| E enjte, 14.07.2022, 07:42 PM |
Çfarë i bashkon Sorosin, Grenellin dhe Edi Ramën me Aleksandër Vuçiq?!
Nga
Enver Bytyçi
Richard
Grenell gjatë një fjalimi në Universitetin e Beogradit u deklarua dje në tri
pika sa i përket Kosovës: 1) Tha se pengesë për dialogun Kosovë - Serbi është
qeveria Kurti dhe Bashkimi Europian; 2) Kërkoi që KFOR-i të largohet nga Kosova
(S'ka çfarë ai bën më aty); 3) Rekomandoi që Serbisë të mos i kërkohet njohja e
Kosovës (si kusht pët integrimin në BE)! D.m.th ish-shefi i madh i shërbimeve
sekrete amerikanë në administratën Trump dhe ish- negociatori midis Thaçit e
Vuçiq për ndarjen e Kosovës, nuk ka heq dorë nga qëllimet e tij. Me këtë
deklaratë ai kërkon t'i hapë rrugën ose rikthimit të sovranitetit të Serbisë në
Kosovë, ose ndarjes së saj!
Dhe
kur kërkon që KFOR-i të largohet nga Kosova, do të thotë se përpiqet t'ia
lehtësojë Beogradit realizimin e këtij projekti: O me hatër, o me zor! O me
bisedime e marrëveshje, ose me luftë!
Gjithmonë
ambasadori Grenell ka qenë në këtë linjë. Por në këtë referim në Beograd ishte
më konçiz, më i qartë, më i prerë, më i hapur! Jo si në kohët kur përgatiti
projektin e marrëveshjes për shkëmbimin e territoreve dhe i nisi dy presientët,
Thaçi e Vuçiq, për nënshkrim në Uashington! Ndërkohë që pas dështimit thoshte
se "Nuk kam parë asnjë projekt të tillë"! Atëherë përpiqej të
mashtronte. Ditën e djeshme nga Beogradi e hoqi maskën. Unë e konsideroj këtë
një qasje pozitive të tij! Së paku të hiqen maskat. Jo si Edi Rama që 29 ditë e
netë rri me Aleksandër Vuçiq e për t'i mashtruar shqiptarët ditën e 30-të e
thotë një fjalë të mirë për Kosovën!
Po
pse Grenell është kaq pro-serb? Sepse ai është edhe pro-rus! Sepse në
filozofinë e tij politike SHBA duhet të bashkohet me Rusinë kundër Europës!
Richard Grenell gjithë inatin e mllefin e ka me Bashkimin Europian dhe me
Europën në përgjithësi. Historia e tij anti-europiane është shpalos gjatë
viteve që shërbeu si ambasador i SHBA-ve në Gjermani. Ato vite ai mbështeti
ekstremin neofashist për t'u konsoliduar. Mbështeti të gjitha forcat e
ekstremit të djathtë e të majtë në Europë, me qëllim shpërbërjen e Bashkimit
Europian. Ishte kjo një veprimtari në pajtim të plotë me doktrinën
anti-europiane të Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin.
Ambasadori
Grenell punoi me ngulm për forcimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi. Donte me çdo
kusht që të rikthente politikat e vjetra të Luftës së Ftohtë dhe ta detyronte
Europën të strukej diku në një qoshe nga frika e hijes së një lufte bërthamore.
Kjo lidhje e tij ka shkuar aq larg sa në rastin e sulmeve ushtarake të
Kremlinit kundër Ukrainës të marrë anën e presidentit Putin. Ambasadori Grenell
ishte nxitësi i tërheqjes së trupave amerikane nga Gjermania dhe kërcënoi se do
të tërhiqeshin edhe trupat amerikane nga Kosova gjatë periudhës së qeverisë
Kurti 1! Nuk e di çfarë duhet më shumë për të kuptuar faktin se Richard Grenell
është anti-europian dhe pro-rus! Duke qenë pro-rus, ai nuk mund të mos jetë
edhe pro-serb. Si rrëgull do të thosha se kjo aksiomë vlen edhe për
kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili është pro-serb shumë më tepër sesa
i tillë është Grenell, ose së paku po aq sa ai.
Deklarata
e Grenell në Beograd për të fajësuar Albin Kurtin dhe BE-në, për të arsyetuar
të drejtën serbe mbi Kosovën dhe për të implementuar "këtë të drejtë"
përmes largimit të KFOR-it nga Kosova, nuk është larg deklaratave të Edi Ramës
në mbrojtje të Vuçiq. Kryeministri i Shqipërisë e merr gjithnjë në mbrojtje
sivëllaun e tij në Beograd. E justifikon atë kur nuk i ve sanksione Rusisë, në
solidarizim me SHBA-të dhe BE-në. Nëse dikush e ka parë një video të Aleksandër
Dugin, i cili konsiderohet si truri i Vladimir Putin, kupton lehtë dhe qartë se
Edi Rama përdor të njëjtën gjuhë në mbrojtje të presidentit të Serbisë dhe
justifikimit të tij për qëndrimin pro-rus. Dugin dhe Edi Rama i referohen
njëri-tjetrit kur është puna për të justifikuar qëndrimin serb ndaj Moskës në
rastin e sulmeve të saj kundër Ukrainës. Të dy kërkojnë të lavdërojnë Beogradin
pse nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë. Të dy kërkojnë mirëkuptim, duke
përmendur traditën historike të marrëdhënieve Rusi-Serbi e kështu me radhë!
Ambasadori
Grenell është në të njëjtën linjë. Por është interesant se si bashkohen
ekstremet. Sepse mendohet se Goerge Soros dhe interesat e tij financiare janë
ndërmjetës në marrëdhëniet e ngushta Rama-Vuçiq. E Grenelli i përket një
administrate amerikane anti-Soros. Si është e mundur që të dy palët në
kundërshti ekstreme me njëra-tjetrën mbështesin Serbinë dhe lidhjet e ngushta
Rama-Vuçiq?! Si është e mundur që Soros nga njëra anë është i shpallur si armik
i Putin mbështet aleatin e presidentit rus në Ballkan, Serbinë! Paraja, paraja
zotëri! Gjithçka në këtë botë bëhet për para! Paraja ibashkon, por edhe i ndan
njerëzit, në rastin konkret edhe ekstremet! Sorosi, Rama dhe Grenelli nuk bëjnë
përjashtim! Dhe ku është paraja ikën me vrap e drejta. Duhet të jesh shumë i
shpejtë për ta kapur atë!