| E premte, 29.07.2022, 06:55 PM |
Shpulla
Nga
Edison Ypi
Kur
iku me anije u betua se nuk do kthehej më kurrë në Shqipëri.
Megjithatë
u kthye.
U
takua me një mik në kafene.
-Meqënëse
deri më sot, i tha mikut, të persekutuarit s’kanë bërë asnjë xhest hakmarrjeje,
s’kanë goditur kurrë as me një shpullë të vetme ndonjë persekutor, unë erdha
t'ja rras me shpullë njërit prej tyre, spiunit tim.
E
kërkova spiunin tim, por nuk e gjeta, kishte vdekur.
Nuk
mund t'ja hapja varrin t’i rrasja një shpullë skeletit të spiunit tim.
-Më
vjen po aq mirë që spiuni yt paska vdekur, ja priti miku, sa edhe keq që vdiq
pa i hequr ti një shpullë. Duket si hakmarrje e të vdekurit ndaj të gjallit
vdekja e atij qeni. Duket sikur sikur spiuni yt ka vdekur për të mos ta
mundësuar ty të hakmerreshe ndaj tij duke i dhënë një shpullë surratit. Nuk e
di si do isha sjellë në të njëjtat rrethana unë me spiunin tim.
-Paske
pas edhe ti spiun ?!
-S'ka
shqiptar të mos ketë pas spiun. Problemi është se spiunat nuk po quajnë spiun
veten, por tjetrin, atë që spiunonin, viktimën, domethënë ty dhe mua. Shpullën
që s’ja rrasa dot spiunit, vendosa t’ja ngjesh gjykatësit. Por doli që
gjykatësi, gjykatës ishte atëhere, gjykatës është sot. Megjithatë do t’ja kisha
ngjeshur shpullën po të mos kishin dalë disa ngatërresa. Me gjyqin e një nipit
tim po merret një shok i ngushtë i ish gjykatësit t’im. Që do të thotë se po
t’i fusja shpullën gjykatësit tim do merrja më qafë nipin tim. Kështu
dashur-pa-dashur lashë gjykatësin nisa të kërkoj prokurorin. Me prokurorin
ishin hakmarrë të tjerë më tepër se me një shpullë. Kishte rënë viktimë e
luftës brenda llojit kur unë isha ende në burg E kishin bërë atë vetë dhe
familjen e tij kashtë e koqe nëpër internime dhe burgje. Pas prokurorit vendosa
të kërkoj hetuesin. Hetuesi më doli autoritet i lartë i një universiteti, në të
cilin universitet studiojnë një mbesë dhe një nip. As hetuesit pra s’munda t’ja
rrasja shpullën për të mos i nxjerrë ngatërresa nipit dhe mbesës.
U
largova nga hetuesi për të gjetur njërin nga dëshmitarët. Atë, i cili, pa më
njohur fare, në gjyq tha për mua gjithato rrena. Rashë në gjurmët e dëshmitarit
rrenacak. E takova. Me ‘të më ndodhi diçka e paparashikuar. Sa më pa, nisi të
më kërkojë falje në një mënyrë aq të pështirë, aq të neveritëshme, duke u
jargavitur dhe duke u zhgërryer aq ndyrë para meje, sa mu duk se po tja rrasja
një shpullë, dora do më ndotej aq tepër sa nuk do mund ta laja dot kurrë dhe do
ta prisja me sëpatë me dorën tjetër.
E
lashë atë ndyrësirë.
Nisa
të kërkoj një tjetër dëshmitar rrenacak të cilin edhe atë, për fat, e gjeta
shpejt. Mirpo doli se një djali i tij qe fejuar dhe do martohej me një
kushërirën time. Edhe mund tja kisha futur një shpullë atij pisi. Por halli se
pas shpullës mund të bëja lëmsh jetën e kushurirës. Ndërkohë që po mendoja se
kush tjetër e meritonte shpullën, mora vesh diçka që më llahtarisi; Një
dhëndërr i farefisit tim kishte qënë spiun. Nuk më rezultoi se na kishte
dëmtuar. Ama gjithçka që kishim llafosur paskësh përfunduar në veshët e
syshkabës, Sigurimit. Ky zbulim më tmerroi aq tepër sa prej atij momenti nisa
ta shoh me dyshim krejt farefisin. Nuk zbulova dot se ndonjëri apo disa prej
tyre të kishin qënë spiunë. Ama të tërë bashkë m’i mbuloi mjegulla e dyshimit.
Pavarësisht
këtyre dështimeve, nuk u ndala në rrugën për gjetjen e plehrës që meritonte
shpullën. Ku s’më vajti mendja. Kam pasur dy shokë të cilëve u thosha dhe më
thoshin gjithçka. Kur u muar vesh që diktatura i kishte ditët e numuruara, të
dy u zhdukën në mënyrë misterioze njëri në Amerikë tjetri në Itali dhe nuk u
kthyen më. Nuk mund të them kanë qënë a s’kanë qënë spiuna. Di të them vetëm se
ikja e tyre e beftë më ka mbetur e dyshimtë.
Në
këto e sipër mora vesh ca lebetira të tjera; Njerëzit e spiunit t’im të vdekur,
atij që bënte muhabet me mua në shtëpinë t’ime dhe të gjitha shkonte i zbrazte
"Në Teqe", pra në Sigurim, ishin të lidhur prej vitesh me interesa
biznesi me ca njerëzit e m’i që jetojnë në një qytet tjetër.
Ai
që gjykatës ishte gjykatës është, ishte mpleksur në ndërtimin e një pallati,
trualli i të cilit ishte, dhe është, i një mikut tim, të cilin mik e kam pasur,
dhe mik e kam.
Më
dolën dhe të tjera mpleksje që s’ma kishte marrë kurrë mendja se mund të
ndodhnin, ndërlikime këto që e vështirësonin edhe më edhe më shpullën turinjve
spiunit.
I
zhytur në këto hollësira dëshpëruese thashë ti jap fund duke ja rrasur shpullën
ndonjërit prej kushurinjve që braktisën familjen time kur më burgosën mua. Atij
më të ndyrit prej tyre, se ishin shumë. Mirpo pas gjithë këtyre viteve, jo
vetëm që njerëzit e m’i dhe njerëzit e tij kishin zbutur goxha me
njëri-tjetrin, por fëmijët dhe nipat ishin mpleksur aq sa mes tyre s’kishte
mbetur asnjë dallim.
Në
këto rrethana, kërcitja e shpullës t’ime mbi surratin e kushuririt plehër s’do
kishte asnjë jehonë, madje asnjë kuptim. -E di si është puna ?
-E
spiunit t’im apo e spiunit tënd ?
-E
spiunit t’im pra. A po më ndjek ?
-Po
të ndjek, por u shkëputa për një çast nga hallet e tua me spiunin tënd dhe u
zhyta në ca përsiatje për spiunit t’im.
-Zbulimi
i mpleksjeve shqiptareske me spiuna dhe viktima paskan qënë gjërat më të ndyra
të kësaj bote.
U
betova se nuk do iki andej nga erdha pa ja rrasur dikujt një shpullë, dhe atë
shpullë s’po mundem t’ja rras kurrkujt. Ky tersllëk po ma bjerr fare burrninë.
A më ndihmon të mos kthehem pa ja rrasur dikujt një shpullë ?
-Edhe
unë nuk dua që ti të kthehesh pa ja futur një shpullë surratit ndonjë pisi.
Është çështje dinjiteti për ne të përndjekurit. Folë. Vetëm para' mos më kërko.
-A
të ta fus ty turinjve atë shpullë ?
-Po
dyshon edhe për mua ? Qënke çmendur.
-Nuk
jam çmendur. Me këto që po shoh e po dëgjoj këtu, s’ka asnjë çudi që të dyshoj,
jo vetëm unë tek ty, por edhe ti tek mua, edhe ti tek vetja jote, edhe unë tek
vehtja ime. Nuk do kthehem nga erdha pa j’a rrasurr dikujt një shpullë. Meqënse
ti nuk po më ndihmon, po ndihmoj veten.
U
ngrit në këmbë. J’a rrasi vetes një shpullë.