| E shtune, 24.09.2022, 08:10 PM |
Koha për zgjim kombëtar!
Shkruan:
Florim Zeqa
Ideja e këtij shkrimi më lindi gjatë një bisede
me një bashkatdhetarë nga Shqipëria, kur m'i tha këto fjale: "Politikanet
çdo kund në botë vjedhin nga pak por bëjnë diçka edhe për popull, ndërsa
politikanët tonë nuk e kanë fare hallin e popullit por tek hajnija, si të
pasurohen më paratë e shtetit dhe mbi kurrizin e qytetarëve.
Politikanët duhet
ndërruar në çdo katër vjet
Rrobat
e trupit sado të bukura që të jenë duhet ndërruar nganjëherë se bahen bajat!
Edhe politik-bërja duhet ndërruar në çdo katër vjet, ngase nuk bën që për të
njëjtit njerëz të votojmë në çdo palë zgjedhje.
Hajt
se po themi se kanë qeverisur mirë me vendin apo e kanë bërë mirë opozitarizmin
kjo klasë politike, megjithatë ajo duhet rifreskuar me figura të reja, e pse jo
edhe me subjekte të reja politike.
Tek
ne, shumica e subjekteve politike janë konsumuar aq shumë saqë ju ka skaduar
afati i përdorimit!
Për
të mirë apo për të keq këto subjekte politike e kanë kryer misionin e tyre.
Edhe
bota ka ndryshuar nuk është më si më pare, pse të mos ndryshojë edhe skena jonë
politike?!
Disa
nga figurat e ardhura në parlament, qeveri e deri në majat e shtetit përmes
kontrabandimit të votës së qytetarëve, janë bërë të urryera dhe të padurueshme,
të neveritshme dhe të gërditshme për syrin e qytetarit të rendomtë!
Pasqyra e një shteti
janë njerëzit që e përfaqësojnë
Nëse
pasqyra e një familje është oborri i bukur dhe i pastër, me pemë të bukura dhe
dekorime artistike, pasqyra e një shteti është Parlamenti dhe njerëzit që e
përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare!
Një
parlament sikurse i yni, me pozitë dhe opozitë që mbrojnë vetëm interesat
partiake në vend të interesave të qytetarëve, një diplomaci që më shumë
kujdeset për dukjen personale sesa përfaqësimin dinjitoz të vendit janë pasqyra
më e keqe e shtetit të Kosovës para qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Sikurse
me asgjë nuk mund të arsyetohet një mazhorancë qeverisëse me katër javë grevë
në arsim dhe në sektorin publik, pa qenë e zonja të bëjë zgjidhjen e duhur për
ndaljen e grevës, ashtu nuk mund të arsyetohet as një opozitë që e mbështet
grevën, përkatësisht mosfillimin e vitit të ri shkollorë për llogari elektorale!
Sikurse
për pozitën, ashtu edhe për opozitën nuk do duhej të kishte interes më primar
sesa fillimi i vitit të ri shkollorë.
Sikurse
njërën palë (pushtetin), edhe palën tjetër (opozitën) i zëntë mallkimi i
prindërve të fëmijëve që nuk ju gëzuan ditës së parë të shkollës shkaku i kësaj
klase politike.
Nevoja urgjente për
ndryshimin e “Status Quo”-s politike
Kërkesa
ime e ditëve të fundit për ndryshimin e kursit qeverisës nuk ka asgjë
personale, por është nismë fisnike për ndryshim dhe për dalje nga çarku i
mbyllur i politikës aktuale!
Vetëm
iniciativa e shëndoshë, me besin në Zot dhe atdhe, me dashuri të pakufijshme
për vendin dhe bashkatdhetarët do ta sjellë ndryshimin e madh në Kosovë.
Nevoja
për zgjim kombëtar është e ngutshme dhe e domosdoshme, për ndryshim të
përgjithshëm dhe përmbajtësorë, të gjithanshëm dhe gjithmbarshëm të sistemit
politik në vendin tonë.
Zoti
e bekoftë vullnetin e qytetarëve të vendit tim!