| E diele, 04.09.2022, 08:00 PM |
DIALOGU NDËRMJET KOSOVËS DHE SERBISË
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Më 8 mars 2011 përfundoi në Bruksel mbledhja e
parë e delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë. Tema të dialogut ishin
kadastrat, qarkullimi ajror, telekomunikimet, kryesimi i CEFTA-s dhe pamja e
vulave doganore. Dialogu që zgjati dy ditë, vazhdoi të nesërmen.
Delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga zëvendëskryeministrja
e Kosovës Edita Tahiri (Prizren, 1956 - ), ndërsa ai i Serbisë, nga
drejtori politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Borisllav
Stefanoviq, i quajtur Borko Stefanoviq, 1974-).
Edita Tahiri deklaroi se kemi të bëjmë me një dialog të dy
shteteve të pavarura dhe bëhet fjalë për dialog teknik.
Sipas përfaqësuesit serb, Stefanoviqit, lidhur me
statusin e Kosovës, të dyja palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta
dhe se do të ishte iluzion të pritet se ndonjëra nga palët do ta ndryshojë
mendimin e vet. “Dialogu do të duhej të ndihmonte që të rregullohen
marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Fillimi i dialogut ishte vënë dyshim, për arsye se
Kuvendi i Kosovës nuk ia doli të miratojë rezolutë për dialog me Serbinë. Në
fund u vendos se gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për të marrë pjesë në
dialog, mjafton që delegacioni i Kosovës të niset për në Bruksel.
Dialogu zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit
Evropian. Në këtë mbledhje, në emër të BE-së, në cilësinë e ndërmjetësuesit,
mori pjesë diplomati britanik Robert Kuper (Robert Francis Cooper, 1947
-), ndërsa delegacioni i Uashingtonit, i përbërë prej tre anëtarëve, udhëhiqej
prej zëvendës ndihmës-sekretarit shtetëror për Evropë dhe Euroazi, Tomas
Kantrimen (Thomas M. Countryman, 1957 -).
Pas mbledhjes së dytë të planifikuar për të mërkurën, do
të shpallej komunikata e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të
Jashtme dhe Siguri, politikanes britanike Ketrin Eshton, Baronesha
Eshton (Catherine Margaret Ashton, Baroness Ashton of Upholland, 1956-).
Mediumeve do t’u drejtoheshin edhe përfaqësuesit e delegacioneve.
Në Bruksel përpiqen që çdo gjë të rrjedhë në mënyrë sa më
diskrete, ndërsa mbledhja prezantohet si takim pune dhe takim teknik,
duke shtuar se ky nuk është veçse fillimi i procesit.
Tema të dialogut dyditor, të kumtuar prej Brukselit, do
të jenë bashkëpunimi rajonal, liria e qarkullimit dhe sundimi i së
drejtës.
Për dallim nga dialogët paraprakë të zhvilluar në Vjenë,
rrethi i ri i dialogëve do të zhvillohet përjashtimisht me ndërmjetësimin e
Bashkimit Evropian, por edhe me praninë e ShBA-së.
*
* *
Dialogu midis përfaqësuesve të
Kosovës dhe të Serbisë u zhvillua sipas kronologjisë së poshtëshënuar:
- në vitet 1998-1999 – Uashingtoni e emëron diplomatin
dhe ambasadorin amerikan Kristofer Hill (Christopher Robert Hill, 1952
-) si të dërguar special për Kosovën. Deri në shkurt të vitit 1999, Kristofer
Hill udhëtonte në Prishtinë dhe në Beograd, duke u ofruar palëve një sërë
versionesh të zgjidhjes përfundimtare; Bashkë me Kristofer Hillin, në bisedime
merrnin pjesë edhe i dërguari special i Bashkimit Evropian, diplomati austriak
i etnitetit slloven, Volfgang Petriç (Wolfgang Petritsch, 1947-) dhe
përfaqësuesi i Rusisë, diplomati Boris Majorski;
- më 22 mars 1999 – nga Kosova u evakuua Misioni
vëzhgues i OSBE-së;
- më 23 shkurt 1999 – përfundojnë bisedimet në
Konferencën e Paqes në Rambuje afër Parisit ndërmjet delegacionit të Kosovës
dhe përfaqësuesve të Serbisë;
- më 23 mars 1999 – për të parandaluar një dramë
humanitare përmasash biblike dhe një tragjedi të popullsisë civile, NATO-ja
ndërhyn ushtarakisht kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe;
- më 9 qershor 1999 – përfundon ndërhyrja ushtarake e
NATO-s kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe
në Serbi; pas kësaj, forcat pushtuese kolonialiste serbe u tërhoqën nga Kosova;
në Kosovë hyjnë misioni i organizatës botërore,
UNMIK-u dhe trupat e NATO-s - KFOR-i;
Shënim: Rreth
një milion shqiptarë që ishin dëbuar forcërisht nga forcat fashiste serbe, e që
ishin strehuar në Shqipëri dhe në Maqedoni, filluan të rikthehen në vatrat e
veta. Mbi 600.000 shqiptarë ishin vendosur në Shqipëri, ndërsa rreth 360.000
sish - në Maqedoni.
*
* *
- fillimi i viti 2001 – Kryetari i atëhershëm i RS të
Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica (Vojislav Koštunica / ????????
?????????, 1944) paska tentuar të zhvillojë bisedime
me - sipas burimeve të huaja - liderin e shqiptarëve të
Kosovës Ibrahim Rugovën (1944-2006), por ekipi i Kosovës “ka
hequr dorë nga pjesëmarrja në mbledhjen përgatitore”. Të njëjtin fat e
paskan përjetuar edhe përpjekjet e kryeministrit Zoran Gjingjiq (Zoran
?in?i? / ????? ??????, 1952 – 2003) për vënien në lëvizje të procesit të
bisedimeve me - siç thonë burimet serbe – „shqiptarët e Kosovës“.
Shënim:
Zoran Gjingjiqi diplomoi në vitin 1974 në Fakultetin Filozofik të
Beogradit. Në vitin 1979 doktori për filozofi në Universitetin e Konstancës në
Gjermani. U vra në atentat në vitin 2003 në Beograd, nga ultranacionalistët
serbë të mbështetur nga ithtarët e zjarrvënësit të Ballkanit, Sllobodan
Millosheviq (Slobodan Miloševi? / ???????? ?????????,
Pozharevc, Serbi, 1941 – Hagë, 2006) dhe nga
radikali serbomadh Vojisllav Sheshel (Vojislav Šešelj / ????????
?????, 1954-).
*
* *
- më 7 tetor 2005 – Grupi i Kontaktit i miratoi
parimet e zgjidhjes së statusit të Kosovës; në to thuhet se zgjidhja duhet të
arrihet në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në
përputhje me demokracinë dhe me të drejtën ndërkombëtare; zgjidhja duhet t’i
kontribuojë edhe sigurisë në rajon;
- më 24 tetor 2005 – Këshilli i Sigurimit i KB-ve
dha dritë të gjelbër për fillimin e bisedimeve për të ardhmen e Kosovës.
Ambasadorët e forumit më të fuqishëm të organizatës botërore i mbështetën
propozimet e sekretarit të përgjithshëm të asaj kohe Kofi Anan (Kofi
Atta Annan; Rumasi, Ganë, 1938 – Bernë, Zvicër, 2018) që të fillojnë bisedimet
për statusin e Kosovës.
Shënim:
Diplomati ganez Kofi Anan ka qenë sekretar i përgjithshëm i OKB-së në
vitet 1997-2006. Në vitin 2001 mori çmimin “Nobel” për paqe.
*
* *
- më 11 nëntor 2006 – ish-kryetari i Finlandës Marti
Ahtisari u zgjodh për negociator kryesor; pas dhjetë ditëve mbërriti në
Prishtinë; me këtë praktikisht filloi edhe procesi i bisedimeve;
- janar 2006 – Grupi i Kontaktit i konfirmoi
parimet e bisedimeve dhe e ftoi Prishtinën dhe Beogradin të punojnë në mënyrë
konstruktive me Marti Ahtisarin, për të gjetur zgjidhje reale për shumë çështje
“të rënda” të cilat duhet të shqyrtohen;
- shkurt – shtator 2006 – U zhvillua dhjetë raunde
bisedimesh në Vjenë;
- më 24 korrik 2006 – u mbajt raundi i parë i bisedimeve
për statusin e Kosovës në nivel më të lartë, me ç’rast kryetari i Serbisë Boris
Tadiq (1958- ) “shqiptarëve të Kosovës” - sikundër shprehen burimet serbe –
u paska ofruar autonomi thelbësore në kufijtë e Serbisë, gjë që kryetari
i Kosovës Fatmir Sejdiu (1951-) e ka hedhur poshtë, duke theksuar se pavarësia
është e vetmja zgjidhje që do ta pranojnë shqiptarët.
Ahtisari deklaron: “Beogradi është i gatshëm të japë
çdo gjë përpos pavarësisë, ndërsa Prishtina nuk pranon asgjë përpos pavarësisë”.
Shënim:
Fatmir Sejdiu ka qenë kryetar i Kosovës në vitet 2006-2010.
- më 20 shtator 2006 – Marti Ahtisari në Nju-Jork e
njoftoi Grupin e Kontaktit me rrjedhën e bisedimeve “Duke qenë se ky
proces hyn në fazën vendimtare, ministrat shpresojnë për një zgjidhje të
përhershme të çështjes së madhe të fundit që ndërlidhet me shpërbërjen e
Jugosllavisë”.
- më 2 shkurt 2007 – Marti Ahtisari e paraqiti projektin
e zgjidhjes të cilin pala kosovare e mbështeti, ndërsa Serbia e hodhi poshtë.
Edhe pse në dokument fjala pavarësi askund nuk përmendej në mënyrë
implicite (të vetëkuptueshme), Kosovës i njihej e drejta për të aplikuar në
organizatat ndërkombëtare, të formojë forca të armatosura dhe të miratojë
simbole shtetërore.
- më 26 mars 2007 – Marti Ahtisari, në raportin
përfundimtar të paraqitur Këshillit të Sigurimit, si zgjidhje për
statusin e Kosovës propozoi pavarësi të mbikëqyrur. Në raport, midis
tjerash Ahtisari thotë: Riintegrimi i Kosovës në Serbi nuk është opsion
real; për këtë arsye pavarësia e mbikëqyrur nga ndërkombëtarët është zgjidhja
më e mirë”.
- më 25 prill 2007 – Këshilli i Sigurimit i KB-ve, me
kërkesë të Beogradit dhe të Moskës, dërgoi në Kosovë një mision të posaçëm i
cili brenda katër ditëve do të konstatonte gjendjen në terren, për arsye se do
shtete, anëtare të këtij forumi “kanë shprehur rezerva lidhur me zgjidhjet”
e propozuara nga Marti Ahtisari.
- më 13 korrik 2007 – ShBA-ja dhe shtetet anëtare të
BE-së, ia paraqitën Këshillit të Sigurimit propozimin e rezolutës së re për
Kosovën, të pestën me radhë, me të cilën Kosovës dhe Serbisë u lihet edhe 120
ditë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, por “pa
automatizëm në zbatimin e planit të Marti Ahtisarit, po qe se këto
bisedime nuk japin fryt”.
- më 20 korrik 2007 – të ballafaquar me kanosjen e vetos
së Rusisë, ShBA-ja dhe pesë anëtarët e BE-së, heqin dorë nga vazhdimi i
procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të KB-ve.
Këta paralajmëruan se që nga fundi i muajit korrik, për këtë proces do të
kujdeset Grupi i Kontaktit i përbërë prej gjashtë anëtarëve.
- Më 10 qershor 2007, presidenti amerikan Xhorxh Uoker
Bush (George Walker Bush, 1946-) paralajmëroi
nga Tirana: “Është koha që Kosova të bëhet shtet i pavarur”.
- më 10 gusht 2007 – treshi i negociatorëve BE-ja,
ShBA-ja dhe Rusia e filluan raundin e dytë të bisedimeve. Në
treshin ndërmjetësues, qëndrimi i ShBA-së nuk përputhet me atë të Rusisë. Uashingtoni
mbështet Kosovën, ndërsa Moska – Serbinë. ShBA-ja kërkon një zgjidhje
brenda 120 ditëve, e pikërisht në bazë të planit të emisarit të Kombeve të
Bashkuara, Marti Ahtisarit*. Rusia ndërkaq, thotë: “Pakoja e
Ahtisarit e ka humbur vlerën, ndërsa bisedimet nuk duhet kufizuar në
pikëpamje kohore”.
Shënim: Marti
Ahtisari (Martti Oiva Kalevi Ahtisaari; Vyborg, Rusi, 1937- ) është
diplomat finlandez, mediator apo ndërmjetësues i Kombeve të Bashkuara, kryetar
i Finlandës në vitet 1994-2000; në vitin 2008 mori çmimin “Nobel” për paqe.
*
* *
- më 27-28 shtator 2007 – shefat e diplomacisë të vendeve
të Grupit të Kontaktit theksuan në Nju-Jork përcaktimin për një zgjidhje
me marrëveshje të statusit të Kosovës, të cilën do ta konfirmonte Këshilli
i Sigurimit i KB-ve.
Bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet përfaqësuesve të
Prishtinës dhe të Beogradit, pas të cilave pala kosovare paraqiti Propozimin e
marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet dy
shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Këtë propozim, Serbia e refuzoi.
- më 10 dhjetor 2007 – treshi i negociatorëve BE-ja,
ShBA-ja dhe Rusia, pas 120 ditë bisedimesh, e përfunduan
misionin. Në raportin e diplomatit gjerman Volfgang Ishinger (Wolfgang
Friedrich Ischinger, 1946-), të diplomatit amerikan Frenk Uizner (Frank
George Wisner, 1938 -) dhe të diplomatit rus, tani ambasador në Beograd,
Aleksandar Bocan Harçenko (Alexandr Botsan Kharchenko, 1957 -) thuhet se
Prishtina dhe Beogradi nuk kanë arritur marrëveshje për statusin e ardhshëm
të Kosovës dhe se të dyja obligohen që të përmbahen nga dhuna. Beogradi ka
kërkuar vazhdimin e “bisedimeve”, ndërsa shqiptarët nuk heqin dorë nga
shpallja e pavarësisë;
- më 19 dhjetor 2007 – Sipas burimeve serbe, Këshilli i
Sigurimit i KB-ve “nuk ka nxjerrë kurrfarë konkluzioni lidhur me çështjen e
statusit të ardhshëm të Kosovës”. Serbia ka kërkuar vazhdimin e bisedimeve
dhe i është kundërvënë dërgimit të misionit të BE-së në Kosovë, pa një vendim
paraprak të KB-ve. Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu (1951-) deklaron se
për statusin e Kosovës, pavarësia është e vetmja zgjidhje e pranueshme;
- më 14 shkurt 2008 – Qeveria e Serbisë mori Vendim “për
anulimin e akteve të paligjshme të organeve të përkohshme të vetëqeverisjes
në Kosovë dhe Metohi për shpalljen e pavarësisë së njëanshme”;
- më 17 shkurt 2008 – Kuvendi i Kosovës shpalli
pavarësinë. Në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës pasuan manifestime. Në
ditët e ardhshme, pavarësinë e Kosovës e njohën: ShBA-ja, Shqipëria,
Austria, Gjermania, Italia, Franca, Britania e Madhe, Turqia, Australia,
Polonia etj. Deri më sot, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 shtete të
botës.
- më 18 shkurt 2008 – Kuvendi i Serbisë e vërtetoi
vendimin e qeverisë për anulimin “e shpalljes së njëanshme të paligjshme të
pavarësisë së Kosovës”. Në një seancë të jashtëzakonshme, për aprovimin e
propozimit të Qeverisë së Serbisë, votuan 225 deputetë.
- më 21 shkurt 2008 – sipas burimeve serbe, në mitingun “Kosova
është Serbi”, të mbajtur në qendër të Beogradit qenkëshin tubuar “rreth
500.000 vetë”. Në trazirat që pasuan pas mitingut, humbi jetën një
demonstrues. Qenkëshin plagosur rreth 200 vetë, ndërsa 192 vetë policia paskësh
shoqëruar në stacion policor. Demonstruesit e dogjën ndërtesën e
ambasadës së ShBA-së dhe e demoluan ambasadën e Kroacisë.
- më 26 mars 2008 – Serbia paralajmëroi se do të kërkojë
që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të deklarohet nëse me shpalljen e
pavarësisë së Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare. Serbia do ta
ndërmarrë këtë nismë nëpërmjet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të
Bashkuara.
- më 15 gusht 2008 – shefi i diplomacisë serbe Vuk
Jeremiq (Vuk Jer?mi? / ??? ???????, 1975 -) zyrtarisht
i paraqiti kërkesë Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, duke
kërkuar që ky forum ta mbështesë rezolutën e
Serbisë me të cilën kërkohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të
Drejtësisë lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pyetja
drejtuar kësaj gjykate ka këtë përmbajtje: “Pavarësia e Kosovës e shpallur
njëanshëm nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes të Kosovës, a është
në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”
- më 8 tetor 2008 – Asambleja e Përgjithshme e KB-së, me
shumicë votash, miratoi kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e
Drejtësisë të deklarohet lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së
Kosovës. Propozimin e rezolutës të paraqitur nga Serbia e mbështetën 77
delegatë. Kundër këtij propozimi votuan gjashtë delegatë, përkatësisht
përfaqësuesit e Palaut, Naurus, Mikronezisë, Ishujve Marshall, Shqipërisë dhe
të ShBA-së.
- prej 1 deri më 11 dhjetor 2009 – Në Gjykatën
Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë filloi shqyrtimi i shpalljes së pavarësisë
së Kosovës. Kosova dhe Serbia kishin në dispozicion nga tri orë për t’i nxjerrë
argumentet. Gjatë një shqyrtimi që zgjati nëntë ditë në Gjykatën Ndërkombëtare
të Drejtësisë në Hagë, mendimin e vet për legalitetin e shpalljes së pavarësisë
e dhanë 29 delegacione;
- më 22 dhjetor 2009 – skadoi afati i përgjigjeve për tri
pyetjet të caktuar nga gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në fund
të shqyrtimit nëntëditor – a lejohet pavarësia jashtë kontestit të
dekolonizimit; në vjeshtë të vitit 2007, institucionet e Kosovës a kanë
zhvilluar fushatë për zgjedhje mbi platformën e shpalljes së pavarësisë dhe a
është përcaktuar me dokumentin e Rambujesë e drejta për vetëvendosje;
Shënim: Konferenca
e Paqes e Rambujes ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe përfaqësuesve
të Serbisë, u mbajtën në Rambuje (Rambouillet) afër Parisit. Zgjati 17 ditë.
Filluan në 6 shkurt 1999 për t’u mbyllur më 23 shkurt të po atij viti.
*
* *
- në korrik 2010 – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshti me të
drejtën ndërkombëtare;
- në shtator 2010 – Asambleja e Përgjithshme e KB-së
miratoi një rezolutë me të cilën i hapen dyert fillimit të dialogut ndërmjet
Prishtinës dhe Beogradit. Me këtë rast, përshëndetet gatishmëria e BE-së për të
ndërmjetësuar në dialog;
Përfaqësuesit e Kosovës, ShBA-së, Britanisë Madhe,
Francës, Gjermanisë, Holandës, Austrisë, Norvegjisë, Danimarkës, Finlandës,
Bullgarisë, Kroacisë, Jordanisë dhe të Arabisë Saudite mbrojtën
qëndrimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshti me të
drejtën ndërkombëtare. Përfaqësuesi i Burundit vlerësoi se Kosova do të
vazhdojë të ekzistojë si entitet, pavarësisht vendimit të Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Serbia, Rusia, Kina, Spanja,
Rumania, Qiproja, Argjentina, Brazili, Vietnami, Bolivia, Venezuela,
Azerbajxhani dhe Bjellorusia vlerësuan se shpallja e pavarësisë
së Kosovës është në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare.
*
* *
Nga zvarritja apo prolongimi i dialogut ndërmjet Kosovës
dhe Serbisë në Bruksel, mund të konstatohet:
- se në dialogun e sipërthënë, tërthorazi ka qenë e
implikuar edhe Moska apo më saktë, kryetari i Rusisë Vlladimir Putin (1952-);
- se qendrat proruse të BE-së, nën ndikimin
e Putinit, janë shndërruar në qendra filoserbe;
- se Berlini dhe Parisi, të konsideruara lokomotiva të
BE-së, nuk kanë ndërmarrë asgjë për ta rrumbullakuar shtetësinë Kosvës;
- se Serbia ka qenë e përkëdhelura e qendrave proruse të
Brukselit;
- se nuk është e rastit që shefi i diplomacisë evropiane Josep
Borel (Josep Borrell, 1947- ) vjen nga një shtet si Spanja, që s’e
ka njohur pavarësinë Kosovës;
- se nuk është e rastit që përfaqësuesi special i BE-së
për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak (Miroslav
Laj?ák, 1963- ) vjen nga një shtet që s’e ka njohur pavarësinë Kosovës.
Presidenti i Francës Emanyel Makron (Emmanuel
Macron, 1977- ) dhe ish-kancelarja gjermane e vizitojnë Beogradin, duke e
anashkaluar Prishtinën.
Në Serbi kanë investuar me të madhe firmat e
Gjermanisë. Aty kanë hyrë edhe investime të Francës dhe
të Italisë. Madje Franca i shiti Serbisë edhe armë.
Në kohën e kancelarëve Gerhard Shreder (Gerhard
Schröder, 1944- ) dhe Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, 19540- ), marrëdhëniet
ekonomike ndërmjet Gjermanisë dhe Rusisë së Putinit, arritën një shkallë të
lartë. Nga këto marrëdhënie përfitonin të dy shtetet, si Gjermania, ashtu edhe
Rusia. Merkeli i siguronte Gjermanisë dhe Evropës lëndë djegëse energjetike,
naftë dhe gaz natyror. Në saje të kësaj, Gjermania arriti një shkallë të lartë
të zhvillimit ekonomik, por nga këto marrëdhënie përfitoi edhe Rusia e Putinit.
Nga marrëdhëniet e lartpërmendura, Gjermania dhe Evropa u bënë të varura nga
nafta dhe nga gazi natyror rus. Shrederi dhe Merkeli nuk kërkuan rrugë
alternative për të siguruar lëndë energjetike – naftë dhe gaz natyror.
Nuk është vështirë të konstatohet se Putini i ka kërkuar
Angela Merkelit që për statusin përfundimtar të Kosovës të mbështesë një
zgjidhje kompromisi.
Putini nuk është më tërheqës për qendrat proruse dhe
filoserbe të BE-së. Atij i ka mbetur të takohet me kryetarin e Koresë së Veriut
Kim Jong-un (1984-).
Po të mbetet për BE-në, mbyllja përfundimtare e statusit
të Kosovës do të qëndronte pezull deri në pafundësi. Rrumbullakimin e
shtetësisë së Kosovës do ta bëjë ShBA-ja dhe vetëm ajo.
*
* *
Është detyrë e shqiptarëve ta luftojnë korrupsionin
në të gjitha nivelet e shoqërisë, përfshirë edhe majat e shtetit dhe të
politikës. Ta luftojnë edhe nepotizmin. Politikanët që janë nën hipotekë
nuk mund të udhëheqin shtet.