| E enjte, 18.08.2022, 06:22 PM |
Rrugëtimi drejt suksesit i regjisorit më të ri Gent M. Çajani
Nga
Artemisa Kastrioti, Nju Jork
Shfaqja teatrale
“Tregimi Zoologjik” (Zoo Story) me regji nga Gent M. Çajani është shpërblyer me
çmimin “Regjisori më i Mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Othello, i
mbajtur në Maqedoninë e Veriut.
Ky është një
sukses tjetër i “Tregimit Zoologjik” pas vlerësimit në AKT Fest Shkup ku aktori
Berat Mahmuti është shpërblyer me çmimin “Aktori më i Mirë i Ri”.
Regjisori dhe
aktori i talentuar Gent Mehmeti Çajani ka lindur në 1995 në Tetovë, në
Maqedoninë e Veriut në një familje shqiptare artistike me prindër Abdullah
Mehmeti dhe Sebajet Shaqiri. Shkollën fillore e mbaroi në “Sh.F. Naim Frashëri”
në Tetovë, kurse shkollën e mesme në “Gjimnazin Kiril Pejçinoviç” Tetovë
(2014). Shkollimin e lartë e kreu në Fakultetin e Arteve në “Universitetin
Shtetëror të Tetovës” (2019) Dega - Regji Teatri (gjenerata e parë e regjisë së
teatrit).
Që në moshë të
vogël Genti filloi të meret me art duke patur pasion librin dhe poezinë. Në
ditën botërore të librit që u mbajtë nga “Biblioteka Koco Racin” në Tetovë ai
mori çmimin e dytë dhe u shpërblye si “Poeti Më i Ri”.
Gent M. Çajani
mori pjesë në disa organizata joqeveritare të Tetovës si: “Center for Balkan
Cooperation Loja”, ku bëri projektin e parë Poetry slam në vend (2015);
“American Corner Tetovo”, ku bëri regjinë e parë të shfaqjes për fëmijë
“Pinokio” së bashku me grupin e organizatës (2011). Poashtu mori pjesë në
ekspozitën e fotografisë të mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës që e shpërbleu me certifikatën si fotograf (2011). U angazhua te
“Shoqata Dora e Artë” në Tetovë, me të cilën mori pjesë në konferencën e parë
të mbajtur për shpalljen e Malit Sharr park nacional (2015). Mori pjesë në
“Tetova feston nëntorin” në mbrëmjen poetike me karakter garues ku mori çmimin
e dytë për prozë (2015).
Përveç poezisë,
Genti ka shprehur botën e tij artistike nëpërmjet fotografisë dhe këngës, duke
marrë pjesë në korin e fëmijëve të qytetit të Tetovës. Në vitin 2019 Gent M.
Çajani u shpërblye me certifikatë si fotograf në ekspozitën e galerisë së
arteve pamore në Tetovë “Unë dhe 1000 fjalë”.
Që nga gjenerata e
parë shqiptare e regjisë së teatrit në Maqedoninë e Veriut, falë kontributit të
dy figurave të shquara te artit Mehmet Xhelili dhe Qëndrim Rijanin, sot Gent M.
Çajani po prek skenën ndërkombëtare nëpërmjet artit të tij.
Gent M. Çajani: Historia e karrierës
2018. skenar Murat
Zherka – “The Artists Lunacy – (Film) – Regjia Murat Zherka – Aktor - Gent M.
Çajani – Shkup “Lumiere Films” Maqedonia e Veriut.
2019. Edward Albee – “Zoo Story“ – (Shfaqje) – Regjia Gent M.
Çajani – Tetovë.
2020. Best Director Award – Othello International Theater Festival – “Zoo
Story” – Regjia Gent M. Çajani – Gostivar Maqedonia e Veriut.
2020. Best Actor Award – AKT Fest, International Theatre Festival – “Zoo Story”
– Jerry - “Berat Mahmuti” – Regjia Gent M. Çajani – Shkup “Suli Han” Maqedonia
e Veriut.
2021. Skenari Artin Selmani “Stoned” – (Film) – Regjia Gent M. Çajani - Shkup “Iprodutcion”, “Democracy lab”
Maqedonia e Veriut.
2021. Skenar Olsa Poshka – “The Accursed” – (Shaqje) – Regjia Gent M. Çajani –
Tetovë Maqedonia e Veriut.
2022. “Requiem for Musine Kokalari” skenari Gjergj Jozef Kola – (Shfaqje) –
Regjia Gent M. Çajani – Teatri për fëmijë dhe të rinj – Shkup.
Intervistë Ekslusive me Regjisorin dhe Aktorin Gent M. Çajani
Si nisi rrugëtimi juaj drejt teatrit dhe aktrimit në aspektin e formimit
edukativ?
Gent M. Çajani: Unë jam studenti i gjeneratës së parë shqiptare që kam studiuar “Regji
teatri dhe aktrim” në Republikën e Maqedonisë së veriut. Kam diplomuar në Universitetin Shtetëror të
Tetovës. Dua të falenderoj dy profesorët
e mij të jashtëzakonshëm që bënë të mundur që studentët shqiptarë si unë të
kenë mundësinë të ndjekin ëndrrat në art dhe film: pikërisht profesorin dhe
regjisorin e njohur Mehmet Xhelili nga Shqipëria dhe mentorin tim të
mrekullueshëm, Qëndrim Rijanin, profesor dhe regjisor nga Maqedonia Veriore.
Të jesh pjesë e
studentëve shqiptarë të brezit të parë që studiojnë për regji dhe aktrim është
mjaft historike dhe e paharrueshme për mua.
Unë jam mirënjohës që përjetoj rrugën artistike, të cilën e kam shumë
pasion.
Pres me padurim se
çfarë do më sjellë e ardhmja në aspektin profesional dhe unë jam shumë
mirënjohës për dy profesorët e mi për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme dhe
mësimet e jetës.
Keni shënuar një sukses tjetër me shfaqjen teatrale “Tregimin Zoologjik”
(Zoo Story). Mund të na thoni më shumë për përfshirjen tuaj në këtë projekt?
Gent M. Çajani: “Zoo Story” përfaqëson jetën e njeriut të mbyllur brenda në kafazin e
ndërgjegjes. Shumë pak njerëz kanë fuqinë për të qenë empatikë. Sot jetojmë në
një kohë ku interesi i njerëzve mbizotëron të qenurit human dhe dashamirës ndaj
njëri tjetrit. Kemi humbur sensin e jetës duke nxituar të jetojmë në një jetë
luksi të influencuar nga bota dixhitale dhe ne harrojmë të jetojmë në realitet.
Me të vërtetë ne njerëzit kemi vdekur përmbrenda.
E kishim shumë të
vështirë t'i analizonim personazhet dhe t'i vendosnim në skenë për të treguar
ndjenjën e të qenit i huaj në vendin tonë. Sepse vërtet qenia jonë është
ndërlikuar shumë duke humbur sensin e të qenurit empatik.
Si regjisor besoj
se kam mundur të shfaq vizionin tim artistik në skenë. Jam shumë i kënaqur me
ekipin fantastik të “Zoo Story”, kryesisht Berat Mahmuti, Rrahim Ramadani dhe
Granit Vela.
Për çfarë flet historia e Tregimit Zoologjik?
Gent M. Çajani: “Tregimi Zoololgjik” është shkruar nga Edward Albee, një dramaturg shumë i
njohur në SHBA, i cili përfaqëson “Teatrin e absurdit”. Shfaqja flet për dy
personazhe që takohen në Central Park (NY). Jerry, protagonisti i cili kishte
ikur nga spitali psikiatrik dhe Peter, i cili sapo erdhi në park për të shkruar
"librin e tij -best seller".
Këta dy personazhe
përfaqësojnë njëri-tjetrin në një pozicion shumë të çuditshëm, sepse ata
përpiqen të kuptojnë njëri-tjetrin, por kjo përfundon jo mirë në fund. Jerry
nuk u kuptua kurrë nga të tjerët, gjë që e bëri atë të çmendur. Ndërsa Peter,
një personazh shumë konservativ, ai ikën nga shtëpia e tij vetëm për t'u
qetësuar dhe për të gjetur paqen brenda vetes.
Shpresoj që shfaqja të nxisi një diskurs konstruktiv për të ndryshuar
kontekstin e të qenurit “i huaj” përballë jetës së përditshme. Çfarë ndodh kur
ne humbasim sensin për të jetuar? Si mund ta fitojmë lirinë, pa mos e lenduar
askënd?
Kush tjetër ishte pjesë e “Zoo Story”?
Gent M. Çajani: Berat Mahmuti luan Xherrin, kurse Rrahim Ramadani luan Piterin. Ne kishim
edhe Granit Velën, kitaristin që e quajtëm Xhek, një i pastrehë, i cili e pa të
gjithë historinë dhe shkroi një këngë për të.
Urime për shpërbilimin me çmimet e Regjisorit dhe Aktorit Më të Mirë! Si ka
qenë përvoja juaj në Festivalin Ndërkombëtar Othello dhe Akt Fest Shkup? Çfarë
shfaqjesh keni përfaqësuar në këto dy festivale?
Gent M. Çajani: Jamë shum i gëzuar që të marr një çmim që në fillim të karierës time,
çmimin “Regjisori më i mirë” me “Zoo Story” në Festivalin Ndërkombëtar të
Teatrit Othello, Maqedonia e Veriut (2020). Berat Mahmuti fitoi çmimin “Aktori
më i mirë i ri” me “Zoo Story” në AKT Fest Shkup (2020).
Çfarë filmash apo shfaqjesh teatrore keni drejtuar?
Gent M. Çajani: Karriera ime artistike si regjisor filloi në vitin 2019 me shfaqjen
“Tregimi Zoologjik”. Në 2021 isha regjisor i dy projekteve: “Stoned” projekt
filmik që përfaqëson jetën e të rinjve në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan;
dhe “Të mallkuarit”, një shfaqje, bazuar në një histori të vërtetë, që
përfaqëson jetën e tre emigrantëve në Greqi.
Në 2022 isha regjisor
i “Requiem për Musine Kokalarin”, një shfaqje teatri dokumentar, që përfaqëson
jetën e Musine Kokalarit (Ikona Shqiptare), shkrimtares së parë femër në
Shqipëri dhe zonjës së parë që krijoi Partinë Socialdemokrate.
Dhe në cilat projekte keni marrë pjesë si aktor?
Gent M. Çajani: Kam aktruar në filmin “The Artists Lunacy” (2018) me regji Murat Zherka,
produksion “Lumiere films”, Shkup, Maqedonia e Veriut.
Keni një projekt të preferuar dhe pse?
Gent M. Çajani: Të gjitha projektet e mia janë bërë me shumë dashuri, i dua të gjitha
projektet dhe bashkëpunimet e mia që kam pasur deri më tani.
A e shprehni kreativitetin në ndonjë mënyrë tjetër?
Gent M. Çajani: Më pëlqen ta shpreh artin tim në shumë mënyra. Unë pikturoj herë pas here
dhe punoj si agjent shitës për një artist të madh në Evropë. Më pëlqen
fotografia dhe kam marrë pjesë në ekspozita si fotograf. Unë bëj shumë gjëra
duke u përpjekur të shpreh ndjenjat e mia në mënyra të tjera të të bërit art,
si shkrimi i poezive, këndimi dhe udhëtimi.
Për çfarë po punoni aktualisht?
Gent M. Çajani: Aktualisht po punoj për projektin e radhës për këtë vit që do të
zhvillohet në Teatër, është një shfaqje me tre personazhe “Bualli Amerikan” nga
David Mamet.