| E enjte, 04.08.2022, 07:34 PM |
Dom Ndoc Nikaj
(15.06.1864 - 16.01.1951)
Nga
Ardian Ndreca
Ky
vit përkon me 130-vjetorin e krijimit në Shkrel të Malsís së Madhe të “Lidhjes
së Mshehtë për Fé e Atdhé” të abat Preng Doçit dhe dom Ndoc Nikës që asokohe
ishte famullitar i Shkrelit. Ajo lidhje ishte hapi i parë konkret që përgatiti
valën kryengritëse të fillimeve të shekullit të ri, prandaj shpresojmë që
ndokush të kujtohet!
Po
këtë vit i takon me përkujtue edhe 120-vjetorin e marrjes nga ana e dom Ndoc
Nikës të dekoratës dhe çmimit prej 1000 Fr. ar prej Komitetit të Parisit, që
përbahej prej Faik Konicës, Aladro Kastriotit, Babatasit, Xhafer Vilës etj. Të
hollat u shpenzuen me botue “Historinë e Shqypnís”, dekorata pale se ku ka
përfundue!
***
Dom
Ndoci kuptoi ma i pari se tashma ishte nevoja e nji tipografie në Shqipni e
mbas shumë mundimesh, fill mbas shpalljes së Hyrjetit nxori lejen në Stamboll
dhe ç’prej vitit 1910 nuk prani tue botue fletore (gazeta) e libra shqip.
Kur
donte me dalë në Europë dom Ndoci shkonte përpara në Stamboll pse prej atje
ishte e vështirë me u gjurmue prej anmiqve të çështjes kombtare se ku ishte
drejtue e kë donte me takue. Edhe kur ktheu prej Parisit me dy flamuj sa nji
çarçaf në vitin 1897 i ra nga Stambolla për me humbë gjurmët dhe flamujt i
veshi nën petka mos me ia diktue dogana.
***
Libri
i tij i parë asht “Vakinat e Kishës” (1888), mbas tij vjen romani ma i parë
shqip “Marcia” (1889) e mandej edhe rreth 20 vepra tjera e nji duzinë me
dorëshkrime.
Tregon
ai vetë se dy ditë mbasi malazeztë vranë Çerçiz Topullin e Muço Qullin, (akti
tejet i shëmtuem bani shumë përshtypje në Shkodër ku ishin strehue disa
patriotë toskë), guvernatori Bozho Petroviq e arrestoi dhe dom Ndoci mendoi se
mbas propagandës antimalazeze që kishte ba gjithë ato kohë tash po e priste
plumbi.
Kur
e sollën para dinjitarit pushtues u trimnue e mendoi, humbë se humbë, me iu
drejtue i pari Petroviqit tue i thanë pak a shumë: s’e mohoj se jam atdhetar, e
due lirinë e vendit tem dhe kam shkrue e veprue kundër jush, gjithçka asht faqe
botës, faje tjera s’kam e këto i njehi për merita.
Bozhoja,
i afërt i Krajlit, iu drejtue: i di të gjitha, ku me e marrë me i pasë un
malazezt aq atdhetar siç je ti - dhe e la të lirë me shkue.
***
Dom
Ndoci s’u përzie gjatë Luftës së Dytë botnore, edhe pse fillimi i saj e zuni
75-vjeçar. Mbasi kreu lufta regjimi i ri e shpërbleu veteranin e patriotizmës
dhe kulturës shqiptare tue nxjerrë me ceremoni prej gropës së zezë të shtëpisë
së tij nji pushkë turkut të ndryshkun e tue ia varë në krah e mandej e shetitën
nëpër Shkodër gjoja për ta demaskue. Ishte plak 81 vjeçar. S’mjaftoi kjo por
bani burg ku edhe vdiq.
Tue
qenë se ishte romancieri i parë dhe emni i tij dilte kudo në 50 vjet aktivitet
patriotik e letrar, nuk mundën me e shlye prej historisë së letërsisë, por
kurrkush s’e pranoi asnjiherë se qe nji faj i madh me i ra kot në qafë nji
personaliteti si ai.