| E marte, 12.07.2022, 08:23 PM |
MORALI I PROTESTËS DHE THIRRJA E PAPËS:
MOS INJORONI HALLET E NJERËZVE
Nga Frank
Shkreli
Gjatë lutjeve të Dielën në Vatikan, Papa Françesku
shprehu dhimbjen e thellë për popullin e Sri Lankës, i cili për disa muaj tani
– si pasojë e korrupsionit dhe një paqëndrueshmërie politike dhe ekonomike --
po përjeton një gjëndje krizash të thella politike dhe ekonomike, të cilat
kulminuan, ditët e fundit, në marrjen nën kontroll të rezidencës presidenciale
nga protestuesit dhe në premtime për dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të
qeverisë. Papa u bëri thirrje
autoriteteve të vendit që të marrin parasyshë nevojat ekonomike dhe politike të
popullit dhe të dëgjojnë zërin e të varfërve dhe nevojtarëve. “Së bashku me ipeshkvijtë e vendit, përsëris
thirrjen time për paqe dhe u lutem atyre që kanë autoritet, të mos injorojnë
hallet e të varfërve dhe nevojat e njerëzve”, tha ndër të tjera Papa Françesku
të dielën.
Protestuesit në Sri Lanka ngarkojnë me faj udhëheqsit
politikë aktualë të vendit, si përgjegjësit kryesorë për korrupsionin dhe
keq-menaxhimin e burimeve të vendit, që më në fund çuan në shkatërrimin
ekonomisë së vendit. Protestat në Sri
Lanka kanë ndodhur edhe më parë, por gjëndja e mjeruar ekonomike e kohëve të
fundit, e shkaktuar nga kushtet e vështira ekonomike si dhe nga keq-manaxhimi
dhe korrupsioni në radhët e autoriteteve politike të Sri Lankës – çuan më në
fund, javën që kaloi, në marrjen nën kontroll të Pallatit presidencial dhe të
banesës së kryeministrit të vendit – nga turma të zemëruara protestuesish. Rritja e çmimeve për artikujt e konsumit dhe
gjendja e përgjithëshme e mjerueshme ekonomike dhe politike, por edhe kriza
ekonomike botërore, nxitën protestat e një popullate të pakënaqur dhe të pa
shpresë, në Sri Lanka. Disa analistë po
krahasojnë gjëndjen e krijuar në Sri Lanka me situatën dhe protestën e fundit
në Shqipëri, duke thenë se çfarë po ndodhë në Sri Lanka nuk është aq e ndryshme
nga gjëndja në Shqipëri, ku javën që kaloi edhe atje u zhvillua një prej
protestave më të mëdha në vend kundër gjëndjes
së mjerueshme ekonomike dhe kundër qeverisjes autoritare dhe arrogante të
kryeministrit të vendit.
Media ndërkombëtare raporton nga Sri Lanka se qeveria e
atij vendi është kontrolluar nga familja e njohur Rajapaksa, e cila ka dominuar
jetën politike në atë vend për pothuaj një çerek shekulli. Në Sri Lanka mund të jetë një familje e
njohur që ka ushtruar influencën kryesore politike dhe ekonomike në atë vend
për dekada, ndërsa në Shqipëri është Partia, familja më e gjërë ideologjike,
ajo që, si pasardhëse e Partisë së Punës (Komuniste), kontrollon pothuaj çdo
gjë në vend. Në Sri Lanka protestat detyruan Presidentin dhe Kryeministrin e
vendit të jepnin dorëheqjen dhe të premtojnë se së shpejti do formohet një
qeveri e re e përkohëshme.
Edhe autoritetet qeveritare shqiptare duhet të dëgjojnë
zërin e protetsuesve dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për problemet me të
cilat përballet vendi sot – ashtu siç benë autoritetet e Sri Lankës, duke dhenë
dorëheqjen – si kërkesa kyresore e protestuesve. Në protestën më të madhe që mbahet mend në
Shqipëri, protesuesit shqiptarë dolën në shesh dhe në bulevard për të drejtat e
tyre – përball një gjëndjeje të rëndë ekonomike, drogës dhe korrupsionit të
lartë që, sipas disa enteve ndërkombëtare, ka prekur të gjitha nivelet e
qeverisë dhe mbarë shoqërinë shqiptare.
Shqetësuese për protestuesit është edhe mungesa e drejtësisë së
barabartë (të gjithë nuk janë të barabartë para ligjit), largimi në masë i
shqiptarëve nga vendlindja si rezultat i gjëndjes së rendë socio-ekonomike të
krijuar. Sulmet e kryeministrit Rama
ndaj të drejtave të njeriut, përfshir kufizimet e të drejtave të gazetarëve dhe
lirisë së fjalës, në përgjithësi, kanë shqetësuar shumë opinionin vendas dhe
ndërkombëtar-- ndër një mijë halle të tjera me të cilat përballen shqiptarët
çdo ditë, si përfundim i keq-qeverisjes dhe korrupsionit masiv në vend.
Prandaj është e natyrshme dhe e moralshme që kur populli
nuk gjenë zgjidhje të problemeve të veta në zyrat dhe institucionet e qeverisë
dhe të shtetit, atëherë njerzit do kërkojnë dhe do të protestojnë për të
drejtat e tyre në sheshet dhe rrugët e vendit.
Kështu ndodhi në Sri Lankë, kështu ndodhi edhe në Tiranë javën që kaloi.
Shembuj të tillë protestash – shpesh paqësore e herë të
tjera jo aq paqësore -- që bejnë ndryshimin, ka pasur plot historia dhe ka
gjithnjë anë e mbanë botës. Frank Shkreli: Fuqia e të Pafuqishmëve | Gazeta Telegraf
Morali i Protestave dhe mos bindjes
civile, sipas Martin Luther King -- Për ne në Amerikë,
është e njohur lëvizja e Martin Luther King-ut, priftit protestant i sektit
Baptist, njëkohësisht edhe ish-aktivist i të drejtave civile, i njohur në
Amerikë dhe në botë si zëdhënësi dhe udhëheqësi më i njohur i lëvizjes për
promovimin e të drejtave bazë të njeriut, nëpërmjet protestës paqësore dhe
mosbindjes civile. Ai i bazonte taktikat
e tij të rezistencës paqësore në besimin e tij të krishterë, ndërkohë që gjente
frymëzim edhe nga aktivizmi paqësor i Mahatma Gandhi-t.
Ajo periudhë cilësohet nga historianët si një periudhë
shprese biblike e Martin Luther Kingut, shpresë që pothuaj askush nuk mund t’a
parashikonte ndoshta as vetë Martin Luther Kingu – se një ditë shpresat e tija
do bëheshin realitet. I gjithë aktivizmi i Doktor Martin Luther Kingut në
mbrojtje të demokracisë, drejtësisë, të lirisë dhe të drejtave të barabarta për
të gjithë, vazhdon edhe sot të jetë një thirrje tepër aktuale këtu në Shtetet e
Bashkuara dhe anë e mbanë botës. Fjalët
e tija mbajnë gjallë shpresën, se më në fund e mira do ta mundë të keqen.
Deklararat e Martin Luther Kingut – si një trashëgimi e
tij, megjithëse janë të një periudhe para më shumë se 50-vitesh -- tingëllojnë
edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë, biblike, jo vetëm për
aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese dhe
shembull edhe për situata dhe protesta paqësore të popujve kudo në botë. Ai
fliste për vlera dhe moral njerëzor, për të drejta universale për çdo individ
dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasysh racën, fenë ose origjinën
etnike ose bindjet politike. Por koha, as demokracia nuk presin pafund, për
zgjidhjen e problemeve të cilës do shoqërie qoftë, është shprehur Dr. Martin
Luther Kingu në fjalimin e famshëm që ka mbajtur në Katedralen Kombëtare të
Uashingtonit, në mars të vitit 1968.
Ai ka folur me atë rast për argumentet e disa personave
të asaj kohe, të cilët ankoheshin se problemet nuk mund të zgjidheshin
menjëherë, se duhej kohë, se koha në të vërtetë, do të shëronte të gjitha
plagët, sipas tyre. “Koha”, ka thënë Martin Luther Kingu, “Është një mit, e ky
mit është se koha është neutrale, se ajo mund të përdoret për qëllime
konstruktive, por edhe për qëllime shkatërruese.” Justifikimin, se koha do i
shërojë të gjitha problemet -- forcat e errëta, sipas tij e kanë përdorur më
efektivisht se forcat e vullnetit të mirë. Koha do ta tregojë, ka thënë Martin
Luther King se, “Do të duhet që ky brez, eventualisht, të pendohet për të bëmat
e forcave të errëta – dhe jo vetëm për fjalët dhe veprat e dhunës së tyre – por
edhe për heshtjen e tmerrshme dhe për qëndrimet indiferente të njerëzve vullnet
mirë, të cilët rrinë duarkryq”, përballë problemeve me të cilat ballafaqohet
shoqëria. “Ç’më duhet mua”! Por, “Pa një
punë të rëndë dhe pa përpjekje të vazhdueshme për zgjidhjen e problemeve nga
njerëzit e vullnetit të mirë, koha në vetvete, bëhet aleate e ngushtë e forcave
të errëta e primitive të stagnimit shoqëror, politik dhe ekonomik, është
shprehur Martin Luther Kingu. Duke shtuar se koha për të vepruar është
tani. “Duhet të jemi bashkëpunëtorë të kohës duke qenë të vetëdijshëm se koha
është, gjithmonë, e përshtatshme për të bërë mirë, për të bërë atë që duhet
bërë”, për të mirën e përbashkët, është shprehur ai.
“Në qoftë se njeriu nuk ka punë as të ardhura, ai nuk ka
as jetë, as liri, as perspektivë dhe as mundësinë për të qenë i lumtur”, ka
thënë ai. Duke njoftuar protesta
paqësore kundër diskriminimit, në atë kohë, në Amerikë, ai kishte deklaruar se,
“Kemi ardhur në Uashington” — është shprehur Martin Luther Kingu, në fjalimin e
tij në Katedralen Kombëtare të kryeqytetit amerikan, në vitin 1968, “Për t’u
angazhuar në një veprim dramatik paqësor, për t’u kujtuar të gjithëve hendekun
e madh që ekziston midis premtimeve të bëra dhe mosrealizimit të premtimeve të
dhëna. Për ta bërë të padukshmen, të dukshme”, ka theksuar ai, duke
paralajmëruar se, “Asgjë nuk do të arrihet drejt zgjidhjes së
problemeve me të cilat përballet shoqëria, në qoftë se njerëzit vullnet mirë,
rrinë duarkryq, duke shpresuar se koha, eventualisht, do t’i zgjidhë
problemet.”
Deklaratat dhe fjalimet e tij, megjithëse i përkasin një
periudhe tjetër historike, tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike,
për të mos thënë, biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në
Amerikë sot, por janë reflektuese edhe për situata protestuese të popujve kudo
në botë. Martin Luther Kingu fliste për vlera dhe moral, për të drejta universale
të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasysh
racën, fenë ose origjinën etnike. Amerika sot është një vend më i mirë për të
gjithë, falë angazhimit të Dr. Martin Luther Kingut dhe protestave të tija për
promovimin e të drejtave bazë të njeriut, nëpërmjet protestës paqësore dhe
mosbindjes civile, këtu në Shtetet e Bashkuara.
“Është përgjegjësi morale që njeriu të mos u bindet ligjeve të
padrejta”, ka thenë Martin Luther King, duke shtuar se “Padrejtësia kudo qoftë,
është kërcënim për drejtësinë gjithkund tjetër.”
Edhe në Amerikë vazhdojmë të përballemi me probleme
politike e shoqërore. Por jemi të vetëdijshëm se, ajo që e dallon Amerikën --
nga shumica e vendeve të tjera, siç është shprehur në një fjalim edhe ish-Presidenti
i parë afrikano-amerikan, Z. Barak Obama -- “Është angazhimi dhe mbështetja që
ky vend u akordon vlerave universal e që bëjnë të mundur të korrektojmë të
metat dhe mangësitë tona dhe padrejtësitë duke u përmirësuar progresivisht si
shoqëri dhe si rrjedhim, duke u bërë më të fortë. Liria e fjalës dhe e drejta
për të protestuar ka bërë të mundur që femrat dhe pakicat të demonstrojnë në
favor të drejtave të plota dhe të barabarta për të gjithë, në një kohë kur
atyre iu ishin mohuar këto të drejta.”
Presidenti Obama ka theksuar me
atë rast se protestat paqësore për, “Zbatimin e ligjit dhe administrimin e
drejtësisë, kanë rrëzuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i
kanë dhënë fund abuzimit të pushtetit. Ndërkohë, që media e lirë zbulon korrupsionin
në të gjitha nivelet, përfshirë edhe entet qeveritare.”
Prandaj, larg duartë nga liria e fjalës dhe media e lirë
– si njërës prej vlerave më të shënjta për një demokraci të vërtetë dhe si e
tillë e paprekshme nga autoritetet e korruptuara, kudi qofshin ato!
“Protesta paqësore është arma më efektive kundër një
shoqërie raciste dhe të padrejtë”, ka thenë Martin Luther King.
Protesta e madhe në Tiranë, 7 Korrik, 2022