| E diele, 17.07.2022, 07:18 PM |
KODI ROMANOR I IDEALEVE PËR LIRI
(Për romanin “Kohë ethesh” të Bedri Tahirit)
Nga Prend
BUZHALA
Letërsia e krijuar pas luftës është e lindur nga periudha
e dhimbjes më të madhe, nga çastet e vuajtjeve të paskajshme e nga ato të
fatkeqësive e të mundimeve kolektive; mu në vatrën e në thelbin e tragjedive më
të mëdha njerëzore. Ndërkomunikimet letërsi-luftë shfaqen edhe në prozë, ashtu
sikundër shfaqen edhe në romanin “Kohë ethesh” të Bedri Tahirit. I njohur
si autor i disa vëllimeve me tregime në lëmin e krijimtarisë letrare, dhe si
autor i një vargu monografish edhe vëllimesh në letërsisë dokumentare nga ana
tjetër; kësaj radhe ai mori guximin të paraqitet me një roman që e strukturon
dhe e tematizon në disa plane kohën e luftës për liri.
1. Historia si gërshetim polifonik
rrëfimesh
Në fakt, ai gërsheton, në strukturën narrative të veprës,
historinë me legjendën, kallëzimin popullor me rrëfimin e mirëfilltë artistik,
këngën popullore me lartësimin e heroizmit narrativ të luftërave tona
shekullore për liri. Në thjerrëzën
rrëfimore të romanit është protagonisti Kreshnik Guri, “pinjoll e
përfaqësues i denjë, ku ta dish i të satit brez...”, siç shprehet
narratori, si dhe i vajzës që ai e dashuron, Luljetës. Vënia në gërshet e
atdhedashurisë dhe dashurisë, jepet me forcë artistike tek rënia e tyre në fushën e betejës (që
paraqitet kah fundi i veprës):
“Në mesin e tyre, dy vende kishin
ngelur të zbrazëta. Aty nuk po ulej askush. Po mungonin Trimi dhe Vasha.
Ata më nuk ishin në mesin e tyre, ata kishin ikur në përjetësi, pavdekësia i
mori me vete…
Ndërkohë ia bëhu edhe Nënëlokja trime,
me atë ecjen e saj krenare dhe, ende pa zënë vend, u foli me zë të lart
burrëror…”
Romani nuk reshtet pas ndërlikimeve e labirinteve të
rrëfimit modern e postmodern për ta paraqitur luftën si një absurd,
përkundrazi, kërkon për të tërhequr qartë vijën në mes pushtuesit dhe
çlirimtarit, gjakësorëve dhe kryengritësve. Madje, ky procedim i tillë
narrativ, realist, plekset me një stil lirik, lartësues, siç na e dëshmon edhe
fragmenti më sipër.
Kur shkrimtari arrin të lëvizë dhe të përshkojë nëpër
disa kohë, në të vërtetë ai depërton me anë të artit të prozës në vetëdijen
tonë të re historike, në një përmasë të re, duke shënjuar faktorë të shumtë
narrativë; nëpërmes kronikës narrative dhe përshkrimeve lapidare, siç janë
kategoritë e vazhdimësisë historike, jetësore, familjare e ekzistenciale, nga
njëra anë, si dhe të kujtesës, udhëtimit në kohë e kohës nëpërmjet takimeve, nga
ana tjetër. Kësisoj, në roman ka një poetikë të ndërliqshme të kohës.
“Qershor 1389. Java e dytë. Vapë e
madhe, përvëluese. Toka e çarë si pjepri. Thatësi e paparë dhe e padëgjuar. Një
të tillë nuk e mbanin mend as më të moshuarit. Moti s’kishte rënë asnjë pikë
shiu. Edhe dimri i shkuar ishte i pa borë.
-Shpejt do ta shini kush është
Milosh Nikollë Kopiliqi!- u kishte thënë troç darkën e fundit princërore,
gjegjësisht në Kuvendin e mbajtur në kishën e Samadrexhës së Përmalinës.”
Grekët e lashtë thoshin se koha është distanca midis dy
vëzhgimeve në një sekuencë ngjarjesh. Ndryshe e përkufizon kohën fizika,
ndryshe dijet sociologjike, si fenomen që përcaktohet dhe përshkruhet me anë
ngjarjesh e veprimesh. Ajnshtajni përdori ekuacionin matematikor, duke e
përcaktuar natyrën e hapësirës dhe kohës.
Nga ana tjetër, mes rrëfimit romanor dhe realitetit
historik, si dhe shtresimeve mitologjike, ekziston një ndërlidhje imanente.
Autori e ka të qartë se secili moment historik mund të artikulohet nëpërmes trajtave
të ndryshme të rrëfimit mitologjik, historik, atij të drejtpërdrejtë, apo
nëpërmes imagjinatës refleksive, për të ringjallur e shpirtëzuar periudha e
ngjarje historike, personazhe historikë e
të imagjinuar, toponime dhe kërkimet për rrënjët etnike, etimologjike
etj.
Nuk është e rastit përse shtresimet e lashta ilire-pagane
apo ato mesjetare-arbërore të krishtera, duan të shënojnë një realitet historik
kaq imanent për këtë vepër. Kërkimi i këtyre rrënjëve nuk është thjesht një
peizazh, janë përshkrim i rëndomtë a një
dokumentim i thatë. Autori dëshiron të na thotë se ato janë më shumë se kaq.
Nuk është thjesht një hapësirë e përshkruar, por ajo është një hapësirë me
shenjat e veta etnike, të moçme; janë shenja-rrënjë te secili prej nesh, janë
rrënjë brenda qenies sonë. Është ajo që quhet vetëdije historike për lashtësinë
e qenies sonë, nëpër shumë shtresime:
“Të parët tanë, ilirët, besa edhe më herët, pellazgët,
përmes tyre u përballuan sulmeve të egra të romakëve, të bizantinëve, të
hunëve, të avarëve, të ostrogotëve, të sllavëve e tash së fundi edhe të
osmanëve. Themelet e tyre të forta, për një kohë të gjatë, nuk u tundën dot.
Qëndruan e mbijetuan për vite, dekada e shekuj.”
Mu ashtu siç do ta quante Mishel Fuko: historinë si gërshetim
polifonik rrëfimesh subjektive kundruall
atyre shoqërore.
Në roman, përmes reminishencave narrative, paraqiten
figura të njohura të së kaluarës historike të trevës së Drenicës, si Azem
Galica, Shaban Polluzha, Adem Jashari etj., ashtu sikundër shfaqen edhe heronj
nga miti e historia, si Millosh Kopiliqi, apo Muji e Halili...nëpërmes evokimit
historik, legjendar apo rrëfimeve toponimike (një procedim mjaft i gjetur
narrativ e risimtar në këtë roman).
Robert Heinlein, autor amerikan, thotë: "Një brez që
injoron historinë nuk ka të kaluar dhe të ardhme." E Bedri Tahiri
pikësynon që ky komb ta ketë të kaluarën e tij, aq të mohuar, për ta siguruar
të ardhmen që në hapje të romanit, autori na e sugjeron edhe tekstin diskursiv
historiko-mitologjik:
“Lubia shumëkrerëshe dhe e pangopshme aziatike, e
quajtur Perandori osmane, pasi i kapërceu Dadanelet nisi gllabërimin e
pahetueshëm të tokave të reja. Kthetrat e saj të gjakosura i nguliti
thellë-thellë në zemrën e zhuritur të Ballkanit të lashtë.
Çdo gjë nisi së prapthi. Çapitej keq
rreth e përqark rrënjëve të thella të trungut të pastër kombëtar. U vu gisht
edhe mbi etninë tonë: mbi traditën, kulturën, mbi foltoret, e veçan mbi besimin
fetar. Me shpatë e përdhunshëm zu të përhapej islamizmi. Sakaq, filloi edhe
shkrirja dhe asimilimi i të nënshtruarve. Ndërroheshin e çoroditeshin emrat e
vendeve e të njerëzve, adoptoheshin foltoret e monumentet e trashëgimisë.
Ç‘mynxyrë paradoksale! Të gjitha
këto i bënin dhe i zbatonin vetë të robëruarit. I internonin gjithandej, të
gjorët, dhe i detyronin të punonin angari me vite e vite. Treteshin larg e
larg, ku i linin edhe kockat fatzinjtë. Çdo ditë ngjanin të papritura e ndodhi
lemeritëse, që tronditnin dheun”.
Është mitopetika e veprës që gjurmon mitologemat e së
kaluarës dhe të së sotmes, dhe që, me anë të modelimit të tillë, ta rikrijojë
vetëdijen mitologjike arbërore-shqiptare, përmes një sistemi figurativ
metaforash e simbolesh (perandoria e metaforizuar si lubi). Rrënjët historike
janë rrënjë të identitetit. Kësisoj, autori romanizon kulturën materiale e
shpirtërore, gjetjet arkeologjike, toponiminë, unitetin e gjakut, gjuhës,
traditës... deri te prejardhja e përbashkët etnike. Kësisoj, në roman shfaqet
identiteti ynë si fenomen i proceseve komplekse historike, gjithnjë nën
vëzhgimin e dinamikës së ndryshimit të luftërave çlirimtare; ndeshemi me
identitete të shumta komplekse, si dhe të dukurive të shumta e të ndërliqshme
historike, ekzistenciale e sociale.
2. Rrëfimi që lëviz nëpër hapësirat
e kohëve
Nuk është e habitshme përse në vepër hasim struktura
heterogjene diskursive gjithnjë me pretendimin që historikja, e lashta, të
tregohet në mënyrë të re, me një poetikë të re. Poetikën e tillë e dëshmojnë
procedimet ndërtekstuale, intertekstualitetit, komunikimin mes teksteve
narrative me ato mitologjike, apo ato të legjendës dhe historisë me rrëfimin
romanor.
Ndryshe nga proza moderniste, apo ajo postmoderne (vepra
shfrytëzon këta dy krahë procedimesh artistike), autori e ruan ndjeshmërinë e
masës, i ruan komunikimet me lexuesin, e ruan logjikën narrative dhe rrëfimin e
qartë. Përderisa historiografia pikësynon besueshmërinë historike, duke e
sprovuar nëpërmes metodologjisë shkencore; romani ka një përqasje tjetër, atë
të besueshmërisë artistike, me anë të trajtave narrative. Ndryshe nga romani
postmodernist që e parodizon historinë,
vepra e Bedri Tahirit është apologji e së vërtetës dhe lirisë,
drejtësisë dhe dashurisë, triumfit të së mirës dhe përmbysjes së të keqes. Është ai kërkim e
procedim artistik që e shfrytëzon besueshmërinë e faktografisë historike për
t’i gjetur kuptimet adekuate të historisë brenda qenies sonë nacionale,
shoqërore e individuale. Autori anglez John Maynard Keynes, shprehet:
"Idetë formojnë rrjedhën e historisë."
Shpesh historia është treguar njerkë me ne: kur dyert
janë të rënda, e çelësi mungon, si të hapen?! Protagonistët liridashës të këtij
romani gjenden gjithnjë në kërkim të rrugëdaljes. Individit mbase mund t'i mbyllen të gjitha
dyert. Po një kombi të tërë? Historia na mëson se gjithmonë ka rrugëdalje,
historia gjithmonë e ka lënë një derë të hapur.
Edhe në prozë janë jo pak romane që i kushtohen luftërave
liridashëse e ku sinteza e kësaj përvoje historike arrin të shkrihet me
përvojën letrare, kurse brenda veprës ngërthehet esenca e heroikes, e dëshmisë
narrative dhe e luftës çlirimtare.
E, shkrimtari di ta zbresë, këtë raport të lashtë
mitik-historik, në truallin e raporteve njerëzore, në truallin e bashkërendimit
të elementeve krejt heterogjene të përvojave historike, mitologjike e
shoqërore. Kjo zbritje, e kuptuar si art letrar, ndodh edhe në rrafshin e
paraqitjes së ëndrrave e të fanitjeve, të vetëdijeve të nduarnduarta e të
rrjedhave të ndërdijes. Në ato punkte të rrëfyestores prozaike e të suazave
psikologjike, do të humbin e do të zhduken edhe suazat e racionales, aty ku kjo
poetikë e “zbritjes” do të përshkohet nga fantazmagoritë, nga arketipet e nga
obsesionet tjera njerëzore të çoroditura...
Sa i mundimshëm ky shtegtim i kombit tonë, me sa dhimbje
e trandje dramatike ndodh ky ballafaqim ogurzi me shtresat e tjetërsuara, që e
kanë braktisë kujtesën historike kombëtare, që e kanë bjerrë qenien e tyre të
dikurshme, aty ku tash zgjohen dhimbja e loti i dikurshëm! Zgjimi i mundimshëm
vjen si një kujtim i turbullt, si një vrasje e ndërgjegjes që e bart me vete
barrën e krimit. Tashmë të vetëspastrimit. Të katarsisit kombëtar e modern.
Mandej vjen teksti letrar...
-Mirëmëngjes L…u… l... eeeeeeee!
-Mirëmëngjes Kre....shnik!
-Unë të prita!
-Edhe unë erdha!
-Ra kjo luftë e u bashkuam!
-Ashtu është, ra kjo luftë e u
bashkuam!
Shtrëngim duarsh, pulitje sysh e
rrahje të forta zemrash...
Edhe tytat e automatikëve në krahët
e tyre, lëshonin një tingëllimë tjetër fare, kur cakërroheshin mes veti…
-Po dasmën?!
-Edhe asaj i vjen rendi!
-Kur?
-Sa të mbarojë lufta!
-Në liri?
-Po, po, në liri!
-Dasmë lirie?
-Dasmë lirie!
Ky roman nuk është thjesht një rrëfim epik historie, i
luftës për liri, mitologjie apo dashurie; ai ka në qenësinë e vet funksionin
estetik të aktit krijues; në këtë dilemë autori nuk hamendet, për ta ruajtur
edhe angazhimin social-historik e atdhetar, edhe frymën estetike të kreacionit,
sepse, në radhë të parë, teksti është veprimtari estetike, sikundër e nënvizon
këtë gjë Gary Iseminger.
I kultivuar në traditat e shkrimit atdhetar historik, si
dhe në atë të traditës letrare të prozës realiste, Bedri Tahiri arrin të na
çojë në botën e ndërkomunikimeve estetike midis letërsisë dhe historisë,
mitologjisë dhe botës së pasur të intertekstualitetit. Nuk janë të rastësishme
motot te secili kapitull, të marra qoftë
nga krijimtaria gojore, qoftë nga shkrimtarë shqiptarë e të huaj; që mund të
lexohen si raport mes dy a më shumë tekstesh.
Nga ana tjetër, kjo marrëdhënie ndërtekstuale thuret në
mes rrëfimit dhe trajtës së faktografisë historike, letrës dhe lirizmit,
komentit, tekstit mitologjik dhe atij filozofik etj. Marrëdhëniet a përqasjet e
tilla ndërtekstore, ndikojnë në formësimin e veprës, e drejton lexuesin (me anë
të tekstit të tillë) nëpër hyrje-daljet e hapësirave dhe kohëve.
Në roman hasim edhe dramën e mërgimit e të eksodeve
historike. Aty, te dramat e tilla të mërgimit, siç ndodh me protagonistin e
romanit, Kreshnikun, lexuesi i ndien sa e sa dallgë të tilla që e kanë
përfshirë Kosovën në të kaluarën, por që e kanë hedhë në stuhitë e fatit edhe
sot. Nëse shtegu i shpëtimit dje kërkohej jashtë për shkak të përndjekjes
politike, ky shteg rrugëdalje do të gjendet me rikthimin në atdhe mu në çastin
më delikat të historisë... dhe me vetëflijimin për liri të dy protagonistëve,
Kreshnikut dhe Lules.
“Edhe Trimi e Vasha shkuan andej
drejt zjarrit përvëlues.
Dhe,krisma...këngë...ulërima...britma...kukuele…mësyrje...zbrapsje...
Tymi e flaka, ngriheshin deri në
qiell dhe mbuluan çdo gjë përreth.
Granatat shpërthenin hiç pa ndalë. Toka u skuq me gjak të njomë lirie. Dielli
sikur ndali hapin. Zogjtë sikur ndërprenë këngën. Edhe lumthi sikur ngadalësoi
rrjedhën…
Pas pak çdo gjë ra në heshtje
mbytëse…
Luftëtarët, të lodhur e të mërzitur,
ca edhe të plagosur e të gjakosur, qëndronin kokë ulur. Askush çele guri gojën.
Në mesin e tyre, dy vende kishin
ngelur të zbrazëta. Aty nuk po ulej askush. Po mungonin Trimi dhe Vasha.
Ata më nuk ishin në mesin e tyre, ata kishin ikur në përjetësi, pavdekësia i
mori me vete…
Kur autori e sheh të arsyeshme ta entizojë lëndën
letrare, ai kalon edhe në poetizimin e motiveve folklorike, të thadruar tek
atdhetarizmi tradicional shqiptar.
3. Romani, një pelegrinazh artistik
kushtuar dashurisë së pafundme për atdheun
Kodi historik i mbijetesës, kodi i idealeve për liri e
mëvetësi dhe ai i Ëndërrimit, Kujtesës dhe Evokimit, mbulojnë, simbolikisht,
esencën e shprehur nëpërmes tyre; ato shndërrohen në imazhe artistike dhe e
luajnë rolin e udhërrëfyesit e që drejtojnë Protagonistin e librit drejt
vetënjohjes. Nga ky këndvështrim i tillë procedimor e artistik, edhe trimëria,
guximi dhe heroizmi, përbëjnë një etos të veçantë kombëtar, përbëjnë virtyt e
dije, mendësi të veçantë të edukimit etnik, si një nga mënyrat më të sigurta
për të realizuar e për të bartur mesazhe tek ndërgjegjja kolektive; të cilin
etos edhe ky roman, të rimarrë nga krijimtaria popullore, e ka memorizuar në
kujtesën e kombit, përmes kujtesës së personazheve.
Protagonistët shpërfaqen në temën e morbiditetit
njerëzor, pikërisht aty ku zë kulm kthesa e madhe historike, heroizmi i
luftëtarëve të UÇK-së, me ndërhyrjen e madhe të fuqive botërore në Kosovë, dhe
që kurorëzohet me lirinë e Kosovës.
Le ta lexojmë këtë roman si një pelegrinazh artistik
kushtuar dashurisë së pafundme për atdheun. Universi shqiptar përshkruhet me
frymë të lartësuar artistike. Shqiptimi i mesazhit romanor ligjërohet e
rrëfehet si portret i përbashkët i identitetit nacional.
Shkurt, qershor 2022