| E hene, 15.08.2022, 07:50 PM |
Plani
Nga
Edison Ypi
Burokratët
e hartonin, proletarët e tejkalonin, armiqtë e pengonin.
Bosh,
i pabesueshëm, subjektiv, fiktiv, propagandistik, pa asnjë lidhje me
realitetin, nuk kishte asgjë më absurde se "Plani".
Habia
që shkaktonte plani surreal ndaj punës inekzistente, kapërxente çdo përfytyrim,
nuk kishte të krahasuar me asgjë. As me habinë tmerruese që shkaktonin
arrestimet, internimet, burgosjet, pushkatimet, varjet, që, sado absurde,
kishin një shkak, kishin një thelb, ishin të prekëshme, dikujt i intresonin.
Mund
të provoje ta qasje, ta krahasoje, ta vijë të konkurronte me episode
fantazmagorike librash, filmash apo rrëfimesh. E kotë. Ekzistenca e planit nuk
qëndronte brenda asnjë logjike sado të çthurur, asnjë fantazie sado të
zhubrosur, asnjë ëndërre sado të fandaksur.
Sado
të lodheshe me kokën mes grushtash, esëll, apo pas tre dopjo raki, planit s'ja
kapje dot fillin, s'ja justifikoje dot ekzistencën.
Plani
gjithmonë ikte, gjithmonë dilte, gjithmonë avullonte, gjithmonë arratisej.
Shakaja
e dikujt "Nëse nuk do që një punë të kryhet, bëj një plan për ta
tejkaluar", përveçse e perifrazuar dhe e zbehtë, nuk ndihmonte aspak në
zgjidhjen e enigmës.
"Plani
punën apo puna planin" si veza dhe pula, gjithashtu nuk bindëte askend. Se
veza dhe pula duke qënë të ngrënëshme ishin të prekëshme, dhe vërtet e bënin
njëratjetrën, ndërsa plani dhe puna që pretendonin të ishin gjithaq
shkak-pasojë sa veza dhe pula, nuk ekzistonin as bashkë as veç e veç.
Të
kishe aftësinë që planin e asgjësë ta realizoje dhe tejkaloje në plan të punës
nëpër relacione me raportime fiktive dhe marifete aritmetike, e bënin të
gjithë, ishte më se normale.
Të
mos e kishe talentin, e aq më keq dëshirën, për ta tejkaluar planin në letra,
ishte krejt tjetër gjë. Duhej të jepje llogari "deri më 1" mbledhje
pas mbledhje me pjesmarrje të të deleguarve nga komitetet e partisë në lidhje
të drejtpërdrejtë me Sigurimin.
Rasti
më fatlum për të shpëtuar nga tmerri i mosrealizimit në letra të planit ishte
një groposjeje për së gjalli e vetvetes përmes një autokritike gjatë një
mbledhjeje kolektivi, një autopërdhosje që t'i zbaviste dhe bindëte
përfundimisht zhulsat e ndërmarrjeve dhe të uriturit e kooperativave se nuk je
njeri por qen. Ky rast "pinte ujë". Se çfarë lidhje kishte pirja apo
mos pirja e ujit në kontekstin kriminal të mundësisë ose pamundësisë për të
realizuar e tejkaluar në letra një plan fantazmë, askush nuk ja kishte ngenë të
pyeste. Kuptimi i thellë i shprehjes misterioze me ujë dhe pirje ose mos pirje,
sot e kësaj dite ka mbetur mister.
Nëse
vetpërdhosja e quajtur autokritikë, "s'pinte ujë", nën vështrimet e
rrepta të sigurimsave që autokritikën vegroposëse e kqyrnin si radiologu
radiografinë e mushkrisë në gjurmë të hijeve të turbekulozit, duhej të jepje
llogari si e qysh e pse, cili je, nga cila familje rrjedh, ç'qëndrim kanë
mbajtur të tutë gjatë luftës etj etj. Hija më e vogël, s'linte asnjë dyshim.
Shpalleshe atypëraty sabotator, armik, kulak. Dy policë të hidhnin prangat në
mes të mbledhjes së kolektivit, ku bëhej autokritika, ku pihej a s'pihej uji,
ai që lart buronte i pastër por ndotej rrugës.
Sipas
modeleve staliniste të krijimit të superherojve proletarë të uzinave dhe
fabrikave prej të cilëve duhej të merrnin shembull gjithë të tjerët, hera-herës
shpikeshin traktoristë, shoferë, mjelëse, që bënin diçka që kapërxente çdo
përfytyrim; tejkalonin tejkalimin e planit.
Këta
ishin ca Perëndi që ua kalonin atyre të Olimpit, nuk flinin as ditë as natë.
Gjithë kohës vetëm punonin duke bërë rrëmujë kronologjinë, duke çvleftësuar
kalendarin. E tejkalonin tejkalimin e planit aq tepër sa nëse dikush që planin
thjesht e tejkalonte dhe me kalendarin dhe kronologjinë s'kishte asnjë
kontradiktë, tjetri, stakanovisti, traktoristi, mjelësja, minatori, që tejkalonin
tejkalimin e planit ndodheshin përpara në kohë si personazhet e librave
divulgues të teorive të Ajnshtajnit që pretendojnë qartësimin e karakterit
relativ të njëkohshmërisë së ngjarjeve. Tejkaluesi i tejkalimit të planit ndaj
tejkaluesit të planit, aq vite para në të ardhmen sa plumba ballit gjatë
pushkatimit sabotatorit që nuk kishte realizuar në letra planin, nja dhjetë.
Që
sigurimi arrestonte dhe internonte me plan të cilin gjithashtu e realizonte dhe
tejkalonte rregullisht, këtë mileti edhe e dinte dhe nuk e dinte.
Që
Lasgushi, Vedat kokona, Mitrush Kuteli dhe të tjerë pëkthenin me plan, e dinin
disa, por brenda frikërave shumë më të llahtarëshme se leximi "pa
plan" i përkthimeve "me plan" për të cilat të ikte koka, këtij
fakti nuk i jepej rëndësi.
Të
dëgjoje prej dikujt "Kam bërë plan të martohem sivjet", ishte më se
normale.
Të
thoshte dikush tjetër "Kam bërë plan të afrohem me filankën", që në
Shqipen e sotme ishte ekuivalente me "kam rënë në dashuri me një
zuskë", edhe kjo ishte mëse normale. Por në këtë rast duhej të bëje shumë
kujdes, se me zuskën që ishe dashuruar, deshe-s'deshe pas pak do fejoheshe, do
martoheshe, dhe pak më pas do pillje bastarda.
Plan
objektiv, objektivat e planit, plan 5 vjeçar, plan vjetor, plan mujor, plan
ditor, plan masash, plan prodhimesh etj. etj.
Kurrë
nën 100 %. Gjithmonë mbi 100 %.
Bënte
përshtypje shifra pas 100-ës. Ishte gjithmonë e saktë, gjithmonë e përpiktë,
gjithmonë me një presje dhjetore dhe një shifër nga pas, 138.7, 129.2, 111.8,
jo rrallë edhe me dy shifra dhjetore, 123.57 % ose edhe 183, 27 %.
Lajmet
në televizor nisnin me tejkalimin e planit. Shkarazi përmendeshin
"vështirësitë" që kurrë nuk cilësoheshin.
Gazetat
me gërma të mëdha jepnin në faqen e parë shifrat e tejkalimit të planit
Mbledhjet
nisnin dhe mbaronin me realizimin dhe tejkalimin e planit.
Kishte
punë me plan, por nuk u dëgjua kurrë për ndonjë plan me punë.
Flitej
për gjëra që duhej të ishin në plan të parë. Për plan të dytë e të tretë,
kurrë.
Plani
i punës edukative, të linte pa ment.
Në
pamundësi absolute për të patur një ide çfarë ishte plani aktual, "plani
perspektiv" linte me gojë hapur të madh e të vogël.
Plani
real, objektiv, ishte një çmenduri që s'rrëfehet dot me fjalë.
Komisioni
i planit, ishte një tufë burokratësh.
Pikat
e planit ishin një shpikje që do zilepste Xhorxh Oruellin.
E
kështu me rradhë, me plane që tejkaloheshin dhe punë që nuk bëheshin, derisa
një ditë kur nuk u bë dot asnjë plan dhe asnjë punë, të gjithë muar arratinë.