Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyeni: Klerikët

| E marte, 16.08.2022, 07:08 PM |


Sevdail Hyeni

Satirike

Klerikët

I pyetën me rend

Klerikët fetarë:

-Si i ndajnë të mirat

A hanë në kandar?!

Sa më përket mua

Tha Prifti qejfli:

-Do ta ndaj fitimin

Drejt në terezi!

Në tokë bëj një rreth

N’mes një vijë të drejtë,

Me dy duar të mirat

I hedhim përpjetë!

Çka bije këndej vijës

Për vete i mbaj,

Kurse matanë vijës

N’popull i shpërndaj!

Pastaj shprehet Frati

Urtë e but për besë,

Unë e bëjë një rreth

Jo të ndarë në mes!

Po ashtu të mirat

I hedhim në erë,

Çka bie në rreth

Më takojnë me nder!

Tjerat jashtë harkut

I ndaj sipas nevojës,

Askush të mos mbetet

Pa bukën e gojës!

I vjen radha Hoxhës

E jep një mendim,

Të mirat në ajër

I hedh pa mbarim!

Çka mbetet në qiell

Për popull e zogj,

Krejt çka bie n’tokë

Janë të Agës Hoxhë!

(Karikatura marrë nga interneti)