| E merkure, 05.10.2022, 07:14 PM |
Momente nga promovimi i sotëm i librit “Tipografia shqipe 1555-1912” të Yll Rugovës, studiues i gjuhësisë së përgjithshme, tipograf dhe dizenjues informacioni!
MBI LIBRIN E YLL RUGOVËS
“TIPOGRAFIA SHQIPTARE, 1555-1912”
Nga
Jahja Drançolli
Sot
në Evropë dhe në botë bëhen shumë diskutime dhe shkruhen shumë studime për
problemin e tipografisë. Përballë një problemi multidisiplinar nga shkencat
humane dhe artet, si historia, historia e artit, artet, gjuha, letërsia,
filozofia, feja, etj., studiuesit në përgjithësi dhe veçanërisht studiuesit
ballkanikë kanë hasur në vështirësi shtesë. Në këtë kuadër, monografia që po
promovojmë sot si e para e këtij lloji te ne, ofron risi me vlerë të veçantë
dhe hap shtigje të reja kërkimi në shumë fusha shkencore jo vetëm
albanologjike.
Problemi
qendror që trajtohet në librin që kemi në dorë është tipografia
arbërore-shqiptare. Tipografia është një shkencë e cila në terminologjinë shpjegohet
si një kompozitë e përbërë nga fjala typos-vulë, shenjë dhe fjala grafien-për
të shkruar. Përkufizohet ndryshe edhe si shkenca e shkronjave, arti i
përdorimit të shkronjave tipografike, aftësia për të rregulluar, krijuar,
formësuar dhe përdorur në mënyrë funksionale shkronjat. Shkurt, është fjala për
shkencën e shkronjave, e krahasueshme me paleografinë dhe epigrafinë. Për të
shpjeguar më hollësisht këtë term dhe objektin e këtij studimi, autori Yll
Rugova ka shfrytëzuar burime të ndryshme historike të ruajtura në arkiva e
biblioteka të Europës, si dhe literaturë relavante, fjalorë, enciklopedi,
leksikone, etj.
Kur
flasim për tipografinë, është e pashmangshme të përmendim zhvillimin e saj
historik, një histori që ruan një vertikale të gjatë kronologjike që nga koha
kur njeriu i parë primitiv mori një copë qymyr dhe filloi të vizatonte në muret
e shpellës. Që nga kjo kohë u desh të kalonin periudha të gjata historike, siç
ishin llojet e shkrimeve të zhvilluara në Lindjen e Lashtë, periudhën antike, atë
mesjetare për të arritur deri te shtypshkronja e Gutenbergut në vitin 1452,
përkatësisht në botimin e "Masharit" të Gjon Buzukut, libri i parë i
botuar në gjuhën arbërore në vitin 1555 e deri te “Kalendari Kombiar i Kristo
Luarasit” (1897).
Gjatë
periudhës në fjalë historike, ndryshe prej një pjesë të vendeve të Europës kur
librat bëhen të disponueshme për një numër më të gjerë njerëzish dhe fillojnë
të shfaqen edhe mjeshtrit e parë të tipografisë, arbrit, përkatësisht
shqiptarët duke gjendur nën sundimin osman nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë
tipografinë në atdhe por kryesisht atë e zhvilluan jashtë atdheut siç është
rasti i Buzukut (“Meshari”, 1555), Matrëngës (“E mbsuame e krështerë”, 1592),
Budit (“Doktrina e Krishtenë”, 1618), Bardhit (Fjalori latinisht–shqip, 1635),
Bogdanit (“Çeta e Profeteve”, 1685), Veqilharxhi, (“Ëvetari” i vitit 1845), e
ndonjë tjetër.
Kjo
monografi e jashtëzakonshme dhe e rrallë
për nga rezultatet e saj shkencore e kulturore është konceptuar në tri pjesë
kryesore të radhitura kronologjikisht, të cilat vijojnë nga parafjala që ofron
shpjegime paraprake lidhur me problemin që trajton.
Pjesa
e parë ofron njoftime duke filluar me shtypshkronjat e para ndër shqiptare,
tipologjinë e shkrimeve dhe influenca latine, venete, greke dhe sllave, duke
spikatur gotikën e Italisë Veriore, rotundën venete, rotunda e Mesharit, germat
e veçanta, inicialet, si dhe botimet e realizuara në vitet 1592-1824. Duke iu
drejtuar sytheve të përmendura më sipër, autori Yll Rugova duke përdorur burime
arkivore të dorës së parë të proveniencës venete, sidomos të Venedikut dhe të
Padovës, të trajtuara në mbështetje të metodave të avancuara shkencore,
veçanërisht, të metodave të analizës dhe sintezës, komparacionit, induksionit
dhe të deduksionit, si dhe shpjegimeve shtesë në fund të pjesës të kësaj pjese
të librit, ai do të bëhet një udhërrëfyes për studiuesit jo vetëm të fushave
albanologjike, por edhe të shkencave humane dhe shoqërore.
Pjesa
e dytë e librit i sillet njoftimeve të detajizuara lidhur me germat
ekskluzivisht shqip duke u ndalur edhe në raste konkrete specifike, siç janë
“Shtypi i Evetareve”, “Gdhendja e alfabetit te Vithkuqit”, “Gdhendja e germave
në Rumani”, etj.
Pjesa
e tretë përfshin njoftime historike për tipografinë në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, njoftime të
cilat plotësojnë në mënyrën më domethënëse temën qendrore të kësaj pjese, që
është tipografia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe periudha e Pavarësisë së
Shqipërisë. Në këtë kontekst, duhet përmendur se shekulli XIX, veçanërisht
gjysma e dytë e këtij shekulli, konsiderohet një periudhë historike e
intensifikimit të botimeve në Europë, kjo prirje padyshim ka reflektuar edhe në
zhvillimin e tipografisë shqiptare në përgjithësi siç konkludon me të drejtë
autori Rugova. Më tej, ofrohen të dhëna të detajuara jo vetëm për shtypin e
Rilindjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi, por edhe për shtypshkronjat e
veçanta dhe tipografët e parë shqiptarë. Pluhuri shekullor mbi institucione dhe
personalitete të tilla po i hiqet pikërisht në saje të punës këmbëngulëse të
autorit të monografisë që jemi duke e promovuar.
Nëpërmjet
metodologjisë më të re të kërkimit shkencor, interpretimeve origjinale të
autorit, të shoqëruar me ilustrime të sistemuara, që nuk i kemi parë në studime
të këtij lloji tek ne, kjo vepër mund t'u shërbejë jo vetëm studiuesve të
albanologjisë, historisë, kulturës dhe arteve, por edhe një rrethi shumë më të
gjerë të lexuesve.
Me
gjithë lëshimet e mundshme qofshin ato profesionale ose teknike, ndryshe nga
shumë libra të botuara në dekada të fundit, libri në fjalë do të jeton ca më
gjatë.
Në
këtë kohë krizash të llojllojshme, botimi i një vepre si kjo me titull
“Tipografia shqiptare 1555-1912” vjen si kthimi i shpresës në libër. Jetë të
gjatë Yll Rugova, ke shumë punë për të bërë për kombin, kulturën dhe shkencën!