| E enjte, 14.07.2022, 07:27 PM |
Servilët politikë, këto pjella të pështira të diktaturave
Nga
Eshref Ymeri
Dmitri Kiselovi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë
informative ndërkombëtare ruse “Rossia sevodnja” (Rusia sot) dhe
drejtues emisionesh televizive, i njohur si puthador (servil) i neveritshëm, si
një kone e regjur e Putinit, është bërë i njohur jo vetëm në sytë e opinionit
publik rus, por edhe në radhët e opinionit publik ndërkombëtar.
Për të trembur mbarë
opinionin publik të Ukrainës, por edhe për t’u mburrur para atij ndërkombëtar,
ky bujkrob i Kremlinit putinian, dy muaj para sulmit agresiv të ushtrisë
fashiste ruse kundër Ukrainës, deklaroi publikisht:
“Nëse bëhet fjalë për hyrjen e Ukrainës në NATO ose për shndërrimin e saj
në një territor ushtarak, atëherë Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne do t’u
vendosim në tëmth tytën e pistoletës. Ne kemi mundësi tekniko-ushtarake, Rusia
ka në zotërim armatimin më të mirë në botë…” (Citohet sipas: Genadi Svidrigajllov. “Kiselovi
kërcënoi Perëndimin me shndërrimin në “hi radioaktiv” në rast se kërcënon
Rusinë”. Faqja e internetit “Gazeta.ru”, 20 dhjetor 2021).
Kiselovi, ky
mburravec që krekoset si gjel deti, tetë vjet më parë, pati bërë po një
kërcënim të tillë në adresë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një emision televiziv përmbyllës të programit “Vjesti
njedeli” (Lajmet e javës), asokohe Dmitri Kiselovi pati deklaruar se Rusia
është i vetmi vend, i cili “ka aftësinë t’i shndërrojë Shtetet e Bashkuara
të Amerikës në hi radioaktiv".
(Citohet sipas: “Dmitri Kiselovi : “Rusia është e aftë t’i shndërrojë Shtetet e
Bashkuara të Amerikës në hi radioaktiv”. Faqja e internetit “echo.msk.ru”. 16 mars 2014).
Më shumë se një vit më vonë pas kësaj deklarate
prej idioti të shkolluar në ofiçinën e mburracakërisë putiniane, prapa së cilës
fshihet kompleksi i inferioritetit para Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe
humnera e mashtrimeve tipike të propagandës rusomadhe, gjeli i fryrë,
sahanlëpirësi i Putinit, Dmitri Kiselovi, pati deklaruar:
“Ushtria ruse është
më e mira në botë… Pilotët që janë duke kryer këtu, në Siri, detyra
luftarake,.. mishërojnë në vetvete Rusinë e fuqishme…” (Citohet sipas: “Putini e detyroi Kiselovin t’u lëpinte prapanicën
ushtarakëve rusë në Siri”. Faqja e internetit “RN BEE”. 16 mars
2016).
Po në këtë faqe interneti, të së njëjtës datë,
thuhet:
“Rusia e fuqishme? E
po, në këtë rast, të dalin para syve dy paradat ushtarako-detare të 26 korrikut
të vitit 2015, kur njëra raketë, në Sevastopol, as që u ngrit fare në ajër,
kurse tjetra u bë copë-copë në Balltijsk, në praninë e Vladimir Putinit ”
U desh sulmi fashist i Rusisë kundër
Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti, që të vërtetohej konkretisht në sytë e mbarë botës se cila na qenkej
“madhështia” e forcës usharake ruse, se cili na qenkej ai “armatimi më i mirë
në botë”. Ai sulm nxori në shesh faqe botës ndryshkun skandaloz, në të cilin
noton neocarizmi putinian, i cili s’qenka gjë tjetër, veçse një rezervuar
gjigand, i mbushur me mbeturina.
Kaliforni, 03 korrik 2022