| E premte, 19.08.2022, 07:44 PM |
Konfliktin rus në Ballkan e do dhe e kërkon edhe Josep Borrell, përveç Aleksandër Vuçiq!
Nga
Enver Bytyçi
Sot
në Bruksel u takuan kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq. Në prani të
Borrellit dhe Lajçakut. Në prapaskenë ishte edhe Gabriel Escobari. Në përfundim
të takimeve nuk u arrit asnjë marrëveshje. Në fund zoti Borrell tha se „Të dyja
palët do të jenë përgjegjëse për ndonjë eskalim të mundshëm”! Ndërkaq i
ngarkuari për („ç’)siguri e Politikë të Jashtme (dhunë) në Europë“, Josep
Borrell, në nisje të dialogut, e pyeti zotin Kurti ironikisht nëse e siguroi
atë Stoltenberg se do të dërgojë trupa shtesë të NATO-s në Kosovë?! Ishte një
start i paravendosur për fundin e bisedimeve kjo vërejtje e Borrell, me doza
inati e armiqësie të tij me NATO-n. Pse? Sepse ajo zotohet të kryejë mandatin e
saj për mbrojtjen e territorit të Kosovës.
Edhe
fotot që dolën nga nisja e takimit dëshmuan qartë afrimitetin e jashtëzakonshëm
të spanjollit me Aleksandër Vuçiqin dhe distancën e tij me Albin Kurtin. Të
gjitha u bënë me regji pro-ruse. Dukej si një takim i sponsorizuar nga Rusia
për t’i hapë rrugë luftës në rajon. Në të vërtetë unë jam kundër luftës, sepse
do e vuajnë shqiptarët, se po të ishte se do e vuanin vetëm europianët, ata me
këtë sjellje e këto qëndrime e meritojnë Hitlerin e Moskës ta kenë në zverk!
Derisa kanë vënë dy negociatorë që nuk e duan Kosovën, nuk i duan shqiptarët
dhe e urrejnë kryeministrin e tyre.
Joseph
Borrell, në vend të balancës, dëshmoi në takimin e sotëm se i përket anës serbe
e ruse të zgjidhjes së konfliktit me Kosovën. Këtë dëshmi po e japin çdo ditë e
më shumë edhe pesë vendet që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Spanja, sipas
deklarimeve të kryeministrit spanjoll në Beograd e në Tiranë, e përforcoi
qëndrimin kundër. Madje u rikthye në pikën e nisjes. Çfarë ndodhi? Sepse para
pak muajsh Spanja kishte një qëndrim më të butë e të arsyeshëm ndaj çështjes. A
mos i kërkoi Vuçiqi ndarjen e Kosovës e për pasojë ndihmën e tij që ta forcojë
qëndrimin kundër, me qëllim që t’i bëhej presion Prishtinës për këtë?! A është
edhe Borrell një interlekutor që i vështirëson zgjidhjet qëllimisht që ta
detyrojë kryeministrin e Kosovës të pranojë zgjidhjen serbe?!
Për
mua ka shumë mundësi që “ariun rus” Serbia ta përdorë si presion ndaj Europës
për ta ndarë Kosovën e për të korrigjuar kufijtë e Ballkanit, pra për të
krijuar Serbinë e Madhe të Milosheviçit, pa Milosheviçin. Joseph Borrell ka
marrë një rol të caktuar në këtë skenar ruso-serb. Edhe Kremlinit i intereson
një zgjidhje e tillë, madje shumë, sepse legjitimon ndryshimin e kufijve të saj
me Gjeorgjinë e Ukrainën, kufij të ndryshuar tashmë me dhunë në vitin 2008 e
2014.
Ironia
e komisionarit për Siguri e Politikë të Jashtme për zotin Jens Stolttenberg,
pse ky zotohet për të ruajtur paqen në Kosovë edhe me forcën e NATO-s, është
një kambanë alarmi. Përpjekja për të fajësuar Kosovën për dështimin e radhës
sot në Bruksel është gjithashtu një alarm për stabilitetin në rajon. Brukseli e
di se më 1 shtator vendosen masat e stabilitetit midis Kosovës e Serbisë. Ata e
dinë se Beogradi ka mobilizuar gjithçka që të përgjigjet me dhunë. Dhuna do të
prodhojë dhunë e më pas nuk do të ndalet, veçse në dyert e Brukselit.
Lajçak
ndoshta e ndjen më mirë rrezikun e kësaj tragjedie, sepse e ka Rusinë në pragun
e derës së vet. Po ashtu edhe Rumania. Por, është koha që këto dy shtete brenda
pak ditësh ta njohin shtetësinë e Kosovës, me qëllim që të japin një kontribut
modest të vonshëm për stabilitetin e Europës e të vetë këtyre dy vendeve. Sepse
për Borrellin dhe vendin e tij në një qoshe mesdhetare të Europës nuk ka ndonjë
shqetësim edhe nëse Rusia vjen në brigjet e Detit Adriatik.
Ajo
që ndodhi sot në Bruksel është një turp. Është turpi i Europës. Në fakt dje
Gabriel Escobar e paralajmëroi dështimin, kur tha se për ditën e sotme do të
firmoseshin marrëveshje të rëndësishme, duke e mbyllur frazën me shprehjen „Le
të shpresojmë“! Shpresa e tij me siguri ka qenë e rezervuar dhe e dyshimtë për
shkak të qëndrimeve anti-NATO të një plaku matuf, të cilët nuk i ndahen këtij
Komisionit Europian.
Të
pesë shtetet europiane që nuk e njohin Kosovën duhet të vendosin sot nëse janë
pro luftës apo kundër luftës. Nëse bashkëpunojnë me Vladimir Putinin përmes
Aleksandër Vuçiqit ose direkt, apo janë në pajtim me interesin europian për të
ruajtur paqen e sigurinë në kontinent. Nëse duan ta njohin realitetin e
gjeopolitikës europiane, apo janë për ta shkatërruar atë. Athina, Madridi,
Nikozia, Bratislava dhe Bukureshti kanë shansin që të japin kontributin që
kërkohet në shërbim të stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së Europës. Ndryshe
këtë Europë në mos e drejtoftë, do ta diktojë Vladimir Putin, ashtu siç ai sot dikton
Aleksandër Vuçiqin dhe Josep Borrellin.