| E shtune, 24.09.2022, 06:18 PM |
Mjeshtri i skicimit të identitetit shqiptar
-Lamtumirë Sali Shijaku
Nga
Dorian Koçi
Lidhjet
midis historisë, letërsisë së kultivuar, artit figurativ dhe formëzimit të
identiteve kombëtare zënë numrin më të madh të studimeve për kombet e Evropës
Qendrore dhe Lindore. Çështja e identitetit, dhe për këtë arsye edhe ngritja e
një ndërgjegje kombëtare janë të lidhura ngushtë me historinë, letërsinë e
kultivuar e kulturën. Kultura është një “model historikisht i transmetuar nga
kuptimet e mishëruara në simbole, një sistem i koncepteve të trashëguara shprehur
në forma simbolike me të cilat njerëzit komunikojnë, përjetësojnë dhe
zhvillojnë njohuritë e tyre në lidhje me qëndrimet ndaj jetës” . Vepra e Sali
Shijakut shfaqet në horizontin kulturor në Shqipëri rreth 40 vjet pas
themelimit të shtetit shqiptar dhe duke trajtuar historinë e largët dhe të
afërme të shqiptarëve me mesazhet e saj
sendërton identitetit modern kombëtar të shqiptarëve. Në këtë rast nuk janë më
tablotë e elitës evropiane të një shekulli më parë, si Eugen Delacroix, Edwar
Lear, Gerome që rrëfejnë ngjizjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve por
është një vepër shumëngjyrëshe si ajo e Sali Shijakut me dy tonalitete
kryesore: një për shqiptarët për të njohur veten, dhe një tjetër për të huajt
për të shkatërruar paragjykimet e për ti njohur më mirë shqiptarët. Pasqyrimi i jetës folklorike të shqiptarëve
bazuar në mozaik ngjyrash të papërsëritshëm dhe modernizëm rrëfeu kështjellën e
mbijetesës së shqiptarëve përmes shekujve si popullsi dhe etni e dallueshme
qartë nga fqinjët në Ballkan. Sali Shijaku duke eksporuar përjetimin e tij përreth së shkuarës
historike të Shqipërisë në tablo
historike, ka krijuar një epope historike që lidhet me të shkuarën dhe të
tashmen e vendit të vet. Tabloja Mic Sokoli (1978) është pasyrim i
volgeist-shpirtit të kombit, si do thoshte Herderi, një model i papërsëritshëm
i Njeriut Shqiptar që ngrihet si vigan përmes pejsazhit gjithë re, i veshur me rroba tradicionale shqiptare, për
të shprehur revoltën e lënies pas dore të shqiptarëve në fatin e vet dhe për të
shkërmoqur jo vetëm një top dhe dy topçinjtë mjeranë osmanë, por gjithë
Perandorinë Osmane. Në këtë rast tablotë historike të Shijakut shërbejnë si
model narrative për përpunimet e para shkencore të historive kombëtare dhe si
vektor i shkëlqyer i përhapjes së një vizioni të ri të së kaluarës.