtimit si bazorelievë. “Kur të gjeta djalë mali/gjaku të rridhte nga balli” na jep momentin e tmershëm të pamjes
që ju paraqit nënës para syve, por dhe në këtë çast ajo nuk harron që i biri
ishte “djalë mali” dhe jo vetëm biri i saj i zemrës, “shpirt e xhan”.
Skicimi i portretit është i plotë dhe me ngjyra të theksuara: “me shikim nga
Komisari”, jo pse do ti japë ngjyrime politike (me siguri nëna sdi gjë fare
ç’janë komunistët e komisarët), por do kishte dëgjuar për komisarin si për një
shok më të madh të të birit që kujdesej për ‘të aty lart në mal . Shtoi kësaj
faktin se të dy ishin vrarë në një betejë, të dy djem të rinjtë, njeri 15 dhe
tjetri 28 vjeç dhe sigurisht që një varg do ja kushtonte edhe shokut të djalit,
komisarit të tij. Pas kësaj “peneli”
ligjërues vijon portretin e të birit: “dorën kishe te
gjerdani/,buzagas, lule behari, /sikur qe shtrirë sorkadhi” duke na sjellur një valë loti nën
qepalla për këtë sorkadh të shtrirë dhe këtë lule behari të cilës qeshja i
ishte hapur në buzë si petale.
Në qoftë se ne i
mbajmë lotët nën qepalla, në atë vvjeshtë të largët “si gjysëm behari” nëna nuk
duroi dot me dhe: “të mbështolla te gufari/se më kishte pikur malli/mu dogj
zëmra, mu tha xhani”.
Në rast se ju
lexues i duruat goditjet e vargjeve të mësipërme, shtrëngoni dhëmbët fortë se
ka edhe një valë tjetër më të butë në dukje, por më të fortë në goditje:” O
djal i mëmës me derte/palose sytë e fjete”. Vargu : “I mbylle sytë e
fjete” ne na lë pa gjumë me madhështinë e tij dhe dhimbjen që ai mbart dhe
e shpreh aq thjeshtë.
Djali “fjeti” dhe
nëna heshti që mos tja prishë gjumin
birit të saj 15 vjeçar që i doli zot vatanit. Djalit nuk do ti dhëmbë më
plaga e plumbit, është ai vetë, që do
shndrohet në një “plumb që dhëmb” në shpirtin e nënës dhe ajo do ta vajtojë për
gjithë jetën, madje edhe përtejë jetës së saj.
Ndaj le të heshtin
disa “komentues” fb për këtë djalë e për këta djem.
Sarandë, më 03.10.2022