Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Remzi Limani: Poetika e ndërtuar mbi dhembjen

| E shtune, 27.08.2022, 06:03 PM |


POETIKA E NDËRTUAR MBI DHEMBJEN

Pak fjalë mbi librin e parë me poezi dhe prozë poetike KLITHMË MBI JEHONË nga Flaka Fazlija (Shtëpia botuese, "Artini", Prishtinë,  2016

Kur dhimbja na vë prangat e padukshme, nga shtysat tona të brendshme, nëpër vringëllimën e shpatave të kohës njerkë, mundohemi ta nxjerrim helmim e kafshimit të gjarprit, për ta kuptuar tmerrin dhe pafajësinë tonë e cila mund të na godas rëndë...

Shkruan: Remzi Limani

Në librin KLITHMË MBI JEHONË të autores Flaka Fazlija, takohemi me orën e vrarë, dhimbjen dhe dhembjen e saj për krahun e thyer,  atëbotë kur babai i poetes Dr. Fatmir Fazlija - një humanist veçan, i cili ishte krah i UÇK-së dhe nuk arriti të dilte nga ferri i luftës barbare ku pësuan edhe shumë të tjerë. Tani, poetika e ndërtuar mbi dhembjen e poetes, Flaka Fazlija, ka vetëm një qëllim; ta shtrydhë lotin e pafajësisë, i cila rrjedh nga të bëmat e bajlozit të zi mbi tokën shqiptare. Mbi këtë kontekst, poetja e respektuar,  sikur shtron qilimin e shtëpisë me qëndizma lulesh të kuqe e të zeza, mbi të cilin shtron etjen për ta fikur zjarrin e saj dhe, duke shtruar dhimbjet, lulet e kuqe marrin bojë kërmezi, ndërsa të zezat marrin faqen e futës...  Kjo pra, na dëshmon forcën e poetes Fazlija, e cila mbi të shtruarat e saj mundohet t'i mbjell ca fidane mrekullish nga të cilat do të mbinte lumturia si një frymë e re,  për të vazhduar me udhët e bardha që shtrihen para saj dhe njëkohësisht,  krahut të thyer t'i vë pallaska për një fluturim të mbarë, që do ta përthekonte universin e një poeteje të suksesshme.

Së fundmi, mund të themi: se poezia e ndërtuar nga Flaka Fazlija, padyshim ka një strukturë të lakmueshme poetike, e cila është e gatuar nga shpirti i vrarë,  të cilin me lehtësi mund ta kuptoj dhe adhuroj lexuesi i poezisë lirike.