| E premte, 19.08.2022, 08:00 PM |
NË 10-VJETORIN E
SHKUARJES NË AMSHIM TË ARBËN XHAFERIT
Kujtime nga takimi i
vitit 2005
Nga
Frank Shkreli
10
vjetë më parë, me 15 gusht 2012, ndërroi jetë, intelektuali, publicisti,
politikani, por mbi të gjitha patrioti me zemër e me shpirt, i trevave
shqiptare, Arbën Xhaferi. Në jetën e përditshme, secili prej nesh takon njerëz
të thjeshtë, personalitete të njohura dhe jo aq të njohura. Pas takimit me ta,
disa qëndrojnë mbi të tjerët, për nga përshtypja dhe mbresat e paharrueshme që
mbeten nga takimet sa do të shkurtra, por të mjaftueshme për të arritur në një
vlerësim të personit, se çfarë e dallon atë nga të tjerët. Për disa,
falënderojmë Zotin që na jepet mundësia t’i takojmë. Për disa të tjerë…?
Për
mua, njëri nga këto përsonalitete të shquara intelektuale të botës politike dhe
të publicistikës shqiptare që kam pas fatin, nderin dhe privilegjin ta takoja gjatë
viteve, ka qenë dhe mbetet Arbën Xhaferi, i njohur, anë e mbanë trojeve
shqiptare.
Ishte
viti 2005 dhe kisha vendosur që të bëja një turne fakt-mbledhës në trojet
shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA) për t’u këshilluar me krerët e politikës shqiptare
dhe me përfaqësuesit diplomatikë amerikanë në rajon për raportuar mbi gjendjen
në trojet shqiptare — me të kthyer në Washington – organizatës që përfaqësoja,
KKSHA-në, si dhe zyrave dhe personave përkatës të administratës dhe të
Kongresit Amerikan, që merreshin dhe ishin të interesuar me çeshtjet shqiptare
në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i vizitës në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe
Tetovë ishte për të parë dhe për t’u njoftuar nga afër me gjëndjen aktuale në
rajon, përfshir takimet me protagonistët kryesorë të politikës shqiptare në
trojet iliro-arbënore.
Pjesë
e këtij turneu ishin takimet me udhëheqësit politikë shqiptarë në detyrë, në
Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, përfshirë edhe udhëheqësit e partive politike
shqiptare, pa dallim, pozitë dhe opozitë.
Vizitën
në Maqedoni, si pjesë e këtij turneu, e filluam me një takim në Ambasadën
amerikane në Shkup për të marrë vlerësimin e tyre politik për gjendjen në
rajon. Pastaj takimin e parë me përfaqësuesit politikë shqiptarë në atë vend, e
filluam në Tetovë, pikërisht, duke u takuar me z. Arbën Xhaferi, të cilin nuk e
kisha takuar asnjëherë më parë. Në kapacitetin e tij si Kryetar i Partisë
Demokratike Shqiptare në Maqedoni, z. Xhaferi pati mirësinë të na priste për
një takim – të rezervuar më heret e që zgjati gati një orë — në kryeqendrën e
Partisë së tij në Tetovë – ndonëse ishte e qartë se sëmundja kishte filluar ta
rëndonte. Megjithëse dukej i lodhur fizikisht, i thjeshtë në pamje dhe modest
në bisedë, në të shprehur të mendimeve, Xhaferi ishte i kthjelltë dhe i thellë.
Pas përshëndetjeve fillestare të rastit dhe kafesë, filluam të flasim për
situatën në vend.
Pyetjes
time mbi gjendjen aktuale politike, z. Xhaferi iu përgjigj duke filluar të
fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe
për marrëdhëniet e tensionuara midis popullsisë shqiptare dhe asaj maqedonase
në vend. Ndërsa po fliste për marrëdhëniet ndër-partiake, më ra menjeherë në
sy, për të mos thënë se më habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia të
mëparshme, pothuaj me të gjithë
përfaqësuesit e tjerë të politikës shqiptare të asaj kohe, anë e mbanë trojeve
shqiptare — me përjashtim të Ibrahim Rugovës — të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë
të fliste keq as me zemrim kundër partive të tjera ose liderëve të tyre — gjatë
këtij takimi, as Arbën Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi
ndonjë kritikë as dënim të pikëpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të
tjerë të partive politike shqiptare. Jo
vetëm ndaj shqiptarëve në Maqedoni, por asnjërit prej tyre, anë e mbanë trojeve
shqiptare, siç isha mësuar të dëgjoja në takimet me përfaqësues të tjerë
politikë shqiptarë, sidomos, atyre në Tiranë dhe në Prishtinë.
Çfarë
freskie e këndshme por e pazakontë, ndonëse e mirëpritur për politikën
shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën
Xhaferin, një udhëheqës shqiptar ndryshe, thashë me veten, e që është aq e
nevojshme, sidomos sot, për një dialog të qytetëruar politik në radhët e udhëheqësve
partiakë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe gjithandej trojeve shqiptare.
Ndonëse nuk u shpreh, specifikisht, mbi mosmarrëveshjet dhe grindjet politike
ndër-shqiptare të kohës, mua m’u duk se vuante nga përçarjet dhe grindjet e
vazhdueshme dhe të pakuptimta në radhët e udhëheqësve shqiptarë. Ai në të
vërtetë, i dalluar nga të tjerët, shprehej gjithmonë për një politikë ndryshe
në diskursin politik, ndër-shqiptar.
Respekti
për të dhe reputacioni për Arbën Xhaferin, si njeri i arsyes dhe si politikan
tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijtë ndër-shqiptarë. Si
i tillë, ai ka lënë përshtypje të thella, jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe
ndër të huaj, me të cilët është takuar gjatë karrierës së tij, si udhëheqës
politik dhe si ndër intelektualët më të shquar shqiptarë. Mbi të gjitha, Arbën
Xhaferi dallohej për diplomacinë respektin dhe karakterin e tij, edhe në
takimet që kishte zhvilluar me udhëheqës të huaj me përvojë dhe të njohur në
fushën e politikës ndërkombëtare. Njëri prej këtyre udhëheqësve të huaj,
ish-Presidenti i Italisë, z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy
mendimtarë shqiptarë që i respektonte bota – atëherë dhe sot — se, “Nëse Arbën
Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata
do ta kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i
përkasin një populli shumë të vogël.”
Një atribut ky shumë me vend — për të gjithë ata që e kanë njohur atë,
prej një udhëheqësi të huaj ndaj reputacionit dhe kujtesës së Arbën Xhaferit,
edhe në këtë 10-vjetor të vdekjes.
Në
vazhdim e sipër të bisedës me të në Tetovë në vitin 2005, z. Xhaferi qe ankuar
se kontrata midis dy popujve, e ashtuquajtura “Marrëveshja e Ohrit”, midis
shqiptarëve dhe maqedonasve në atë vend, nuk po zbatohej nga pala maqedonase, e
cila siç dukej, shtoi ai, nuk i kishte marrë seriozisht punët dhe as nuk kishte
për qëllim të përmbushte obligimet e marra me nënshkrimin e asaj marrëveshjeje.
Si përfundim, tha ai, ajo marrëveshje midis dy palëve nuk po zbatohej sipas
planit nga autoritetet maqedonase – marrëveshje të cilën ata e kishin
nënshkruar duke marrë përsipër zbatimin e saj, në prani të dëshmitarëve
ndërkombëtarë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare. Në zhvillim e sipër
të bisedës miqësore që patëm mbi gjendjen politike në Maqedoni në atë kohë,
Arbën Xhaferi foli edhe për zgjedhjet vendore që ishin mbajtur në atë kohë e
për të cilat mbaj mend se shfaqi pakënaqësinë e tij të thellë në lidhje me
procesin. Xhaferi shpjegoi se si rezultat i problemeve me zgjedhjet, ai dhe
Partia e tij, kishin vendosur largimin e deputetëve të partisë së tij nga
parlamenti maqedonas.
E
mbyllëm bisedën me Arbën Xhaferin duke dëgjuar mendimet e tija përtej
Maqedonisë, mbi gjendjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, mbi
gjendjen në Kosovë dhe të shqiptarëve në përgjithësi. E njoftova me atë rast Z.
Xhaferi se, bazuar në burime të besueshme zyrtare të asaj kohe në kryeqytetin
amerikan — Shtetet e Bashkuara, në parim — kishin vendosur në favor të
Pavarësisë së Kosovës, por ndërkohë, vetëm pritej rezultati i konsultimeve
përfundimtare me aleatët evropiano-perëndimorë të Amerikës, para se
Washiungtoni të bënte publik njoftimin zyrtar të Amerikës në favor të
pavarësisë së Kosovës. Këtij lajmi, i ndjeri Xhaferi iu gëzua shumë — e priti
me një buzqeshje të sinqert — duke thënë se shqiptarët në këto troje janë të
vetdijshëm, por shtoi ai, se edhe Washingtoni duhet ta dijë, se pa angazhimin
serioz të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor — asgjë e mirë nuk do
të ndodhë për ne shqioptarët, në këto trojet tona, u shpreh ai.
U
largova prej atij takimi me të ndjerin Arbën Xhaferi, i ndërgjegjshëm për
nderin dhe privilegjin që u njoha dhe dhe që mu dha rasti ta takoja dhe të
bisedoja me njërin prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të Kombit
Shqiptar dhe me njërin prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të
dalluar të botës shqiptare në përgjithësi të gjitha kohërave — vepra, filozofia
politike dhe publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e
artë dhe pikë referimi për frymëzimin e brezave të ardhëshëm të shqiptarëve.
Në
këtë 10-vjetor të kalimit të tij në amshim, kujtojmë njërin prej burrave më të
shquar të Kombit Shqiptar, me qëllim që ashtu si shumë të tjerë para tij – emri
i tij të mos bjerë kurrë në harresë nga brezat!