| E premte, 15.07.2022, 08:59 PM |
Gjergj Kastrioti si diplomat e burrë-shteti
Nga
Gjon Keka
Diplomacia,
siç e shohim sot, është një shkencë moderne. Megjithatë, si shumë degë të tjera
të dijes njerëzore që nuk kishin as një emër para shekullit të tetëmbëdhjetë,
por, elementet e para të saj shihen në lindjen e shoqërive dhe shteteve.Me
evoluimin e kësaj fushe, si degëzim i shkencave politike, si dhe me reformimin
e sistemit, gjatë kësaj periudhe në mënyrë graduale u shpalos edhe progresi, si
në fushën e politikës, e institucioneve në tërësi, e ushtrisë e deri tek arti i
praktikës së plotë të fushës së diplomacisë së gjerë në hapat e tjerë,nga
diplomacia në kohën e Machiavelli-t, më pas të Klemens L. W. von Metternich ut
e më pas edhe të kardinalit Richelieu. Në këtë kuadër, mund të përmendim këtu
se edhe për Gjergj Kastriotin negocimi ishte një nga instrumentet efektive të
politikës së tij të jashtme. Kjo mund të thuhet se përbënte më pas edhe
procesin e formimit dhe të trajnimit të artit të diplomacisë. Ndërsa çështja e
negocimit dhe e aleancave në këtë periudhë, në fakt, në fillim ishte “i
përgatitjes së tyre”, siç shkruan në librin e tij autori Abbé de Mably, “si
pjesë e shkencës për të negociuar më me vështirësi dhe më me rëndësi. Kjo
shihej më shumë në detajet e operacioneve të saj, por për të bërë disa parime
të mesme, në lidhje me aleatët e saj, por nga rrethanat, në të cilat (shënimi
im) ka negociuar (...), të gjitha aleancat nuk janë të ngjashme. Prandaj është
e rëndësisë së veçantë (shënimi im) aleanca natyrale (...). Aleancat më të
dobishme ndonjëherë edhe janë prishur nga interesat konfliktuale, dhe jo të
gjithë janë të një përfitimi të barabartë. Asgjë nuk është më e rëndësishme për
një shtet se sa të këtë ide të qarta dhe të dallueshme në të gjitha këto
ndryshime. (...)”(Abbé de Mably,1757).
Veprimet
e tilla të historisë politike e shtetërore, si ato të negocimit, të traktateve,
të këshillit të jashtëm të asaj kohe, që luante rolin e politikës së jashtme,
pastaj të aleancave, përbënin në fakt një provë të kohës për të gjitha kombet e
kontinentit europian. Porse më vonë të gjitha këto veprime do të nxirrnin
gjithë gërmadhat e vlefshme të diplomacisë së mesjetës, si dhe pikëpamjet e
asaj kohe, si të politikave të kombeve brenda tyre, ashtu edhe të pushteteve
shtetërore. Duhet theksuar me forcë se, pikërisht evoluimi që pati diplomacia
në mënyrë të vazhdueshme, që nga shekulli XV e deri në vendimet historike dhe
përcaktuese, si ai i Paqes së Westfalisë, në vitin 1648, pastaj ai i Kongresit
të Vjenës më 18 shtator 1814, dhe më pas më 9 qershor 1815, pastaj në vitin
1818 e deri në ditët tona, tregoi një hap të madh historik-politik, por edhe
një fushë që doli gradualisht si e plotë në dritën e kohës dhe të degëzimit të
saj. Po ashtu, madje është e një rëndësie të madhe historike që të përmendet
këtu, edhe Traktati i Gaeta-s i marsit të vitit 1461 nga Gjergj Kastrioti, si
lider i shtetit të Arbrit, me kreun e Napolit, si një traktat në mes dy
shteteve, e që, në fakt, u bë sipas të drejtës ndërkombëtare. Kjo tregon se nga
ky traktat e drejta ndërkombëtare filloi të aplikohet ligjërisht sipas parimeve
juridike dhe sipas praktikës së saj në vazhdimësi. Gjergj Kastrioti ishte jo
vetëm një njohës i ligjeve ndërkombëtare, por ai ishte edhe një ligjvënës aktiv
dhe i dobishëm, si për kombin shqiptar ashtu edhe për parimet e përgjithshme të
së drejtës ndërkombëtare.
Duhet
nënvizuar këtu se principata e Kastriotëve kishte kanunin e vet të llojit
kushtetues dhe tepër progresiv e demokratik për kohën. Pikërisht këto ishin
arsyet që Gjergj Kastrioti konstituoi në Lezhë institucionet demokratike të
shtetit të Arbrit, duke themeluar institucionet e saj të lira të pavarura,
demokratike dhe të lidhura në një trup të përbashkët qeverisës kombëtar, me anë
të përfaqësuesve fisnorë e kryefisnorë.
Edhe
këtu shohim hapat e rëndësishëm të politikës, të diplomacisë dhe të shtet-ndërtimit,
posaçërisht të hapave historikë, në përpjekjet e tij për një unitet të kombeve
të familjes europiane. Shekulli XV e nxjerr diplomacinë si një fushë të re
moderne, por jo të vjetër në praktikën e saj diplomatike, nëpërmjet këshillave
qeverisëse të kombeve dhe të natyrës së vjetër të artit të diplomacisë dhe
politikës së jashtme. Duhet vënë re se në fushën e diplomacisë jo çdokush
hynte, duke e ditur se, po në këtë shekull, qeveritë e kombeve të ndryshme i
përgatitnin siç duhet njerëzit në shkenca politike, njerëz që fitonin ose që
kishin përgatitje të njohjes së të drejtës ndërkombëtare. Pikërisht këta hynin
në fushën e re të artit të diplomacisë si një degëzim dhe kryenin shërbimet me
përgjegjësi e dije, si dhe ishin plotësisht të përshtatshëm për politikat dhe
synimet e qeverive të kombeve, me qëllimin që të kishte një diplomaci të
arrirë, të pjekur dhe një politikë të jashtme efikase, që impononte urtësinë e
politikave ndërkombëtare, por edhe që të mbronte interesat vitale të kombit e
të çdo qeverie kombëtare.
Shërbimi
i tyre ishte me përgjegjësi e me përgatitje të lartë, sepse ata duhej që me
njohuritë e tyre të depërtonin thellë për të zgjidhur çështje të ndryshme, të
cilat kontribuonin fuqishëm si në mbrojtjen e interesave kombëtare ashtu edhe
në nxitjen e marrëveshjeve të përgjithshme ndërkombëtare, nëpërmjet ujdisë
diplomatike dhe faktorëve të përfshirë në këtë fushë. Ndërkaq, po në këtë
shekull e, sidomos aty afër “dy dekadave të fundit të shekullit XV, kishte një
lëvizje drejt pavarësisë së gjuhës së diplomacisë” Dihej tashmë gjuha e
diplomacisë franceze, e cila ishte zyrtare, si dhe ajo latine, prandaj, me
evoluimin e saj u bënë edhe lëvizjet e tjera drejt pavarësisë dhe gjuhës
zyrtare të diplomacisë nga kombet brenda kontinentit europian.
Nga
kjo vinë pikërisht politikat e shëndosha kombëtare dhe ndërkombëtare të
personazheve të mëdha diplomatike në të gjitha kohërat, të cilët, në të
vërtetë, kanë qenë gjë e rrallë, madje disa prej tyre janë historikë e
mbikohorë. Sidomos ata, të cilët kanë udhëhequr procese të rëndësishme
historike, ishin faktorët vendimtarë dhe transformuese për kombet e, veçmas,
për familjen e lashtë europiane. Pikërisht në historinë e diplomacisë dhe të
praktikës së saj, por edhe të degëzimit të saj, si një fushë e rëndësishme e
shteteve dhe e kombeve, rol të rëndësishëm kanë luajtur burrështetasit e asaj
kohe. Njëri ndër ta ishte edhe lideri, strategu dhe vizionari i kombit shqiptar
europian Gjergj Kastrioti. Prandaj historia e diplomacisë, në imazhet e jetës
së kombeve mund të shihet më qartë, madje edhe në mënyrë të plotë, vetëm duke i
hedhur një sy personaliteteve politike mbikohore, liderëve.
Në
këtë kohë u referohemi mbretërve dhe princave të kësaj periudhe, si dhe
këshilltarëve të tyre apo këshillit për politikë të jashtme, më pas
diplomacisë, si fushë praktike, që kanë luajtur një nga rolet e rëndësishme jo
vetëm në këtë fushë, por edhe në veprime të tjera brenda institucioneve të
shteteve dhe kombeve të familjes së lashtë europiane. Ishin pikërisht këto
karaktere të mëdha diplomatike të të gjitha kohërave që, në fakt, qenë gjë e
rrallë për historinë e diplomacisë dhe të shteteve, të cilat edhe përcaktuan
këto konture të diplomacisë që sot, në kohën moderne, janë praktikë e
përditshme e kësaj fushe.
Por,
njëkohësisht, këto karaktere historike mbajtën peshën e madhe
politiko-diplomatike si dhe atë të së drejtës ndërkombëtare të kohës dhe të
fateve historike të kombeve. Këto karaktere të diplomacisë, gjatë praktikumit
të saj përgjatë kësaj periudhe historike u vunë në bazë të veprimeve edhe të
rregullave të sakta të diplomacisë dhe të politikës së jashtme. Kështu, ata jo
vetëm treguan fytyrën e plotë të fushës praktike dhe të degëzimit të
diplomacisë, por edhe të institucionalizimit të saj, të politikës së jashtme.
Gjergj Kastrioti, si një nga karakteret e politikës së kombeve të fuqishme
europiane, ishte një mjeshtër i diplomacisë, i cili, me anë të inteligjencës së
tij, të strategjisë dhe të njohurisë e vizionit për një Europë me fytyrën e saj
të natyrshme dhe me shpirtin e saj unik, ka dhënë kontributin më të madh në
historinë e përgjithshme të Europës, sidomos në fushën e degëzimit të
diplomacisë, si një praktikë e re e shteteve dhe e kombeve.
Por
ajo që e dallonte Gjergj Kastriotin, si një burrështetas i vërtetë, i madh e
vizionar në fushën e diplomacisë, ishte se ai e kuptonte që vetëm e vërteta,
dhe jo dinakëria e mashtrimet dhe hipokrizitë, është qëllimi i diplomacisë dhe
i praktikës së saj, sepse bota ka më shumë nevojë për artin e vërtetë të
diplomacisë se sa për maskën e këtij arti. Ky edhe ishte kodi i diplomacisë së
tij, sepse ai suksesin në diplomaci e shihte vetëm nëpërmjet kësaj fryme dhe
këtij arti real të diplomacisë.
Pikërisht
ky sukses ishte i pandalshëm në kohën kur ai e qeveriste shtetin e Arbrit.
Ndërsa në anë tjetër, ai i shihte marrëdhëniet diplomatike me
Raguzën,Napolin,Hungarinë,Romën etj, si marrëdhënie të natyrshme dhe që
përbënin, në fakt, edhe pikën më të fuqishme mbështetëse të kohës, në lidhje me
mbrojtjen e qytetërimit europian nga pushtimi otoman. Si një burrështeti,
Gjergj Kastrioti u bë për politikën dhe për familjen e kombeve të kontinentit
margaritar i diplomacisë europiane dhe vizionar i madh i të gjitha kohëra,
sepse ai, me urtësinë e tij, me guximin dhe me parimet që mbartte u bë baba fisnik
që ruan me dashuri identitetin, kulturën dhe shpirtin e kombit të vet, por edhe
të kombeve të tjera të familjes europiane.