| E enjte, 21.07.2022, 07:38 PM |
Ndue Ukaj:
Në
një ditë vere si kjo, 97 vite më parë ka lindë gjeniu i letërsisë shqipe,
Martin Camaj, kurse po në një ditë vere si kjo, 10 vite më parë, ka kaluar në
amshim poeti Ali Podrimja.
Lidhja
mes Camajt dhe Kosovës është e fortë dhe në njëfarë mënyrë, atë që bëri Ernest
Koliqi në fushën e arsimit, e bëri Camaj në fushën e poezisë e librit, duke
botuar dy librat e tij të parë me poezi në Kosovë, me çka filloi zhvillimi i
poezisë në Kosovë e hapësira tjera
shqiptare jashtë Shqipërisë.
Pra,
Camaj në Prishtinë, botoi dy librat e parë “Nji fyell ndër male” (1953) dhe
“Kanga e vërrinit” (1954), dhe me të zë fill poezia shqipe në Kosovë. Kjo
domethënë se ai bëhet shënjues i identitetit letrar e kulturor të Kosovës së
mëvonshme.
Poezia
e tij ndikoi fuqishëm në konsolidimin e letërsisë shqipe në këto hapësira,
ndërkohë që ndikimi e tij pozitiv vërehet në poezinë e Azem Shkrelit, Rrahman
Dedajt, Ali Podrimjes dhe një plejade të tërë poetësh të Kosovës. Kjo është
shenjë dhe dëshmi e një vepre të madhe dhe me ndikim.
Këto
lidhje letrare dhe estetike janë vlerat themelore të kombit tonë, janë oksigjen
për të pastruar atë helmin që ndonjëhetë e mbjell politika dhe injoranca.
Leximi
i veprës së Camajt e Podrimajt është shumë i dobishëm dhe mund të shërbejë si
ilaç kundër gjuhës së gjarpnit.
Vepra
e Camjat dhe Podrimjës janë dëshmi të forta sa të thella e sa të natyrshme janë
lidhjet ndërmjet shqiptarëve.
Prandaj,
të frymëzohemi nga vepra e tyre dhe t' i lexojmë ato, sepse na dëftojnë gjuhën
e mirësisë dhe bukurisë.