| E marte, 26.07.2022, 07:05 PM |
GUVERNATORJA E NJU JORKUT TAKOHET ME SHQIPTARO-AMERIKANËT NË RRUGËN GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE NË NJU JORK
Nga
Frank Shkreli
Gjatë
viteve, komuniteti shqiptaro-amerikan është takuar me zyrtarë të lartë të
Shteteve të Bashkuara të niveleve të larta vendore, shtetërore dhe federale për
të qarë hallet dhe për të kërkuar ndihmë për komunitetin e këtushëm por edhe
për mbështetje më të mëdha dhe më të rëndësishme që kanë pasur të bëjnë me
fatin e bashkatdhetarëve tanë anë e mbanë trojeve shqiptare – në përpjekjet dhe
luftën për sigurimin e të drejtave të njeriut, lirisë, drejtësisë dhe
demokracisë së vërtetë. Është kjo një e kaluar e shkëlqyer në historinë e
komunitetit shqiptaro-amerikan.
Por
komuniteti shqiptaro-amerikan vazhdon të bëjë histori. Ishte një kohë që
komuniteti ynë këtu në Nju Jork dhe në Amerikë, përgjithësisht, dikur kërkonte
vëmendjen e udhëheqësve më të lartë të atdheut tonë të adaptuar Shteteve të
Bashkuara të Amerikës – për të na ndihmuar, në të kaluarën, sidomos, përball
sfidave të diktaturave të shekullit të kaluar – shëmbjen e komunizmit në
Shqipëri dhe çlirimin e pavarësinë e Kosovës nga zgjedha e regjimit terrorist
serb të Millosheviçit, ndër të tjera.
Por, sot ka ardhë koha politikanët amerikanë janë ata që kërkojnë
vëmendjen e komunitetit shqiptaro-amerikan, gjë që tregon – se megjithëse i
vogël në numër, në krahasim me komunitetet e tjera etnike më të mëdha, komuniteti ynë ka arritur të luaj një rol të
rëndësishëm, jo vetëm në ekonominë vendore por edhe në qarqet politike
amerikane. Një rast konkret.
Të
shtunën mbrëma më telefonoi Z. Mark Gjonaj, bashkvendasi im nga rrethi i
Ulqinit -- aktivisti i palodhëshëm i komunitetit tonë këtu në Nju Jork dhe jo
vetëm, ish-asambleisti dhe anëtar i Këshillit të Qytetit të Nju Jork, realizues
i shumë projekteve shoqërore shumë përfituese për komunitetin
shqiptaro-amerikan këto vitet e fundit -- për të më njoftuar se posa kishte
folur me Guvernatoren e 57-të e shtetit të Nju Jorkut, demokraten (e para femër
guvernatore e këtij shtetit), Zonjën Kathy Hochul, e cila i kishte shprehur
dëshirën që të takohej me komunitetin shqiptaro-amerikan ditën e nesërme, të
dielën. Marku, natyrisht, vihet në lëvizje të shpejt -- ashtu siç e ka zakon
për raste të tilla -- për të organizuar brenda disa orësh takimin e
Guvernatores Hochul, për ditën e nesërme, me komunitetin
shqiptaro-amerikan. Megjithëse ishte një
kërkesë e “minutit të fundit”, që takimi të bëhej ditën e dielë, Mark Gjonaj ia
doli që vetëm, brenda disa orësh, të organizonte një pritje të mrekullueshme
mysafirës së lartë e shtetit Nju Jork, e cila po takohej – me ftesën e ardhur
prej saj – për herë të parë si guvernatore me komunitetin shqiptaro-amerikan.
Unë
nuk jam në dijeni – megjithse mund të ketë ndodhur më parë – por nuk mbahet
mend që një guvernator/re e shtetit të Nju Jork-ut të bëjë thirrje të takohet
dhe të organizohet miting me komunitetin shqiptaro-amerikan këtu në Nju
Jork. Zakonisht, ndodh e kundërta,
komuniteti ynë fton politikanët për takime ose për pjesëmarrje në ndonjë
ceremoni me rëndësi.
Por,
ja Guvernatorja Hochul erdhi të dielën për takim me komunitetin
shqiptaro-amerikan – në lagjën e banuar nga shumë shqiptarë në Bronx – po aty,
ku disa javë më parë është zhvilluar ceremonia e emrimit të rrugës Gjergj
Kastrioti- Skenderbeu – një realizim tjetër ky i aktivistit të njohur të
komunitetit shqiptaro-amerikan, Z. Mak Gjonaj. Mu aty në rrugën e Gjergj
Kastriotit – Skenderbeu, në Bronks të Nju Jorkut, komuniteti shqiptaro-amerikan
i udhëhequr nga Mark Gjonaj i ofroi mirëseardhjen të parës së shtetit të Nju
Jorkut, Guvernatores, Kathy Hochul, me mikpritjen tradicionale shqiptare.
Duke
mirëseardhur Guvernatoren në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork
në veçanti dhe në Amerikë, në përgjithësi, Mark Gjonaj tha se
shqiptaro-amerikanët i gjenë kudo të punësuar, “Në radhët e para të forcave të
armatosura të Shteteve të Bashkuara, në radhët e policisë e të arsimit; ata
janë zjarrëfikës, mjekë e infirmjerë në spitalet tona, janë anëtar bordesh dhe
japin mësim në shkolla dhe universitetet tona. Kur flasim për shqiptarët, kemi
të bejmë me njujorkezë të vërtetë të cilët janë mirënjohës për të mirat dhe
mundësitë që u janë dhenë dhe për privilegjet që gëzojnë në këtë vend.”
Z.
Mark Gjonaj vazhdoi duke thenë se qyshë në kohën që ai ishte anëtar i Asamblesë
së shtetit të Nju Jorkut kishte punuar me Guvenatoren Kathy Hochul – kur ajo
ishte zevendës-guvernatore dhe se ajo i kishte premtuar që atëherë se ajo donte
të njihej më mirë me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe se ajo “donte të dinte
më shumë edhe për nevojat dhe shqetësimet tona”, në përgjithësi. Ajo e mbajti
fjalën”, tha Z. Gjonaj. “Ajo me kontaktoi dhe më pyeti nëse mund të takoheshim
me komunitetin shqiptaro-amerikan, me qëllim për tu përshendetur me njëri
tjetrin, një takim ku ju të beni pyetjet tuaja dhe që guvernatorja tu
përgjigjet pyetjeve dhe shqetësimeve tuaja”.
Ja ky është objektivi i vizitës dhe i takimit me ju sot”, shtoi Z. Mark
Gjonaj dhe ia dha fjalën Guvernatores Kochul.
Guvernatorja
Hochul, nga ana e saj, përshëndeti përzemërsisht të pranishmit dhe me këtë rast
shpalosi vizionin e saj për banorët e Nju Jorkut ndërsa ofroi edhe ndihmën e
saj për komunitetin shqiptaro-amerikan.
Duke ku drejtuar Z. Mark Gjonaj, Guvernatorja Hochul e cilësoi Z. Gjonaj
si një, “Zyrtar publik i shkëlqyeshëm me të cilin kam patur rastin të punoj në
të kaluarën”, tha ajo. “Ky është një luftëtar, gjithmonë kishte në zemër dhe në
mendje interesin e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe zonës së tij elektorale,
duke i ndihmuar ata që përvojën amerikane t’a bëjnë pjesë të përvojës së tyre
peronale. Ju falënderoj për rolin tuaj udhëheqës”, i tha ajo Z. Mark Gjonaj. Ndërsa duke iu drejtuar përfaqsuesve të
komunitetit në atë takim, “këtij komuniteti të madhërishëm këtu, mbi 100-mijë,
përqëndruar këtu në këtë zonë që quhet “Shqipëria e vogël”, ku celebrohen disa
prej traditave dhe zakoneve më të mira, ku nderohen dhe kujtohen njerëz të
dalluar e kontribues, shumë prej të cilëve janë arratisur nga rrethanat të
vështira në atdheun e tyre të prejardhjes, por në kërkim të asaj “ëndrrës
amerikane”, si shumë e shumë të tjerë, përfshir gjyshin e gjyshe time. Unë
shpresoj që ju të kini gjetur këtu, jo vetëm “ëndrrën amerikane”, por edhe
“endërren njujorkeze” në këto hapësira, në këtë komunitet, sepse ky komunitet
është më i mirë dhe më i bukur dhe më interesant, pikërisht, për arsye të
pranisë së juaj këtu. Dhe vullneti juaj
për të punuar duke hapur tregti të reja, për të na ndihmuar që të ndërtojmë një
Nju Jork më të mirë, nepërmjet punës tuaj, siç përmendi edhe Marku, për të na
ndihmuar të luftojmë krimin, ndër të tjera. Përparësia ime, numër një, si
guvernatorja juaj, është që t’ju garantojmë shëndetin, sigurinë juve dhe
familjeve tuaja...kjo është përgjegjësia ime numër një...”, ka thënë
guvernatorja e Nju Jorkut në takimin me shqiptaro-amerikanët në rrugën Gjergj
Kastrioti -Skenderbe, në lagjën Bronks
të Nju Jorkut, të dielën që kaloi.
Dua
të përfitoj nga ky rast i vizitës së Guvernatores së shtetit të Nju Jorkut të
djelën në komunitetin shqitaro-amerikan në Bronks, një vizitë kjo që tregon
rolin e shtuar politik dhe ekonomik të shqiptarëve në këtë vend. Kam theksuar
shpesh nevojën e angazhimit të brezit të ri të shqiptaro-amerikanëve në
politikën vendore dhe të niveleve të tjera shtetërore dhe federale. Unë jam
munduar që të pasqyroj në të kaluarën, sadopak lëvizjet pozitive në këtë
drejtim – siç është angazhimi i Z. Mark Gjonaj në proceset politike të Nju
Jorkut. Çdo fillim është i vështirë, sidomos angazhimi në arenën politike
amerikane nuk është i lehtë. Por
mundësitë të janë të mëdha që të rinjtë dhe të rejat e këtij komuniteti të
angazhohen më seriozisht për tu bërë pjesë e
procesit politik të këtij vendi.
Mark Gjonaj, ka luajtur një rol model për këtë brez të
shqiptaro-amerikanëve, se çdo të thotë angazhimi i vetëm i një personi për
komunitetin që bëhet pjesë e procesit politik, si përfaqsues politik i një
komuniteti, siç është komuniteti shqiptaro-amerikan – në çfardo detyre qoftë.
Nëqoftse dëshironi të kontriboni për komunitetin tuaj shqiptaro-amerikan ndiqni
shembullin e Z. Mark Gjonaj, “shërbëtorit të shkëlqyer publik”, siç e cilësoi
Z. Mark Gjonaj, Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, para një grupi
shqiptaro-amerikanësh në rrugën Gjergj Kastrioti-Skenderbe në Bronks, të dielën
që kaloi, në takimin e saj me ta. Duhet
vetëm të shikoni përfitimet e shumta që i kanë ardhur komunitetit
shqiptaro-amerikan gjatë disa viteve të fundit -- falë angazhimit serioz dhe
punës së rëndë të Z. Mark Gjonaj -- në procesin politik të këtij vendi të madh
e demokratik për të parë nëse, vërtetë, ia vlen. Unë them se po!
Më
poshtë fotot nga aktiviteti i ditës së dielë:
Z.
Mark Gjonaj duke bërë simbolin e shenjtë të shqiptarëve, shqiponjës dy-krenare
me Guvernatoren e shtetit të Nju Jorku, Kathy Hochul
Këmisha
me mbishkrimin nga Guvernatorja: “Më takoni tek Gjergj Kastrioti-Skenderbe në
Bronx, Nju Jork”