| E shtune, 24.09.2022, 08:54 PM |
Kush i fiton zgjedhjet
në Itali?
Nga
Aleks Kapllaj
Në
sondazhet e fundit para zgjedhjeve parlamentare në Itali, nga të gjitha
institutet e sondazheve, fitues është koalicioni i djathtë i përbërë nga
"Vëllezërit e Italisë" të Giorgia Melonit, "Lidhja" e
Salvinit dhe "Forca Italia" e Berluskonit, së bashku me grupin e të
moderuarve, të gjithë së bashku i afrohen 50%-s.
E
majta është e përçarë në programe politike, por sidomos në pozicionet e tyre
për luftën në Ukrainë, ku komunistët dhe Lëvizja me 5 Yje, ndryshe nga të
tjerët, nuk janë dakord me ndihmën me armë të vendit që po mbrohet nga
pushtuesi rus.
Cili
është suksesi i Melonit, që në tre vite arriti të bëhet partia e parë në Itali,
me 26% konsensus sipas sondazhistëve serioz, Tecne, Ipsos etj?
Programi
politik i zgjedhjeve të 25 shtatorit i "Vëllezërve të Italisë" është
i përbërë nga 25 propozime qeverisëse, duke filluar me mbështetjen e familjes
dhe lindjeve, përdorimi efikas i fondeve evropiane të zhvillimit, taksa të
ekuilibruara për të mbrojtur aftësinë blerëse të italianëve, mbështetje
kompanive dhe mbrojtjen e prodhimeve vendase.
Mbrojtja
e punës dinjitoze, ambientit, mbështetje rinisë, pensionistëve, investime në
shëndetësi, kulturë e turizëm, në prodhimin e energjisë së pastër,
infrastrukturë dhe në zhvillimin e jugut të Italisë, zënë një vend të
rëndësishëm në programin e Vëllezërve të Italisë të Giorgia Melonit.
Ndalimi
i imigracionit ilegal dhe investimi në sigurinë e qytetarëve ka të njëjtën
prioritet si drejtësia, lehtësia për kreditimin familjar dhe për kompanitë
private aq edhe presidencializmi me protagonizmin më efikas të Italisë në Bashkimin
Evropian.
Përtej
asaj që premtohet në fushatën elektorale, suksesi në konsensus i partisë së
Melonit është fryt i koherencës së saj.
Përveç
përqindjes së vogël të votës së protestës, që është fiziologjike ndaj çdo
qeverie parardhëse dhe konsensusi natyral për partitë e opozitës, Meloni ishte
përherë koherente me qëndrimet e saj në parlament gjatë tre viteve të fundit
dhe ishte e vetme në opozitë.
Meloni
shpëtoi pluralizmin në Itali, sepse po të hynte edhe ajo në qeveri, vendi do të
kalonte në monizëm dhe opozitën do t'a bënte Partia Komuniste e Marko Ricit dhe
Forza Nuova, parti me simpati fashiste.
Njëkohësisht
Meloni u mori konsensus dhe mbështetjen që kishin si Salvini dhe Berlusconi,
sepse në çdo akord të firmosur nga të tre liderët që të mos mbështesin asnjë
kryeministër, që nuk është i koalicionit të djathtë, Salvini dhe Berlusconi
mbështeten i pari të dy, Konten dhe Draghin dhe i dyti, qeverinë e Draghit.
Edhe gjatë Pandemisë, Meloni mbajti qëndrim të ekuilibruar, duke respektuar
shkencën dhe mbrojtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve, kur ato dhunoheshin
padrejtësisht.
E
reja që sjellin zgjedhjet e 25 shtatorit në Itali është një ndryshim i madh në
politikën evropiane në përgjithësi me tendencë kalimin e shumicës në qendrën e
djathtë. Zgjedhësit evropian janë të lodhur që të konsiderohen ekstremistë të
djathtë apo edhe fashist në rastin e partisë së Melonit, sa herë ata votojnë të
lirë përfaqësuesit e tyre, me të vetmën arsye, sepse nuk janë të majtë.
Kur
drejtorja e lajmeve të Rai1, Monika Maggioni e pyeti Melonin se a është gati të
qeverisë Italinë, ajo tha se kam mbështetjen e miliona italianëve e jam gati të
qeveris, duke i dhënë përgjigje edhe Ursula Von Der Leyen, e cila deklaroi
"nëse gjërat do të bëhen të vështira" nga zgjedhjet në Itali, ne kemi
strumentet e duhura për të ndërhyrë. Kjo deklaratë i mbylli mundësitë çdo
spekulimi që do të mund të përdorin të majtët e istitucioneve evropiane kundër
vullnetit të zgjedhësve, sepse presidentja e Komisionit Evropian, tregoi se
paragjykimet saj janë ideologjike e të paramenduara dhe çdo reagim i saj, në të
ardhmen kundër qeverisë së re italiane, do të hidhet poshtë nga zgjedhësit e
lirë në Itali dhe më vonë në Evropë.