| E enjte, 25.12.2008, 06:03 PM |
LDK e Rugovës, një muze i pasistemuar
Nga Bardhyl Metaj
Foto: Express
Dje ishte datëlindja e radhës e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Liderët e saj të pakët në Prishtinë, por dhe kudo në Kosovë e diasporë, u veshën bukur, vunë kravatat e stolitë më të përzgjedhura. Me siguri, më shumë se përherë, rugovistëve u mungoi shumëkush aty në atë festë. Por kjo, nuk është brengë e LDK-së sot. LDK, në fakt, është sot një parti e munguar. Një parti, të cilës jo vetëm i mungon shumëkush, por dhe në formën burimore i mungon shumëkujt. LDK, në këtë përvjetor është një parti që, për fatkeqësinë e saj, i mungon më së shumti vetes, kauzës së saj burimore dhe afrimit të saj shumë origjinal. Cila është kjo kauzë? Aktualisht, apo të paktën këto dy vitet e fundit, as që po e kërkon kush ta gjejë. LDK-ja rugoviste, pra ajo e pardjeshmja, është sot më shumë një muze i pasistemuar relikesh të vlefshme, një kujtesë e mendësi, një kulturë e vizion i shpërndarë gjithandej, në të gjitha partitë kosovare, por edhe në shoqërinë civile. Rugovistët kanë mbetur pa parti të vetën. Apo më drejt, ata kanë sot më shumë parti. Më rrjedhshëm, me fjalë e shkrim dhe si një kronist i rrallë i asaj kohe, e bën këtë post-mortum edhe Blerim Shala. Mendoj se është mirë kështu si është. Rugovizmi nuk mund të jetë më licencë në duar të askujt për mbledhje të votove. Njësoj ka ndodhur edhe me De`Golizmin në Francë, me pasuesit e Martin Luther Kingut në Amerikë (ja tek e kemi Obamën sot), prandaj, s`ka pse mos të ndodhë kështu edhe në Kosovë!
Të gjithë funksionarët e LDK-së, këtë përvjetor patën njëmijë e një arsye për dolli, për çdo ditë jete që përbën historinë e LDK-së deri pardje! Më saktësisht, të drejtë dollie për gjithfarë kishte prodhuar LDK deri ditën kur pushoi së rrahuri zemra e Presidentit të ndjerë Rugova! Edhe më saktësisht, deri ditën e varrimit të tij, kur s`ka një dashamir Kosove që të mos jetë ndjerë njëkohësisht i prekur nga vdekja e tij, por edhe shumë i nderuar si shqiptar e kosovar apo mik i tyre, nga përcjellja e varrimi aq dinjitoz përmasash kombëtare e ndërkombëtare. Nuk kishte ngjarë asnjëherë tjetër në gjithë historinë shqiptare apo të rajonit, që një personalitet tjetër shqiptar apo ballkanas bota ta përcillte e t‘i përkulej te varri me aq mirënjohje e respekt sa Presidentit të Kosovës dhe liderit të LDK-së, z. Ibrahim Rugova. Këtij fakti që e njohim të gjithë, më duhet t‘i shtoj edhe diçka, një element tjetër të veçantë që përbën ky personalitet e varrimi i tij për historinë e shqiptarëve. Presidenti Rugova, gjithë afirmimin dhe autoritetin e tij politik ndërkombëtar dhe kombëtar e ka krijuar ekskluzivisht, duke ndërtuar e promovuar të drejtën, vizionin, aftësinë dhe identitetin shtetëror të Kosovës e të kosovarëve. S‘u afirmua si misionar i çështjeve universale, por i kauzës kombëtare! Bota tek përcillte e i përkulej te varri, ishte koshiente se nderonte Presidentin kosovar dhe kauzën e tij - Kosovën e pavarur, por ishte gjithaq e vetëdijshme në demonstrimin publik, se tashmë ishte edhe ajo vetë pjesë e asaj drejtësie që duhej çuar në vend dhe se ishte bërë edhe vetë misionare rugoviane!
Historia e LDK-së është për t‘u dëshiruar nga çdo parti, jo vetëm shqiptare. Partitë bashkë-kohanike të LDK-së në botë, luftonin për demokraci e kundër diktaturës. Ajo ndërkohë kishte marrë për mision më shumë se kaq; krijimin e një shteti krejtësisht të ri në zemër të Evropës. Dhe fatkeqësisht, pa pas trashëguar nga historia kombëtare asnjë aleancë ndërkombëtare, asnjë mik. Nuk e di pse, por e di se asnjëherë nuk përmendet që ishte pikërisht marshimi rugovian ai që na solli edhe një përvjetor tjetër, i cili duhet festuar këto ditë para-kërshëndellash e përvjetorit të LDK-së.
Dhe është interesant, se kështu do të ndodhë përherë, me çdo vizion apo kërkesë të shpallur të binomit LDK, Rugova-Agani. Të gjitha ato që atëherë quheshin apo kualifikoheshin si floskula prej kërkesës rugoviane të vitit 1991, atëherë të përqeshur "për një protektorat të OKB-së dhe prezencë të NATO-s në Kosovë", deri te vijueset për "një demilitarizim të Kosovës" për "një Kosovë të pavarur dhe neutrale" "të hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë", deri për "një njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA e shtetet e Bashkimit Evropian etj., etj!
Prandaj sot, vështirë të gjendet një parti tjetër jo vetëm shqiptare, por edhe simotër bashkë-kohanike e saj, duke marrë në konsideratë edhe të gjitha ato partitë e tjera që lindën në Evropën Lindore pas shembjes së Murit të Berlinit e që të kenë realizuar në tërësi të gjitha ëndrrat, gjithë misionin dhe kauzën e saj burimore, siç i ngjau Lidhjes Demokratike të Kosovës. Programi, misioni dhe vizioni i LDK-së burimore, përmblidhet shkurt e rugoviane në tri fjalë: "Liri, Demokraci dhe Pavarësi" për Kosovën! Të tria, të realizuara.
Ajo çfarë e bën LDK-në të krenohet në këtë përvjetor të 2008-ës, është historia partiake nën udhëheqjen e Rugovës respektivisht të binomit, Rugova-Agani. Me Fatmir Sejdiun dhe Eqrem Kryeziun, fillon ndarja e LDK-së post-rugoviste nga historia e saj e lavdishme. Aty ku mbaroi "Refuzimi Estetik" rugovian, filloi fatkeqësisht edhe një tjetër "Refuzim Estetik", po aq rugovian.
Por këtë herë jo si mendësi e LDK-ës, por si raport i rugovistëve karshi LDK-së së sotme.