| E shtune, 16.07.2022, 06:00 PM |
Byroja e (mos) hakmarrjeve politike!
Të
gjithë në parim janë pro Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e
Pasurisë së Pajustifikueshme, por të gjithë janë kundër ndërhyrjeve politike,
kundër veprimeve kundërkushtetuese dhe kundër mospërfilljeve të opinioneve të
Komisionit të Venedikut (Commissione di Venezia)
Shkruan:
Florim Zeqa
Byro pa hakmarrje personale
dhe partiake
Byroja
Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,
duhet të themelohet në përputhje me opinionet e Komisionit të Venedikut apo
thënë ndryshe, na duhet ndërtimi i një
mekanizmi të ri të drejtësisë i cili nuk ndikohet nga urdhrat e partive në
pushtet dhe nga cilado qeveri që vjen pas kësaj aktuale.
Mendoj
se pak rëndësi ka se i kujt dhe i cilës parti ishte propozimi për themelimin e
Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,
e rëndësishme është mirëfunksionimi i saj, pa hakmarrje personale dhe partiake.
Për
arsye se, interesi i shtetit nuk guxon të ndërlidhet me interesat partiake dhe
personale të individëve.
Republikës
së Kosovës i duhet një sistem i drejtësisë i cili garanton barazi e drejtësi
për të gjithë pa dallime partiake, pa pozicionime pushteti apo opozite, i cili
pamundëson ndërhyrjet partiake dhe ndikimin e urdhrave të partive në pushtet.
Efikasiteti
i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së
Pajustifikueshme varet nga disa faktorë: duhet të jetë në përputhje me
opinionet e Komisionit të Venedikut dhe në harmoni të plotë me kushtetutën e
vendit, pa politizime, por me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë
shtetërorë.
Dështimi i partive
politike me sistemin e drejtësisë
Në
asnjë rrethanë Byroja Shtetërore nuk guxon të kthehet në një super institucion
mbi Kushtetutën dhe ligjet që burojnë prej saj, as mbi institucionet e pavarura
shtetërore, por një mekanizëm koordinues dhe unifikues, ku secili prej
institucioneve të pavarura do ta jepte mendimin dhe vlerësimin profesional të
faktuar me prova të pakontestuara ndaj dyshimeve të supozuara për pasuri të
pajustifikueshme të ish zyrtarëve dhe këtyre aktual shtetërorë, të cilët janë
duke u pasuruar në mënyrë marramendëse dhe brenda një kohe relativisht të
shkurtë!
Mosmarrja
e përgjegjësisë nga askush për dështimin e sistemit të drejtësisë përgjatë
këtyre viteve të pasluftës, nënkupton përveç involvimit në këtë dështim edhe
dëshirën e politikanëve për një situatë të tillë konfuze, ku askush nuk i jepë
llogari askujt!
Pothuajse
të gjitha partitë politike kanë dështuar në drejtimin e shtyllës më të
rëndësishme të shtetit, qofshin ata ministra apo zv.ministra, paanashkaluar të
gjithë kryeministrat deri tek ky i fundit, i cili është duke i befasuar të
gjithë për mosmbajtjen e premtimeve elektorale, mungesën e guximit dhe
paaftësinë qeverisëse!
Iku Lumezi por nuk u
kthye Elezi
Politizimi
i ‘Byrosë Shtetërore’ rrezikon që edhe kjo ta ketë fatin e Agjensionit
Antikorrupsion dhe Task Forcës, të cilat për vite të tëra nuk arriten ta vënë
para drejtësisë asnjërin nga “peshqit e mëdhenj”!
Premtimi
bazik elektoral i keyeministrit aktual ishte forcimi i sistemit të drejtësisë.
Të gjithë i kemi të freskëta fjalët e Albinit: “Do të ikë Lumezi e do të
kthehet Elezi në Kosovë”, por nuk ndodhi ashtu! Vërtetë Lumezi iku, por jo pse
e largoi Albini, por pse e përfundoi mandatin kushtetues, ndërsa për Elezin nuk
e flet më asnjë fjalë!
Pse?
Sepse
nuk është në gjendje t’i ofrojë siguri personale dhe as veprimtari të lirë
profesionale në Kosovë. Për më keq se kaq, edhe pas disa muajve, Kosova vazhdon
të mbetet pa kryeprokuror, emri i të cilit ende nuk është dekretuar nga
presidentja e shtetit!
Pse?
Janë
edhe shumë ‘Pse’ të tjerë, saqë, sikur të ishte gjallë Sterjo Spasse, as ai nuk
do mund të jepte përgjigje në këto rrethana, por të vazhdonte deri në pambarim
me romanin e tij ‘Pse’.
Prandaj,
në rrethanat e krijuara, pa erdhjen në pushtet të një klase të re, të guximshme
dhe me duar të pastra, të pakorruptuar
dhe painkrimunar, të pashantazhuar dhe pandikuar nga faktorët e jashtëm,
përmirësimi në sistemin e drejtësisë, përveçse një dëshirë, rrezikon të shndërrohet
në iluzion të pambarim për qytetarët e Kosovës.