Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sadik Bejko: Takim në kryeministri me Kiço Kasapin

| E hene, 29.08.2022, 07:13 PM |


TAKIM NË  KRYEMINISTRI ME KIÇO KASAPIN

(Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë)

Nga Sadik Bejko

Janar  1974 . Punën, karrierën time, por dhe jetën time ngjante se po m'i merrte lumi. Urdhëri qe i prerë: të lija punën si redaktor në Radio Televizionin Shqiptar dhe të shkoja punëtor nëntoke në minierën e qymyrgurit në Memaliaj. E kisha ndjekur hallin tim zyrtarisht, në rrugë ligjore, por dhe me miq, me shokë e të njohur dhe nuk më kishte ecur. Fund... isha dorëzuar. Do t’i nënshtohesha fatit.

Disa nga të afërmit e mi, kush të mundej e si të mundej, po bënin përpjekje e fundit për të më ndihmuar.

Pa pritur, pa më pyetur, në këtë rrugë u vu dhe gruaja ime. Ishim në vitin e parë të martesës. Të pa strehë. Banonim në hotel “Durrësi”, aty ku sot ngrihet 15-katëshi. Gruaja atëherë, 23 vjeçe, shtatzanë në muajin e tetë, punonte si korrektore në botimet shkollore.

Asaj iu kujtua se një shoqja e saj e Fakultetit e kishte të atin Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Nuk e kishte shoqe të afërt, por halli të detyron të trokasësh në shumë dyer, me shpresë se ndonjë nga ato do të hapet. Merr hallën e saj, që ia dinte shtëpinë, dhe shkojnë t’i kërkojnë ndihmë.

Në hyrje të shtëpisë ia qau hallin shoqes së viteve studentore. Vajza e zyrtarit të lartë të shtetit u prek që ish-shoqja e saj me barkun në buzë po i trokiste në derë për një hall që të luante mendjen e kokës. Menjëherë i fton bashkë me hallën në shtëpi.  Pas pak vjen dhe zyrtari i lartë i shtetit. Është mikpritës. I dëgjoi. Tha: urdhëri që burri yt të shkojë, aty ku e kanë caktuar, nuk mund të ndryshohet. Për ty, i thotë Fridës, nuk ka ndonjë urdhër të tillë. Ti mos u largo nga Tirana, vazhdo punën. Jam e vetme, në hotel, pres një fëmijë.., nuk mund të qëndroj në Tiranë. Së paku, po kërkoj që burri im të punojë diku në njërën nga minierat pranë Tiranës. Zyrtari që nuk premtoi asgjë, kur i përcolli te dera, u tha se mund të fliste me mua. Dhe la një takim në Kryeministri në zyrën e tij.

Gruaja ime edhe pas shumë vitesh nuk e harron përshtypjen e mirë që i la ish-shoqja e saj e fakultetit. Edhe sjellja e atit të saj ishte e prirur për mirë.

Por mbase përshtypja e saj për zyrtarin e lartë ka qenë e gabuar. Ai, duke e këshilluar, (ia përsëriti disa herë) që të qëndrojë në Tiranë, të vazhdojë punën aty ku është, tërthorazi i kishte sugjeruar ndarjen nga burri. Kjo, sipas tij, nënkuptonte se punët e burrit të saj e kishin marrë rrokullimën nga një e keqe pa kthim. Një e keqe që nuk i dihej fundi. Ndaj... të shihte punën.

Si e ka ditur ai se punët po më shkonin aq keq, sa kësaj nuseje me fëmijë në bark, i sugjeronte që të ndahej prej burrit të saj? Në ç’zyra kish telefonuar para se të jepte këshilla të tilla? Mbase Zyrtarët e Lartë të asaj kohe i kishin të gjitha të drejtat dhe mundësitë që t’i njihnin dosjet me të dhënat sekrete për çdo njeri që shteti nuk e donte. Po ku e gjeti aq shpejt dosjen time, kur takimi në shtëpinë e tij, ishte spontan, i pa lajmëruar më parë? Mbase ai për detyrën që kishte, në çdo kohë mund të merrte informacionin që dëshironte. Me një telefonatë te një zyrë. Me një telefonatë te një mik i besuar...

Veçse në Kryeministri, bënte dhe ndonjë punë tjetër ai njeri?

Pyetje të tilla nuk janë vetëm hamendësime në erë.

Pritja dhe biseda që bëra më pas me atë në zyrën e tij në Kryeministri, do të dëshmonin se ai ishte më shumë sesa një zyrtar i mirëinformuar. Ishte dhe një njeri jo aq i prirë për të bërë mirë.

Takime të tilla me njerëz të rëndësishëm që kanë pasur në dorë të ndikojnë në fatin tënd, të mbeten në mendje dhe të sillen aty për një kohë të gjatë. Mbase njeriu që ty në ato momente të është dukur i rëndësishëm, sa të ndikojë për mirë në fatin tënd, nuk ka pasur aq fuqi sa duhet. Ai nuk mund të ndikonte për mirë a për keq qoftë.

Fuqi mbase nuk ka pasur, por a ka qenë i prirë për të të ndihmuar?

Nuk dua ta gjykoj atë njeri që e takova vetëm një herë në jetën time. Dhe e takova se deshi ai të më takojë. Nuk kishte ndonjë detyrim zyrtar a miqësor ndaj meje.

Hamendjet, pikëpyetjet më lart mbeten të gjitha të mijat.

Pritja në Kryeministri u bë pas disa ditësh. Ishte një burrë shtatlartë dhe shumë elegant në veshjen, në sjelljen e tij. Lëvizjet e tij ishin të zhdërvjellta, elastike. Kostumi i tij blu ishte i prerë mirë mbas trupit. Mbulesat e kolltukëve ku u ula, kishin një dizenjo me skena gjahu. Gjahtarë, zagarë, pyll, zogj të stilizuar në degë pemësh. Një ngjyrë okërr që këmbehej me të gjelbër. Veç këta kolltukë kërcisnin kur uleshe, se sustat e tyre ishin të lodhura.

Burri dukej se ishte i zënë me punë, ishte në ngutje e sipër për të dhënë përgjigje mbi çështje të zyrës së tij. Më la të prisja pak. Pastaj u kthye nga unë me një qëndrim aspak zyrtar, gati sikur të isha djalë i ndonjë mikut të tij. Ky nuk ishte nga ata zyrtarët që të ngrinin gjakun. Një nënqeshje në buzët e tij të thoshte se biseda do të ishte miqësore. Kjo më bënte që në një farë mënyre të isha i hapur me të. Në ato muaj nga halli që më kishte zënë, pata trokitur në shumë zyra. Nuk më emociononin dhe aq zyrtarët e lartë të shtetit. Edhe kur të prisnin mirë, nuk të mbaronin punë.

Ky më ngjante i ndryshëm për stilin e tij jo rreptësisht formal.

Hë, më tha, si të kërkonte ndjesë që kishte kaq punë nëpër këmbë për të mbaruar, ç’mund të bëj për ty?

I thashë shkurt se doja ndihmë për çfarë më kish ndodhur

Po kot të çojnë të punosh minator nëntokë, më thotë.

I shpjegoj se më akuzojnë pa të drejtë si fallsifikator i një dëftese të shkollës 7-vjeçare.

Pa ma sqaro më shumë, më thotë.

Sytë e tij dinin gjithçka, zotëronin gjithçka. Ai, gati i dinte që më parë ato që do t’i thoshja.

E sqarova: Isha mësues në shkollën A. Dëftesa e fallsifikuar mban emrat, firmat, vulën, numrin e amzës të shkollës B.  Si mund ta lëshoja një dëftesë të tillë, unë mësuesi i një shkolle tjetër.

Me një gjysmë buzëqeshje më thotë se duhet ta lëmë, të mos flasim më për dëftesën. Është një ngatërresë, një ngatërresë...

Atëherë?

Ti, më thotë, para tre vjetësh je emëruar në një nga Institucionet më me rëndësi të shtetit, në RTSH. Kush të ka rekomanduar?

I thashë emrat e disa prej poetëve dhe shkrimtarëve të njohur. Miq të mi.

Ke biseduar, ke punuar, ke njohje me shkrimtarë, me muzikantë. A mund të më thuash diçka mbi bisedat e bëra me këta persona....

Përmendi emrat e katër vetëve. Tre shkrimtarë, njëri muzikant. Në letërsi  ishin nga emrat më të rëndësishëm. Me ta takohesha shpesh. Në ditët kur ishim në pikun e punëve, e gdhinim bashkë. Kemi ngrënë, kemi pirë. Siç thuhet, kemi folur mbarë e mbrapsht.

Pas tronditjes, e mora veten.

Kjo që më kërkoni nuk ka kuptim. I mbani mend ju bisedat që bëni me miqtë tuaj. Si gjithë njerëzit kam folur, pa menduar të regjistroj se ç’kemi folur spontanisht  me miqtë e mi. Ka burrë që i mban mend bisedat?

Tani ai ndërroi qëndrim. Pa pritur ishte bërë provokues, të sulmonte me vështrim.

Më tha: ti e kupton se për çfarë bisedash të pyes. Këto biseda mbahen mend.

Më së fundi, ky burrë i kishte nxjerrë dhembët. Po më kërkonte të spijunoja miqtë e mi. Dhe kjo në një zyrë të lartë të shtetit, në kryeministri, në një institucion administrativ, neutral, larg nga zyrat e shërbimeve sekrete, nga zyrat policeske të shtetit.

Prandaj pak më sipër bëra pyetjet: Ku punonte në të vërtetë ky njeri?

I thashë se unë nuk bëj nga ato biseda që mendoni ju.

Pse, më tha? Deri tani the që bën aq biseda, sa nuk i mban mend.

Por jo nga ato biseda që nënkuptoni ju. Jam i bindur. Nuk bëj me asnjë njeri biseda që mund të më vënë në pozitë të rrezikshme.

Nga e paske këtë bindje, më tha me një grimasë gati sarkastike.

Ai ishte si në qiell dhe unë mund t’i dukesha si një fije fshese në dysheme.

Pse nuk kam bërë biseda nga ato që më pyesni ju? Se e di që po të rrezikohem, nuk kam ku të mbështetem, nuk kam shpatulla të forta që të më mbrojnë. Babai, vëllezërit e mi janë në kooperativë, punojnë tokën. Në këtë ditë të zezë, kë kam pranë? Ja, po më mbron kush? Këtë e kam ditur gjithmonë, ndaj kam bindjen që është kështu si them unë.

Ke bindje ti, po ne kemi prova, më tha.

Tani do të më falësh, sa të mbaroj nja dy punë. Dil në paradhomë dhe mendohu për çfarë të thashë.

U ula prapë në kolltukët e veshur me pëlhurën e dizenjuar me skena gjahu. U ula pa kujdes te njëri nga kolluqet. Ai ishte aq i fortë sa më hodhi lart. Nuk më pranoi. U ula te një tjetër që kërciste, por të pranonte.

Pas pak dera u hap.

Hyra.

U mendove, më tha.

Nuk kam përgjigje tjetër, veç asaj që dhashë. Nuk kam bërë biseda të padëshiruara për shtetin me asnjë njeri.

Ik, më tha, udhën e mbarë në minierë. Dhe... mbaj vesh: ul kokën e puno. Porosia është: Ul kokën e puno.

Edhe sot pyes veten: Mos ai njeri punonte dhe në Kryeministri dhe në Sigurimin e Shtetit?

Shënim 1.

Vite më vonë, nga zyrtarë të shërbimit informativ mora vesh se në dosjen time formulare, hartuar nga Sigurimi i Shtetit, tre nga emrat që më përmendi Zyrtari i Lartë i Kryeministrisë kishin bërë denoncime për mua. Për fat të keq, miq e baskëpunëtorë të mi. Nuk i kam përmendur kurrë publikisht.

Shënim 2.

Në muajt e parë të punës në minierë, sa herë dilja nëpër rrugë, në kafe, në autobus a kudo e kisha nga pas një njeri. Kur mërzitesha me ta, i takoja dhe u thosha: nuk u lodhe mbas meje, more spiun. Më vinin një tjetër. Pastaj një tjetër. Kështu në gjashtë-shtatë muaj më ndiqnin hap mbas hapi.

facebook.com/sadik.bejko.3