Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hazir Mehmeti: U mbajt Festivali Mbarëkombëtar i Folklorit Burimor

| E enjte, 25.08.2022, 07:05 PM |


U MBAJT FESTIVALI MBARËKOMBËTAR I FOLKLORIT BURIMOR ”RAPSHA 2022” MALËSI E MADHE

Fituese e festivalit u shpall “Çeta e Profetëve” nga Kruma

Nga Hazir Mehmeti

Tuz, 20-21 gusht 2022.

Festivali i gjashtë mbarëkombëtar i folklorit “Rapsha 2022” gjatë tri ditëve shpalosi vlerat e folklorit burimor nga të gjitha trevat shqiptare. Shoqëria Kulturo-artistike “Rapsha”, Drume, Hot, Malësi e Madhe edhe një herë shkëlqeu në jetën e saj dyzet vjeçare.  Edhe pse në kohë moderne, shoqëritë kulturo artistike kultivojnë folklorin burimor shqiptar për të mos u harruar vlerat e tij artistike si baza e identitetit tonë.   Rreth burimit të kthjelltë në Vitojë në skenën e improvizuar  defiluan mbi treqind artistë me këngët e vallet e tyre popullore. Në secilën natë ishin mbi dy mijë spektatorë nga Malësia dhe trevat shqiptare. Salla natyrore e gdhendur në shkëmbinjtë i ngjante një amfiteatri të lashtë duke krijuar ambient artistik madhështor.

Tuzi në tri mbrëmje u gjallërua nga grupet artistike të cilat defiluan të përcjellë nga banorët që mbushnin trotuaret dhe sheshet.  Shoqëria Kulturo Artistike “Rapsha” nga Malësia e Madhe ishte organizatore e suksesshme të cilën e ndihmuar shumë veprimtarë nga Malësia e Madhe dhe nga Shtet e Bashkuara të Amerikës si donatori kryesor i festivalit.

Tubimin e hapi  drejtori i drejtorisë së festivalit dhe kryetar i ShKA “Rapsha” Z. David M. Junçaj. Pasi përshëndeti pjesëmarrësit dhe të pranishmit, ai mes tjerash tha: “Në programin e festivalit do të shpaloset folklori nga të gjitha trojet etnike shqiptare si dhe diaspora jonë e mrekullueshme, duke dëshmuar kështu se kombi shqiptar di të ruajë kulturën dhe traditën e vetë, e që Festivali është vendi më i përshtatshëm të pasqyrohet kjo, por edhe të kultivohet tek brezat e rinj... .  Nuk ka asnjë komb në botë, të jetë i ndarë në pesë shtete, siç është kombi ynë. Vërtetë historia na ndau, por kurrë me zemër, kurrë ! Qëndruam stoik e të papërkulur, ndaj edhe sot siç e shikoni është koha jonë, koha e shqiptarëve.” Në vazhdim David Juncaj, falënderoj Fondin Humanitar Rapsha, i drejtuar nga  Lindon Lajçaj, me seli në Michigen, anëtarët e së cilit organizuan aksion për grumbullimin e mjeteve financiare të nevojshme. Ai falënderoi po ashtu donatorët vendor, kuvendin e Tuzit si dhe mediat që i kontribuuan në afirmimin e festivalit.  Malësia jonë e dashur i pranon dhe nderon të gjithë bashkëkombësit tanë nga trojet shqiptare. Dua tu siguroj se do jemi përherë me ju aje ku e do vendi dhe kombi. Fondi humanitarë “Rapsha” grumbulloi afër 40 mijë dollar për Festivalin Mbarëkombëtarë Folklorik “Rapsha 2022”. Festivali u ndoq edhe nga përfaqësuesit diplomatik e konsullor nga Shqipëria e Kosova.

Gjatë tri netëve të festivalit garuan: SHKA “Rapsha” nga Rapsha,  SHKA “Malësori” nga Prizreni, SHKA “Maja e Karafilit” – Plavë, Ansambli “Gurra e Kurbinit”- Laç , SHKA “Jahi Hasani” nga Qegrani i Gostivarit, Ansambli folklorik “Çipini”  nga Vlora, SHKA “Zëri i Luginës” Bujanoc- Lugina e Preshevës, Ansambli Këngëve dhe Valleve “Deçani” nga Deçani, AKV “Kastriotët”- Ferizaj, Ansambli “Afërdita “Elbasan “, SHKA “Jehona e Kelmendit” – Kelmend.- SHKA “Koha” – Dinoshë, Ansambli folklorik “Visarët e Krrabës”- Tiranë, SHKA “Qyprillinjtë e Roshnikut”- Berat, Ansambli i folklorit autokton” Bresana”- Dragash.  Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Prishtina”-Prishtinë, Shoqëria Kulturore Artistike “Dedë Gjo Luli”-Traboin, Hot, Ansambli “Rugova” – Rugovë, Pejë, Shoqëria Kulturore Artistike “Gryka e Kaçanikut” – Kaçanik, Ansambli “Çeta e Profetëve”-Krumë, Has, Kukës.  Ansambli “Gjergj Kastrioti”-Detroit, Ansambli “Myzeqeja”-Fier.

Secila shoqëri kishte në raportuarin e saj të veçantat e folklorit nga rrethet e saja prej nga vinte, kostumet, këngët dhe vallet. Mbresëlënës ishin veshjet popullore të zonave me koloritin e tyre, një pasuri me vlera kombëtare e ndërkombëtare. Instrumentet dhe instrumentistet duke filluar nga lahuta e gërneta e mrekulluan publikun.   Në natën e fundit juria e gjerë nga ekspert muzikolog e etnolog e përfaqësuar nga kryetarja  Prof. Dr. Afërdita Onuzi, shpalli fituesit: Vendin e parë e fitoi Ansambli “Çeta e Profetëve”-Krumë, Has, Kukës. Vendin e dytë Ansambli Folklorik “Çipini”-Vlorë, kurse vendin i tretë iu nda Shoqërisë Kulturo Artsitike “Jahi Hasani” – Çegran-Gostivar.

Dilaver Kryeziu, paraqiti rezultatet e jurisë për plasmanë individuale : kërcimtari më i mirë- Pëllumb Maraj,- kërcimtarja më e mirë, Rilinda Gjonbalaj-SHKA “Maja e Karafilit”. Vallja më e mirë, i takoi Shoqërisë Kulturore Artistike “Malësori” – Prizren, këngëtari më i mirë, Marash Dushaj, nga SHKA, “Dedë Gjo Luli”. Këngëtarja më e mirë, Mida Aliu, nga Kurbini, rapsodi më i mirë i këtij- Gjokë Kalaj. Grupi polifonik më i mirë- Ansambli Folklorik “Çipini”-Vlorë, rituali më i mirë- Shoqëria Kulturo Artistike “Jahi Hasani” – Çegran-Gostivar. Instrumentisti më i mirë nga Ansambli “Afërdita” – Elbasan, grupi instrumental më i mirë- Shoqëria Kulturore Artistike “Qyprillinjtë e Roshnikut ”, veshja më origjinale-Shoqërisë Kulturore Artistike “ Maja e Karafilit” – Plavë-Guci, veterani i festivalit-Ansambli Autokton i Folklorit “Bresana”-Dragash, kërcimi i dyshes më të mirë i takojë Ansamblit të këngëve dhe valleve “Deçani” -Deçan, ndërsa Çmimi special i takoi-Shoqërisë Kulturore Artistike “Malësori” – Prizren. Programi u drejtua me shije nga gazetari i njohur Llesh Nikolla dhe grupi i tij.