| E hene, 18.07.2022, 07:33 PM |
KLISHETË E “ARTA” SHQIPTARE
(Nga
cikli: “Diskurs veror”)
NGA
NDUE DEDAJ
Sipas
Fjalorit të Gjuhës Shqipe (2006) kuptimi i figurshëm keqësues i fjalës klishe
është “ide, mendim a shprehje që përsëritet në mënyrë shabllone”. Shqipëria
është një vend i vogël, por shpesh herë fjalët lavdëruese i ka të “mëdha”,
steriotipe. Kohë pas kohe janë krijuar disa klishe që nuk shporren më nga
ligjërimi. Qe thënë në vitet ’50 për doktor Frederik Shirokën “kirurgu me duar
të arta”, siç dhe ishte në të vërtetë, por kjo frazë shqiptohet tashmë thuajse
për çdo kirurg. Kuptohet që ka pasur e ka dhe plot kirurgë të tjerë të shquar,
mirëpo secilit mund t’i gjendet epiteti përkatës, pa qenë nevoja e përsëritjes
vend e pavend të së njëjtës shprehje cilësuese, a thua se kemi të bëjmë me
ndonjë formulë magjike pa të cilën nuk ka kuptim emri të cilit i bashkëngjitet.
Dëgjon të përdoret rëndom për shkrimtarë të ndryshëm “ai ka penë të artë” etj.,
që nuk thotë asgjë individualizuese se si është ai si shkrimtar. Fjala “e artë”
e ka fituar legjitimitetin në botën e letrave, përderisa Ministria e Kulturës
ndan çmimin letrar “Pena e Artë”, krahas “Pena e Argjendë”, për të mos vijuar
me tej me ndonjë penë të “bakërt”, sesa për atë të kallajit nuk do ta pranonte
askush. Kemi dhe medaljen “Dekorata e Artë e Shqiponjës”, “Ylli i Artë” etj.
Nuk është vetëm fjala “i/e artë” që mund të shënojë diçka të lartë cilësisht,
edhe pse ka të bëjë me metalin më të lashtë e më të çmuar të njerëzimit, arin.
Askush s’ thotë ta rrëzojmë apo përjashtojmë metaforën e së artës, që është nga
më të bukurat, po fjala është gjithnjë për teprimet deri në shpërdorim.
Artistë
të ndyshëm të shquar janë quajtur “Paganini shqiptar”, “Shaljapini
shqiptar”, “Çarli Çaplini” shqiptar etj.
krahasime të panevojshme inferiore, teksa nuk kemi dëgjuar që ndokush të quhet
Don Kishoti shqiptar, ngaqë të tillë ka shumë, apo që askush nuk dëshiron të
identifikohet me të. Po kaq i rëndomtë është bërë epiteti “legjendë” duke u
përdoruar për çdo artist apo futbollist të shquar nga kryeqyteti dhe rrethet.
Po të na dëgjonte Gjergj Elez Alia me siguri do të qeshte me të madhe me këto
“legjendat” tona bashkëkohore që s’kanë të kryer. Jo, asgjë nuk kanë këta me
legjendarët e motmotshëm të Eposit të Kreshnikëve, Rozafën a Kostandinin. Edhe
nëse fjala legjendë mund të thuhet njëherë, bie fjala, për një artist si Bekim
Fehmiu apo futbollist si Panajot Pano, nuk mund ta përdorësh për çdokënd të
fushës së teatrit e kinemasë apo të sportit, sado i zoti të jetë. Ashtu siç
hasim dhe togfalëshin “mretëresha e këngës shqiptare” për këtë apo atë
këngëtare të mirënjohur, e para se nuk mund të ketë disa mbretëresha dhe
kryesorja: secilës nga artistet e shquara të muzikës, aktrimit apo penelit i
bën nder emri i vet artistik, me të cilin dhe identifikohet dhe jo krahasimet e
përgjithshme shabllone, qoftë dhe duke i mikluar ato me fjalën mbretëreshë. Por
ka dhe më tej, tashmë gjeniu nuk e përdoret vetëm për Fishtën e Kadarenë, por
dhe për shkrimtarë të tjerë, që as vetë nuk do ta donin këtë “dhuratë”. Apo nuk
kemi dhe “Gjeniu i vogël” për fëmijët që sapo kanë filluar të “bilbilojnë” në
fushën e artit?
Shpërdorimi
i fjalës është një nga dobësitë e ligjërimit tonë të folur e të shkruar, ku
fjalët “yje”, “mit”, “legjendë”, “gjeni”, “ikonë”, “bilbil”, “mbretëreshë”, “i
artë” etj. përdorën pa kursim për
cilindo artist të njohur apo pak të njohur. Të gjithëve iu kujtohet se si
moderatorja e “Big Brother” e hapte emisionin e radhës duke iu drejtuar me
fjalën “yje” konkurrentëve, kur kishte dhe kalimtarë që qendronin dy a tri javë
në program dhe iknin në punën e tyre jo më pak të fisme sesa loja aty. Kjo
psikologji “mbitokësore” e njeriut është shtrirë deri në kopshtet e fëmijëve,
ku këta të fundit jo rrallë quhen yje nga edukatoret, siç dje vogëlushët kishim
yllkat. Ylli si simbol në vetvete nuk ka asgjë të keqe, por kur teprohet me të
ai venitet e nuk “shkëlqen” më. Dëgjon për çudi dhe fjalën “supervajzë” dhe me
të drejtë lind pyetja: “Si mund të jetë ajo ndryshe nga të tjerat?” Super do të
thotë “më shumë se”, “mbi”, po a mund të kemi një më shumë se vajzë, apo
mbivajzë?” Mund të ketë mbiprodhim në ekonomi, apo mbinjeri në diskursin
filozofik, por jo një “supernjeri”. Ja, pra sa lehtë mund të gabohet! Aq më
shumë kur këtë supërvajzën ta paraqet ndonjëri nga moderatorët më të dëgjuar
televizivë të vendit, apo e has dhe si titull të ndonjë përkthimi letrar. Dhe
s’ka të sosur marria e madhështisë ndër ne. Bëhet dikush “Mjeshtër i Madh” apo
“Nderi i Kombit” dhe kjo nga zyrtarët dhe folësit e ndryshëm përcillet si një
nderim për qytetin, rrethin, qarkun etj. Ore njerëz, po ai është dekoruar për
vete dhe jo për vendlindjen apo institucionin ku punon. Të ishte për të nderuar
këto, do t’i jepej titulli qytetit apo institucionit. Është njëlloj si dje, kur
thuhej nga heronjtë e punës se titulli është i juaj o minatorë, sharrëtarë,
fonditorë etj. Jo, or jo, titulli është vetjak. Kulmi është se dhe vetë ata që
dekorohen, për të qenë modestë, thonë se titulli iu përket të gjithëve. Etika,
mirësjellja, falenderimi është një gjë dhe shtirja kinse je popullor është një
gjë tjetër.
E
dëgjon apo lexon vazhdimisht togfjalëshin “Mandela i Shqipërisë”, “Mandela e
Kosovës”, “Mandela i Ballkanit”, kur Nelson Mandela ishte vetëm një dhe s’mund
të kishte një të dytë si ai. Figura të tilla mbetën në histori dhe kujtesën e
njerëzimit pikërisht se janë unike, të papërsëritshme. Nga ana tjetër, sado
ngjashmërisë, një metaforë e tillë nuk i bën nder as atij që krahasohet me
heroin e rezistencës jugafrikane, pasi nuk do të ndihej vetvetja, por
shëmbëllyrë e dikujt të ngjashëm, por më zë më të madh se i tij. “Çadra” e
tjetrit, sado e madhe, nuk të bën më të madh nga ç’je, përkundrazi. Një
disident i një vendi të vogël mund të jetë më pak i njohur, po jo më pak i rëndësishëm
se një Saharov, Solzhencin etj. Klishetë me palcë “heroike” kanë depërtuar dhe
në ligjërimin familjar. Është kthyer në mani e rrjeteve sociale që babai të
quhet “heroi im”. Pse doemos diçka me hero për atin? Çdo prind mundohet e
sakrifikon për fëmijën, por i mjafton mirënjohja e shprehur me thjeshtësi.
Rrallë ndonjë prind qëllon që bën heroizëm për fëmijën e tij, që të quhet hero.
Sipas kësaj logjike, edhe për nënën do të thuhej “heroina ime”, çka në të
vërtetë asnjë nënë nuk do ta dëshironte si qasje, madje mund do ta marrte si
një tallje, ani se nga dashuria.
Ende
ka reminishenca të njëfarë përulësia provinciale para njerëzve me pushtet, si
në rastin kur dikush i shkruan një zyrtari të lartë të shtetit, duke e lutur që
të gjëjë pak kohë (e përfytyron gjithnjë të zënë për shkak të punëve të shumta)
që të lexojë letrën e tij. Vetë pushtetarëve iu pëlqen ky duk hijerëndë, a thua
se posti të tjetërson e të bën më të epërm se të tjerët. Ama nuk thuhet kot
“njeri i veshur me pushtet”, pra me një “rrobë” që nuk mund ta kesh përherë.
Kohët
e fundit vihet re dhe një klishe tjetër, ku për t’iu dhënë merita njerëzve edhe
aty ku nuk ka, dikush cilësohet si (bashkë)themelues i gjimnazit të qytetit, i
spitalit, i muzeut historik, i klubit sportiv, në një kohë kur nuk mund të
kishte themelim të një insitucioni nga një apo disa individë në regjimin e
kaluar, pasi sipërmarrje të tilla ishin shtetërore dhe jo private. Drejtori i
parë nuk është themeluesi, as stafi përurues i ndërmarrjes, megjithë rëndësinë
që kanë si nismëtarë. Univeristeti i Tiranës, Akademia e Shkencave, Teatri
Kombëtar, Kinostudio “Shqipëria e re”, RTSH, Filarmonia e Shtetit etj., të
gjitha janë krijuar me vendime qeverie dhe jo me ndonjë akt themelues
individual të ndokujt. Kështu ka ndodhur dhe në rrethe, ku vendimarrëse në
nivel lokal ishin Komitetet Ekzekutive, që kryenin funksionet e bashkive të
sotme. Atëherë të mos flasim për themelues të paqenë, as qendrorë e as lokalë,
por t’i quajmë fiks me emërtimin zyrtar që kanë pasur në institucionin ku shërbyen:
drejtor, kryeinxhinier, shef reparti, regjisor, trajner, administrator,
ekonomat, paçka se dikush qëlloi i pari në atë vend pune e profesion.
Shoqëria
shqiptare është e nevojshme të çlirohet nga supertlativa të tilla që e
varfërojnë ligjërimin publik.