| E hene, 15.08.2022, 08:01 PM |
FSHATI PRAPADISHT NGRITI FLAMURIN KOMBËTAR
Nga
Vahit Nasufi
Prapadishti,
është një fshat kodrinor, i cili shtrihet në anën veriore të komunës së
Kërçovës, me një lartësi mbidetare prej 1150 m dhe me një sipërfaqe prej 603
hektarësh. Emri i këti fshati piktoresk, sipas hulumtimeve historiko -
etnologjike, (por, jo të sakta), vjen nga ilirishtja e vjetër, që donë të thotë
Prapa (mbas) dhe Disht (pyll). Banorët e këtij fshati me shumë elemente
gërshetuese, janë me kombësi shqiptare dhe të besimit islam. Ajri i pastër, uji
i ftohtë, kodrinat plot gjelbrim, por, jo vetëm, këtij fshati të bukur i japin
gjallëri të përhershme. Përveç tjerash fshati Prapadisht, është plot histori,
sport, art dhe kulturë.
Si
shumë fshatra tjerë të treveës kërçovare, ashtu edhe Prapadishti ka trashëguar
plagën e pa shërueshme të kurbetit, që pak a shumë ka boshatisur fshatin.
Mërgimtarët e këtij fshati janë të shpërndarë nëpër Europë dhe Amerikë, por,
pjesa dërrmuese pa dyshim jetojnë dhe veprojnë në shtetin Helvetik, të cilët
për të ndërtuar një urë lidhëse mes tyre, më 21 shtator 2021, themeluan
Shoqatën e Bashkuar, të cilën e emruan me emrin e fshatit, „PRAPADISHTI“. Kjo
shoqatë në bashkëpunim me këshillin koordinues të fshatit, për herë të parë më,
31 korrik 2022 organizoi manifestimin kulturorë „PRAPADISHTI FESTON“, ku ishin
të ftuar të gjithë banorët e fshatit, të gjithë ata që e kanë origjinën nga ky
fshat si dhe shumë mysafirë të ndryshëm.
Në
oborrin e gjërë të shtëpisë të vëllezërve Qefli dhe Qelebi Abdiu, i gjelbëruar
dhe i stërmbushur me prapadishtas dhe me mysafirë të ftuar, para se të fillonte
programi, të dy gjinitë bashkarisht luajtën ca valle të bukura tradicionale. Më
pas moderatori i këtij manifestimi, Lulzim Limani, pasi prezentoi renditjen e
manifestimit sipas skenarit të pregaditur, me një minutë heshtje, u nderuan
viktimat e pa fajshëm të fshatit Prapadisht, që u vranë në luftërat ballkanike,
por, jo vetëm. Këtë manifestim kulturorë, e hapi intelektuali me prejardhje nga
fshati Prapadisht, veterani Vebi Aziri, i cili pasi përshëndeti të pranishmit
dhe i falenderoi për pjesmarrjen e tyre, ai foli për viktimat e këtij fshati
dhe lexoi emrat e tyre, pastaj trgoi edhe për artistët që kënduan dhe kultivuan
këngët burimore, për mjeshtrit e çiftelisë, sharkisë, kavallit etj. Ai
gjithashtu tregoi se dy figurat e larta me renome botërore, Vëllezërit Hasan
dhe Omer Kaleshi, si dhe teologu shumë i famshëm, Mulla Qamil Limani,
prejardhjen e kanë nga ky fshat heroik. Pastaj fjalën e mori prof. Nebi
Bilalli, me origjinë nga ky fshat, i cili përveç tjerash, foli rreth
organizimit të këtij manifestimi, me shpresë që ky eveniment të shëndrrohet në
një manifestim tradicional.
Ai
që dikur këndoi në shumë dasma të këtij fshati, që mbahen mend edhe sot, të
cilin fshati Prapadisht nuk e harron kurrë, dhe në këtë manifestim ishte i
ftuar si mysafir nderi, këngëtari i mirënjohur nga Gostivari, Maksut Dehari. Ai
para të pranishmive tregoi rreth ahengjeve familjare, që është një këngëtar i
preferuar në këtë fshat malor, i cili në shumicën e rasteve të gëzimeve
familjare, është shoqëruar edhe nga këngëtari i melosit burimor, i lindur në
këtë fshat me shumë tradita, i cili rrjedh nga një familje dëshmorësh,
përndryshe shoku tij i ngushtë, ing. Vebi Aziri. Me pjesmarrjen e tij
manifestimin e nderoi edhe plaku 99 -të, vjeçar, Mislim Sulejmani, icili nga
fshati i lindjes, për arsye të ndryshme, ishte shpërngulur para 79 -të, vitesh
në Gostivar. Xha Mislimi, me shumë nostalgji edhe pse në moshë të shtyer, ai i mbante
mend akoma dhe rrëfente për kujtimet që kishte përjetuar, për vuajtjet dhe
sakrificat!
Me
rastin e këtij manifestimi u përurua edhe rruga brënda fshatit, që u ndërtua me
një investim të përbashkët me komunën e Kërçovës, ku fjalën e mori kryetari i kësaj
komune, Fatmir Dehari, i cili përveç tjerash premtoi se është i gatshëm të
vazhdojë bashkëpunimin edhe për projektet e nevojshëm të fshatit, siç është
renovimi i shkollës fillore, si dhe ndërtimin e një lapidari në qendër të
fshatit, në nderim të historisë së lavdishme dhe në mënyrë lakonike për të
përjetsuar viktimat e këtij fshati.
Në
vazdhim të këtij evenimenti, fjala iu dha arsimtarit Remzi Arsllanit, i cili
foli për historikun e fshatit, për t`ia lënë fjalën kryetarit të Shoqatës të
fshatit Prapadisht me seli në Zvicër, Bashkim Ismailit, i cili në pika të
shkurtëra tregoi rreth themelimit të Shoqatës së Bashkuar, për qëllimet dhe
aktivitetet e saj. Më pas, të gjithë pjesmarrsit, shkuan në qendër të fshatit,
për të ngritur flamurin kombëtar, i cili menjëherë filloi të valëvitet dhe u
duartrokit fuqëshëm nga të pranishmit! Këtë manifestim, për ta bërë akoma më
madhështor, ishin të ftuar edhe rapsodët e mëdhenj nga Republika e Shqipërisë,
Vëllezërit Lleshi, të cilët kënduan ca këngë shumë të bukura folklorike
burimore, që herë pas here në një atmosferë impozante, përcilleshin me
duartrokitje frenetike nga pjesëmarrsit.
Pas
përfundimit të këtij manifestimi kulturor, siç është traditë ndër ne, për të
gjithë të pranishmit, u shtrua dhe një drekë shumë e begatshme me ushqime
tradicionale shqiptare dhe lloj - lloj pijesh freskuese, e financuar nga
Shoqata e fshatit, që vepron në Zvicër. Dhe në fund, duke u përshëndetur njëri
me tjetrin, një nga një u shpërndanë me shpresë se përsëri do të takohen vitin
e ardhshëm këtu në fshatin Prapadisht.
Kërçovë, gusht 2022