Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fotaq Andrea: Faik Konica lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës

| E marte, 16.08.2022, 08:03 PM |


FAIK KONICA LARTOHET PËRMBI SHABLONIZMAT, DOGMAT DHE PARAGJYKIMET E SË SHKUARËS

– Letër e hapur publike –

Nga Fotaq Andrea

Fotaq Andrea sqaron opinionin publik pas akuzave të Sevdai Kastratit

(Shënim i botuesit të organit « Illyria »)

I nderuari Z. Ruben Avxhiu, Kryeredaktor i gazetës prestigjioze “Illyria”, New York,

Më vjen mirë që në faqet e gazetës suaj shumë herë kam lëçitur reçensa, ese dhe studime serioze e dobiprurëse për Letrat shqipe, me kritikë dhe frymë të shëndoshë konstruktive. Por më vjen keq që nuk ndodhi kësisoj në tre numra të gazetës suaj që botuan me kohëndërprerjeje të çrregullt shkrime të Z. Sevdai Kastrati lidhur me dy romane të panjohura me tematikë shqiptare zbuluar nga Fotaq Andrea në dhjetor 2011 « Martesa e Lejlës » dhe « Sotiri e Mitka » botuar nga Jean de Kroya rreth viteve 1910,  ku bie qartë në sy se është fjala për një pseudonim autori shqiptar, të cilat Andrea me një studim hyrës të romaneve prej 100 faqesh libri ia njeh Faik Konicës, arkitekt i Letrave shqipe dhe ideator i kombit modern shqiptar,  me veprën e tij “Faik Konica alias Gjoni i Krujës – Martesa e Lejlës, pasuar nga Sotiri e Mitka”, botim Zenit, Tiranë, 2016.

Rezervoj që në fillim dhe në mënyrë të plotë të drejtën time – duke qenë zbulues dhe studiues i parë i këtyre romaneve të panjohura në Letrat shqipe – për të mos hyrë në lojën e paprinciptë të polemikës dhe debatit shterpë të Z. Sevdai Kastrati, për të hedhur poshtë, fund e krye, “studimin” e tij të stilit dacidao, pa bosht shkencor, tek nxiton të botojë copëza shkrimesh, i paduruar të përfundojë plotësisht “studimin” e vet. Është e qartë se në këto shkrime Sevdai Kastrati ka për të vetmin qëllim dëshirën për polemikë artificiale, duke rrëmbyer flamurin e studiuesit “origjinal”. Gjithë mllef, ai përdhos zbulimin dhe studimin e Andreas, që  mori gradualisht miratimin e njëzëshëm të emrave më të njohur të Letrave shqipe, Nasho Jorgaqi, Emil Lafe, Moikom Zeqo, Sherif Delvina, Thanas Gjika, Ferid Hudhri, Zyhdi Dervishi, Pëllumb Xhufi, Eshref Ymeri, Parim Çarçani,  Krenar Zejno, Ilir Ikonomi, Astrit Lulushi, Asllan Bushati, Mithat Gashi, Sami Repishti, Seit Mancaku, Shaban Sinani, Enver Muhametaj, Etleva Domi, Dritan Muka, Agim Janina, Anton Dede, Anton Cefa, Idriz Lamaj, Begzad Baliu, Thimi Nika, Lazar Taçi, etj., të tërë profesorë titullarë e intelektualë të nderuar, një pjesë prej të cilëve vetë Sevdai Kastrati i përmend që në fillim të shkrimeve të tij për ta vënë veten përmbi këta, si një sorbonist i tipit mesjetar, à la Rabelais. Tërë këta emra të nderuar të lartpërmendur – që kanë miratuar me leximin dhe studimin e tyre këto romane të shkëlqyera të Faik Konicës, – me sa duket, i duken Sevdai Kastratit miza para egocentrizimit të tij, i verbuar nga zbulimi dhe studimi i Andreas.  Por le të theksojmë, para së gjithash,e mbi të gjitha, se studimi dhe botimi i veprave të panjohura të Faik Konicës nga Andrea kaluan fillimisht në filtrin e Komisionit të posaçëm letrar të Fondacionit “Vatra” gjatë “Vitit Faik Konica – 2016”, drejtuar energjikisht e me talent të veçantë nga i ndjeri kryeradaktor i organit të saj Dalip Greca, komision që i miratoi këto vepra njëzëshëm, duke i vlerësuar edhe me  “Çmim letrar të posaçëm të Mirënjohjes”.

Sevdai Kastrati, tek përdor një metodë makiavelike, por aspak shkencore, u dërgon redaksive copëza shkrimesh me tituj bombastikë thjesht për bujë – shkrime të cilat po i përfundojnë fatkeqësisht në bisht peshku, me kakofoni mendimesh e bëlbëzime antikoniciane.  Ai shtrembëron arbitrarisht tezat e Andreas duke i  shkëputur nga konteksti i tyre. E vë veten në rolin e mësuesit të pagabueshëm, të “konicianit” antikonician, që i ditka të tëra, ai dhe vetëm ai! I nxitur nga leitmotivi « të kap gabimin se s’bën », i ngrefosur keq dhe me adrenalinë antikoniciane, ai thjesht huazon argumente nga të Andreas për të dalë artificialisht në kundër-argumente boshe, tërësisht  insinjifiante. Mu si në lojën “e lagu s’e lagu”, për të bërë gjueti shtrigash e shtriganësh me gjoja “gabimet e Andreas”. Dhe kjo me të vetmin qëllim : si e si të arrijë të vjelë publikisht vizibilitet sa më të madh për veten e tij, si studiues i veçantë, dhe si e si të trallisë mendjen e lexuesit të thjeshtë mediatik, i cili nuk ka dijeni të drejtpërdrejtë për këto romane të Konicës, ndryshe nga ai lexuesi i mirëfilltë i mbi 600 ekzemplarëve të këtyre romaneve, që janë shitur deri me sot nga “Zenit Edition” e të tjera librari të Tiranës dhe Prishtinës.

Lypset të theksojmë se Andrea, në studimin që i paraprin dy romaneve të panjohura të Jean de Kroya i është drejtuar pikësëpari dhe drejtpërdrejt në frëngjisht burimeve dhe arkivave të pasura franceze, me mjaft prurje të reja në Letrat shqipe, ndërkohë që Sevdai Kastrati, në formë dueli “o unë, o Andrea”, ka për të vetmin burim thjesht studimin e Andreas, e asgjë më shumë! E jo vetëm, por ai abuzon si mos më keq me këtë studim, pa mundur të dalë ai vetë me një studim të plotë përfundimtar. Punë e tij. Historianët e Letrave shqipe nuk do mungojnë një ditë të japin vlerësimin e tyre, verdiktin final se kush ka të drejtë.

Çuditërisht, në pjesën e V të shkrimeve të tij, e shohim Sevdai Kastratin të hidhet degë më degë tek personazhet e dy romaneve të panjohura të Konicës, gjithmonë me qëndrime kundër Andreas,  kundër Konicës. Ndërkohë që në mbarim të pjesës IV, Sevdaiu na kishte dhënë tashmë  lajmin e bujshëm se këto romane të panjohura të Jean de Kroya na qenkeshin vepra të Nikolla Lakos (sic !) . Por ama, pa dhënë as edhe një argument të vetëm bindës për këtë pretendim të tij.  Edhe sot e kësaj dite Sevdai Kastrati nuk vërteton se PËRSE KËTO ROMANE NA QENKAN TË NIKOLLA LAKOS 19 vjeçar DHE JO TË FAIK KONICËS 35 vjeçar, dhe përse këto romane u botuan në frëngjisht nën emrin e Aladro apo Rennesse Kastriotit, e cila financoi nën emrin e të shoqit botimin e këtyre veprave. Ja ku qëndron thembra e Akilit e këtyre dy romaneve të panjohura! Ja pika kyçe për autorësinë e tyre! Ja sfida! Sevdaiu ka të drejtën të përdorë në këtë mes sëpatën e dardharit për t’i rënë  drejt e shkurt: Pse këto romane janë të Nikolla Lakos, siç pretendon ai!  Përndryshe, “argumentet” e tij në copëza pamfletesh mbeten, siç thotë frëngu, “tirés par les cheveux”, (tërhequr flokësh), pra të sajuara kokë e këmbë. Nëse Sevdai Kastrati vërteton dhe paraqet dokument me shkrim që këto romane janë të Nikolla Lakos dhe jo të Faik Konicës, siç ia ka kërkuar këtë fakt edhe prof. Thanas Gjika që në fillim, ne tërhiqemi publikisht me dinjitet për t’i dhënë të drejtë, duke mbetur megjithatë zbulues dhe studiues të parë të këtyre dy romaneve të panjohura të Jean de Kroya. Në të kundërt, përpara kësaj sfide Sevdai Kastrati veç fabulon, i verbuar nga egoja megalomane e tij për t’u mbajtur si specialist konician.

Që të bindet lexuesi i gjerë, me transparencë të pastër, dhe në nderim të veprës së Faik Konicës, që ka ditur të lëvrojë mrekullisht të gjitha gjinitë letrare, përfshirë edhe romanin e plotë, i lutemi redaksisë së gazetës “Illyria” dhe kryeredaktorit të saj Z. Ruben Avxhiu të bëjë të mundur botimin  pjesë pjesë, në disa numra, të studimit tonë që i paraprin romaneve “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka”.

Me falënderimet paraprake dhe plot respekt,

Fotaq Andrea,

Strasburg, 14 gusht 2022.