Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


U përurua në Tiranë projekti “Pajisja e shkollës së Mekatit dhe vazhdimi i orëve të arumanishtes dhe të rumanishtes”

| E diele, 02.10.2022, 08:00 PM |


Ditën e premte, më 30.09.2022 në mjediset e Hotelit  „Tirana International” në sallën „ONUFRI”  në prani të drejtuesit të Përfaqësisë Diplomatike të Rumanisë në vendin tonë SH. T. Ambasador Octavian Serban, anëtarëve të Shoqatës Kulturore “Arumunët e  Shqipërisë”, gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqerisë civile është përuruar projekti: “Pajisja e shkollës dhe vazhdimi i orëve të arumanishtes dhe të rumanishtes në Mekat të Vlorës”. Kjo veprimtari u krye për të paraqitur projektet e Fondacionit në mbështetjen dhe zhvillimin e aktiviteteve të pakicave, kryesisht asaj arumune.  Në takimin e mbajtur u përcollën edhe falënderimet për shtetin rumun dhe për të gjithë bashkëpunëtorët e kësaj nisme. Në fillim të fjalës së Tij SH.T. Octavian Serban, përcolli urimet për këto nisma duke shprehur edhe njëherë afrimitetin dhe miqësinë mes vendeve dhe popujve tanë. “Roli i mediave për ngritjen e vlerave të minoriteteve”, ishte tema për të cilen foli gazetarja e njohur dhe producentja Juela Mecani. Ajo ju referua një anketimi barometër të muajit maj të këtij viti, nga Data Centrum dhe MRB sipas te cilit “minoriteti arumun në Shqipëri është thuajse i gjithëpranuar në pjesën dërrmuese nga shqiptarët. I pranuar si mik, si koleg, si fqinj, si mjek, si mësues apo si drejtues”. Moderatorja e takimit znj. Anjela Hajdari në fjalën e saj hyrëse dhe ne emër të Fondacionit “Harriet Martineau” shprehu falënderimet për secilin pjestar të këtij projekti, bashkëpunëtorët dhe mbështetësit. Drejtorja Ekzekutive e Fondacionit znj. Entela Binjaku në fjalën e saj përshëndetëse u shpreh: “Në këto caste që flasim Fondacioni “Harriet Martineau” është duke zhvilluar dy projekte me mbështetjen e Qeverisë së Rumanisë, nëpërmjet Departamentit për Rumunët e Kudondodhur. Një prej tyre është “Zhvillimi i të parit portal në gjuhën rumune në Shqipëri-“arumun.com” dhe tjetri është: “Pajisja e shkollës së Mekatit dhe vazhdimi  orëve të arumanishtes dhe të rumanishtes …Që nga fillimet e nismave tona në verën e vitit 2020  në mbështetje të pakicës arumune Rumanija ka qenë krah nesh përmes Përfaqësuesve të lartë të saj: Fillimisht nëpërmjet Sh.T Ambasadorit Perpelea dhe më pas me mbështetjen e SH.T Ambasadorit Serban, mbështetje të cilën jemi duke e ndjerë edhe sot. Ky projekt është rezultati i mbështetjes së Departamentit të Rumunëve Kundondodhur  me interesimin dhe bashkëpunimin e veçantë të komunitetit të fshatit Mekat i përfaqësuar edhe ne kete aktivitet nga aktorë të rëndësishëm”, u shpreh Binjaku.

Projekti me titull “Klasat arumune dhe rumune në shkollën e Mekatit, Vlorë” u zhvillua vitin e kaluar. Ky projekt u hartua nga Fondacioni “Harriet Martineau” me seli në Tiranë dhe u mbështet financiarisht nga Qeveria e Rumanisë nëpërmjet Departamentit për Rumunët e Kudondodhur. Çdo fundjavë fëmijët ndoqën orët e mësimit duke bërë të njohur jo vetëm shkollën e tyre, por edhe çastet që kalonin bashkë. Falë këtij projekti klasa u pajis me internet, ajër të kondicionuar, kompjutera, printer, libra, materiale didaktike në shoqërinë e të cilave dukeshin se ndjeheshin mirë si ekip dhe krenarë për prejardhjen e tyre. Projekti vijoi sërish dhe nga muaji mars i këtij viti e në vazhdim nxënësit e shkollës “Dhimitër Saranxhiu” janë duke ndjekur fundjavave orët e arumanishtes dhe të rumanishtes. Ata ju larguan shkollës gjatë gushtit për shkak të pushimeve verore.

Por në nisjen e vitit të ri shkollor, nxënësit e fshatrave Mekat dhe Beshisht u hasën me kushtet më optimale, duke u’a bërë shkollën edhe më argëtuese në marrjen e dijeve. Nxënësit gjetën një klasë të pajisur me tavolina, karrige dhe tabelë të re. Falë hidroizolimit edhe tavani i klasës nuk pikon më. Falë këtij projekti ju dhurua edhe fshatit një klasë e re. Nxënësit cdo të shtunë vijnë dhe kthehen nga shkolla e tyre me furgon, transport i siguruar nga projekti.

Ky projekt shënon një hap përpara në rrugën e arsimimit, një lidhje me rëndësi me identitetin. Tashmë shkolla i ka hapur dyert për nxënësit me këtë klasë me mjedise cilësore dhe bashkëkohore. Edhe vetë shkolla e cila deri dje ishte në kushte aspak të përshtatshme për të bërë mësim, ka pësuar një përmirësim të dukshëm. Që nga lyerja e mjediseve të jashtme, tek prerja e barit dhe pastrimi, tek rrugica e shtruar ku kalojnë fëmijët dhe tani këmbët nuk u lagën më. Çatia nuk pikon, tani ka ndricim dhe dritaret, muret dhe tavani i klasës janë lyer dhe sistemuar,. Një flamur  i ri kuq e zi mbi shkollë, ka zëvendësuar dinjitshëm flamurin e mëparshëm. Nxënësit e klasës do të kenë qasje në internet për të zhvilluar procesin mësimor për të gjithë vitin. Sezoni i ri arsimor erdhi me sfida. Sfida është e madhe është për t’u mësuar fëmijëve gjuhën e të parëve të tyre. Ndaj është menduar që të kenë mësuesin për mësimin e rumanishtes në klasë dhe mësues për mësimin online të rumanishtes. Për ta komunikimi virtual është i siguruar. Puna e kryer në këtë shkollë është duke u  pasqyruar edhe në median lokale. Më shumë njerëz po njihen me të falë reklamës në arumanisht dhe në shqip. Për 60 ditë kjo reklamë po përcillet në TV “Kombi” në Fier dhe për 17 ditë u përcoll në “Tv Eden 3” në Vlorë.