| E hene, 08.08.2022, 07:39 PM |
Bozhidar Deliç nuk është
vetëm!
Nga
Enver Bytyçi
Bozhodar
Deliç është rizgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Serbisë. Ai ishte në këtë post
edhe legjislaturën e kaluar dhe do të jetë gjithashtu në këtë legjislaturë. Por
zhurma po bëhet tani pas katër vitesh. Nuk u bë në zgjedhjen e tij të parë,
megjithëse është i njëjti, drejtues i masakrave në Kosovë, përkatësisht në
rajonin e Prizrenit, Rahovecit, Suharekës dhe Dragashit, ku janë masakruar së
paku 2500 shqiptarë.
Reagimi
i sotëm lidhet me faktin se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nga aktor
në atë që quhet zgjidhje e problemit dhe krizës midis Kosovës e Serbisë, tani
konsiderohet vetë problemi. Zhurma e sotme për rizgjedhjen e Deliç si
nënkryetar i parlamentit serb vjen për të testuar dhe detyruar presidentin
Vuçiq të distancohet nga e kaluara kriminale e tij dhe e vendit të tij. Sepse
nuk është vetëm Deliç. Për t'u distancuar sidomos nga aleanca dhe lidhjet me
Rusinë! A do të funksionojë kjo? Sigurisht që jo! Eshtë thjesht një taktikë e
radhës, të cilën Beogradi e përdor me mjeshtri për të mashtruar Perendimin!
Me
qindra dhe mijëra krimnelë lufte në Bosnjë e në Kosovë janë të lirë në Serbi.
Madje Serbia ka prodhuar kriminelë të rinj të pas luftës, si Milan Radojçiq, i
cili përmes një videoje kërcnoi pak ditë më parë Kosovën me luftë dhe u mor në
mbrojtje nga vetë kreu i shtetit serb. Serbia dhe institucionet serbe nuk mund
të ekzistojnë ndryshe, nuk mund të veprojnë dhe të uudhëheqin pa masën e
kriminelëve në pushtet e në administratën publike.
Bozhidar
Deliç është i partisë së djathë ekstreme NADA, por më parë ka qenë anëtar i
partisë radikale si dhe i partisë së ashtuquajtur progresive të Aleksandër
Vuçiq. Ai është mbështetur dhe mbështetet pikërisht për veprat e tij kriminale
kundër shqiptarëve. Në vend se të hetohej e të gjykohej për krime lufte e krime
kundër njerëzimit, ai është zgjedhur deputet dhe nënkryetar i një parlamenti të
inkriminuar me luftra e masakra kundër popujve të tjerë.
Bozhidar
Deliç nuk është i vetëm. Bashkë me të janë vetë presidenti Vuçiq, i cili në
kohën e masakrave në Bosnjë ishte deputet e kriminelit Shejshel dhe nga
foltorja e atij parlamenti bëri thirrje për vrasjen e shfaqrosjen e 100
muslimanëve për çdo serb të vrarë. Eshtë president ai që në qeverinë kriminale
të Milosheviçit ushtroi detyrën e ministrit të propagandës së tij kundër NATO-s
e pro masakrave dhe genocidit të planifikuar nga shteti në Kosovë. Kur vetë
presidenti i një vendi është i inkriminuar dhe personazh krimesh në të shkuarën
e tij, nuk mund të pritet që ai të largojë bashkëpunëtorët e vet nga politika dhe
institucionet e vendit të tij. Vuçiq nuk bën dot përjashtim për këtë.
Ndërkohë,
përveç Vuçiq, aktorë të rëndësishëm të krimeve në ish-Jugosllavi e në Kosovë
janë edhe të tjerë politikanë. Ivica Daçiq është njëri prej tyre. Ai ishte
zëdhënësi i Milosheviçit! Pas tij është Aleksandër Vulin. Dhe ne shohim çdo
ditë se si këta kriminelë të dëshmuar në luftën kundër shqiptarëve nxisin
aktualisht konfliktin kundër Kosovës dhe destabilizimin e rajonit tonë. Nëse
dikush do të hulumtonte me saktësi dhe në detaje përbërjen e parlamentit,
qeverisë, administratës së lartë të shtetit serb, atë të ushtrisë e shtabit të
përgjithshëm të saj, të policisë, prokurorisë e gjykatave serbe, do të zbulonte
me mijëra Bozhidarë Deliçë!
Shqetësimi
është se pse bota e qytetaruar nuk reagon ndaj kësaj situate, e cila është
premisa kryesore për rikthimin e dhunës në rajonin tonë?! Çfarë e mban peng
Europën dhe SHBA-të në këtë histori lëshimesh, ndërkohë që te shqiptarët shohin
edhe qimen në qull?! Hamendësohet se Vuçiq ka premtuar ndërrimin e kursit
gjeopolitik të Serbisë dhe ndaj e tolerojnë atë për të mbërrit te finalja, te
ankorimi i Beogradit në anijen euro-atlantike. Unë i respektoj ata që në
Perendim mendojnë dhe shpresojnë te Vuçiq!
Por
është naivitet i palejueshëm të besosh se kriminelët serbë bëhen
"demokratë" dhe "përkrahin vlerat perendimore"! Ata janë
dhe do të mbeten me shpirt e me zemër në aleancë strategjike me Rusinë! Ata e
shohin presidentin rus, Vladimir Putin, si "shpëtimtarin" e Serbisë!
Ata nuk kanë asnjë ndjesi pozitive për Europën dhe SHBA-të! Nëse gjendet ndonjë
i tillë, ai nuk ka e nuk do të ketë për dekada me radhë ndonjë ndikim në
opinionin serb.
Bozhidar
Delliç jo vetëm nuk është vetëm, por fatkeqësisht ai ka përkrahjen e
Perendimit. Shihni si i sheh Perendimi me lupë deklaratat e liderëve shqiptarë
dhe sa ashpër reagon ndaj tyre!
Ndërkohë
qe Vuçiq ndez flakët e luftës dhe mban mijëra kriminelë të tipit Deliç e askush
nuk guxon t'i reagojë! As kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili nuk
përton t'u hakërrehet shqiptarëve të tij si të qe xhandar i mesjetës!