| E premte, 23.09.2022, 07:52 PM |
NUHI VESELAJ
II. Kujtime nga Mushtishti (2007), nga librii i
AVDI OSMANIT
“Tempulli i dijes”, Mushtisht”, MU
2011
(këtu në version të përplotësuar)
Edhe pse kanë kaluar afër
60 vjet nga periudha shkurtër, afro 3 mujore të shërbimit tim si mësues në
fshatin Mushtisht të Therandës (d.m.th. nga fillimjava e dytë e shtatorit 1952
deri te ndërprerja, me burgosje më 17 dhjetor 1952), kujtimet dhe përjetimet
lidhur me këtë periudhë për këtë fshat ende i kam të freskëta dhe disa prej
tyre që më janë ravijëzuar thellë në kujtesë, do të përpiqem, farë shkurtazi,
t'i shprehë në këtë paraqitje., duke i mbarështruar në këto 4 pika:
·
Së pari, diçka rreth shqetësimeve personale të ditës si
përgatitje për veprim në të mirë të gjuhës dhe të çështjes kombëtare dhe për
ndonjë të dhënë paranjohëse për fshatin në fjalë;
·
së dyti, ballafaqimi me realitetin në vendin e punës si
dhe rreth aktiviteteve të lira jashtëshkollore në atë periudhë;
·
së treti, rreth disa konstatime me interes për
Mushtishtin e njerëzit e tij gjatë historisë;
·
për disa shembëlltyra mushtishtase në shenjë respekti e
mos-harrimi, kontribut mozaiku për historikun e fshatit në hapërimin e
suksesshëm të tij drejt së sotmes dhe së ardhmes.
1.
Mbi
shqetësimet personale të ditës në përpjeke në të mirë të gjuhës dhe të çështjes
kombëtare dhe të dhëna paranjohëse për fshatin në fjalë.
Në qershor të vitit 1952,
në moshën 19 vjeçare, si nxënës i rregullt, jo me kurse e pata kryer Shkollën
Normale të Gjakovës. Mesa jam në dijeni, ky ishte brezi i parë në krejt ish
Jugosllavinë i një shkolle të mësuesisë me mësim në gjuhën shqipe, sipas
programit 4 vjeçar. Në këtë klasë (paralele) prej 35 nxënësve të regjistruar,
maturën në afatin e qershorit e patëm kryer vetëm 17. Shumica ishin nga Gjakova
e rrethina, ndërsa unë, pothuajse i vetmi isha që vija nga një fshat nga ana e
Suharekës. Natyrisht e ndieja njëfarë krenarie dhe njëherazi edhe një
përgjegjësi me peshë në vete që tashti si shkollar (!), duhej të
ndërlidhja veprimin dhe të ndjeja në shpirt edhe fatin e popullit tonë, i cili
vuante në robëri. Më sa më kujtohet po në atë periudhë ose më mirë një vit më
parë, opinioni ynë ishte i provokuar rishtazi nga pushteti i atëhershëm, i cili
haptaz përshkallëzonte dhunën në dëm të Shqiptarëve, nga se nga gjiri i tij
shkuli kombësi të tjera, sipas nesh artificiale: pos kombësisë turke, e cila në
të vertetë kishte prejardhje të qartë shqiptare, fuqizohej edhe kombësia
serbo-muslimane që edhe këta më sa dinim kishin prejardhje shqiptare. Prandaj
duke qenë i edukuar në frymë të shqiptarizmës si në familje e sidomos në
shkollë, aq më tepër, kur një vit më parë (1951) qeshë organizuar kombëtarisht
me betim mbi flamurin e ndaluar kuq e zi, se do të punoj për gjuhën e popullit
tonë, andaj mezi prisja që ta jepja kontributin tim konkret, ku do që paraqitej
nevojë dhe gjithsesi në të mirë të gjuhës shqipe, në të mirë të edukimit të brezave
tanë në frymën e zgjimit kombëtar, pa e kursyer edhe jetën për realizimin e të
drejtave tona të mohuara për identitet e bashkim kombëtar. Po këtë ideal e
kisha shprehur edhe në një tufë vjershash. Pra në këtë gjendje frymëzimi u
paraqita në Suharekë me kërkesë që të më mundësohej të ushtruarit e detyrës së
mësuesit, ku do që ishte më e nevojshme. Ndërkohë, pasi erdhi pëlqimi nga
Prishtina erdhi drejtcaktimi në punë, në Suharekë më ofruan (R. Lumi e A.
Fazliu) dy opsione: me shërbye në progjimnazin e Suharekës e tash sa kohë
ekzistonin të gjitha klasat e gjimnazit të ulët osë të shkoja në Mushtisht, ku
një vit më parë ishte hapur klasa e parë e atij progjimnazi dhe pritej të
vazhdonte e dyta në perspektivë të tjerat. Unë pa u hamendur, pranova me plotë
dëshirë për të shërbyer në Mushtisht, edhe pse asnjëherë në jetën time nuk
kisha qenë atje dhe e kisha më larg nga shtëpia se Suharekën për afro 7 km
rrugë pa rrugë. Është e vërtetë se përmbluaja në kokën time se ia vlente ta
bëja një sakrificë të tillë me plot vullnet, në dobi të interesit të
përgjithshëm. Është e vërtetë se si fëmijë kisha dëgjuar për këtë emër. E dija
se Mushtishti ndodhej në një grykë rreth bjeshkës, nën Gurin e Dellocit, për të
cilin flitej se dikur moti banorët e vendbanimeve të rrafshakut faleshin drejt
tij. Edhe diçka tjetër. M'u kujtua fakti se shakaxhitë e dëgjuar të Reçanit, të
fshatit tim, talleshin duke i përqeshur, mushtishtasit, të cilët e përzienin
shqipen me serbo-shkienishte, barabar si turqelitë që e përzienin shqipen më turqishten.
Prandaj ishte e çuditshme sipas meje pse Mehmet Reçani, gjyshi i babës tim,
plak e stërplak i dëgjuar, siç thoshin që kishte ndarë pleqni, Shkup e Shkoder,
Gallap e Karadak edhe deri në Lumë e Mat, kishte dhënë bekimin që bijën e tij,
që ne e quanim halla Sherife, ta martonte në atë fshat, banorët e të cilit nuk
folkan mirë shqip. Mirëpo kishte edhe njerëz të tjerë seriozë që thoshin se
Mushtishtasit edhe pse nuk flasin me theks bash si na, ata janë më shqiptarë se
na! Sidoqoftë pa hyrë në arsyet historike të konvertimit, e ku ta dimë, për mua
pas njohurive që kisha marrë në shkollë, shumë gjera i kisha të qarta lidhur me
ortodoksizmin te shqiptarët. Prandaj më shkonte mendja: sa mirë do të ishte që
edhe në Kosovë ta kishim ndonjë “FANOL” a shok të tij, që t'ua shpjegonin
ortodokësve tanë se edhe ata janë shqiptarë me rrënjë. Siç e kam cekur në një
vend tjetër, është e vertetë se shkiet vendës të fshatrave tona, sërbishten nuk
kishin mundur me mësue për 40 vjet nga Serbo-Jugosllavia e Kralit (1918-1941),
ndërsa në 3 vjetët e Shqipnisë 1941-44 edhe ata mësonin me lehtësi shqipen si
ne, ngase sintaksisht e kishin gjuhë të veten. Mendja ime, si të zgjaste një
atmosferë e tillë edhe disa vite, ndoshta si në Shqipëri edhe te ne do të
kishim Fanolët tanë(?). Po në anën tjetër ajo Jugosllavi nuk kishte mund t'ua
ndryshonte fenë as për t'i ndalur për t'i mos mësuar për të folur shqip as
mushtishtasit muslimanë, të cilët tash si muslimanë, nuk e kishin ngarkesë, as
në krye as në zemër, as popin as kishën serbo-shkienishte. Por tash më shkonte
mendja, se sistemi i ri komunist me propagandë të tmerrshme, kundër fesë
muslimane në njërën anë dhe me fuqizimin e gjuhës serbe, në anën tjetër,
ndoshta ishte rrezik që edhe ata (mushtishtas), t’i konvertonte në kombësi serbo-muslimane,
sikurse shumë qytetarë shqiptarë muslimanë në periferi (në mal të Zi e Saxhak),
mandej edhe brenda Kosovës, për ata për vazhdimin e shkollës shqipe në atë
fshat mund të paraqitnin pengesa. Sido që të jetë, për mua ishte befasi e
këndshme që tashti veç Suharekës edhe në Mushtisht, vendbanim iliro-dardan, që
kishte përjetuar katrahura sundimesh fetare e gjuhësore të huaja tashti ishte
kthyer mbarë, sepse aty funksiononte progjimnazi i ulët në gjuhën shqipe, andaj
në mësuesit e shqipes duhet të jemi sa më në nivel.
2. Vendi i punës dhe ballafaqimi me realitetin
Me thënë të drejtën vendin
e punës e gjeta më mirë se që e paramendoja. Në paralelet shqipe në katër
klasat e para punonte mësuesi Ukë Kabashi, ndërsa në gjimnazin e ulët aty
ndesha mësuesit Xhafer Kabashin (nga Korisha) dhe Tahir Santurin (nga
Prizreni). Më që Xhaferi e dinte se unë merresha me shkrime më ofroi lëndën e
gjuhës shqipe dhe atë të historisë. Ashtu edhe u bë. Kur është fjala te gjuha e
banorëve aty, qeshë i befasuar për të mirë, sepse vërtet vetëm te ndonjë i
moshuar mushtishtan vërehej theksi i poturishtës, siç e përqeshnin shakaxhitë
në fshatin tim, por tek nxënësit dhe po thuaj te shumica e popullatës së re nuk
vërehej aq ajo dukuri. Sidoqoftë, bashkë me shokë të punës e të tjerë siç do të
shohim iu përveshëm punës, jo vetëm brenda mureve të shkollës, por siç do të
shprehem më poshtë edhe më gjerë. Kështu pasi e zgjidhëm çështjen e vendosjes
sonë, menjëherë doli halli si të sillnim nxënës në shkollë, për të normalizuar së
paku numrin e nxënësve në paralelet e parapara!?. U pa e domosdoshme të bënim
agjitim edhe në katundet për rreth. Për me agjitue për dërgimin e nxënësve në
shkollë unë kam pasë shkuar në Savrovë, pastaj në Maqitevë etj. Pata bërë
agjitacion deri edhe në Dubravë e në Bukosh. Sidoqoftë, në shkollë arritëm
njëfarë numri sa me funksionue dy klasat e parapara: klasa I dhe Il. Zhgënjimi
i parë ishte që nuk qemë të zotët me shtue numrin e nxënsve edhe për një
paralele të pestë, megjithatë veç nga Mushtishti arritëm të përfshinim edhe
tek-tuk ndonjë nxënës nga Maqiteva, Vraniqi, Sallagrazhda, Savrova. Mirëpo pasi
dita vinte duke u shkurtuar dhe moti duke u ftohur, andaj na lindi ideja që të
siguronim për nxënësit nga fshatrat periferike vendbujtje si në formë internati.
Dhe vërtet, me ndihmën e aktivistëve të fshatit arritëm të bënim njëfarë
konvikti, ku vendosëm disa shtretër që kishin mbetur nga ushtarët gjatë
fushimit verorë të tyre. Po tashti ishim në hall si të mbushnim dyshekët me
kashtë?! Atëherë unë pa e pyetur fare të zotin e shtëpisë, shkova në kashtoren
e Jemin Nurkës dhe aty i mbusha dyshekët.
Është e vërtetë, se
arsimtarët e Suharekës erdhën në fshatin tonë dhe na nderuan me njëfarë skeçi,
për ne kjo mjaftoi për të na nxitur që edhe ne të punonim për të përgatitur
programe rasti. Ashtu edhe vepruam. Qoftë të vënim në skenë gjëra të njohura më
parë ose të improvizonim ndonjë skenar të caktuar. Në këtë plan patëm mjaft
suksese.
Eshtë e vërtetë se në
aktivitete e manifestime të ndryshme merrnin pjesë edhe aktivistët e fshatit,
sidomos më kujtohet që vetë kryetari i Këshillit të vendit, (Ibrahim Ajazi)
emri i të cilit po më kujtohet për të mirë, ishte dora e djathtë e aktiviteteve
të tilla. Kështu ne jo vetëm në Mushtisht, por mbaj mend edhe në Vraniq, e
mbajtëm një shfaqje. Në të vërtetë ne arsimtarët: unë, Xhaferi e Uka e patëm
përgatitur melodramën “Vëllavrasi” me tekst të Ndre Mjedës. Në shfaqjet si këto
e manifestime të tjera unë paraqitesha si konferensier, por në raste edhe si
aktor e këngëtar. Aty pata marrë e zgjeruar idenë për shfaqjen “Shtatorja e
çuditshme”, të cilën e kam botuar të përpunuar në librin “Mësime nëpër
pësime” ( Prishtinë 1997).
Dy fjalë edhe rreth mësimit
të gjuhës e të historisë që zhvilloja më nxënës. Meqë na mungonin tekstet e
mjetet mësimore në harmoni me grupmoshën e nxënësve, e pranoj se mbase e
teproja, sepse mësimin e zhvilloja, po thuajse si në shkollë të mesme. Isha i
mbrumur me hovin djaloshar, nuk dija me u ruejtë aspak sa i përket respektimit
të idejshmërisë së kohës (patriotizmit socialist jugosllav). Poezitë e
Fishtës, të V. Prenushit etj, historinë e ilirëve, të Skënderbeut, të Bajram
Currit etj, edhepse ishin të ndaluara, gjeja rast i bluaja dhe i përbluaja para
nxënësve. Si tekst gramatike e kam pasur atë të O. Myderizit. si tekst leximi e
pata shfrytëzuar edhe librin “Te pragu i jetës”. E mbaj mend mirë se më 17
dhjetor 1952 kur ishim në valën e veprimtarisë, para se të hynim në klasë për
të më arrestuar, nxënësve u pata lexuar, duke komentuar një fragment nga ai
libër, kur thuhej “se të parët tanë ishin trima që gurin e brenin me dhëmbë,
ndërsa tash të rinjtë tanë edhe hekurin mund ta brejnë me dhëmbë”!. Në të
vërtetë, ndërsa ishte duke u hapur dera hetova diçka dhe më sa më kujtohet,
arrita ta fusja librin në sirtar. Megjithatë, jo vetëm atë libër, por edhe
tekstet e tjera si dhe gramatikën m’i kishin sekuestruar, dhe më kurrë nuk më
janë kthyer. Por për fat, siç më ka treguar Xhaferi, kompleti i vjershave të
mia në dorëshkrim, paska pasë rrëshqitur në dërrasën e dollapit të librave tij
dhe kështu kishte shpëtuar pa u ra në dorë atyre. Është e vërtetë së aty ka
pasur vargje që ftohej populli për rezistencë për luftë, për bashkim kombëtar
etj. Shumica e atyre vjershave më vonë janë botuar, paksa të zbutura nën
titullin “Cace e hope djaloshare” (Prishtinë, 1997). Atë përmbledhje siç
tregonte Xhaferi, ia paska dhënë vëllait tim, kur shkon me i marrë plaçkat e
mia dhe pastaj kunata mençurake, Hamidja, i paska çue në gjini në Sllapuzhan,
andaj kur është bastisur më vonë shtëpia në Reçan, me rastin e burgosjestë
vëllait, Bacit Ramë, nuk kanë gjetur asnjë provë rënduese të kësaj natyre
kundër nesh. Vërtet, po t’u binim në dorë ato vjersha unë do të vuaja shumë më
shumë se 2-3 vjet burg.
Marrëdhëniet tona kolegiale
në Mushtisht ishin tejet të mira, por edhe kontaktet me prindër e sidomos me
aktivistë të kohës të fshatit ishin në nivel, por unë do të përmend në pikën
vijuese disa të dhëna me interes për historikun e fshatit. paharrueshëm
3. Disa të dhëna me interes
për Mushtishtin dhe historikun e tij
në kuadër të rrethit të
Suharekës
Edhe pse qe periudhë fare e
shkurtër, 3 mujore sa pata shërbyer në Mushtisht, më kanë mbetur edhe mjaft
kujtime e përjetime të tjera të pashlyera, mëgjithatë po e përfundoj duke i
shtuar edhe këto konstatime:
Së pari, sipas
një statistike të udhëpërshkrimi të Milosh MiIlojeviçit (1866), nëse mund t’i
besohet, pra, mbi dhjetë vjet para Lidhjes së Prizrenit (1878)
Mushtishti, kishte 100 shtëpi: S 45, P 55, pra, kishte 10 shtëpi më shumë
paturë se ortodoksë serbë.
Së dyti, sido që
të ketë qenë, pas afro 90 vitesh pa hy në statistika, si mësues i këtij fshati
vura re se shqiptarë e serbortodoksë në një lagje kishin mbiemrin e përbashkët
Bytyçi (Bitiqi), emërtim i një fisi të njohur shqiptar. Me këtë dua të them, pa
u futur në përimtime, që vetvetiu kuptohet që këta bashkëfshatarë i lidhte
etnia e përbashkët fisnore shqiptare, por i ndante vetëm përkatësia fetare dhe
mësimi në shkollë, edhe pse momentalisht ortodoksët flisnin mmë shumë serbisht
ndërsa muslimanët më shumë shqip.
Së treti, po aty,
në Mushtisht një lagje tjetër quhej me mbiemrin Budakova, d,m.th. kishin
prejardhje nga ai fshat, në të cilin tani nuk kishte as ortodoksë as katolikë.
Këtë fakt po e ndërlidh me konstatimin e Milojeviçit, e cili si banorë
budakovën e shënon me 60 shtëpi: P 20 ndaj A 40, pra 20 shtëpi më shumë se
poturë ishin arnautë ose shkipë të islamizuar. Budakova ishte pa asnjë serb
(ortodoks), fakt ky që na jep me kuptue se shpërngulja e tyre si ortodoksë në
Mushtisht mund të ketë ngjarë më herët se 10 vite para Lidhjes së Prizrenit. Së
këtejmi merret vesh se një pjesë e familjes nga Budakova, për ndonjë interes
qenka ndarë fetarisht në dysh, të muslimanizuarit mbesin 20 familje në Budakovë
dhe e kanë ruajtur shqipen, ndërsa ortodoksët e shpërngulur në Mushtisht e kanë
ruajtur fenë, ngase aty ishte kisha ortodokse me popa aktivë, dhe si pasojë e
kanë përzier ose anashkaluar gjuhën. Raste të tilla kur vëllezërit e së njëjtës
familje përqafonin fe të ndryshme, nuk ishin të rralla. Mbse dihen edhe sot,
si: Bukosh-Dvaran, Reçan–Sopi etj., por ata që e pranonin fenë muslimane
(paturizoheshin!) në realitet ruanin shqipen, ndërsa ata që mbetnin në fenë e
të parëve ortodokse e pranonin emrin serb (pravosllavizoheshin). Dhe kështu dhe
ndërkohë disa sipas rrethanave e përvetësonin gjuhën nashke, ngase e kishin si
gjuhë feje, sigurisht të ndikuar nga gjuha e vjetër kishtare sllave (amalgamë
bullgaro-ruse) që e përdornin popat si gjuhë liturgjike në kishat ortodokse
pravosllave të Mushtishtit, e cila ishte e autorietshme, edhe në kohë të
Turqisë. Mwe fjalë të tjera emri serb S erbi par rilëindejs serbe e
shqiptare nuk përfaqësonte kombin serbnjënaciona serb, si sot.
Së katërti,
gjithsesi në Mushtisht ndër ortodoksë si figura të autetshëm ishin popat.
Popi Mushtishstit e ka drejtuar për një kohë pas LDB rrethin e Suharekë
së bashkë me sidajën tim Shaban Jonuzin (Kuçi), i cili gjatë kohës së
Shqipnisë (1941-1944) kishte qenë rob lufte në Bullgarinë progjermani, por
ndërkohë atje aktivizohet si prokomunist, andaj me të kthyer e angazhuan si
pushtetar. Shabani, kur e detyrojnë me heq e me gjuejtë në bërllok flamurin
shqiptar ky e ka palosur dhe e ka ruejtë nën fytyrë jorgani. Thuhet se
Shabani e Popi, në atë kohë delikate kanë pasur qendrim sadokudo të drejtë për
të deklasuarit, si Hamit Tahiri, Sadik Peçani, Jemin Nurka, Qamil Jemini, Ali
Meta, Muhamet Veseli e të tjerë, të cilët i kanë ruajtë nga intrigantët, e
gjakpirëssit e kohës që i vidhnin natën ose i likuidonin, vetëm po të miratohej
një fjalë goje e intrigantëve nag Popi e Shabani,
Së pesti, Siguroj
me tërër qenien time se Mushtishsti vëret ishte fshat i besës. Të burgosurit
tim fare nuk ka pasur të bëjë me ndonjë denoncim nga mushtishtasit, prandaj,
sapo më liruan nga burgu në shenjë falenderimi e mos-harrimi për Mushtishtin e
vizitova shkollën. Aty e gjeta vetëm Tahir Santurin, po kishte qenë aq i humbur
sa mos me besue! Me sa pashë edhe niveli i mësimit dhe i aktiviteteve të lira
kishte pasë rënie nul...Kjo më pati dëshpëruar shumë. Mirëpo ky zhgënjim
shkallë-shkallë më shndërrohej në gëzim sa herë dëgjoja për sukseset dhe rritën
e asaj shkolle dhe të këtioj fshati.. Kjo ndjenjë mos-harrimi e respekti ishte
në vitin 1997, duke shfrytëzuar atmosferën e krijuar, disa ekzemplarë të të
gjitha veprave të mia të sapobotuara i pata dërguar në atë shkollë. Gjithashtu
edhe më 2007, kur zyrtarisht vizitova shkollën, pas një ore letrare të
improvizuar, kompletin e veprave të mia ia dhurova drejtorisë së asaj shkolle.
4. Kujtime mos-harrimi nga
takimi me katër shmëbëlltyra mushtishtase,
që në atë kohë ishin të
deklasuar
Sigurisht
Mushtishsti ka pasufr burra të njohurkan[ë mrita të shumëfishtan
për mbarëvajtjen e fshatit, andajkërkoj fale nga historishkruesit, pse unë unë
përzgjidha vetëm këta katër shembëlltyra mushtishtase, nga jetëshklrimi i të
cilëve kam dalluar nga një rast apo episod karakteristik raste këto që i kam
përjetuar qoftë në takim me ta ose i kam dëgjuar në oda burrash, sepse ajo që
flitej si trashëgim në në oda dilte e kulluar në sitëdhe e shoshitur në derman
prej mendimeve pleqnare, andaj materiali i tillë mund përdoret lirisht në
mozaikun e historikut jo vetëm të fshatit Mushtisht, por edhe më gjerë.
a. Jemin Nurka
Së pari, po e
shënoj emrin e Jemin Nuredin Mushtishtit, të cilin si Jemin
Nurka e mbaj mend që nga koha e Kraevinës. Ishte mik mahalle, ka marrë edhe
ka dhënë dhe kështu e ka ntrashur miqasinë me Veselajt e Reçanit. Kishte
muhabet me babën tonë. Dallohej diksioni e të folmes mushtishtase të tij, por
dallohej edhe për fjali të rregullta e plot kuptim. Thoshin se në Odën e tij
është marrë vendimi dhe bërë përgatitja për likudimin e kriminelit Spirë
Delloci, i cili i kishte pri plojes kundër shqiptarëve në Kishën e Keqe të
Kabashit. Këngën për Sali Shabanin që kishte vra Spir kapetaninkëtë kriminel
dhe shokun e tij Filen, pothuaj të gjithë e dinim përmendësh në atë kohë.
Jemin Nurka, me mend e pasuni, në kohën e Kralevinës. ka ditë me ruajtë veten
dhe Mushtishtin nga hakmarrja, duke u fshehur brenda Partisë radikale të
Pashiqit. Në kohë të Shqipnisë e ruajti autoritetin si zotshpie e si atdhetar
dinjitoz dashamir i shkollës ahqipe dhe shqiptarisë. Por në partizani si shumë
burra me emër edhe ky nuk i kishte punët mirë, edhe kurkushat aktivistë e deri
edhe Xhafer mësuesi në një tubim e paska deklasuar duke e quajtur reaksionar.
Këtë ma ka thënë vetë mixha Jemin, kur pas marrjes së kashtës për dyshekë
konviktorësh, shkova me i kërkues ndjesë e ai më ndali për drekë. Ai si
mikëpritës nuk e hapi çështjen e marrjes së kashtës kryenvete prej nesh. Vetëm
uroj sukses dhe më tha që për shkollë shqipe nuk dhimbet asgjë, as kashta edhe
pse dihet “dimni e ha kashten”, e dimnit nuk i dihet. Po sidoftë ma tërhoqi
vërejtjen të kem kujdes mos të nxitoj si Xhaferi, i cili, sipas tij:
Si knus
maje grumbulli plehu me fjalë të veta, ia ka koritë vorrin Rrustë Kabashit,
babagjyshit e krejt fisit, sepse mos me pasë kanë ky realsionar me shokët e
tii në Mushtisht shkollë shqipe, aq ma tepër gimnaz, nuk do të kishte. Na duhet
me pasë nji guhë guhen e burrnisë:, POen po e JOen jo, e jo të laskaucave,
guhën e tutës, guhën e vremçave (harabelave n.v.). Venia mendjen, prej tutës të
kaçubetirt vremçat, ndryshojnë katër herë guhen e vet:
së pari, kur janë të lirë ngucen e i livdohen njani-tjetrin se
cili asht ma i zoti tue bërtitë sa ua zë
fyti: cër cër cër; xërr, xërr xërr e car car
car - serbisht i bie: ja sam car, ja sam car! (unë jam
mbret);
së dyti, kur u bjen kaçubeti, futen nëpër therra, mshihen, të
përgjakun në guhen e tyre pvesinnjani
tjetrin: cin
cili , cili mili, ciu zhili, ciu cili, në serbisht: koj si, zhiv
li si!, zhiv li si? (cili je a je gjallë!)_
së treti, kur untohen e s’kanë qare pa dalë prej therrash nisin:
cilivili- ciu ci ci; cilivili - ciu ci ci -serbisht sreçan si, zhiv si (je me fat, koke
gjallë!);
së katërti, sërish ia nisin me nguca: cërr cërr cërr - xërr xërr
xërr e car car car car.
Mjer na, kjo partizania si kaçubet po na rri mbi krye e
jetojmë me krye në therra e jemi ba më të këqij e ma pa mend se vremçat. Nuk po
i këqyim hallet tona me mbrojtë njani tjetrin, por me xërr xërra inatçe
dhe me car cara aivdaçe, pa pasë gja në dore do kurrkusha po ia çojnë
pre shokët e vet kaçubetit... mjer na në dorë të kujt kemi ra!.
Këtë rrëfesë krahasuese
filozofike të Jemin Nurkës e kujtoja edhe në burg dhe nuk më largohet mençsh,
as sot e kësaj dite, sepse kaçubeti po e ha kë po do, edhe pse kurrkushat po e
i shtyjnë ma të mirët por edhe shqoshojn në gojë të kaçubetit?
Edhe
sot meditoj, se e gjithë paria popullore e asaj kohe, vërtet kanë qenë të
mençur. Kanë ditur me i pri çdo kohë me mall e me mend, për kemi mbetur në saje
të mallit dhe të krenëve mentarë, po tash komunizmi, duke luftuar fe e
ideologji si dhe pronën private, duke plaçkitur si shtet deri bukën e gojës nuk
u la mend të kokë as burrave të tillë fisnikë si Jemin Nuirka. Mjerisht!
b. Jetullah Mushtishti
Së dyti, nuk po
mendem me kalue pa e përmendur edhe mushtishtasin shtatlartë, trim e flijues
për të mirën kombëtare, Jetullah Mushtishti, që në biseda zakonisht e
quanim Jetë Mushtishti, kurse unë në një shkrim timin e kam quajtur Jetë
Kosova dhe sot mendoj se emocionalisht e meriton atë epitet, ku dihet se me
flijimete tij ka përfituar kauza më e drejtë e interesit kombëtar. Flitej se
ajo që u vendos në Odën e Jemin Nurkës edhe u krye me sukses nga Sali Shabani,
Jeta që kishte qenë shërbyes në zyrën e Spirë Dellocit, burrave që frikoheshin
se munsd të zbulohen u thotë:
Unë pa më thanë ju, do të pranoj se kam dhanë informata
se ku shkoj e ku gjindet GAZDA se kinse nuk kam ditë sherr. Këtë po e
baj se jeni më të pasun dhe me të dishëm. Me ju shti juv në burg unë si fukara
që jam,nuk kam as mall, as shoqni u nxjerrë prej andej, po as familjet me jua
mbajtë, kurse me burgosëmue, ju keni mundësi me mall e shoqni edhe me më
nxjerrë mue edhe me me ma mbajtë familjen.
Dhe vërtet, ky fukara i
mençur gjeti zgjidhjen më të mirë të mundshme. Gjithsesi e pësoi vetë dhe si
rrjedhojë u dtyrua të shpërngulet në Suharekë dhe familja me marrë mbiemrin
kuçiër, por vërtet pati edhe ndihmën, siç e kërkoi nga malltarët.
Ç’është
e vërteta, kur e pata krye Normalen, si etuziast më kujtohej se paraqitesha
edhe në rol gazetarisi si intervistues,. Pata pyetur për ndonjë ngjarje a
pleqni, burra të njohur të asaj kohe si: Jetullah Hasani, Beqë Sejdia, Ali
Meta, Sadri Haxhia etj., E pata pyetur te daja Hamit edhe Jetë Mushtishtin, për
saktësinë e fjalëve të till lidhur me përgjegjësinë e marrë lidhur me rastin e
Spirë Dellocit. Ai a dha këtëpërgjgjigje
Edhe sot fukuraja, duhet me hi ngushtë për me pshtue të
dishmin e malltarin e ndershëm. Se veç i dishmi e di se ku duhet qitë pushkë me
mend për lavdinë kombit dhe malltari i gjymert e di se kur duhet me i ndihmue
familjet e njerëzve të pushkës dhe ata në nevojë
Pikërisht për një flijim të
tillë me vetëdije njeriu meriton mos me u harrue. Por tek unë ky njeri
rastësisht pati zënë vend të veçantë. Në verëvjeshjtën e vitit 1955, isha
ushtarë në Velevë të Serbisë, mixha Jetë vjen në vizitë djemve të tij që nga
halli, tubonin zallë nga shtrati i Kolubares. Më tepër për hir të familjes se
për të kaluarën time, pasi merr vesh se në cilën kazermë gjendesha,vendos me më
vizitue. Nuk di si paraqitet, por oficeri që më tregoi më tha se të ka ardhë
baba në vizitë. Kur dola, qe, baba Jetë, me veshë kombëtare. Gëzimi nuk kishte
kufi. Mora leje-dalje dhe po thuaj gjatë tërë ditën, deri vonë, u shmalla me të
dhe me djemtë e tij. Këtë vizitë në Valevë e mbaja të gjallë,t por n[ë muajt e
dimrit kur fillon ai aksioni famkeq për shpërngulejn e shqiptarëve në Turqi që
isht qëllimi i vërtetë, por që e pagëzuan Aksioni për mbledhjen armëve
(ilegale), n uk e dija që ndër të parët do ta priivonin nga liria këtë plak
kaq të moshuar, por si duket i frikoheshin qëndrimit të tij guximtar, të cilin
e njihnin edhe për kusure të vjetra që me fjal nuk ua linte lehtë. Edhe në
hetuesi, siç tregojnë, nuk jepej, më shumë i godiste me fjalë e qëndrim
se ata që goditnin pinatçe pa mëshirë. Gjatë këtij maltretimi trupi i
Jetë Kosovës u mbetet ndër duart gjelatëve, ndërsa shpirti që kërkonte liri i
kishte ikur në amshim dhe së andejmi u kthye dhe një pjesë si kujtim-frymëzimi
arriti në mendjen time dhe si frymëzim përjetësie e shpreha si rrëfim kushtuar
atij nën titullin Komb montruoz. (Shih Nuhi Veselaj, Shfrime nëpër
mjegullnajë, Prishtinë 1997). .
Për
qëndrimin e tij dinjitoz në kohë të Shqipnisë dhe rezervat për regjimin e ri
komunistosllav nuk është vendi me folë këtu. Vetë vendi ku u martirizua tregon
s ai ishte në luftë të pandrerë me armikun dhe këtë e dëshmon dhe këshilla që
la: Me i ruejtë ata që dinë dhe ata pasanikë që nuk e mbajnë mallin nën dry,
por ndihmojnë njerëzit e pushkës dhe njerëzit në nevojë.
Kështu
dhe vdekja e tij, e Jetë Kosovës, ishte vdekje në front luftë, ishte
ndihmë-alarm që sadopak dali ofensiven e masakrave të tilla makabre kundër
shqiptarëve të pafajshëm.
c. Qamil Jemin Mushtishsti
Së treti, po i them
dy fjalë për Qamil Jemin Mushtishtin. E ka pasur djalin e vet Qemalin në
shkollë. Shtëpinë e ka pasur mes rrugës kryesoe që ndante fshatit në dy pjesë
dhe lumit të grykës së mullinjve që shtratohej mes shtëpishë dhe vazhdonte nën
fshat. Ekonomikisht, për emrin historik që e ka pasur shumë hollë qëndronte.
Unë pas mësimit, kur nisesha për Reçan, kur e shihja në oborr ulur në një
shkamb druri trekëmbësh, kthehsha dhe e përshëndetja. Nuk hapej në bisedë.
Përherë i bënte të fala një simixhës tim, Bacit Muhamet. Këta dy emra Muhamet
Veseli e Qamil Jemini i kishte zgjedhur nga populli i këti rrethi Organizata
ilegale NDSH formuar nga Halim Spahia, me shokët: Ymer Berisha. Selmn Riza,
Gjon Serreqi, Sokol Dobroshi, Hasan Beg Kryeziu, oganizatë kjo që në
gusht të vitit 1944 mbledhjen e tretë e pati mbajtur në Gjinoc, në odën Mulla
Nurës, ku ndër të tjeraqë për të qenë rezitenca kundër armikut të jashtëm dhe
atij komunist më e sukseshem të gjithë kryepleqt e fshatrave duhet me qenë me
shkollë, por në rang rrethi, konkretisht të Suharekës të prijnë aktivistët:
Qazim Bllaca, themelues çete, dhe përgjegjësit autoritativë: (burra të vendit):
Qamil Jemini, Muhamet Veseli, Sadik Peçani e Ibrahim Abdyli, mirëpo meqë
rrethanat diktuan që një resistenca e tillë ushtarakisht nuk u aktivizua, andaj
me ardhjen në pushtet partizania jugollavotitist emrat e tillë u dklasuan, por
nuk i humbën pa shenj ça dukë si ndodhi me Mulla Nurën, të cilit humbën fijen
në Serbi, si dhe ndonjë kryeplaku me shkollë si Aziz Veselaj. qe emnuar në këtë
tibim, Flitet se për shpëtimin e tyre kanë kontribuar Popi i Mushtishstit
dhe Sidoqoftë, Qamili kishte merita atdhetarie të mëpashme nacionaliste prandaj
u zgjoh si emër i dalluar i asaj organizate atdhetare. Po unë nga biografia e
tij do të përshkruaj vetëm një episod që i ka ndodhur në kohë të Kralevinës. Në
të vërtetë, Qamili, paska qenë nëpunës në Suharekë, pranë zyrës së Naçelnikut.
Neçallniku, duke mos qenë i kënaqur me te, ngase dyshohej se ky ilegalisht
bashkëpunonte me Jemin Nurkën, Sejdë Bajraktarin e të tjerë, atëherë Naçellniku
me klanin e tij bën planin për vrasjen e tij me moh. Këtë rast ksm dëgjuar disa
herë nga vetë autori i tenttivës për vrasje Shaip Kuçi, një sidajë imi që nga
jo kohë mban etiketën Shaip pijaneci – sarhoshi.. Ja rngjarja e vërtetë
sipas i tij:
Naçellniku
(kryetari i rrethit i derguar nga Beogradi) në vitet e 30 të shekullit të
kaluar, kur ishte intensifikuar shpërngulja e shqiptarëve për Turqi, i
zhgënjyer me punën e Qamilit, ngase planet e Naçellnikut e të Qeverisë nuk
ecnin mirë, vendos ta likuidojë me moh Qamilin dhe për këtë si tregonte vetë
Shaipi, të cilin si pajanec e përçmonte shumë Qamili, madje përveç me fjalë
shpesh e poshtnonte edhe me forcë, me të shtyme e me ndonjë shuplakë, Në të
vërtetë edhe vetë Qamili e kishte pasion që në kohë të caktuar shkonte në
kafepijetore dhe e çonte ndonjë gotë. Prandaj Naçellniku me njerëzit e vet
vendos që Shaipin ta armatosë me revole dhe i thotë që si të vijë aty Qamili,
ti vraje, xhandarët ke dëshmitarë që ai po të tushkitë si përherë, prandaj në
vetëmbrojtje vraje dhe për këtë nuk ke përgjegjësi, Për këtë do të keshë fitim
përveç me pi falas, po edhe të japim edhe pare të thata. Mos u frigo, vraje
sot, do të jenë aty edhe xhandarët me të ruejtë. Vërtet Qamili në kohën e
caktuar shkon me pi dhe e poshtnon Shaipin Ky nxjerrë revolën, Qamili e vëren
dhe me shpejtësi i mëshon në dorë, Revolja i bie në tokë pa shkrepë. Qamili
shtyn me kambë kah xhandari dhe thotë:Ky pijaneci i dreqit dashti me më vra,
të cilit ia jep një shuplakë dhe vetë shkon në punë.. Xhandarët e pranishëm
.kur e shohin që dështoj atentati. Shaipin e arrestojnë dhe e rrafin keqas,
duke e akuzuar për tentim vrasje e çojnë në burg, por gjyqi e liron si sarhosh.
Kështu Qamili tash e kupton
se kush e ka orgaizuar, madje u shpëton edhe sfidave tjera. Së këtejmi
autoriteti i tij ishte në rritje e sipër edhe në atë kohë, por në mënyrë të
veçantë në kohë të Shqipnisë. Dhe si rrjedhojë nuk ishte rastësi pëfrzgjedhja e
tij udhëheqës popullor nga ONDSH.
Edhe
nga kjo episodë mësojmë për zhdrvjellësinë e Qamil Jeminit si lufëtar-atdhetar,
por edhe për intrigat e sllave të Kralevinës, që u trashëguan edhe nga qeveritë
e Serbi-Partizanisë, kundër kuadrit shqiptar.
ç. Hoxha i Mushtishtit
Së katërti, po
e përmend Hoxhën e Mushtishtit, nëse nuk gabohem quhej Mulla Selmani.
Me të asnnjëherë nuk jam takuar, por mbaj mend, për çka për mua ishte
befasi që sa herë përgatininm për mbledhje të prindëve ndonjë skeç me
nxënës, hoxha ishte i pranishëm. Me këtë kuptohej se ky hoxhë nuk ishte pa
përvojë arsimore. Jam në dijeni se në kohën e Turqisë, sipas fjalës së Mulla
Shaqirit nga Reçani, në Mushtisht ka pasur mejtep të naltë, mbase në rang të
medresës së ulët, ku ai kishte marrë ixhazet. Madje, siç na tregonte, ai si
nxnës atë kohë kishte mësuar shkrim –lexim shqip me shkronja arabe, andaj ishte
në gjendje jo vetëm me lexue mevludin, por edhe me shkrue letra. Dihte që në
kohë të Kralevinës, kur u hapën vetëm shkolla në serbisht, shkollat e tilla u
mbyllën. Në kohë të Shqpnisë u hap shkolla shqipe, jo vetëm për fëmijë, por edhe
kurse për të rinjë e të rritur. Edhe vetë Hoxha e kishte mësuar alfabetin latin
të shqipes. Pas LDB meqë Mushtishti kishte traditë dygjuhëse popullore nashke e
shqipe, pushteti i ri proserb hezitonte me hapë shkollë shqipe, me arsyetim se
gjoja shkolla shqipe ishte pjellë e fashizmit që e kishin hapur reaksionarët,
dhe me këtë etiketim u mbylnin gojën ishkrenëve të fshatit. Paria e re
komuniste e fshatit nuk kishte guxim, andaj kjo çështje mbeti e pazgjidhur. Sa
hapej mbyllej shkolla shqipe. Gjithsesi për pengimin e mësimit shqip ishin
angazhuar oznistët e udbashët që kishin ato terrene. I bëjnë presion edhe
Hoxhës, i cili njihte serbishten lexonte edhe boshnjankisht (Glasniik
muslimanske vjerske zajednice) prej tij kërkuan ta përkrahte zgjidhjen si të gjithë
serbomuslimanët e boshnjakët në Jugosliavi, mësimi në shkollë vetëm në gjuhën
serbe. Hoxha ku ishin prezent edhe disa të rinj aktivistë të organizuar
komunistë fillon me folë demagogjikisht:
Është fat që LNÇl e solli vëllaznim bashkim (bratstvo
jedinstvo). E vallaznim bashkimi solli shkollën që nuk është as si në
Kralevinë, veç serbishst, as si në Shqipni veç shqip, po në të dyja gjuhët
shqip për shqiptraët e serbisht për serbët, gjtsekush me mësue në gjuhën e vet.
Mirëpo kur mundohen me ia
mbushë mendjen se serbomuslimanët po mësojnë serbisht kudo, hoxha u thotë troç:
More M. ju po më thoni me u ba shka serbomusliman. Të
parët e mi që ishin prej Nishi, me e pas dashtë me u shkinue, kishin ndejtë
atje nuk ishin ba muhaxher, po kanë ardhë këtu me ruajtë këtë fe e kët guhë.
Shkolla patjetër duhet me u hapë në gjuhën shqipe, qysh e kërkon ligji dhe e
drejta e vllaznim bashkimit.
Dhe kështu hoxha
guximtarisht shtroi kërkesën pë shkollë në emër të vllaznim bashkimit, madje
guxuan me çelë gojën edhe aktivistë shqiptarë e serbë në të mirë të
shkollës shqipe, e cila nuk u ndërpre më.
Më
shkon mendja se ardhja e muhaxherëve nga Nishi, pra që në kohën e Turqisë me
profesion hoxhe në këtë fshat sigurisht e ka konsoliduar fenë muslimane dhe
njëherazi edhe ndjenjën shqiptare më sforcim të gjuhës shqipe. Sidoftë me këtë
rezistencë të guximshme hoxha tregoi veten si shembëlltyrë e ndritur në
mozaikun e historikut të Mushtishtit e më gjerë si fshat shqiptar.
Sigurisht
këto katër shembëlltyra si kontributdhënës për shkollë shqipe e shqiptari,
njëri me organizim e pasuri, tjetri me flijim, tjetri me autoritet nëpunësei e
luftëtari dhe tjetri si ideolog dashamir i shkollës shqipe, ishin një
fluskë uji në lumin e veprimeve të tjera njerëzore e patriotike jo vetëm të Mushtishtit,
por edhe të fshatrave të tjerë në vazhdimësi, gjë që tregoi dhe Lufta e UÇK në
të gjitha trevat tona të Kosovës, ku shkëqyen shembëlltyra të reja, por rendi e
do që këto që u ceken prej nesh si hallka të zingjiriit që lidh brezat nuk
duhet të harrohen, ngase janë pjesë muzaiku që shkon në të mirë të historikut
të Mushtishtit e më gjerë.
Përmbyllje
Së
fundi, dua t’ua rikujtoj lexuesve të nderuar se me atë që shprehëm më sipër me
ndonjë të veçantë kuptojmë se mushtishtasit, si dhe bashkëfshatarë shqiptarë
kudo sipas historisë asnjëherë nuk kanë mbetur pa malltarë që nuk u dhimbsej
pasuria për shkollë e dije, nuk kanë mbetur pa trima me uni e karakter të fortë
që as paraja e as karriera s'ka mundur t'i thyejë, mandje nuk kanë mbetur as pa
ideologë shkollarë, mësues e dijetarë si dhe nuk kanë mbetur as pa këngëtarë e
poetë që përkundër rrezikut nuk e kanë ndalë punën as këngën, sipas asaj përrue
mulli, shpi e sharki. I pa harrueshëm ka qenë për mua një shetitje grykës
së Lumit të mullinjve, kur një mullis që ishte pak më i moshuar se unë më dha
të njofshëm dhe pasi i dha punë gurit të blojës, mori qiftelinë dhe u ulëm te
do gurë jashtë, Nëse nuk gaboj quhej Mehmet, tha se ishte nip i Nanës Bade,
nënë e Dajës Brahim nga Suhareka. Vërtet ato çaste përjetova një mrekulli. Edhe
sot më duket se e ndiej: gurgullimin ujit të lumit, zhurmën e gurit të blojës,
tingujt e qiftelisë dhe zërin e këngëtarit që mbidëgjohej në veshin tim.
Pikërisht nga kënga e Sali Shabanti improvizoi vargje të dialogut
imagjinar Salih/Spira, ku Salihi ia njihte kriminelit rrjedhojat e masakrës
deri sa “More Spirë, more thi, ke lanë foshnjat tamël pa pi”... ndërsa
ai i mohonte me “pasha fenë e babë e nanë se n‘ Kabash Spira s’a kanë”... dhe
kështu Mehmeti improvinzonte vargje që me atë gherësi dhe lirizëm që nuk më ka
rënë me ndëgjue në asnjë version nga autorë të tjerë, prandaj në këtë vazhdë
duhet kuptuar bilbilët e bilbileshat e këngës shqipe që u shfaqen para Luftës
dhe në vazhdimësi pikërisht në Mushtisht, të cilët nuk pilën nga qielli, po i
lindi frymëzim që cyste edhe TVSH, me shpërthimet që nuk mund të ndaloheshim
dot, ashtu si edhe luftëtarët vullnetarë të UÇK-së, prej nga u ravijëzuan edhe
këngë e suksesem të reja.
Krejt
në fund, e di se puna e suksesi i punës sime në atë periudhë të shkurtër ishte
tejet modest në krahasim me punën që kanë dhënë si mësues të këtij fshati dikur
Mehdi Bardhi e Gani Luboteni, profësorët e mi të fakultetit, si edhe shumë të
tjerë, andaj edhe emrat e tyre meritojnë me pasë vend nderi në kuadër të
historikut të shkollës së Mushtishtit, të cilën e ardhmja ka me e hijeshue edhe
më me mozaikun i dijes e i kulturës sonë mbarë shqiptare.